Vogëlushja Kejt


“VOGËLUSHJA KEJT” është një libër i këndshëm për fëmijë, kryesisht të ciklit të ulët, por dhe për prindërit e tyre, ndaj (do të) lexohet me ëndje edhe prej tyre, ose si i themi ne “libër për të gjitha moshat”. Autorja në këtë novelë dëshmon se e njeh mirë botën e pasur, të sinqertë e naive të fëmijëve, psikologjinë e tyre, problematikat në rritjen, edukimin, shkollimin dhe argëtimin e tyre specifik, në një ndërthurje organike me brezat e tjerë, gjyshërit, prindërit, edukatorët a mësuesit apo më të rriturit, ashtu siç është në realitet edhe vetë shoqëria. Autorja rrëfen këndshëm, me origjinalitet dhe ka një aftësi spikatëse individualizuese, qoftë edhe brenda një kapitulli (të emërtuar të gjitha), por që mund të qëndrojnë fare mirë edhe si tregime në vete, të mëvetësuara. Kohezionin narrativ e krijojnë më së pari: shkrimtarja, në dorë të të cilës ka rënë një ditar fëmije dhe vetë Kejt rreth të cilëve sillen një sërë ngjarjesh interesante e pikante, që e japin më të plotë botën fëmijërore, që siç rrëfen vetë vogëlushja Kejt në novelë “teta shkrimtarja i tregon sikur t’i kenë ndodhur secilit prej jush”.

Megjithëse Dostojevski thoshte se s’ka më fantastike sesa realiteti, autorja Mimoza Tola, mjeshtërisht ka ditur të zgjedhë në mes të dhjetëra e qindra ngjarjeve të ndodhura apo dhe të fantazuara prej saj, ato më interesantet, më të bukurat, çka mund të themi se edhe pse, siç u tha më lart, novela është ndërtuar me tregimthe të mëvetësuara, ato e ruajnë unitetin novelistik të tyre, aq sa do të thosha, se duke parashikuar një sukses të merituar të këtij libri, autorja dashur pa dashur, si të thuash, ka nisur kështu një cikël a kolanë me këtë personazh Kejt.

Mimoza Tola, duke njohur mirë botën e fëmijëve, e di dhe përdor plot fantazi lojërat, fantazinë e tyre duke stigmatizuar prerjen qysh në loz të rrugëve të kollajshme ose të gënjeshtërta të fëmijëve dhe tregimthet apo fragmentet e novelës, shpesh herë përfundojnë moralizuese, ose didaskalike, çka e pranon ky zhanër dhe, përjashtuar ndonjë rast, ka qenë dhe është i pranishëm didaskalizmi.

Situatat në të cilat vihen personazhet fëmijë të veprojnë janë realiste, dialogë plot dinamizëm, të besueshme, të mençura, individualizuese dhe me humor të këndshëm fëmijëror.

Novela ka destinacionin e saj, çka e zumë në gojë në krye të herës. Do të thosha se titujt e tregimtheve apo të fragmenteve të novelës janë të gjetura, intriguese dhe disa herë të ngarkuara edhe me humor. Gjuha e novelës është e zgjedhur, e thjeshtë, e kuptueshme për lexuesit, duke dalë në konkluzionin se novela ka vlera te veçanta artistike, pedagogjike e estetike.

Botuesi

***

“Në letërsinë perëndimore për fëmijë dhe të rinj janë të shumta rastet e ardhjes së shkrimtarëve nga radhët e mësuesve, psikologëve dhe punonjësve socialë që punojnë nëpër shkolla me fëmijët dhe adoleshentët dhe ndeshen përditë me problemet e tyre. Shpesh ata kanë qenë të suksesshëm me librat e tyre.

Në letërsinë shqipe për fëmijë dhe të rinj rasti i shkrimtares  Mimoza Tola është i tillë. Një njohëse e mirë e botës së fëmijëve, e sinqertë në ato që shkruan, tashmë një shkrimtare  në periudhën e pjekurisë së vet letrare, Mimoza Tola vjen para lexuesve me librin e saj ““Vogëlushja Kejt”, një përmbledhje tregimesh të shkurtra, e konceptuar si një mozaik me në qendër figurën e një vajze të zgjuar. Në libër spikat humori i këndshëm, ngjarjet e vërteta nga jeta e një vogëlusheje në shkollë dhe shtëpi, treguar me mjeshtëri dhe gjuhë të thjeshtë nga autorja. Talenti i Mimozës si shkrimtare qëndron në përthyerjen artistike që ajo u bën pikërisht ngjarjeve të jetës së përditshme, në dukje të zakonshme.

Do të doja t’i uroja Mimozës suksese të mëtejshme në krijimtarinë e saj në një kohë tepër të vështirë për letërsinë për fëmjë dhe të rinj në vendin tonë, kur nuk po hyjnë më në krijimtari shkrimtarë të rinj e të talentuar. Është detyrë patriotike e shkrimtarëve dhe mësuesve tanë të përkushtuar që ta mbajnë gjallë këtë letërsi, sepse atë që sjell letërsia kombëtare nuk mund ta bëjnë dot përkthimet.   

Viktor Cenosinaj