Kalila dhe Dimna në shqip nga Sulejman Tomçini


“Një nga librat më të famshëm që është shkruar ndonjëherë, është libri i njohur nga arabët si “Kalila dhe Dimna”, një bestseller për pothuajse 2000 vite dhe një libër që ende lexohet me kënaqësi në gjithë botën. Ai është përkthyer të paktën 200 herë në 50 gjuhë të ndryshme.”

Paul Lunde

Kalila dhe Dimna”, në formën si paraqitet, del si vepër e një barhami indian, që ka jetuar, afërsisht, në kohën e fushatës indiane të Aleksandrit të Madh, filozofit Bajdaba. Në të, përveç 15 tregimeve-fabula, janë edhe parathëniet, siç është ajo e paraqitur nga Bahud Bin Sahvan, i mbiquajtur Ali Bin Shah al- Farisiu, ku jepen shkaqet se, përse e shkroi këtë vepër filozofi Bajdaba dhe përse ngjarjet dhe bisedat ua mveshi kafshëve dhe shpendëve etj. Kapitulli rreth dërgimit të mjekut dhe dijetarit pers Barzavi në Indi në kërkim të kësaj vepre dhe të veprave të tjera të kulturës, shkencës dhe mençurisë indiane, nga ana e mbretit Anu Shurvan të Persisë; parathënia e Abdullah Ibn Al-Mukafas,  si dhe kapitulli jetëshkrimor mbi Barzavin, i përgatitur nga ministri i mbretit Anu Shurvan, Buzur Xhamihra Bin Al-Bahtakan, mund të mos i bashkëngjiteshin këtij botimi, por heqja e tyre nuk do ta jepte të plotë atë, për më tepër që vetë këta kapituj janë perla të vërteta artistike dhe etiko-morale dhe e ndihmojnë lexuesin të futet më mirë në vorbullën e kohës kur është shkruar kjo vepër.

Ka pikëpamje të ndryshme për autenticitetin e veprës, por të gjithë bashkohen në mendimin se pesë prej fabulave janë origjinale, të marra nga njëri prej librave më në zë të klasikes indiane “Pançatranta”, që në shqip përkthehet “Pesë rastet e mençurisë”. Këto janë fabulat: “Luani dhe Demi”, ku dy çakej me emrat Kalila dhe Dimna, që janë dy personazhet kryesorë të saj, i kanë dhënë emrin veprës; “Pëllumbesha e egër”, “Bufët dhe korbat”, “Majmuni dhe breshku” dhe i pesti “Asketi dhe Nuselala”. Por theksohet se edhe fabulat e tjera janë autentike indiane, pavarësisht se asnjëra prej tyre nuk i ka shpëtuar ndonjë shtese apo ndryshimi. Fabulat janë ndërtuar në formë tregimi, që shumë herë ndërpritet nga futja në të e tregimeve të tjera ndërmjetëse, që, pavarësisht se e largojnë paksa lexuesin nga boshti qendror, janë në funksion të idesë qendrore dhe në një farë mënyre shërbejnë për të mbështetur këtë ide.

Europianët janë njohur me këtë vepër për herë të parë aty nga viti 1251, të përkthyer spanjisht nga versioni arab. Më vonë, italiani Baldo bëri një përpunim të ri të saj me titull: “Novus Aesopus” (Ezopi i Ri), që shërbeu si bazë për përkthimin në latinisht. Megjithatë, versioni, të cilit iu referuan për një farë kohe përkthyesit e ndryshëm europianë, ishte ai i përkthyer nga hebraishtja në latinisht nga Xhovani Da Kapua, midis viteve 1263 – 1278. Më vonë janë bërë një sërë përkthimesh e botimesh të tjera direkt nga gjuhët e orientit, duke influencuar jo pak në letërsinë europiane, sidomos te fabulistë të tillë të famshëm si La Fonteni.

Me përkthimin në shqip të kësaj vepre dhe botimin e saj bëhet një hap tjetër në drejtim të njohjes së lexuesit shqiptar me perlat e letërsisë klasike indiane dhe, në përgjithësi, orientale.