aktivitete


Ditë festive në shkollën “Xhevdet Doda”

25-Nëntori i sivjetmë ishte ditë festive në shkollën “Xhevdet Doda” të Bulqizës. Erdhën këtu për të festuar bashkë me mësuesit dhe nxënësit e shkollës, që mban mbi shpatullat e saj 65 vjet, ish mësues e nxënës të kësaj shkolle, aq të dashur për të cilën ruajnë mbresa e kujtime të shumta. Këta të fundit u pritën me dashuri e respekt, me këngë e valle, siç dinë të presin qytetarët e Bulqizës. Bulqiza është një vend me klimë të ashpër, por me njerëz të butë, shpirtmirë, besnikë, bujarë e arsimdashës.

Ambientet ishin të bukura, që nga hyrja. Shkolla ishte rikonstruktuar dhe mirëmbajtur mirë, si klasat e kabinetet, gjithçka ishte në vendin e duhur. Që në hyrje, korridoret e kësaj shkolle tregonin për punën e madhe e plot pasion që bëhet në këtë shkollë nga kolektivi pedagogjik dhe drejtuesit e saj.

Sipas programit, vizita në shkollë, nisi me takime me mësuesit, që krijoi një ngrohtësi e dashamirësi tek të gjithë. Në një dhomë muzeale me stenda, ishin disa foto të hershme, ku shumë prej nesh gjetëm veten tonë. Kjo tregon kujdesin e mësueses të historisë, Valbona Vladi (Cani). Kjo mësuese është angazhuar për plotësimin e freskimin e historikut të shkollës nga viti në vit, punë për të cilën është për t’u përshëndetur. Në klasat dhe kabinetet mësimore, sidomos në klasat e para të 9-vjeçares, janë sistemuar me kujdes historiku, të dhëna nga informatika, kabineti i edukimit fizik, që bashkë me stendat e afishuar në korridoret e gjëra me shumë dritë, janë sistemuar me kujdes nga mësuesit. Aty ishte puna e mësuesit Raimond Cani, ku kishte veçuar stendën e ish drejtuesve të kësaj shkolle. Këto të dhëna nga stendat, rikthyen secilin prej nesh në vitet e punës sonë disa vite më parë.

Bashkëbisedime me kolegë

e ish kolegë

U mblodhëm bashkë, të moshuar e flokëbardhë, me më të rinj, që dy palët kanë një qëllim: mbarëvajtjen e edukimit të brezit të ri. Nisën të bisedojnë të moshuar e të rinj, pensionistë e  mësues në punë. Pra gërshetim brezash mësuesish. Bisedat u  hapën për ish nxënësit ekselencë të shkollës, si Zenel Duriçi, Ylber Sh.Cani, Lulëzim Daci, Lulëzim Sharku, Flutura Stojku, Selami Xhepa, Behije Duka, Engjëll Qorlaze, Altin Muça e Edi Kola. Fjalën e merr mësues Selmani, i cili thotë se në shumë konkurse të rrethit tonë kanë kanë shkëlqyer nxënësit tanë, si në matematikë, biologji etj, gjë që ka ndikuar shumë në fitimin e të drejtës në shkolla të larta.  Përveç këtyre shumë nxënës të tjerë kanë shkuar për studime në Turqi, siç është Ornela Doçi; në Gjermani Elizabeta Marku, në Oksford Eridona Duriçi, në Angli Klara Mera etj.

Vjollca Kosaqi, u shpjegon mësuesve të rinj, se puna me pasion e mësuesve zgjedh talentet. Ajo, duke kujtuar disa ish nxënës të saj, thotë se ata që kishin talent, vazhduan specialitete të zgjedhura, siç ishin Petrit Duriçi në pikturë, Luan Hysa dhe Behar Mera për aktrim etj. Beharin e patëm edhe koleg këtu në shkollën tonë.  Ndërsa Elida Abdiu (mësuese muzike) flet për veprimtaritë e shumta kulturore-artistike, që mbajtën gjallë pallatin e Kulturës në Bulqizë, duke përmendur nxënës e mësues të kësaj shkolle, si Jete Mazari, Hide Jangulli, Fllanxa Çupi  etj.

“Unë, -thotë Bujar Navaku, – kam qenë mësues në vitet 1961-1962 dhe 1965-1967. Bulqiza ka patur gjithnjë mësues të mirë e nxënës cilësorë. Më kujtohen, Jonuz Muça, Skënder Sharku, Shemsi Ceka, Zymbyle Zeneli, ZiseMuça, Kize Zeneli, Ramiz Gjoka, Sabri Alliu etj. Në koridor, në një stendë, ishin afishuar mësuesit që nuk jetojnë: “Ata i njeh gjithë qyteti. Ne kemi  punuar bashkë, kemi përjetuar ngjarje, episode, kemi qarë hallet familjare etj. Ishim qytetarë të Bulqizës, miq shokë e dashamirës të njëri-tjetrit. Aty është Ramizi, Musai, Sabri Abdiu, Skënder Sharku, Faik Cani etj. Të gjithë mund të flasim për shokët tanë. Ata meritojnë mirënjohje e respekt. Qyteti i nderoi, duke u dhënë titullin e lartë “Qytetar Nderi”, bashkë me Myfitin, Selmanin, Bashkimin, të pranishëm sot në festën e shkollës.

Së bashku duke vizituar ambientet e shkollës

Jashar Shehu, Violeta Kurti, mësuese e edukimit fizik, së bashku me zv.drejtoreshën Albana Elmazi, na shoqërojnë për të vizituar palestrën. Enver Mera me Mukadesin dhe Rolandën thonë, se ‘ju kemi zili’ për terrenin e bukur sportiv e palestrën, jo se nuk i kemi patur atëherë, bile vetë i kemi ndërtuar me ndihmën e ndërmarrjeve dhe nxënësve, por sot ato ishin më cilësore e moderne. Vajzat tona atëherë shkuan në Lezhë, në vitin 1981, si përfaqësuese të Dibrës në basketboll, ku ishin rrethet e Veriut. “Antoneta Koçi, -ndërhyri Enveri, -qysh më 1986 mban rekordin kombëtar të hedhjes së gjyles. Shpresa Cukalla, Sulltana Voka, Luba Dançe, bashkë me Sanie Gjapin, thanë se ishin me klasat e ciklit ulët, u mrekulluan me bazën materiale didaktike në dispoziçion dhe punën krijuese, që kishin organizuar mësuesit për realizimin cilësor të mësimit, Osmanin, Eminin dhe Shqipe Meçe u njohën me punën e mirë të mësuesve të gjuhëve të huaja dhe të Altin Ketës me kabinetin e informatikës.

Një koktej mbylli vizitën në shkollë, për t’u lënë pak kohë në dispozicion miqve, të lënë me shkrim përshtypjet në librin që ishte vendosur në hollin e katit dytë. Në oborrin e shkollës, grupi artistik, nën drejtimin e mësueses Izabela Kocaqi dha koncertin e përgatitur për festën. Mësuesit grupe-grupe bënë fotografi në kujtim të kësaj veprimtarie, të kësaj dite të shënuar.

Një foto me Sami Ramën, i cili gjithë jetën ia kushtoi mësuesisë, bashkë me të shoqen, Zelihen. Të entuziazmon fakti që Bujar Novaku, ndonëse mësues ndër më të mirët në Grykë të Madhe, tashmë është me gjashtë pjesëtarë në profesionin e mësuesisë, siç janë mësues Rizai, Fiqiriu e Bashkimi (vëllezër), Hazbia (e shoqja), vajza Yllka është mësuese në shkollën “Xhevdet Doda” në Bulqizë. Myfit Dervishi gjithashtu me të shoqen, Safijen; vajza Ilda, bashkë me Hamitin (vëllai) mësues. Ylber Cani është nga Ternova. Ku s’ka qenë mësues, së bashku me Ulvijen, erdhën nga Klenja në vitin 1981.    

Veprimtari artistike, jo vetëm në shkollë

Grupi artistik dhe orkestra, veshur me kostumet bulqizake, na prinë përmes qytetit me vallet karakteristike. Takime të përzemërta e urime të sinqerta morëm nga shumë qytetarë e kalimtarë të rastit, të cilët me buzëqeshje na përshëndesnin.

Në takim solemn

Në restorant “Dani” u mblodhëm bashkë. Të pranishmit i përshëndeti zonja Lindita Kaja, drejtoreshë e shkollës. Ajo i falënderoi pjesëmarrësit dhe u uroj mirëseardhjen, ku ndër të tjera tha:

“Erdhët pas shumë vitesh në vatrën tuaj të dijes. Sot kujtoni me nostalgji punën plot pasion, që ju së bashku realizuat në procesin mësimor. Nuk kursyet asgjë nga vetja juaj, dijet, kohën  lirë, mendimet, të cilat i vutë në dispozicion në shërbim të fëmijëve të Bulqizës, për ta radhitur shkollën tonë në pararojë të shkollave si motra të rrethit të Dibrës.

Pak më shumë se dy breza, së bashku me ju, ne po luftojmë për formimin e elitës së nxënësve ndër vite, gjë që na mbush me krenari, për gjithçka që është arritur në këtë shkollë. Shumë energji, djersë e sakrifica është dashur të shënohen këto arritje që sot marrin dimensione të reja, si qendër e zhvillimit e përcjelljes së përvojave më të mira, të cilat do t’I pasurojmë e do i çojmë përpara.

Na gëzon fakti – vazhdoi ajo, -që në vitin 2016-17 shkolla jonë u radhit e para në Kartën e Performancës në shkollat e rrethit Bulqizë, çka tregon se kjo shkollë dhe mësuesit e saj janë të motivuar për realizimin e detyrave që shtron shoqëria jonë para shkollës.

Shkolla jonë ka 266 nxënës në ciklin e ulët, me dy grupe, në kopësht parashkollor me 60 fëmijë japin mësim 35 mësues me arsim përkatës e të profilizuar. Në ciklin e lartë janë 283 nxënës. Prania juaj na jep kurajo, forcë e energji për të punuar më shumë në rritjen e cilësisë mësimore-edukative, në shtimin e veprimtarive kulturoro-artistike dhe sportive, duke ruajtur mjediset që ju patë me sytë tuaj”, përfundoi fjalën drejtoresha.

Në shenjë respekti, për mësuesit që nuk rrojnë, u mbajt një minutë heshtje. Drejtoresha falënderoi sponsorët e kësaj veprimtarie, si Myfit Duriçi, Bukurosh Koçi, Lefter Alla, Faik Deda, Eduart Keta, Eltion Deda, Egert Disha, bashkë me TV-Bulqiza, që ndoqi festën gjatë gjithë ditës.

Zv.drejtoresha, Durime Lleshi i bëri një rezyme historikut të shkollës, që u ndoq me interes nga të pranishmit. Grupi artistik i shkollës dha disa numra të zgjedhur me këngë e valle, për më se dy orë, bashkë me mësuesit, duke zbukuruar akoma më shumë festën.

Gjatë drekës përshëndeti kolektivin e mësuesve Myfit Dervishi, ish drejtori më i vjetër, ku për 30 vjet punoi në këtë shkollë. Pas tij përshëndeti Bashkim Lami në emër të shoqatës Atdhetare-Kulturore të Bulqizës, duke i dhënë Certifikatë Mirënjohje shkollës “Xhevdet Doda”. Drejtoria e shkollës nderoi gjithashtu me Certifikatë Mirënjohje mësuesen e Frëngjishtes, Nekie Shehu, si ndër mësueset e dalluara që punoi 30-vjet në këtë shkollë.

Me urimet më të mira, u ndamë me mësuesit dhe nxënësit të shkollës “Xhevdet Doda”, me dëshirën për të festuar jubilarë të tjerë. Për ne ish-mësuesit ishte një ditë feste e paharruar, që do e ruajmë në kujtesën tonë si model organizimi, si vlerësim e respekt për ish mësuesit e shkollës “Xhevdet Doda” – Bulqizë.

Zabit Lleshi

Ish mësues  në shkollën

“Xhevdet Doda”, Bulqizë