Ç’është filozofia popullore?


Me fjalën filozofi popullore në këndin tonë të shikimit duhet kuptuar mënyra se si i shikon populli dukuritë e jetës, si i kupton dhe interpreton ato, si i karakterizon, si i vë në shërbim të tij, çfarë qëndrimi mban ndaj tyre, çfarë përgjigjesh u jep pyetjeve që e mundojnë, si ndikojnë këto përgjigje në sjelljen dhe qëndrimin e njeriut, çfarë mësimesh të vlefshme nxjerr e të tjera. Një nga qëllimet e kësaj filozofie ka qenë arritja “e mundësive konkrete të njeriut për të bërë disa hapa përpara në shpjegimin, përcaktimin dhe vënien nën kontroll të botës” 1) Nga shumë dukuri filozofike të marrim njërën prej tyre-Shpresën. Mishërimi i filozofisë popullore në këtë dukuri do të dilte në dhënien e përgjigjeve të këtyre pyetjeve: Ç’është shpresa? A ekziston shpresa? Çfarë vlere ka shpresa? A duhet të jetojë njeriu me shpresë? Pikëpamja filozofike e popullit për këtë dukuri mishërohet në format e ndryshme të krijimtarisë së tij: në fjalë të urta, në përralla, gojëdhëna, mite, legjenda, tregime, alegori, poezi popullore, në gjithçka të tijën. Filozofia e popullit të mëson si ta jetosh jetën. Ajo është përvojë jetësore. Filozofët popullorë kanë besim që me mësimet dhe idetë e tyre, me thëniet, qëndrimet dhe veprimet kanë ndikuar mbi popullin për mirë, e kanë drejtuar atë në rrugën që duhej ndjekur për të bërë një jetë të denjë e të virtytshme. Ajo është zhvilluar në mesin e popullit, në gjirin e tij dhe jo në katedra universitare. Në të përfshihen ëndrrat dhe pasionet, dëshirat dhe vullneti, të gjitha përpjekjet që bën populli drejt progresit; në të janë të mishëruara edhe vuajtjet e fatkeqësitë, gëzimet e hareja.

Filozofia antike dhe moderne nga shekulli në shekull është pasuruar dhe përsosur. Filozofia antike është zhvilluar nëpërmjet shkollave filozofike ku lëvronin idetë dhe pikëpamjet e veta botëkuptimore shumë filozofë. Shkollat u hapën që themeluesit t’u përcillnin dishepujve mësimet e tyre. Në Greqinë e Lashtë nuk ekzistonte kurrëfarë universiteti, kjo qe “arsyeja që filozofët u ndjenë të shtrënguar të organizoheshin në shkolla që themeluan me forcat dhe përpjekjet vetjake”. 2) Filozofia e sotme moderne karakterizohet nga bashkëpunimi midis filozofëve të ndryshëm, mbasi këta e kanë kuptuar dhe janë “shprehur haptas se asnjë filozof nuk mund të arrijë të trajtojë dhe të zgjidh krejt i vetëm të tërë çështjet thelbësore të filozofisë.”

Filozofia e popullit ka lindur gjatë procesit të zhvillimi të jetës që nga stadi më i ulët i shoqërisë njerëzore deri në stadin e sotëm. Nuk jemi në gjendje ta përcaktojmë moshën e saj. Por një gjë është e sigurt: mendimi njerëzor ka pasë arritur në nivel aq të lartë sa ne edhe sot habitemi me pjekurinë e tij. Kjo do të thotë se rajoni ku jetuan të parët e shqiptarëve të sotëm ka qenë i zhvilluar. Pararendësit tanë më të hershëm (Pellazgët-Ilirët) kanë qenë më të zhvilluar se fqinjët. Më poshtë do të bëjmë krahasime.

Zhvillimi i kulturës greke në lashtësi tashmë nuk është një gjë që mohohet. Filozofia antike e pati zanafillën e saj në Miletet greke në Azinë e Vogël, me përfaqësuesit më të zëshëm: Talesi, Anaksimandri dhe Anaksimeni. Por tre më të mëdhenjtë e kësaj filozofie janë: Sokrati, Platoni dhe Aristoteli.

Dy prej tyre, Platoni dhe Aristoteli, kaluan shumë vjet, i pari – në Sirakuzë, i dyti- në Maqedoni, pranë oborreve mbretërore. Aristoteli u bë mësues për Aleksandrin e vogël që do të bëhej i famshëm. 3) Por të parët tanë kanë qenë para grekëve në këtë rajon. Pellazgët janë popullsia më e lashtë në kontinent. Studime interesante dhe me themel për lashtësinë dhe zhvillimin e Pellazgëve-Ilirëve-Shqiptarëve ka bërë Nermin Vlora Falaski me librin e saj të vëllimshëm: “Pellazgët, Ilirët, Etruskët, Shqiptarët”. Shqipja, sipas saj, ishte gjuhë e përbashkët e pellazgëve, ilirëve dhe etruskëve të lashtë. Nëpërmjet shqipes mund të rindërtohet edhe historia e këtyre popujve. Ilirishtja ose shqipja, thotë kjo autore, nuk u helenizua edhe pse pati në përdorim shkrimin grek; nuk u romanizua, nuk u sllavizua, nuk u turqizua, shqiptarët ditën ta ruajnë kulturën dhe traditat e veta edhe nën pushtime të gjata. Kjo është arsyeja përse u ruajt gjuha në Iliri, përkatësisht në Shqipëri. “Mirëpo shtrohet pyetja si u përhap ilirishtja në Gadishullin Apenin?! Kësaj pyetjeje i përgjigjet Herodoti, i cili thotë: “Etruskët flisnin gjuhën e një populli të lashtë, që jetonte në krahinën e Mesdheut para ardhjes së grekëve” që do të thotë se etruskët ishin pellazgë, në të vërtetë ilirë, të cilët, para se të vendoseshin grekët në Gadishullin e Ballkanit (12 shekuj para erës sonë), jetonin në Jug të Ilirisë”. 4) Nermin Vlora Falaski flet edhe për zhvillimin e madh të jashtëzakonshëm të këtyre popujve, për atë lloj qytetërimi që ka ekzistuar, por që tani ka humbur. “Dhuna dhe egërsia, – shkruan autorja,- i fshehin kulturat në shkurre të helmuara. Por, kultura është dritë që, edhe kur duket e fshehur, nuk asgjësohet dhe, shpejt ose vonë, del e vezullon në një trevë kulture të zhvilluar me fisnikëri të vërtetë. Në kulluesin e madh të kohës mbetet pjesa bërthamore e një kulture të fshehur me dhunë dhe kjo vjen dhe ndriçon përsëri në çastin e përshtatshëm. Nëse trashëgimia pellazge-etruske ishte zbërthyer nga romakët, ajo diti të lulëzonte përsëri në TOSKE të etruskëve, duke ndriçuar Botën rilindase me ato mendje madhështore…”5) Prej këndej nxjerrim përfundimin se nuk është aspak për t’u çuditur me ato tekste të mrekullueshme me përmbajtje filozofike të popullit tonë që na vinë nga lashtësia, se, siç e pamë, jo vetëm jemi më të hershmit se të gjithë ata që jetojnë sot në Gadishullin Ballkanik, duke përfshirë edhe grekët, por edhe kemi lëshuar dritë më shumë.

Në filozofinë popullore përfshihen të gjitha format shpirtërore të shprehjes së mendimit të popullit, duke filluar me magjitë, mitet, paragjykimet dhe me forma të tjera të mendimit primitiv. Këtë “konglomerat” të filozofisë popullore e kanë vërejtur edhe filozofët modernë, një prej tyre është edhe Cohen, i cili, duke iu referuar lashtësisë, bën fjalë për “një lloj psikologjie primitive (që) karashtisej shpeshtas me epistemologjinë, kozmologjia përzihej me etnologjinë, teologjia me metafizikën, ekonomia apo antropologjia me filozofinë politike dhe kështu me radhë”. 6

1) William Jordan: “Koncepte të hershme filozofike”, Logokron 2008, f. 16

2) Jordan: 2008:19

3) Jordan: 2008: 8

4) Nermin Vlora Falaski: “Pellazgët, Ilirët, Etruskët, Shqiptarët”, shtëpia botuese “Faik Konica”, Prishtinë 2014, f. 11

5) Falaski: 2014:11

6) Willian Jordan: 2008: 17