Një takim mbresëlënës


Me 17 tetor 2017 në qytetin e Peshkopisë u takuam ne ish maturantët e shkollës pedagogjike ‘’8 Nëntori’’ të Peshkopisë, klasa e IVa, për të përkujtuar 50 vjetorin e marrjes së maturës pas së cilës filluam punën në detyrën fisnike të mësuesisë në Dibër e rrethe të tjera të zonës verilindore nga ku kishin ardhur. Ishte një nga klasat e dalluara të shkollës, klasa më me shumë vajza, me mësuese kujdestare të paharruarën Nevres Manjani.

Në takim morën pjesë dy mësuesit tanë; Shemsi Manjani dhe Sabri Vraniçi, tashmë të moshuar, 84 e 80 vjeçarë. Mësues Sabriu kishte ardhur së bashku me bashkëshorten, Kujtimen, ish nxënëse e pedagogjikes. Me bashkëshoshortet kishin ardhur edhe iniciatori i këtij takimi, Ilmi Cani, Liman Lasku, Haziz dhe Natasha Ballabani, dy të fundit të dashuruar që kur ishin nxënës në klasën tonë, të cilët krijuan më vonë një familje dinjitoze me shumë kontribute në rrethin e Matit.

Sipas programit grumbullimi fillestar do të bëhej në orën 10 para hyrjes të ish shkollës pedagogjike, shkollës ku u përgatitën qindra mësues për Dibrën e zonën verilindore. Ndërtesa e shkollës, e vendosur në mesin e bulevardit kryesor, me bliret përballë i jep një pamje të bukur asaj zone dhe gjithë qytetit. Pak para orës së caktuar filluan të afroheshin një e nga një për t’u ballafaquar me njëri-tjetrin duke u përqafuar e puthur me mall pas 50 vitesh. Për mësuesit prezentë, për njohjen e nxënësve të tyre u bë i nevojshëm pa ndërprerje prezantimi. Momente emocionale! Pranë nesh në këto çaste ishin grumbulluar disa qytetarë që ishin duke lëvizur në bulevard. Ata pyesnin për këto takime të përzemërta, të papara ndonjëherë aty në bulevard, pranë hyrjes së shkollës, për të mësuar arsyen e këtij takimi.

Pas disa minutave, të udhëhequr nga shokët e komisionit organizator të takimit, Hilmi Cani, Natasha Ballabani, Gjuri Puci e  B.Lami u futëm në shkollë duke u ngjitur në katin e dytë, ku ndodhet ish klasa jonë e maturës së 50 viteve më parë. U ngjitem duke hedhur sytë sa majtas-djathtas me mall e nostalgji në ato korridore plot dritë, me dritare të mëdha si ato të klasave nga ku vështron oborrin e shkollës me hapësira të gjera, dikur me fusha sportive ku ne luanim çdo ditë. Takimin e hapi shoku Hilmi, me një përshëndetje të shkurtër, duke falenderuar pjesëmarrësit për ardhjen në këtë takim. Pas kësaj, me propozim të tij u mbajt një minutë heshtje për mësuesit e shokët tanë të ndarë nga jeta gjatë këtyre 50 viteve të kaluara, si ish mësuesit tanë, Mufit Trepca, Nevres Manjani, Zenel Sula, Fadil Kaca, Bajram Mata etj., dhe për disa ish nxënës të ndarë nga kjo jetë. Që këtu nisën përshëndetjet e kujtimet e shokëve për të vazhduar gjatë tërë ditës. Fillimisht fjalën e mori mësues Shemsiu, ndër mësuesit më me shumë vite punë në pedagogjike, së bashku me bashkëshorten, por dhe drejtor shkolle e shef i seksionit të arsimit e të kulturës për 9 vjet në Dibër, i cili na njihte mirë ne si nxënës e arsimtarë të rinj në punë. Ai e nisi fjalën duke na përshëndetur të gjithëve, pastaj përgëzoi Hilmiun si organizator i këtij takimi, duke vënë në dukje dhe kontributin e tij në arsim si mësues e drejtor shkolle i suksesshëm për disa vite i pedagogjikes, kur ajo u rihap në vitet 2000. Kujtoi këtu dhe dy të ardhurit nga Burreli, Natasha dhe Haziz Ballabani, dy ish nxënësit e klasës me konsiderata të veçanta nga bashkëshortja e tij, mësuese Nevrezi. Prof.Shemsiu shprehu opinione shumë pozitive për kolegun e tij, Sabri Vraniçi, që punoi për disa vite në dy shkollat e mesme të qytetit, shkollën pedagogjike dhe shkollën e mesme bujqësore. Prof.Shema nuk harroi të sillte dhe përshëndetjen e ish mësuesit më të moshuar, Osman Turja, që jeton akoma, në pamundësi për të ardhur në këtë takim. U larguam nga shkolla ku ishim me nostalgji se ajo është nga shkollat më madhështore të Republikës, e ndërtuar në vitet ’48, si nga struktura e ndërtimit, ashtu dhe nga infrastruktura që ajo mbart. Pas mbylljes së shkollës pedagogjike kjo ndërtesë e bukur katërkatëshe u shndërrua në gjimnazin e qytetit, që mban emrin ‘Said Najdeni”. Kjo ndërtesë e bukur e qytetit shërbeu si Universiteti i Peshkopisë deri para dy-tre vjetësh, kur ky filial u mbyll. U larguam me keqardhje nga ish shkolla jonë e bukur, pasi atje ishin hequr stolat dhe tavolinat e nxënësve, ishte boshatisur nga orenditë shkollore dhe ishte planifikuar nga bashkia të kthehej në zyra bashkiake. Ky vendim i organeve vendimmarrëse është një vendim absurd, i kundërshtuar dhe i protestuar nga qytetarët, nxënësit, ish nxënësit dhe mësuesit e kësaj shkolle. Keqardhje ndjemë edhe kur dolëm grup nga shkolla për të shëtitur në bulevard, sepse godina e shkollës është rrethuar nga disa lokale dhe hotele private që ia marrin frymën shkollës. Këto lokale dhe hotele private kanë pushtuar të gjithë lulishten më të bukur të qytetit, që ndodhej përkrah shkollës pedagogjike para ish shtëpisë së kulturës, Peshkopi. Për shumë pjesëmarrës të takimit ishte e gabuar edhe ngritja e shkallëve të betonuara që lidh bulevardin ‘Elez Isufi’ me bulevardin ‘Nazmi Rushiti’ të qytetit. Një xhiro në grup  gjatë bulevardit kryesor të qytetit. Takime të përzemërta e çmalluese me shumë shokë të njohur. Disa fotografi të bukura para Prefekturës si kujtim i paharruar i këtij takimi.

Rreth orës 12.00 iu afruam ndërtesës ku do të drekonim, në një sallë të bukur e komode, ku gëzimi e hareja arritën kulmin. Ishin prezentë në këtë sallë edhe DJ e kameramanë. Për gjithçka komisioni kishte marrë masat përgatitore dhe takimi e dreka shkuan shumë bukur, si në një skenar filmi. Pasi shokët pjesëmarrës u ulën nëpër tavolina, filloi trokitja e gotave, përshëndetjet për njeri-tjetrin dhe profesorët tanë prezentë, kujtimet për ato vite të bukura të rinisë dhe për shkollën tonë pedagogjike. Pas përshëndetjeve të para filluan në tingujt e muzikës popullore dibrane vallet e hareshme që rritën atmosferën e këtij takimi mbresëlënës. I pari që hapi përshëndetjet ishte prof.Shemsiu, pastaj përshëndetën prof.Sabriun, ish nxënësit e kësaj shkolle si: Liman Lasku, Haziz Ballabni, Nevrus Kuka, Vjollca Kaca etj. Ish nxënësit Rasim Shehu e B.Lami përshëndetën këtë takim të bukur me nga një poezi. Ndërkohë muzika dhe vallja popullore vazhdonin pa pushim.

Me aktive ndër shoqet u paraqit në valle e përshëndetje Natasha Ballabani, ish shoqja jonë e klasës, e cila dhe atëherë ishte e dalluar në mësime dhe diskutime me shokët e shoqet e klasës. Gjatë takimit u kujtuan nga pjesëmarrësit dhe ish mësuesit e nxënësit e kësaj shkolle të ndarë nga jeta nëpërmjet shumë episodeve të përjetuara. Në takim përshëndeti dhe shoku ynë Avni Dino, i cili shërbeu shumë pak kohë si mësues e pastaj u dërgua nga shteti për të bërë akademinë ushtarake, për t’u  bërë oficer. Shoku ynë Avni Dino shërbeu për shumë vite me radhë si oficer në Vlorë e Sazan. Me duartrokitje u prit dhe përshëndetja e mësues Sabriut dhe bashkëshortes së tij, Kujtimes.

Në qendër të përshëndetjeve dhe kujtimeve për mësuesit ishte mësuesja kujdestare Nevresi, mësuesja e pasionuar e gjeografisë, që ishte për ne si nënë e dyte, por për keqardhje u nda nga kjo jetë që në 1993, në moshën 54 vjeçare, nga një sëmundje e rëndë dhe e pashërueshme.

Nga fundi i drekës, shoku Hilmi Cani i dorëzoi prof.Shemsiut, bashkëshortit të Nevresit, në emër të të gjithë maturantëve të vitit 1967 një “Mesazh mirënjohjeje” për mesuese Nevresin, si kujtim e përshëndetje për këtë mësuese të mrekullueshme e të paharruar, të pergatitur nga komisioni i këtij takimi. Në fund mesazhi mirënjohës mbyllej me fjalët: “E paharruar do të mbetesh për ne përgjithmonë mesuese Nevresi’.

Prof.Shemsiu, pasi mori mesazhin, falenderoi të gjithë pjesëmarrësit për konsideratat e shprehura për mësuese Nevresin në këtë mesazh dhe gjatë gjithë drekës. Pas vdekjes mësuese Nevresi ishte nga të parat mësuese që u shpall nga bashkia e Peshkopisë ‘Qytetare Nderi’e Peshkopisë në vitin 2005. Perveç këtij titulli mësuese Nevresi ka marrë edhe shumë dekorata e medalje pune gjatë karrierës së saj si mësuese nga institucione shtetërore dhe arsimore. Gjatë kujtimeve e valleve të shumta u ngrit shëndet edhe për grupin e vajzave pjesëmarrëse si p.sh., Vjollca Pitarka, ish shoqja jonë e shkollës dhe bashkëshortja e ish mësuesit Fadil Kaca.

Në takim nuk u la pa përmendur edhe  ngjarja e vitit 2018, për të kujtuar 70 vjetorin e shkollës pedagogjike Peshkopi, e mirëpritur dhe e vlerësuar që tani. 70 vjetori i kësaj shkolle që i dha dritë e dituri jo vetëm Dibresë, por edhe zonës verilindore të Shqipërisë, do të jetë një eveniment i rëndësishëm kulturor për qytetin e Dibrës në vitin 2018. Kjo shkollë u hap në Peshkopi në vitin 1948, në një kohë ku afro 90% e popullsisë së këtyre zonave ishin analfabetë. Mendimi i përgjithshëm është për ta kujtuar këtë përvjetor, duke e konsideruar si një nga festat më të mëdha pas çlirimit. Detyra të shumta na presin ne pedagogjikaseve të të gjitha viteve për të sensibilizuar të gjithë opinionin arsimdashës, atë shtetëror dhe shtypin lokal e qendror, organet e pushtetit lokal të qarkut e deri në ministri për të marrë me kohë masa për të festuar me madhështi përkujtimin e këtij përvjetori që do të zhvillohet në Peshkopi në shtator të 2018.

Takimi  përfundoi me mall e përqafime me njëri-tjetrin, për t’u takuar sërish pas një viti në  përvjetorin e shkollës tonë të paharruar që na edukoi, na rriti, na bëri kuadro, komisarë të dritës në Dibër e gjithë Shqiperinë.