Projektet e rilindjes urbane Dibër


Qytetarët e  Peshkopisë do të kenë më në fund Unazën e qytetit, mungesa e së cilës krijonte kaos në lëvizjen e mjeteve. Gjatë vizitës në Dibër, Kryeministri Rama i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Dibrës, Muharrem Rama inspektuan kantierin e punimeve që pritet të përfundojnë në pranverën e ardhshme.    

“Është një projekt që është filluar qysh nga ’85-a dhe sa herë janë ndërruar kryetarët e bashkive e kanë premtuar, kanë filluar punimet dhe janë lënë në mes. Tani po bëhet realitet kjo unazë, me një financim të qeverisë shqiptare, rreth 2 milionë euro, me gjatësi 3.5 kilometra dhe një urë 20 metra, me sistemimin e kanalizimit të ujërave të zeza dhe ujërave të bardha, me trotuare, me ndriçim” – u shpreh rreth projektit kryebashkiaku Muharrem Rama.

Një “rrugë e vogël e Arbrit” e konsideroi Kryeministri, për nga shpeshtësia e premtimeve që janë dhënë në 30 vjet për ndërtimin e saj dhe deri më sot vetëm sa është rrënuar. Përfundimi i saj ka rëndësi jo vetëm për lehtësimin e lëvizjes në qytet, por i jep zgjidhje një shqetësimi të madh qytetarëve, për praninë të mjeteve të rënda në rrugët e qytetit. “Edhe kjo është rruga e vogël e Arbrit. Premto, premto dhe edhe kjo tani po bëhet. Natyrisht është një gjë shumë e rëndësishme për qytetin dhe do ta lehtësojnë shumë pjesën tjetër që nuk do ketë më gjithë kamionët deri te shtëpia.”

* * *

Një tjetër kantier në Qarkun e Dibrës është ai i rrugës Arras-Kastriot. Rruga lidh banorët e 20 fshatrave dhe do të shkurtojë kohën e lëvizjes nga 2 orë aktualisht në 20 minuta. Impaktin e saj, në radhë të parë do ta ndjejnë fermerët që duke lehtësuar daljen e tyre në treg,  ulin koston e prodhimit.

“Janë 20 fshatra që e kanë bërë rrugën për dy orë. Tani me kombinimin e urës që është bërë pak më parë, rrugën tani e bëjmë për 20 minuta.  Rruga vazhdon pastaj për Lurë dhe lidh gjithë pjesën tjetër me Dibrën”, – u shpreh Benet Beci, drejtor i Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

Punimet konsistojnë në zgjerimin e trasesë ekzistuese, ndërtimin e kanaleve anësore të rrugës, nënshtresat dhe shtresat asfaltike dhe do jetë e pajisur me sinjalistikë vertikale dhe horizontale. Rikonstruksioni i rrugës deri në Kastriot, aty ku do të rindërtohet muzeu i Skënderbeut, sëbashku me Rrugën e Arbrit  do të rivlerësojnë potencialin turistik të kësaj treve, duke i kthyer edhe bukuritë natyrore të saj në funksion të zhvillimit ekonomik.    

“Është shumë e rëndësishme që kjo po bëhet dhe po bëhet me cilësi. Unë dëgjova fjalë shumë të mira edhe nga njerëzit dhe nga 2 orë në 20 minuta për gjithë këto fshatra është një shpëtim i madh. Ne duhet të lidhim segmentin e rindërtuar me Çidhen dhe muzeun e “Skënderbeut”, që kemi bërë gati projektin. Ky është dhe viti i Skënderbeut që fillon në 28 Nëntor deri në 28 Nëntorin e ardhshëm dhe në këtë mënyrë i japim edhe një destinacion turistik dhe paralelisht krijojmë kushte për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë rurale, krijojmë kushte për nxitjen e mëtejshme të prodhimit, sepse tani kostot ulen jashtëzakonisht shumë dhe mundësia e daljes në treg bëhet e thjeshtë. Rruga e Arbrit nga njëra anë, krijimi i një infrastrukture solide në Dibrën rurale, ku ka një problematikë kaq të trashëguar keqas na japin një bazë tjetër për të krijuar më shumë impakt,” – theksoi Kryeministri Rama

***

Unaza e Klosit është një tjetër kantier në përfundim në Qarkun e Dibrës, e cila do të shmangë trafikun dhe kalimin e mjeteve të tonazhit të rëndë brenda në qytet. Kryeministri Rama, i shoqëruara nga kryetari i Bashkisë së Klosit, Basir Çupa, pa nga afër punimet. Në të dyja anët, Unaza do të ketë trotuare, një brez pemësh, do të jetë e pajisur me sinjalistikë vertikale dhe horizontale dhe ndriçim.

Ndërkohë veç Unazës, Kryeministri Rama siguroi se projekti i ardhshëm do të jetë hyrja e qyteti të Klosit, për ta kthyer në një hyrje të standardeve bashkëkohore që do të lidhë Unazën me Rrugën e Arbrit, çka do të shkurtojë mjaft kohë drejt Tiranës. “Do të bëjmë dhe urën, do bëjmë dhe rrugën në hyrje. Kryetari e ka projektin për t’u lidhur me unazën. Kur bashkëpunojnë socialistët me demokratët për punët reale bëhen gjëra të mëdha” – theksoi Kryeministri Rama.

* * *

Mungesa e një ure në njësinë administrative Komsi të Qarkut të Dibrës ishte kthyer në kalvarin e përditshme për fëmijët që duhet të shkonin në shkollë, pleqtë dhe të sëmurët që duhet të shkonin në qendrën shëndetësore për të marrë shërbim. Sot, falë Forcave të Armatosura të Shqipërisë, do të jetë më e lehtë që nxënësit të shkojnë në shkollë e banorët të aksesojnë qendrat shëndetësore. Kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaxhçka dhe nga kryetari i njësisë administrative, Fatmir Kola, ishin në fshatin Komsi, ku sapo është vënë në përdorim ura.   

“Ura që i dorëzojmë sot, 1200 banorëve të Muzhakës dhe fshatrave përreth është një urë që i vjen në ndihmë shumë komunitetit, i vjen në ndihmë mbi 300 nxënësve të kësaj zone dhe i vjen në ndihmë banorëve për të aksesuar shumë më kollaj arteriet kryesore, për të komunikuar më kollaj mes fshatrave, por edhe për të aksesuar qendrat shëndetësore. Kjo është një nga 9 urat që ne kemi bërë në Qarkun e Dibrës” – u shpreh ministrja Olta Xhaçka.

Ura ishte një domosdoshmëri, nënvizon kryetari i njësisë administrative, veçanërisht në dimër. Ura e ngritur ka nivel më të lartë dhe gjithashtu një kapacitet më të lartë mbajtës. “Kjo urë është shumë e domosdoshme për gjithë zonën këtu, sepse në këtë shkollë vijnë jo vetëm nxënësit e fshatit Muzhakë por vijnë dhe nga Gërrmani dhe nga fshatra të tjerë. Po kështu është dhe qendra shëndetësorë këtu,” – u shpreh administrator i njësisë Fatmir Kola.

“Mua më vjen shumë mirë që i kemi çliruar nga gjithë ky ankth i madh gjithë ato familje e prindër që kanë sjellë fëmijët për në shkollë, duke bërë cirk këtu dhe më vjen shumë mirë po ashtu që jemi në një bashkëpunim shumë të mirë me bashkitë e zonës, me kryetarët e bashkive dhe është një shembull i shkëlqyer që kur në terrenin e vështirësive, të problemeve, të halleve, të shqetësimeve, të shpresave, të nevojave të njerëzve jemi bashkë, të majtë e të djathtë, bëjmë ura,” – nënvizoi Kryeministri Rama. Duke shtuar se projekte të tjera janë në proces në gjithë zonat rurale në Qarkun Dibër, për të mbështetur njerëzit dhe prodhimin.