Shtegu i Fjales


Ndryshe nga shumica e profesioneve të tjera të cilat përfitohen përmes edukimit, shkollimit, poezia më shumë konsiderohet si një mision (disa e konsiderojnë hyjnor), se sa një profesion në tregun e madh të punës.

Madje, janë gjithnjë e më të rrallë ata që e sigurojnë jetesën me këtë mjeshtëri. Shkurt, poet lind; nuk bëhesh dot. Poezia e Islam Çengës duket se nuk buron nga leximet, egoja apo mania që ka çdo njeri t’u dukur publikisht; ajo nuk është një poezi e porositur, si është bërë e modës edhe në art. Poezia e tij lind sepse i vjen ora për të lindur, pasi është ngjizur diku a dikur përmes një kontakti direkt, jo përmes të tretëve. Ajo buron nga jeta, jo nga eteri, buron nga dhimbja dhe lind përmes dhimbjes, si dramat që lindin nga humbja, dhimbja, dilemat apo mungesat. Prandaj, poetët e vërtetë janë kaq të rrallë.

Naim Zoto

***

Poezi të mrekullueshme, plot mjeshtri, gjetje dhe filozofi. Plot jetë e realizëm. Në çdo varg kam gjetur edhe shpirtin tim. Kjo është mjeshtëria e Islam Çengës, që ka skalitur me shumë kujdes e ka depërtuar në tempullin e shpirtit të njerëzve, që na e jep si dhuratën më të bukur, me shumë klas, elegancë e shumë  talent. Veçoj perla të vërteta në këtë libër, që duhet t’ju kthehem herë pas here. Më ka shijuar jashtë mase dhe të them një bravo të madhe dhe një falënderim pa kufi për këtë kolonë të pathyeshme të shpirtit tënd, që është tashmë dhe e imja e do të jetë e të gjithëve pas dritës së botimit.

Ahmet Prençi

***

Përmbledhja e fundit, sidomos cikli “Vdekatari”, ishte, për mendimin tim, një kulminacion artistik i gjithë krijimtarisë tënde të deritanishme poetike. E thashë edhe më lartë, që njeriu mund të shkruajë gjithë jetën, por ndodh që krijon vetëm një herë. Sidomos ata që janë me fat! Por, jo vetëm me fat. Sa shumë poetë janë harruar, pavarësisht maleve me metafora, rima e figura stilistike që kanë krijuar! Dhe pse? Sepse nuk kanë krijuar dot rrugën që na shpie tek mendimi, shtegun që na duhet për të shkuar tek mesazhi…

Ti, miku im, këtë herë ke shkruar me gjakun tënd! Në çdo varg, në çdo figurë, metaforë, nëpër shtigjet e strofave, mbi çatitë e tyre, kudo nëpër këtë ishull të bukur që ke krijuar, gjendet shpirti yt, qeliza e fundit, shtrydhur gjer në palcë.

Arben Çejku

***

Poezia e Islam Çengës është sa e vërtetë, tokësore, me rrënjë të ngulura thellë në vendlindjen e tij, aq edhe fluturake e qiellore! Herë-herë ajo vjen krejt e prekshme, duke risjellë me një frymë nostalgjie përjetime fëmijërore, nga vende dhe njerëz, që kanë lënë gjurmë në shpirtin e poetit. Herë të tjera vargjet prekin qiellin, me ndjesi e drithërima shpirtërore, të cilat vijnë në formë ëndërrimesh e dëshirash, që kërkojnë të jetësohen.

Klejda Plangarica

Poezi

KARTOLINË NËNËS PËR VITIN E RI

Nënë, për Vitin e Ri nuk mund të vij këtë herë,

Babagjyshi s’më gënjen dot për një det me lumturi;

Më ndaj mënjanë pak qumështor, e mira ime,

Më ruaj pak bakllava, si hoje blete, në një sini.

Në akullin e xhamit kanë ngrirë luledelet,

Mëllenjat trokasin në të ngrohtë të hyjnë;

Dielli krejt përtesë po zbret drejt perëndimit,

Hëna me kosore pret bredhat në një brinjë.

Beko urimin tim në ndërrimin e viteve

Për njerëzit, për udhët, për zogjtë e qytetit tim;

Pa mua këtë herë do të thellohet një rrudhë,

Pa mua, për dreq, të shtohet një thinjë…

Sapo të ikë Babagjyshi do të vij, e shtrenjtë,

Pa ndalur frymën, as fishkëllimën e gjatë.

Bashkë do t’i heqim me dhjetëra rrudha ballit,

Qindra thinja koti, bredhit tënd të bardhë!

Nënë!

Këtë herë nuk mund të vij për Vitin e Ri,

Jam i ngopur gjer në lukth me Babagjyshët…

NJERËZIT E QYTETIT TIM

Ata janë njerëzit e qytetit tim,

atij qyteti të mbetur pa lule e pa stola në park,

qytetit që mban në hejbe agun dhe muzgun

siç mban lumi dy brigje

e toka gjethin e trungun.

I ka dyert të hapura pash më pash qyteti im

të hapura janë dritaret kanatë më kanatë

le të jetë janar apo gusht,

le të jetë e hënë apo e shtunë.

Njerëzit e qytetit tim janë paqësorë,

dinë të këndojnë,

të luten,

të shpresojnë,

të qajnë,

të dehen, të dashurojnë  apo të luajnë shah,

të të shohin në sy dhe të thonë vëlla…

Dhe fill pas njeriut janë blirët, mështeknat dhe saksitë

janë pëllumbat, guguçet, dallëndyshet, pëllumbat,

sorrat, milingonat e bletët, macet e qentë,

grerëzat, mëllenjat

dhe oxhaqet që shkundin dimrin e sertë

si maramë e zezë djegur nga rrëfenjat.

Dhe udhët që mbyllen

si gështenja në degë shkarpash

me një potere grash

me ofshama plakash!

Por dhe dimri dhe stinët e tjera

si gështenjat në degë

si e kollura tek pleqtë

dhe marama e zezë

me ditët që ikin e ato që vijnë

në qytetin tim

janë pas njeriut…

Kur pragun shkel, qyteti im

më bëhet sy, më bëhet frymë,

fëmijë më bëhet

dhe lojë… dhe gunë.

Dhe nuk më lë të plakem asnjë ditë,

asnjë thinjë të më shtohet në gunë,

le të jetë janar apo gusht,

le të jetë e hënë apo e shtunë.

VDEKATARI

S’përmbyset Bota pa mua Vdekatarin,

e shumta një divan bosh lë në kuzhinë

një lugë, një pjatë, një filxhan kafeje

dhe një gotë të ciflosur për rakinë…

Pastaj kujtime plot, si bari në livadhe,

që mpiksen si kërmijtë në vjeshtë.

Pastaj…  e pastaj si lugat i Caralecit,

do të rilind për ty në një vjershë…

***

Tik-tak ora,

tak-tak dera.

Fiu-fiu krah ere si turtuj në violinë,

erdhën për të marrë Vdekatarin

pa libra e stilo, pa dritaret e shtëpinë.

Mos e thyej orën,

mos, gozhda derës!

Si Vdekatar qofsha i fundit,

në udhë me qyqet e erës!