Udha jemi ne


E prita me kënaqësi kërkesën për hartimin e një reçense për vëllimin “Udha jemi ne” të shkruar nga Mimoza Tola. Kjo lidhet edhe me faktin se i dua fëmijët, por edhe me respektin që ndjej për shkrimtarët që shkruajnë për fëmijë. Ndërkaq më nxiti dhe kureshtja për të parë trajtimin e tematikave të reja bashkëkohore, mënyrën artistike se si përcillen te lexuesi i vogël episodet, ndodhitë, ngjarjet që bëhen objekt i krijimit; cilat janë figurat letrare të përdorura; gjetjet artistike apo ngjyrimet e freskëta që, doemos i duhen një vëllimi për fëmijë, po aq sa i duhen ngjyrat një mozaiku…

Fëmijët ose lexojnë më të bukurën, ose nuk lexojnë fare. Nëse diçka nuk u pëlqen ata e marrin dhe  e hedhin tej dhe vijojnë lojërat. Por, duke lexuar vëllimin që ka paraqitur para lexuesit shkrimtarja Mimoza Tola, dëshiroj të them se vjershat e saj poetike më tërhoqën, dallova në ato krijime një përkushtim ndaj kërkesave shpirtërore të fëmijëve të kohës së sotme, por konstatova dhe stil, shije dhe bukuri të paraqitjes së mesazheve. Janë krijime që me siguri do t`u  pëlqejnë edhe lexuesve të vegjël, do t`i tërheqin ata, por dhe do t`u shërbejnë si argëtim artistik, ashtu dhe për edukimin e tyre nëpërmjet artit të poezisë.

Kur nis leximin e vëllimit, të duket se autorja të ka ftuar në kopshtin  saj poetik dhe, me takt e mirësjellje të rrëfen njërën pas tjetrës vjershat poetike të cilat krijojnë emocion dhe ndjenja të bukura. Sapo shijon njërën, tjetra sikur të thërret ta shohësh edhe atë, të mos e anashkalosh, por t`i kushtosh vëmendjen e merituar. Ndërkaq, duhet të pohoj se poezitë e Mimoza Toles vijnë të freskëta, në to ka çiltërsi dhe origjinalitet. Natyrisht që fusha e letërsisë për fëmijë është shumë e gjerë dhe e larmishme, ata janë ëndërrimtarë të mëdhenj, interesat e tyre janë të shumta dhe të llojllojshme, kështu që edhe krijimtaria që u adresohet atyre, jo vetëm që duhet t`i trajtojë këto veçori dhe kërkesa të moshës, por duhet të gjejë edhe format apo këndshikimet më interesante dhe më tërheqëse, që lexuesi i vogël t`u afrohet dhe të përfshihet, të bëhet i interesuar për t`i njohur dhe shijuar.

Vëllimi hapet me poezinë “Besoj te babagjyshi”, një emër shumë  i dashur për fëmijët e të gjithë vendeve të botës. Sapo dëgjojnë për babagjyshin e vitit të ri, fytyrat u ngazëllejnë, kërcejnë e lodrojnë nga gëzimi rreth e qark bredhit të vitit të ri, teksa ëndrrat dhe dëshirat e jetës marrin udhë. Vjersha krijon njëherazi edhe një gjendje të veçantë shpirtërore, kur rrëfehet me vargje për njeriun, i cili për shkak të kushteve të mjerimit nuk ka pasur mundësi ta njohë plakun e vitit të ri dhe të përjetojë edhe ai si fëmijët e tjerë pritjen dhe kureshtjen për lodrat e dhuratat që do t`i sjellë  babagjyshi. Vjersha lë mbresa te fëmijët, i mëson ata të shohin me realizëm dhe në mënyrë më të plotë mozaikun e jetës, që është edhe shkëlqimtar, por edhe gri: Ku është ky babagjysh?-më tha dikush,/ tek unë s’ka ardhur asnjëherë,/ e përmbi  faqe loti lumë, /se fëmijëri nuk kishte ndjerë. Ndërkaq shfaqet me sens filozofik vjersha “Muri i Kinës”, ku nëpërmjet një krahasimi, tregohet për “ndarjet” ndërmjet njerëzve. Autorja nënvizon artistikisht se, më shumë sesa muret prej guri, janë muret  që vetë njerëzit ngrenë ndaj njëri-tjetrit ato që  i ndajnë ata: Sot e shemb një mur,/tulla e gurë i rrëzon kollaj/sa vështirë është të shembësh mërinë,/murëziu që njeriun ndan. Një peizazh poetik interesant është vjersha “Zërat e fëmijërisë”, ku autorja sjell në përfytyrim fëmijërinë  e saj përmes elementeve figurativë dhe emocioneve, që zgjojnë kujtime dhe mall për një kohë të shkuar dhe të bukur, mjaft të dashur për këdo: Fëmijëri, e ëmbël fjala/porsi bregut rrëshqet vala, /qesh e strukur në kujtime /lulëkuqe, fëmijëria ime. Teksa tërheqëse vjen vjersha “Biblioteka ime”, ku merr krahë  malli  për librat dhe personazhet e  tyre, të cilët janë bërë shokë dhe shoqe me heroinën e librit, ato e shoqërojnë atë kudo në jetë.

“Udha jemi ne”, i shkruar nga Mimoza Tola, në tërësi një vëllim i arrirë, përcjell mesazhe të bukura, gjetje artistike origjinale, vargjet kanë tingëllim aktual dhe janë tërheqëse dhe të pëlqyeshme për fëmijët, lexohen dhe mbahen mend, veçanërisht idetë dhe mesazhet që herë-herë shkaktojnë entuziazëm, gëzim, kënaqësi e ngazëllim. Lexuesit e vegjël i dëshirojnë gjetjet artistike origjinale dhe mendoj se kjo dëshirë u plotësohet edhe me këtë vëllim mbresëlënës dhe të bukur, dhuruar nga autorja e talentuar Mimoza Tola.

Shkëputur nga parathënia e librit