Letërkëmbime nga larg me Moikom Zeqon


I nderuar Abdurahim Ashiku,

Mora letrën Tuaj, të gjatë e të përmallur. Ju falënderoj me gjithë shpirt. E kuptova menjëherë se ç’ju ka shtyrë në shqetësimin Tuaj, që frymë merrte në çdo germë të shkruar. Më vjen mirë që ajo që kam shkruar unë për Himarën Ju ka bërë përshtypje. Por shumë interesante hanë ngjarjet, që më tregon dhe sidomos ato që më përshkruan për Lurën. Unë kam qenë shumë herë në Lurë dhe e dua jashtëzakonisht Lurën. Liqejtë përrallorë të Lurës nuk shkëlqejnë më si dikur, pyjet dhe njerëzit mbartin një trishtim sipas vargut rapsodik ”shumë po ndrit ai Diell, por pak po nxen”. Por Dielli i brendshëm i Lurës nuk mund të vdesë. Në hullinë e ekspeditave informative, që unë kam ndërmarrë në këto dy vitet e fundit në të gjithë Shqipërinë, mendoj se Lura do të jetë një motiv, që unë do ta rrok shumë shpejt dhe padyshim do të shkruaj diçka për historinë, për monumentet natyrorë, arkeologjikë dhe njerëzorë të Lurës.

Jepini të fala nga unë familjes Tuaj, tërë miqve e shokëve dhe shpresoni më shumë jo si shprehje të humorit, por të një bashkëpunimi konceptual për të ardhmen më të mirë të shqiptarëve dhe të gjithë të tjerëve,

Me respekt,

DR. MOIKOM ZEQO

Tiranë, 23.V.2003

I nderuar z. Moikom!

Larg dheut tënd çdo gjë mallzohet në atë shkallë sa shpirti njerëzor, shkon drejt rezonancës… Por nuk këputet, sepse ura që lidh dy brigjet e kujtesës, dy anët e brigjeve të dheut, ka këmbë e trarë jo vetëm mbi tokë e mbi ujë por thellë nëntokës e nën ujit. Ka rrënjë të thella siç do të thoshin biopoetët…

Para disa ditësh, në berberhanen e një elbasanlliu në Ipiru – 8, dhjetë kërcime trehapësh larg Omonias, e lashë gazetën “Koha Jonë” pa fletë mezi. Berberi që nuk lë gazetë pa marrë më telefonoi në shtëpi dhe më akuzoi se “kam vjedhë Moikom Zeqon (!)”. Qesha në anën time të telefonit, ashtu siç qeshte babaxhanshëm edhe ai në anën tjetër.

E qetësova se nesër në mëngjes “do t’ia kthej Moikomin”, madje i premtova se të shtunën që vjen, më 10 të majit, do t’ia ktheja në pesë mijë kopje. Të nesërmen, kur i dorëzova faqen e mesit të gazetës më tha se nuk do të më kishte shqetësuar për një fletë gazete në qoftë se nuk do të kishte gjetur belanë me një himarjot që pasi nuk kishte gjetur kopje gazete gjëkundi, kërkonte medoemos të lexonte atë që ju kishit shkruar për vendlindjen e tij.

Unë e futa “Himarën e tij“ dhe “Himarën tënde“ në disketë dhe pasi e bukurova me ato “rroba“ që m’u ndodhën, ia përcolla lexuesit ikanak shqiptar ku ndodhej e ku nuk ndodhej në të gjithë “vilën e rrushit grek“. Që mos më keqkuptoj ndokush me shprehjen në thonjëza, sqaroj se mua si biolog e tërë harta e Greqisë më ngjan me një vile rrushi me kaltërsinë e qiellit për sfond. Shihe po të duash dhe mos më jep të drejtë.

Unë vetëm një herë kam kaluar nëpër Himarë. Vetëm një herë në jetën time kam provuar të notoj në detin e saj. Vetëm një herë e kam bërë të plotë rrugën nga Vlora në Sarandë. E kam bërë kur isha student. Nuk e mbaj mend me siguri në se ishte viti 1962 apo 1964. Më vonë, në fillim të viteve shtatëdhjetë i jam afruar Himarës nga Veriu deri në Dhërmi, ku kalova trembëdhjetë ditë të bukura në kampin e punëtorëve, dhe një herë nga Saranda në Borsh. Jua thashë këto për t’ju siguruar se nuk e njoh gjerë e gjatë Himarën. Megjithatë mund të të pohoj një gjë: Bukurinë e saj, bukurinë me shikimin e parë, dashurinë me “shikimin e parë“ e ruaj si një relike të çmuar të rinisë sime. Këtë dashuri të ngrirë thellë në kujtesën time mund të them se ma zgjuat ju me atë pathos të jashtëzakonshëm ku shkrihej poeti, shkrimtari, arkeologu, historiani, atdhetari…

Unë kam lexuar shumë libra tuaj. Disave u kam hyrë thellë dhe jam mbushur me gëzim kur kam mbyllur faqen e fundit. Disa të tjerë nuk i kam lexuar deri në fund. Ndoshta kjo thjesht sepse kam ndjerë ndonjë boshllëk kulturor për ato që shkruaje. Se njeriu nuk i din të gjitha dhe nuk arrin që t’i mësojë të gjitha. Kështu bën edhe miku juaj e miku im Kristo Zharkalliu, i cili ka një kujtesë fenomenale, ka një arkiv shkrimesh për tu pasur zili, por ka edhe një kleçkë që ato që i shkruan i mban për vete, u merr frymën duke i mbyllur nëpër thasë.

Unë e mora shkrimin tuaj dhe e ribotova në gazetën “Rilindja XXI“ gazetë në të cilën, pas punës së lodhshme të kopshtarit, çlodh paksa shpirtin, çmallem me fjalën e bukur shqipe, çmallem nga larg me vendin tim.

Nuk ka shqiptar që të mos e njohë Naim Frashërin, poemën e tij, të mos dijë përmendësh vargje të tëra ku shprehet brenga dhe malli për mëmëdheun. Por Naim Frashëri, dhe të gjithë rilindësit e tjerë, kuptohen vetëm kur je larg Shqipërisë. Vetëm atëherë Naim Frashërit hyjnë në gjak, bëhen rruaza të kuqe dhe qarkullojnë nga zemra në tru, në shqisa, në gjymtyrë, vrapojnë rrugëve të jetës çmendurisht…

Më mungon dheu im i dashur Moikom, më mungon shumë. Në moshën që jam (më 11 maj 2003 hyra në të gjashtëdhjetë e tretin vit të jetës) do të doja fizikisht të jem atje, të merresha me kultivimin e luleve të dheut shqiptar, të zbukuroja një vilë shqiptari e jo një vilë greku. Në moshën që kam do të doja që dijet dhe përvojën modeste jetësore t’i shkrija për vendin tim. Më mungon vendi im Shqipëria por mbi të gjitha më mungon Dibra ku linda, ku hodha shtat, ku u burrërova dhe iu gëzova lindjes së tre fëmijëve.

Ju nuk e njihni Dibrën, i dashur Moikom, ose, më saktë do të thosha, e njihni aq sa njoh unë Himarën.

Dibra, dhe e gjithë e ashtuquajtura Verilindje, ka qenë gjithnjë larg vëmendjes së intelektualëve cilësorë, larg penave të tyre. Po të hulumtosh shumicën e shkrimtarëve tanë të djeshëm, shumicën e kineastëve, do të konstatosh se vende të tilla janë trajtuar gjithnjë si vende internimi të intelektualëve. Në letërsinë dhe artin e asaj kohe heronjtë i çonin për “qarkullim” në Peshkopi, Kukës, Tropojë, Pukë…

Në vitet ’80-të, i dashur Moikom, në fjalorin e politikanëve të lartë hyri slogani “Verilindje“ në kuptimin si të thuash “Afrika e Zezë“. Për të ndihmuar këto zona u shpik termi “dublant“. U dubluan drejtorët, shefat e seksioneve, kryetarët e kooperativave duke dërguar njerëz të rëndomtë, çinovnikë, nga administrata qendrore, me paga e dieta speciale. Kjo ka qenë ofeza më e rëndë që i është bërë intelektit të këtyre zonave. Asokohe në Dibër qarkulloi një mesele, thelbin e së cilës po ta përcjell shkurt…

…Ishte kohë mbjelljesh pranverore. Një kryetar kooperative merr në telefon sekretarin e parë të komitetit të partisë dhe pasi i raporton gjendjen dhe mundësinë që mbjelljet t’i përfundojë në afat, i kërkon ndihmë…

Po të dërgoj menjëherë dy instruktorë. – i thotë sekretari

Kryetari i kooperativës, i njohur për humorin e tij, i thotë:

O shoku sekretar ! Më mirë më dërgo dy traktorë se sa dy instruktorë…

Dublantët në Dibër i quajtën “galloshe“. Nofka rrjedh nga një lloj veshjeje llastiku, prodhim i NISH-gomës së Durrësit, që u vishej këpucëve për të mos u hyrë uji. Për to ka aq mesele sa po të dilte njeri t’i mblidhte do të kishim një libër të veçantë alegorik.

Me siguri, i dashur Moikom, keni dëgjuar për Universitetin e Dibrës. Dibra ka një Universitet të madh. Ai fillon kur njeriu lidh fjalët e para dhe zgjidh fjalët e fundit. Është një lloj universiteti ku njeriu “plaket duke nxënë“ siç thuhet, është student i përjetshëm. Nuk jep diplomë por “diploma“ e tij njihet në të gjithë botën. Unë e ndjek këtë universitet edhe pse jam larg dhe do ta ndjek tërë jetën.

…“Unë kam mbaruar Universitetin e Oksfordit, por mbarova edhe një universitet të dytë, atë të Dibrës“ shkruan Reginald Hibbert…

… “Katër ditë në Dibër më kishin mësuar më shumë thelbin e politikës, se sa të gjitha librat për teorinë e kushtetutës dhe të ekonomisë politike që i kisha lexuar në Oksford“ – shkruan JulianEmery.

Se kush janë Reginald Hibbert dhe Julian Emery, nuk po zgjatem. Ju i dini dhe vepra e tyre tashmë është edhe në shqip.

Shpesh, këtu në vendin ku detyrueshëm u ngujova, pyes veten: Deri kur ne shqiptarët do t’u referohemi të huajve për aksiomat historike të gjenezës sonë ? Nuk marr përgjigje. Nuk jap përgjigje. Nuk më le politika dhe politikanët tanë truri i të cilëve është në perëndim dhe jo në lindje. E kam fjalën për jetën e jo për gjeografinë e botës…

Eja, i dashur Moikom, të bëjmë një udhëtim nëpër Dibër. Unë po nisem nga Athina falë lejes së “Panagjisë së gushtit” që na japin çdo vit grekët, kurse ju nisuni në daç nga Tirana ku drejtoni Muzeun Historik Kombëtar e në daç nga Durrësi ku keni rrënjë e degë të forta të jetës suaj.

Ku thoni të takohemi?

Ku të doni por unë kam dëshirë të të pres në Fushë – Lurë.

Dikur, i dashur Moikom, kam shoqëruar në trajektoren e rrugës që  lidh si një zinxhir perlash pothuajse të gjithë liqenet e Lurës, një grup gazetarësh të huaj, gazetarë profesionistë që punonin asokohe në Radio-Tirana, në emisionet në gjuhë të ndryshme. Kishte në mes tyre argjentinas, brazilianë, portugezë, spanjollë, francezë, turq, kinezë, vietnamezë e ku ta mbaj mend unë. Nuk mund t’i harroj ata njerëz, përgjërimin, mahnitjen e tyre. Ishte e para herë që shihja njerëz të binin në gjunjë para bukurisë së liqeneve dhe gjelbërimit rrethues. Jo vetëm tek Liqeni i Koçekut (që ka një legjendë të mahnitshme) apo Liqeni i Madh siç quhet rëndom nga që është më i madhi ndër të gjithë, por edhe tek Liqeni i Zi, më i thelli nga të gjithë, tek Liqeni i Kallabës i fshehur pas gjelbërimit të pishave e deri tek Liqeni i Luleve më i bukuri dhe më i njohuri në fototekën e bukurive shqiptare. Ata njerëz të shkolluar në vendet e Perëndimit dhe të Lindjes, binin në gjunjë dhe murmurisnin në gjuhët e tyre lutje me vështrimin herë nga bukuria e natyrës së virgjër dhe herë nga qielli  si për t’i kërkuar Zotit llogari se pse e ka fshehur kaq kohë një bukuri të tillë, pse e mban “për vete“ këtë parajsë të mbitokës.

Nuk e di në se keni qenë ndonjëherë  në Lurë zoti Moikom apo jo. Në qoftë se keni qenë shkoni përsëri. Do të desha të isha shoqëruesi juaj, një shoqërues modest. Do të desha t’ju marr përdore dhe t’ju çoj diku sipër Borie Lurës, aty ku gurë të mëdhenj, ciklopikë siç thoni ju arkeologët, janë vënë njeri mbi tjetrin e kanë bërë mure. Hamendjet e njerëzve që i kanë marrë si gurët në tespie nga hamendje dhe i kanë përcjellë brez pas brezi si të tilla, thonë se ata janë gurë në mure iliriane. Edhe vetë emri LURË thonë se vjen nga emri ILIRI. Do të sugjeroja t’u çoje fjalë arkeologëve të vinin dhe në mos të përdornin kazmën për gërmime, të përdornin sytë dhe të shkruanin rreshtin e parë të një historie të lashtë luriano – arbërore.

Do të desha t’ju fusja krahun dhe pasi të qarkullonim një për një liqenet t’ju çoja në Fushë të Pelave, në atë vend ku thonë se Skënderbeu kishte bazën kryesore të mbarështimit të kuajve luftarakë, ku, siç thonë legjenda pelat lindnin nga dy mëza e mëzat rriteshin e bëheshin kuaj për shalë e luftë me ditë.

Më pas do t’ju ngjisja kreshtës së malit, atje ku në njërin krah varen bukuritë e luginës së Matit me kanionin madhështor të Zall – Gjoçajt dhe me malet e Mirditës, ku mëngjeseve të maj – qershorit shihet deti. Në anën tjetër shikimi merr e ve në pëllëmbë të dorës liqenet, malet, luginat, buronjat…Në fund do të të zbrisja në Gurë Lurë, ku rakia e thanave është më aromatikja në botë, ku ka një mëhallë që quhet Thanë, mëhallë e zhytur në një pyll të tërë Thanash.

Këtu do t’ju vija para një prove, sigurisht në qoftë se nuk të lëviz tensioni dhe nuk të merren mendtë, provës së një monumenti ku natyra, dora dhe mendja e njeriut janë ngjizur e kanë formuar një konglomerat të pashkëputshëm.

Në fund të Gurë Lurës ka një burim të madh uji, një burim që del jo si zakonisht rrëzë e poshtë shkëmbit por dhjetë apo më shumë metra mbi shkëmb e në shkëmb. Del me forcë, shkumbëzueshëm, i bardhë si të dilte suferinë dëbore. Del dhe bashkohet me ujërat e tjerë që rrjedhin përrejëve që formohen nga shkarkimet e liqeneve dhe burimeve lart malit.

Pak metra poshtë burimin e Setës (kështu tash e tutje quhet) e pret një digë që i jep ujë një kanali.

Këtu nis një histori jo shumë e largët, e jetuar dhe e shkruar. Në qoftë se do ndonjë hollësi shfleto gazetën “Bashkim “ të fund gushtit 1967 dhe lexo reportazhin e bukur të njërit prej gazetarëve të mëdhenj shqiptar, Hamit Boriçit.

Piketimi i atij kanali është bërë me pushkë, me një karabinë grykëgjatë gjermane trofe lufte. E ka bërë Gani Tuçepi, një legjendë (po ua marr hua këtë fjalë gazetarëve sportivë) e kanaleve ujitëse, jo vetëm në Dibër por në të gjithë Shqipërinë, tregimet për të cilin nuk i nxë asnjë duzinë librash jetësorë e artistikë.

Kalimi i Gjalicave të Lurës përbën një lloj heroizmi, një lloj guximi djaloshar. Këtë cilësi e kishin vendasit, në veçanti gurëlurasit. Megjithatë as edhe ata nuk mund të ngjiteshin e të vinin piketa në linjën nga do të kalonte kanali. Atëherë, Gani Tuçepi mori gjermanen, e vendosi mbi një niveli uji në atë lartësi ku do të niste nëpër kanal uji, e fiksoi mirë e mirë, siç dinte t’i fiksonte ai instrumentet popullorë dhe… tërhoqi këmbëzën…

Në pikën ku ra plumbi do të kalonte kanali…

Hapat e parë për hapjen e kanalit u bënë në vitin 1960. Fatkeqësisht ata hapa çuan në një tragjedi. Gjatë piketimit të kanalit ranë në hon tre punëtorë. Puna u ndërpre…

U ndërpre për gjashtë vjet. Në pranverë të vitit 1967 rifilluan punimet. Brenda pesë muajve, pa hyrë asnjë ferrë në këmbë, varur në litar u hap traseja, u hap kanali, shtatë tunele, metrazhet dhe volumet e të cilëve në këtë moment që shkruaj nuk i mbaj mend aq sa të mos bëj gabim. Në fund të gushtit 1967 Çidhna e më vonë Dardha, Reçi dhe më tej, me anën e një sifoni, mori ujë edhe Sina e vonë e më vonë uji i Setës kaloi edhe Drinin e doli në Fushë të Çidhnës, Kandër e Vakuf. E mban mend aksionin e 14 dhjetorit 1969 të dibranëve që brenda një dite “me goditje të përqendruar“ hapën një kanal shtatëmbëdhjetë kilometra të gjatë ? Atje e kishte burimin…

Nejse. Sikur na mori Seta e shpejt ikëm nga Gurë Lura pa iu ngjitur atij litari, do të thosha unë, se rrugë nuk mund t’i thuash, litar në të cilin duhet t’i vesh këmbët si pehlivani në tel në donë që të të mos shohin të tjerët në fund të humnerës dhe, edhe alpinistët e Korabit me Taxhedin Shehun e madh të sportit dibran do të sëkëlldiseshin kur të zbrisnin për të të gjetur e ngjitur, sigurisht kufomë, lart.

Unë kam kaluar nëpër atë “litar“ dhe tashti që tensionin e kam të lartë dhe më merren mendtë nuk do të dëshiroja një kalim tjetër. Sigurisht edhe ty nuk do të ta rekomandoja. Pastaj nuk do të na linin në këtë lloj heroizmi as edhe vendasit, testimi paraprak i të cilëve është shumë i rreptë dhe shoqërimi deri në kalim rreziku është kokëfortësish i prerë.

Mua më vjen keq që Lura është harruar, është jo “Princeshë në gjumë“, siç do të thoshit ju, por është një “Princeshë e ngrirë“. Po, po, e ngrirë kallkan. I vetmi zë që vjen nga Lura është një kronikë televizive e marrë para dhjetë vjetësh, kronikë që ne emigrantët jemi të detyruar ta shohim 3 – 4 herë në javë nëpërmjet televizionit satelitor, kronikë e cila pasi shpalos në një mënyrë tepër të zbehtë bukuritë e Lurës nuk mungon të fusë mes për mes “boshtin ideologjik“, të shajë të kaluarën që e ka harruar Lurën, madje e ka përçudnuar bukurinë e saj duke ngritur “një digë mbi Liqenin e Madh“ ndërsa nuk flet fare për përçudnimin që ka bërë sëpata me bisht të vënë nga pushtetet e kohës që jetojmë. Besoj se e dini atë fjalën e urtë që thotë se “kur pylli i dha një copë dru sëpatës për bisht i dha vdekjen e vet”.

Por, zoti Moikom, Lura për mua është një bukuri jo e pa shoqe por një bukuri që ka shoqe, madje shoqe që janë po aq të bukura, në mos më të bukura se ajo.

Liqenet e Kacnisë janë fantastikë. Nuk e di por syri i aparatit tim tek ato liqene ka rrokur bukuri që ua kalojnë bukurive të liqeneve të Lurës. Liqeni i Valikardhës, afër Bulqizës, ka po ashtu një bukuri të rrallë. Në qoftë se bukuritë e liqeneve të Lurës janë “kallkan të ngrira”, bukuritë e liqeneve të Kacnisë dhe të Valikardhës janë afër ngrirjes absolute. Ata më duket se nuk janë në asnjë lloj kujtese dhe bukurinë e tyre nuk e ka fiksuar asnjë fotoreporter profesionist i Tiranës.

Por të gjitha këto nuk do t’i krahasoja me bukuritë e bjeshkëve të Korabit. Në zemër të malit më të lartë të vendit, rruazës së parë të kurrizit shqiptar të ndarë nga Londra siç ndahen berrat e varur në çengel, ka një bjeshkë që quhet Ponair në theksimin vendas apo Panair në theksimin drejtshkrimor. Atje, në kohën e Turqisë, kur në bjeshkët e Korabit (në këtë anë e në anën tjetër të tij) kullosnin, siç thotë Haki Stërmilli, dy milionë dele, bëheshin panaire blegtorale, zhvilloheshin gara se kush do të paraqiste dashin më të madh e më të rëndë, delen më qumështore, qengjin rudë më leshator, djathin më të mirë, kalin më të shpejtë…

Në bjeshkën e Ponairit kam qenë në korrik 1988 me Gani Xhengon, fotoreporterin e ATSH-së. Atje kam edhe një kujtim të jetës sime, një foto nga Gani Xhengo. Ganiun e pata marrë “për dore“ siç do të desha të të merrja ty, dhe i pata shpalosur tërë bukuritë e Korabit, që nga Pylli i Gramës ku flejtëm në dy shtretër mbi degët e një ahu shekullor, tek liqeni artificial, në burimet e mrekullueshme të Preshit (atje merr ujë Peshkopia dhe disa fshatra në linjën e ujësjellësit) në Fushë të Korabit e në majë të Sorokolit… Është një bukuri që nuk ka të krahasuar me asnjë vend tjetër, një bukuri vere por ndoshta një bukuri e pa arritshëm dimri. Atje, me siguri, brezat që do të vijnë, do të organizojnë sllallome gjigande skish, do të organizojnë jo olimpiada dimërore ballkanike por evropiane dhe pse jo, edhe botërore.  Si historian që jeni, i dashur Moikom, po ju tregoj se misioni ushtarak britanik gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, verës së vitit 1944 çadrat i kishte vendosur pikërisht në Bjeshkën e Zonjave prej ku edhe rrjedhin kujtimet e cituara për “universitetin e Dibrës“…

E dini, i dashur Moikom se në Kala të Dodës ka një kala që i ka dhënë emrin tërë krahinës? E dini se në fshatin Ceren ka një varrezë dëshmorësh (apo shehitësh siç thonë vendasit), njerëzish të masakruar nga serbët në shtator të vitit 1913,  të tridhjetë e pesë emrat e të cilëve unë i kam lexuar në “Përlindja e Shqipërisë”, gazeta me kohë botimi Shpalljen e Pavarësisë ? E dini ju se karvanët me dasmorë (në krye të të cilëve ka prirë kurdoherë flamuri ynë kombëtar) kur kalojnë rrugës poshtë varrezave ndalojnë, kalorësit u zbresin kuajve dhe i marrin përdore, daullet e curlet pushojnë dhe të gjithë ecin  në këmbë në shenjë nderimi dhe respekti? Njihni ju si historian, shkrimtar, e poet ndonjë rast që i ngjan kësaj?  E dini Ju se në Fushë të Korabit ka një vend që quhet “Luftinë“ e ku në luftë kundër serbit ka rënë me armë në dorë një grua kaladodase, Naxhije Muraku me të vëllanë? Kush e shkroi këtë histori kaq madhështore ? Askush, i dashur Moikom, askush.

Unë duhet të pohoj se Dibra ka pas pena, pena të vogla do t’i quaja, të cilat, nisur nga psikologjia e mbajtjes së “grykës së pushkës në gropë të zjarrmit“ nuk kanë arritur të kapërcejnë kohët. Eles Isufi është cilësuar nga të huajt “Gjenerali me shajak“ dhe është pritur e përcjellë me  nderime të mëdha nga kancelaritë mbretërore e perandorake të kohës. Kush shkroi për bëmat e këtij tribuni të vegjëlisë pa u tërhequr nga litarët e padukshëm të psikologjisë së mësipërme dhe të mërive që pasuan rënien heroike të Tij kundër kundërrevolucionit  zogolljano – serbo – bjellogardist të dhjetorit 1924, barrikadë e të cilit ishte Eles Isufi dhe nipi i tij Sufë Xhelili të cilët dhanë jetën, pa u tërhequr nga litarët ideologjikë që pasuan tragjedinë e familjes Ndreu në vitet ’50-të?  Nuk e di por e njëjta psikologji, ajo e “pushkës në gropë të zjarrmit“ por edhe “boshti ideologjik“ i  kohës vepron me të njëjtën forcë…

Një histori dibrane ka përcjellë Dritëro Agolli i madh i letrave nëpërmjet romanit “Njeriu me top“, histori të cilën e ka marrë në detajet më të hollësishme, aq sa edhe emrat e heronjve janë emrat e fiseve të vendngjarjes, Luznisë. Emrat Mere, Fizi, Mate, Gruda etj. Janë emra fisesh të fshatit Katundi i Ri, Arap i Poshtëm e Lishan i Poshtëm. Meret janë qëlluar me mortajë nga një kodër e Arapit të Poshtëm…

Dritëroi e mori ndodhinë nga Luznia dhe e përcolli në Jug, në Devoll…

Kur isha herën e fundit në Dibër mora me vete edhe një hartë që një grup intelektualësh dibranë kishin skicuar një rrugë që ata i kishin vënë emrin e saj të vjetër, aq të vjetër sa mosha e truallit që përshkoi, “Rruga e Arbrit“. Një ditë, rastësisht e gjeta midis materialeve të tjera që  kam në emigracion, relike në kohë e hapësirë. E mora dhe pasi i shtova fakteve që përcilleshin nëpërmjet saj paksa nga “frigoriferi“ i kujtesës sime e përcolla tek një gazetë ikanake, gazeta RILINDJA XI, një fletë të së cilës po jua përcjell për të mos lodhur me mallin tim. E zura në gojë këtë sepse të martën më 13 maj pashë në televizionin satelitor zotin Nikoll Lesi në një takim me aktivistët e partisë së tij në Burrel dhe Bulqizë, në maratonën elektorale që ka filluar. Ndërmjet logjeve të zakonshme politike dëgjova se Nikoll Lesi premton se do të shtrojë në Kuvend çështjen e  ndërtimit të Rrugës së Arbrit. Që ai do ta ngrejë në kuvend një gjë të tillë, në këtë kohë zgjedhjesh, ndjej disi siguri. Që Berisha dhe Nano, por edhe të gjithë satelitët e tyre të vegjël, në udhëtimet elektorale në Mat, Bulqizë e Dibër kryefjalë të premtimeve të tyre  elektorale do të kenë “Rrugën e Arbrit“ për këtë jam i sigurt. Këtë them se ky emër i vjetër (Rruga e Arbrit) është bërë edhe më parë i njohur, vetëm në fushatat elektorale. Me sa duket fati dhe emri i  kësaj rruge do të lidhet dhe përmendet vetëm në raste zgjedhjesh dhe vetëm si “pagë votash”  në fushatat elektorale. Qofsha i gabuar por kështu do të ndodhë.

Do të desha, i dashur Moikom t’i studiosh vlerat e kësaj rruge  në rrafshin historik (ashtu siç din ti), në rrafshin ekonomik dhe shoqëror. Do t’ju sugjeroja  një udhëtim kësaj rruge, nëpër Shkallën e Tujanit (oh, sa histori tragjike ka kjo shkallë !) e deri tek Tre Mullinjtë. Të merrje me vete edhe Sabri Shinin, njeriun që çau tunelin e Selitës dhe tunelet e hidrocentraleve të tjerë. Do të mësoje shumë prej tij ashtu siç do të mësoje shumë prej njerëzve që do të takoje. Mos harro se kjo rrugë ka një histori të madhe, histori që nuk i ka shkruar kush deri në rrënjë dhe e ka lënë të thahet. Ajo është kaq pranë kryeqytetit, kaq afër njerëzve të ditur të kombit tonë. Shpresoj që një ditë do të lexoj (ose do të ma dërgosh për gazetën tonë) një shkrim elite për këtë rrugë.

Në shtypin shqiptar gjithnjë e më shumë po bën vend “Bathorja“, i kuptuar si një rrethim i Tiranës, Durrësit por pak a shumë edhe i qyteteve dhe fshatrave të ultësirës bregdetare shqiptare. Më duket se fenomeni si nga gazetarët po ashtu edhe nga qeveritarët dhe antipodet e tyre po trajtohet me një frymë raciste. Askush, të paktën nga sa kam lexuar unë në këtë skaj ku jam i imponuar të jetoj, nuk i ka bërë një analizë të thellë historike, gjeografike, sociale, ekonomike etj. Kësaj “Ikje natën“ të dibranëve, tropojanëve, pukjanëve, kuksianëve, mirditorëve, matjanëve…të të ashtuquajturve “Verilindorë“. Historikisht njihet një ikje e madhe dhe dyndje masive, kryesisht e dibranëve të qytetit të Dibrës së Madhe në vitin 1913 si rezultat i dhunës dhe gjenocidit serb. Unë në shënimet rrjedhë e studimeve të mija kam shumë fakte për këtë “Tragjedi dibrane“, shënime të cilat më kanë mbetur në Shqipëri. Ajo ka qenë ikja më biblike se sa të gjitha ikjet masive shqiptare. Karakteristikë e saj ka qenë se ata ikën nga “shtylla kurrizore e shqiptarëve“ rruazat dhe palcën e së cilës e ndanë me sëpatë siç ndahet një berr. A e dini ju zoti Moikom se ku kalon boshti gjeografik i shqiptarëve dhe ku është qendra gjeografike e etnisë shqiptare historikisht në vendin e vet? Francezët si qendër gjeografike të Francës kanë Verdunin. Po ne kë kemi ? Studiojeni dhe do të mësoni  se ajo kalon nga Veriu në Jug nëpërmjet Dibrës dhe me pikë ekuilibri Dibrën. Jo Dibrën – krahinë por Dibrën – qytet, Dibrën e Madhe në anën tjetër të kufirit shqiptaro – shqiptar. Në mos besofshi mua besoni Lasgush Poradecin, Fan Nolin, Haki Stërmillin e të tjerë që Drinin e cilësonin si palcën shqiptare.

Dibranët që erdhën në ‘13 – tën, qytetar den baba den, qytetëruan Tiranën. Një lagje e madhe e kryeqytetit shqiptar që asokohe ka marrë emrin “Lagja Dibrane“ dhe numëron mbi shtatëdhjetë mijë pasardhës të tyre. A është analizuar kjo nga historianët tanë e shkëputur si ngjarje historike?

Pse ikën verilindorët  në vitet ’90-të nga trojet e tyre, nga ato vende  që siç pohohej asokohe jepej 75 për qind e produktit të përgjithshëm shoqëror të Shqipërisë? Jepej kromi (edhe një milionë tonë në vit), jepej bakri, mermeri, lënda drusore dhe mbi të gjitha jepej (dhe jepet) pothuajse e tërë energjia elektrike që prodhonte (dhe prodhon edhe sot) Shqipëria. Sot në këto zona gjithçka është shuar me përjashtim të tre hidrocentraleve mbi Drin dhe dy hidrocentraleve mbi Mat.

Verilindorët, i nderuar zoti Moikom, u shpronësuan në mënyrën më drastike. Asnjë reformë në historinë e Shqipërisë (ma do mendja edhe të botës së qytetëruar) nuk ka goditur një pjesë kaq të madhe të popullsisë dhe në një hapësirë gjeografike kaq të madhe. Asnjë.

Pronarët e dikurshëm; feudalët, bejlerët, agallarët, mbreti… kërkojnë tokat e tyre, kërkojnë Myzeqenë e bonifikuar dhe sistemuar  kryesisht me gjakun dhe djersën e minatorëve të kromit dhe të bakrit, të ndërtuesve të hidrocentraleve tanë të mëdhenj. Nuk i kundërshtoj. Le ti marrin.

Por a nuk është e drejtë që verilindja shqiptare të marrë nga ajo që ka krijuar nga duart e veta dhe nga ajo që ka trashëguar brez pas brezi ? Të marrë pjesën që i takon nga puna luanore që ka bërë në ndërtimin e hidrocentraleve, minierave etj. Të marrë pyllin e vet, pyll i cili e ka mbajte me bukë e gjizë dhe e ka mbrojt shekujve duke mos u asimiluar? Pse pyjet e Shqipërisë, të shtetëzuar nga pushteti komunist mbetën përsëri pronë e shtetit ndërsa tokat shtetërore të bukës u shpërndanë, madje të shndërruara në truall u bënë burim i madh pasurimi për pronarët e rinj ? Vlerësoni një metër katror tokë në Lurë dhe një metër katror tokë në Sukth të Durrësit (të mos flasim për ato të rrethinave të Tiranës apo të bregdetit) dhe do të shikoni se çfarë e ka shtyrë njeriun e maleve, pa plëng e pa shtëpi, të “ikë natën“ nga trualli i të parëve, nga ai truall që nuk e shkuli asnjë rrebesh në historinë shumë shekullore të ekzistencës.

E di që ndokush mendimet e mija, sipas “shatit“ të tij, i duken anakronike. Po a nuk jetojmë në një kohë ku çdo gjë është jashtë saj ? Në një kohë kur i mirë është ai që rrëmben hapur në dritë të diellit, një kohë kur batakçinjtë, imoralët, hajdutët, vrasësit u bënë të pasur ndërsa nderi dhe ndershmëria vdiqën ?

Më mungon vendi im, i nderuar Moikom, më mungon tmerrësisht. Më mungon në veçanti Dibra dhe dibranët e mi. Kur isha vitin e kaluar, në prill në Dibër mora me vete, nga kopshti i prindërve të mi të ndjerë një rrënjë zambaku me pak tokë. E kam mbjellë në një vazo dhe e mbaj në ballkon. Këto ditë ka shpërthyer në lule dhe unë zhys fytyrën dhe mbush gjoksin me aromën e tij duke ndjerë aromën e vendit tim, vendit ku u rrita, ku eca zbathur duke vrarë gishtat gurëve e mbushur tabanët e këmbëve me gjembat e ferrave.

Do të desha të isha në Dibër e të shkruaja për të.

E kam një merak për Dibrën, një merak të madh. Si gazetar më ka rënë një herë rasti i keq të bëhem “Lajmëtar i dhimbjes”, kam qenë i detyruar të përcjell publikisht lajmin e kobshëm të humbjes së tridhjetë dibranëve në valët e Otrantos së zezë.  Nuk e përcolla si kob, e përcolla  si thirrje për të kërkuar zbardhjen e të vërtetës. Lajmin e mbyllja: “Duke uruar që djemtë të kenë arritur shëndosh e mirë në Itali e familjet e kësaj zone të mos shohin gjëmë e kob Maqellara kërkon të hidhet zyrtarisht dritë mbi këtë ngjarje të rëndë, të qetësohen zemrat e ngrira të prindërve”. Ka tash kaq vite, që nga 13 marsi i vitit 1996 kur i përcolla gazetës “Zëri i Popullit“ ku unë punoja lajmin “Maqellara nën trysninë e një tragjedie detare“, që kjo ngjarje nuk ka marrë përgjigje, që është manipuluar dhe manipulohet. Një vit më vonë erdhi ngjarja tjetër e kobshme, mbytja e anijes Sibila, ngjarje që është zbardhur nga ata që mbijetuan dhe është në hetim ndërkombëtar. Ka kaq vite që për viktimat e Sibilas hidhen mes dallgëve nga nënat e motrat shamizeza të Vlorës tufa me lule në nderim të atyre që i mori deti i egër i kurbetit të dhimbshëm shqiptar. Bashkohem edhe unë me dhimbjen e tyre. Por, i dashur Moikom, më vjen keq që humbja e dibranëve nën dallgët  e Otrantos së zezë, ende nuk është zbardhur. Unë nga kjo ngjarje kam përjetuar presione e tensione të mëdha, shpirtërore dhe shoqërore, jam ndodhur në situata të tilla presioni e kërcënimesh që skematikisht i kam përshkruar në ditarin tim të vogël, madje edhe i kam botuar në dy faqe të gazetës “Koha Jonë“. Nuk do të zgjatem për këtë sepse më dhemb shumë. Një gjë ama do të doja:

Së pari, të zbardhej në radhë të parë e vërteta e fshehur aso kohe për qëllime të momentit elektoral (ishim përpara zgjedhjeve të famshme të 26 majit 1996) zgjedhje që pasuan me një dhunë makabre në sheshin Skënderbej, që mbarsën piramidat e që sollën vitin e egër 1997, shkatërrimin në rrënjë të Shqipërisë e të shqiptarëve.

Së dyti, do të doja të ngrihej për ta një monument. Po të isha unë qoftë edhe një muaj prefekt i Dibrës gjëja e parë që do të bëja është të ngrija tek ura e Topojanit një monument me emrat e të tridhjetë dibranëve, monument në të cilin të venin lule nënat, motrat, gratë dhe fëmijët e viktimave çdo Ditë Vere, vend ku Drini i Zi të mbushej me lule për t’i përcjellë në Fierzë, Koman, Va të Dejes e në Adriatik aromën e tyre si një kujtim ndaj një tragjedie të madhe…

E di që të mërzita, i dashur Moikom, me udhëtimin tim të çmendur nga malli dhe brenga e njeriut dhe e gazetarit. Himara që të jetë perlë dhe të rritet e madhohet si perlat ka nevojë për guackën e moluskut. Edhe Dibra: Lura, Korabi, Kacnia, Tërnova, bjeshkët e saj të pambarim për të njëjtën gjë kanë nevojë.  “Guaskë e moluskut“, janë njerëzit, të punës dhe të penës. Pa ta, pa ndihmesën e tyre deri në vetëmohim, nuk ka  “Shqipëri e Bukura e Dheut“ siç thoshte një njeri  i kohës i politikës shqiptare, nuk ka “Perlë“…

Me respekt, miku juaj Abdurahim Ashiku

Athinë, pranverë 2003