Shtek më shtek e skutë më skutë


Një botim në format xhepi, i përshtatshëm për t’u lexuar kudo ku ndodheni.

Një libër që të rrëmben me magjinë e të folurë së Dibres, plot nënkuptime e alegori;

krejt origjinale të mbledhura nga Munir Shehu.

Unë ta mora vocin

Dali Noka në Grykë Nokaj nuk kishte djalë, por vetëm një cucë. Ai deshi të zgjidhte një dhëndër që të jetë i mençëm e i shkathët dhe ta ketë si djalin e vet.

Dan Bushi në Renxë nuk ishte shtëpi e parë si Dali Noka, por djalit të tij nuk i gjendej shoku. Mbasi i kishte dëgjuar muhabetet e Dali Nokës për punë të fejesës së vajzës, ai provoi me lypë cucën për të birin. Dali Noka ia dha. Në përviçe, duke dashur të tregojë diçka të jashtëzakonshme, Dan Bushi i tha Dali Nokës:

– Or Dali, ta mora cucën!

– Jo, or Dan! Unë ta mora vocin!

***

Të bani si baj unë

Gjurasit kanë qenë të fundit që u kthyen në fe. Doemos, n’at vjet, këta nuk dijshin as edhe nji elif arapçe, me sa dinë sot! Prandaj hoxha u kishte thanë:

– Në xhami të bani si baj unë!

Eh, mirë! Hoxha ulu edhe ata ulu, hoxha ngreu edhe ata ngreu. Kur po dilshin prej xhamie, hoxha nga pakujdesia, tue qenë shumë i gjatë, e përplasi kokën fort për direkut të sipërm të derës. Të gjithë gjurasit edhe ata ma të shkurtët, nuk delshin jashtë për pa e përplasë ballin fort mbas direkut të derës.