Dibra nga Antikiteti në Monarki, një memuar historik i shkruar me dashuri dhe përkushtim


Në cilësine e redaktorit të librit, më duhet të them dy fjalë të përmbledhura për një vepër të rëndësishme historike, që sot e kemi në dorë, falë punës me përkushtim të autorit, kolegut tonë të nderuar z. Moisi Murra.

Që në periudhën gjeometrike të hershme II (800-750 para Kr.), të njohur edhe si koha homerike, kur lindi shkrimi (rreth 750 para Kr.), botimi i një libri ka qenë gjithnjë një ngjarje e gëzueshme dhe njëherësh e rëndësishme. E gëzueshme për faktin se pas një pune të gjatë, të mundimshme e shpesh herë rraskapitëse, autori ka arritur t’i paraqes lexuesit substratin e kërkimeve dhe përvojës së tij të gjatë në fushën përkatëse të studimit. E rëndësishme, pasi kjo eksperiencë e çmuar, që pak njerëz arrijnë ta fitojnë, memorizohet dhe u transmetohet brezave më të rinj në fushën përkatëse të dijes. Në këtë kontekst, mund të thuhet, se monografia e studiuesit të spikatur të historisë z. Moisi Murra “Dibra nga Antikiteti në Monarki” (Tiranë 2017), ia ka arritur plotësisht qëllimit. Pas një pune të gjatë e sistematike rreth 30 vjeçare, në terren, në arkiva dhe në kabinet, është sistemuar dhe klasifikuar një material i pasur dhe i larmishëm historik, me shtrirje kohore shumë të gjërë, i cili i serviret i gatshëm në tavolinë e të nxënit çdo studiuesi të Historisë së Dibrës në veçanti dhe të Shqipërisë në përgjithësi. Mund të thuhet pa frikë teprimi se ajo është vepra studimore më e rëndësishme e autorit, dhe si e tillë mund të quhet lirisht si vepra e jetës së tij. Me një dashuri të madhe për Dibrën dhe historinë e saj të ndritur, me një përkushtim të rrallë dhe skrupulozitet të veçantë, Moisi Murra ka arritur të paraqesë në mënyrë sintetike historinë e Dibrës përgjatë një periudhe shumë të gjatë kohore, mbi 2000 vjeçare, vepër që nga sot do të jetë në duar të çdo dibrani, kudo ku ai jeton, në Shqipëri, FYROM apo SHBA.

Prej më shumë se 35 vjetësh, Moisi Murra është përfshirë në radhën e studiuesëve serioz të Historisë së Dibrës dhe të Shqipërisë dhe është padyshim një nga përfaqësuesit më të spikatur të studiesëve dibranë të kësaj fushe.

Monografia është mjaft voluminoze dhe dëshmon për punën sistematike dhe pasionante të autorit. Me një vëllim prej 711 faqesh, dhe e paraprirë nga parafjala e autorit (11-13) monografia përbëhet nga 4 kapituj ose krerë kryesorë. Kreu I, i emërtuar “Dibra” (15-130), Kreu II, i emërtuar ”Lufta e dibranëve kundër pushtimit osman 1444-1912” (132- 335), Kreu III, i emërtuar ““Luftrat e dibranëve kundër pushtuesëve serb, bullgarë dhe austro-hungarez, 1912-1921” (336-602); Kreu IV, i emërtuar “Të rënë në luftrat për liri e pavarëssi, 1844-1921” (603-650). Monografia është e pajisur gjithashtu nga “Kalendari Historik” (651-672), “Fotografi dibranësh të shquar “(673-675), “Fjalorthi mbi emërtimet arabo-osmane që ndeshen në Dibër” (676-678),”Bibliografia” (679-683), “Indeksi i emrave gjeografik” (684-710) për t’u përmbyllur me “Falenderim”-in e autorit për Sponsorët dhe kontribuesit e tjerë.  (711).

Monografia e autorit Moisi Murra vjen pas dy botimeve të mëparshme historike mbi Dibrën: “Lufta e Dibrës e vitit 1920” (Tiranë 2002) shkruar nga Prof. dr. Bajram Xhafa dhe “Historia e Dibrës”(Tiranë 2012) shkruar nga Prof. K. Frashëri. Monografia që po promovojmë sot ka origjinalitetin dhe veçantitë e saj. Edhe pse në një fjalë të shkurtër prezantuese për një vepër të tillë voluminoze, është e vështirë të ceket e gjithë gama e optikës së gjërë të autorit, gjithësesi, qoftë edhe për të krijuar një mendim të përgjithshëm mbi këtë monografi, do të mjaftonte të përmendim shumë shkurt disa nga problemet kryesore të trajtuara sipas kapitujve.

Kreu I, i emërtuar “Dibra” me një vëllim prej 115 faqesh (15-130) përbëhet nga 19 sythe, që merren me sqarime çështjesh të ndryshme, si pjesë e tërësores.  Kapitulli fillon me përcaktimet gjeografike dhe hapsinore të Dibrës, merret me gjeografinë antike dhe trajton shkurt historinë antike të trevës. Çështjet më të rëndësishme që preken janë banorët penestë të Dibrës, lokalizimi i qyteteve peneste të Uskanës, Oaeneas, Draudakut dhe 14 qytezave peneste, etimiologjia e emrit “Dibër” etj. Të dhëna interesante paraqiten tek sythi “Oraniku-Shehëri i Dibrës”(22-29), ku përveç  identifikimit të Oranikut me truallin e qytetit të vjetër të Dibrës, jepen edhe fiset që banonin Dibrën në vitin 1912 (sipas H. Sharofit).

Në sythin “Peshkopia”(30-32) autori mbështet pikëpamjen e shprehur edhe nga studiuesë të tjerë mbi etimiologjinë e emrit të qytetit nga episkopata e Stefaniakës dhe jepen njoftime të panjohura ose pak të njohura mbi zhvillimin e qytetit nga viti 1864, kur Peshkopia bëhet qendër e Kazasë së Dibrës së Poshtme, në vitin 1873 kur vendoset lidhja telefonike me qytetin e Dibrës, si dhe zhvillimi i saj në vitet 1912-1920, shumë pak ose aspak i njohur nga lexuesit etj.

Tek sythi “Albanopolisi i Ptolemeut-Jabllanica e Dibrës”(33-42) autori bën një diskurs të gjatë për të argumentuar hipotezën e propozuar nga V. Kurmaku dhe të mbrojtur nga M. Murra, mbi lokalizimin e këtij qyteti ilir në Jabllanicë, duke sjellë si argument edhe një stelë mbivarrore me mbishkrim të emrit “Albanopolis” në fshatin Gornje Sonje të Shkupit, të publikuar nga arkeologu N. Vuliç në vitin 1930, përkundrejt hipotezës së J. G.v. Hahn, K. Praschniker-A. Schober, S. Islami dhe E. Çabej, që këtë qytet e lokalizojnë në rrënojat e qytetit antik në Zgërdhesh të Krujës, në prapatokën e Dyrrahut.

Në sythin “Principatat e Dibrës”(43-64) trajtohen në mënyrë të përmbledhur tre principatat e trevës dibrane, përkatësisht, “Principata e Gopajve”(44-50), “Principata e Kastriotëve”(50-55), dhe “Principata e Moisiut të Dibrës (Moisi Golem Arianiti) (56-64). Në kreun I trajtohen gjithashtu çështjet “Organizimi administrativ dhe shoqëror i Dibrës në vitet 1431-1920”(65-78), “Emërtimet Dibër e Epërme-Dibër e Poshtme”(78-86), “Nandë Malet e Dibrës”(87-97) “Topalltia”(98-100), Oxhaqet e Dibrës: Hoxholli, Xhilaga, Hysenagolli, Karahasani” (101-114), “Bejlerët dhe agallarët e Dibrës”(115-122), dhe “Islamizimi i Dibrës”(122-130)

Kreu II, i emërtuar “Luftrat e dibranëve kundër pushtimit osman 1444-1912”(131-335) përbën një nga krerët kryesor të monografisë dhe përbëhet nga 30 sytha. Risi në këtë kapitull përbën përpjekja e autorit për lokalizimin dhe identifikimin e vendbetejave të Skënderbeut në Dibër. Kështu ritrajtohen me të dhëna të plotësuara ”Beteja e Torviollit”(133-136), “Otoneta”(137), fortesa e Tornaçit(138-139), Fusha e Rrethasit (139-141) Sfetigradi (141-146), “Fusha e Talminares”(146-147), “Fusha e Meçadit (147-149), “Fusha e Valkalit (Valikardhës)”(149-153). Një vend të rëndësishëm zë trajtimi i çështjeve të tilla si “Kryengritjet popullore antiosmane në Dibër” (156-162), “Dibranët dhe Ali Pashë Tepelena”(162-166), Kryengritjet populore kundërsmane në Dibër 1833-1839”(167-173), “Lufta e Gjoricës 5-10 nëntor 1844, lufta kundër reformave të Tanzimatit” (174-197), “Salë Markja kundër Hysni Pashës-1855” (197-212), “Lufta e bulqizakëve-1860”(212-215), “Qëndresa dibrane në vitet 1866-1868” (216-218), “Lufta e Lam Dacit kundër Demir Pashës, 1872” (218-220), “Fshati Brest i Dibrës së Poshtme hyn në Nandë Malet e Dibrës”, 1872” (220-22), “Dibra në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, 1878-1881” (223-246) etj.

Një vëmendje e posaçme i kushtohet përpjekjeve të dibranëve për autonomi në sythet ”Lëvizja e Dibranëve për autonomi, 1894-1889” (268-271), “Besëlidhja e Dibrës, shkurt 1889” (271-282), “Kongresi i Dibrës, 23-29 korrik 1909” (288-300) dhe luftës së tyre për shkëputje të plotë nga Turqia në sythet “Në prag të pavarësimit të Shqipërisë” (302-318) dhe “Kryengritja e përgjithshme kundërosmane e vitit 1912 në Dibër” (318-336), duke nxjerr në pah rolin e parisë feudale dibrane në këtë event të rëndësishëm të Historisë së Shqipërisë.

Kreu III, i emërtuar “Luftrat e dibranëve kundër pushtuesëve serb, bullgarë dhe austro-hungarez, 1912-1921” (336-602) përbëhet nga 19 sytha. Është një nga krerët kryesorë të monografisë, me trajtime që zënë 256 faqe ose 36.4 % të vëllimit të përgjithshëm të saj. Për problematikën e gjërë, luftën heroike të dibranëve, masakrat çnjerëzore të pushtuesëve serbë, kujtesën historike dhe rrjedhojat e kësaj  lufte të pabarabrtë, kundër një pushtuesi të egër dhe sadist, ky kapitull merr të gjithë vëmendjen e autorit dhe të lexuesit.

Autori ka dhënë qartë që në sythin e parë “Politika zyrtare serbe dhe operacionet ushtarake për aneksimin e viseve të Shqipërisë Verilindore”(336-347) qëllimet strategjike të Serbisë dhe përkrahjen e saj nga Fuqitë e Mëdha të Europës në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (17.12.1912-12. 08. 1913). Pasi jepet programi shovinist serb i përmbledhur në “Naçertanian” e I. Garaśanin dhe planet e Serbisë për kufirin strategjik të tyre, “për dalje tokësore në Durrës dhe Adriatik” dhe në mos u arriftë kjo, atëhere “Serbia të shtrihet deri në Drinin e Zi”, kërkesë e mbrojtur me forcë nga përfaqësuesi i Rusisë. Lidhur me çështjen e Shqipërisë, diplomacia europiane shfaqi haptazi orientimin e saj prosllav në Ballkan, përveç Austro-Hungarisë, që vazhdonte të mbështeste parimin etnik në caktimin e kufijve të shtetit shqiptar. Moisi Murra ka sjellë në vëmendjen e lexuesit dy projektet kryesore të kufijve të Shqipërisë, atë austro-hungarez, që ishte për një Shqipëri natyrale dhe atë rus, që përkrahte Serbinë, telegramet djallzore të Pashiçit dërguar E. Grey (28.11. 1912), apo komandantit të forcave serbe në Shkup(19.12.1912) si dhe deklaratën e kreut të Konferencës së Ambasadorëve në Londër,  E. Grey, ditën e mbylljes së punimeve të kësaj Konference (12 gusht 1913), e cila shpesh herë edhe harrohet: “Unë e di fare mirë,se kur gjithçka do të bëhet e njohur, kjo zgjidhje në shumë pika do të jap shkas për kritika të forta nga kushdo që e njeh vendin dhe që e gjykon çështjen nga pikëpamja e ngushtë lokale. Duhet të mos harrojmë se gjatë përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje të tillë, qëllimi kryesor ka qenë që të ruhet marrëveshja midis fuqive të mëdha dhe, në qoftëse vendimi mbi Shqipërinë e ka siguruar këtë, atëherë, ai ka bërë punën më të rëndësishme në dobi të paqes në Evropë”.

Të tradhëtuar nga Porta e Lartë dhe të ndodhur krejtësisht të vetëm dhe të zbuluar para agresionit të hordhive serbe, dibranët bënë një rezistencë të jashtëzakonshme gjatë luftrave ballkanike për mbrojtjen e tokave të të parëve, madje ata gjatë Kryengritjes së shtatorit 1913, i përzunë serbët deri përtej Shkupit dhe malit të Karadakut.

Një vemendje të veçantë, autori i kushton kontributit të dibranëve në luftrat mbrojtëse jashtë hapësirës dibrane. Kjo është trajtuar në sythet e mëposhtëm: “Dibranët në mbrojtje të Shkodrës dhe të Lezhës, 8 tetor 1912-25 prill 1913” (347-356) dëshmon kontributin e dibranëve në këtë luftë kundër pushtuesit serbo-malazezë. Me vërtetësi historike përshkruhet Beteja e Bërdicës, që është regjistruar si “beteja më e përgjakshme në luftimet për mbrojtjen e Shkodrës”.  Në këtë betejë morën pjesë 2000 dibranë, të cilët zunë rob 276 serbë, 7 prej të cilëve oficerë. Gjatë gjithë luftimeve për mbrojtjen e Shkodrës, u vranë 300 dibranë, 120 prej të cilëve vetëm në Bërdicë dhe 40 të tjerë në Han të Hotit, ku edhe sot janë “Varret e Dibranëve”.

Ky kontribut është trajtuar edhe në sythet “Dibranët në mbrojtje të Lumës 14-17 nëntor 1912”(357-365), ku flitet për betejën e famshme të Kolesjanit, që autori me të drejtë e krahason me betejën e Termopileve, “Dibranët në mbrojtje të Manastirit, nëntor 1912” (365-369), “Lufta në Grykën e Radikës, dhjetor 1912” (370-375) etj.

Një vend të veçantë zë trajtimi i sythit  “Kryengritja antiserbe, shtator 1913” (386-411), një nga epopetë më heroike të dibranëve, dhe po ashtu edhe “Masakrat serbe të vitit 1913” (412-434).

Në këtë kapitull trajtohen edhe çështjet “Veprimtaria tradhtare e Arif Hiqimetit”(435-440), “Esat Pashë Toptani dhe dibranët “(441-456), “Lufta e Kaushit (Trojak), 2 dhjetor 1915” (456-4650, “Ndërhyrja ushtarake bullgare në Dibër gjatë Luftës së Parë Botërore” (465-473), “Koha e Nemces mos ardhtë kurrë”(474-483).

Vëmendje të veçantë autori i kushton edhe fazës finale të luftës me serbët në sythet “Ripushtimi serb i Dibrës dhe qëndresa dibrane 1918-1920” (484-493),”Kuvendi i Arrasit dhe kryengritja e përgjithshme kundërserbe, 15 giusht 1920” (494-532), “Lufta e Lan-Lurës, tetor-dhjetor 1921” (533-556).

Gjithashtu, ai është po kaq i vëmendshëm edhe për ndriçimin e përpjekjeve të dibranëve gjatë Rilindjes Kombëtare për arsimin shqip, çështje e trajtuar në sythin  “Lufta e dibranëve për shkolla e shkrim shqip 1878-1921” (557-585). Kapitulli mbyllet me përpjekjet e tyre për demokratizimin e vendit, të pasqyruara në sythet “Lufta e dibranëve për demokratizimin e vendit në vitet 1922-1925. Lëvizja e marsit 1922” (586-593) dhe “Dibranët në mbështetje dhe në mbrojtje të qeverisë sl Fan Nolit, qershor-dhjetor 1924” ( 593-602).

Kreu IV, i emërtuar “Të rënë në luftrat për liri e pavarësi, 1844-1921” (603-650) përbëhet nga 12 sytha. Në këtë kapitull bëhet një bilanc i dibranëve të rënë në luftrat mbrojtëse dhe të shpallur dëshmorë me vendim nr. 72, datë 23.05. 1988 të Këshillit Popullor të Rrethit Dibër. Numri i tyre është 388, të klasifikuar sipas periudhave në disa nëngrupe si p.sh “Të rënë në luftë kundër ushtrive osmane, 1844-1912( 603-605 (58 dëshmorë), “Të rënë në luftë kundër ushtrive serbo-malazeze në Shkodër e Lezhë, 1912-1913” (605-606) (25 dëshmorë), “Të rënë në luftë kundër ushtrive serbe e greke në Manastir e Follorinë, 1912-1913 (606-607) (25 dëshmorë), “Të rënë në luftë kundër ushtrive serbe në Kolosian 1912” (607)(12 dëshmorë), “Të rënë në luftë kundër ushtrive serbe në kryengritjen e Grykës së Vogël” (608) (25 dëshmorë), “Të rënë në luftë kundër ushtrive serbe gjatë kryengritjes së shtatorit 1913 (609-612) (100 dëshmorë), “Luftëtarë të rënë dëshmorëtë atdheut gjatë viteve 1914-1917(612) (5 dëshmorë), “Të vrarë nga austro-hungarezët”(612-614) (73 dëshmorë), “Të rënë në luftë gjatë pushtimit bullgar, 1916 (615) (9 dëshmorë), “Të rënë në luftë ose të pushkatuar nga serbët 1915-1918” (615-616) (22 dëshmorë) dhe “Të rënë në luftë kundër ushtrive serbe 1920-1921” (616-617) (34 dëshmorë).

Me mjaft interes paraqitet sythi “Luftëtarë dhe udhëheqës të kryengritjeve popullore dibrane” (618-650), ku jepen CV e 54 udhëheqësve kryesorë dibranë të luftrave popullore, nga Iliaz Pashë Qoku (Dibra), deri tek Elez Isufi, Sufë Xhelili, Ibrahim Gjoçi e Dine Dema. Po kështu mjaft i vlefshëm është edhe “Kalendari Historik (shek. V para Kr-qershor 2009) (651-672), që i sjell të gjithëve në kujtesë momentet më të shënuara të historisë tonë, nga periudha antike deri në kohët moderne.

Monografia plotësohet edhe me fotografitë e 42 dibranëve të shquar, duke filluar nga rilindasit Seit Najdeni, Josif Bageri, Haxhi Vehbi Dibra e Nikollë Kaçorri, drejtuesit dhe luftëtarët e Luftës Nacional-Çlirimtare, Haxhi Lleshi, Ismail Strazimiri, Faik Shehu, Gjok Doçi, Dali Ndreu etj, shkrimtarët përparimtarë Haki Stërmilli dhe Haki Sharofi deri tek studiuesit Vahid Kurmaku, Munir Shehu, Lutfi Turkeshi dhe Hazis Ndreu etj.

Në mbyllje, duhet të themi, pa frikë teprimi, se me këtë monografi, autori ka shënuar disa arritje të rëndësishme për historinë e Dibrës.

Autori ka meritën se e ka trajtuar Dibrën si një etnitet gjeo-hapsinor dhe etno-kulturor, pavarësisht ndarjes dhe masakrimit të saj nga Konferenca e Londrës e vitit 1913.

Ai ka realizuar një porosi të moçme të çdo brezi që i zhvilloi luftrat e shumta për mbrojtjen e Dibrës. Me një gjetje interesante dhe të besueshme, ai na përcjell thirjen heroike të atyre që i bënë këto luftra mbrojtëse, të brezit të gjyshërve tanë, mbi nevojën për të shkruar, për t’i hedhur në letër dhe për t’i dëshmuar brezave më të rinj heroizmin masiv dibran në mbrojtje të Dibrës dhe jo vetëm. Porosia e babait të tij dhe të gjithë atyre që u përleshën me dushmanin, ”Biri im, shkruaj një libër për luftrat e dibranëve kundër pushtuesëve të huaj!”, është një detyrim dhe një borxh moral që brezi më i ri i historianëve ka ndaj historisë. Nevoja për të shkruar dhe rishkruar historinë tonë me objektivitet shkencor, është një kërkesë jo vetëm e nevojshme por edhe e domosdoshme.

Si idhtar i parimit latin “verba volant, scripta manent”, ai i beson dijet njerëzore nuk do të kishin vlerë në se ato nuk u transmetohen brezave më të rinj.

Me këtë monografi, Dibra ka tashmë një memuar historik, të shkruar me dashuri dhe përkushtim, që i kushtohet historisë së vjetër dhe të re të Dibrës, me të cilën dibranët ndjehen më të plotësuar.

Monografia përveç vlerave historike e kulturore ka edhe vlera të shumta patriotike e atdhetare, për edukimin e brezave të rinj, me vlerat më të mira të të parëve tanë, që më shumë se çdo gjë e deshën vendin dhe atdheun e tyre.

Falë punës studimore të studiuesëve dibranë, përfshirë edhe kontributin e spikatur të z. Moisi Murra, në Historinë zyrtare të Shqipërisë,  kohët e fundit janë korrigjuar disa pasaktësia.

Njohës i shkëlqyer i terrenit, autori ka sjellë argumente të reja të pathëna më parë në mbrojtje të hipotezave të ngritura prej tij, siç është hipoteza mbi lokalizimin e Albanopolisit në Jabllanicë, hipoteza mbi lokalizimin e fushës së Torviollit në fushën e Kastriotit dhe të Volezës, ato mbi lokalizimin e disa vendbetejave të Skënderbeut në Dibër etj.

Autori ka sjellë dëshmi të shumta arkivore dhe dokumentare, mbi pjesëmarrjen e dibranëve në luftrat mbrojtëse jo vetëm në Dibër, por në të gjitha krahinat e Shqipërisë natyrale. Kudo të shkosh në hapësirën e Shqipërisë etnike (Kalis, Kolosjan, Prizren, Zhurr, Dibër, Shkodër, Lezhë, Manastir, Ohër, Shkup, Karadak, Kotor, Nish), do të gjeshë varre dibranësh të rënë në luftrat mbrojtëse, madje edhe jashtë kësaj hapësire (Follorinë, Selanik, Bullgari).

Monografia është e pajisur me një aparat të pasur shkencor, me dokumenta të shumta arkivore dhe literaturë të gjërë e të plotë, të pasqyruar në 1625 fussnota.

Monografia është pajisur me aparat të pasur ilustrativ, fotografi, falsmile dokumentesh, skica, planimetri dhe portrete të dëshmorëve dhe heronjëve të luftës popullore, cilësia e të cilëve në ndonjë rast, mund të kishte qenë edhe më e mirë.

Monografia është shkruar me gjuhë të pastër e të zgjedhur, duke shmangur fjalët e huaja, me stil të rrjedhshëm e të kuptueshëm, që përbën padyshim një nga vlerat e monografisë.

Me informacionin e pasur dhe të larmishëm historik që sjell, me analizën dhe diskursin historik për ngjarje dhe luftra të rëndësishme çlirimtare, “Dibra nga Antikiteti në Monarki”, është një monografi që plotëson një boshllëk të ndjeshëm një njohjen më të mirë e më të plotë të historisë së ndritur të trevës tonë dhe renditet si një vepër e çmuar historike që na ka munguar.

Duke e përgëzuar përzemërsisht autorin për botimin e kësaj monografie, i urojmë kolegut dhe mikut tonë të hershëm dhe të vyer, shërim të shpejtë dhe shëndet të mirë, jetë të gjatë e të frytshme, në të mirë të tij dhe të familjes së tij dhe në të mirë të studimeve historike të Dibrës, që pret prej tij edhe studime të tjera komplekse e të thelluara, si monografia që po promovojmë sot. Ne shpresojmë të mblidhemi përsëri në promovimin e vëllimit të dytë të Historisë së Dibrës, që autori e ka në proçes, të titulluar “Dibra nga Monarkia në Demokraci”.