Figura dibranësh – pishtarë të Rilindjes:


Nga Prof. dr. Bajram XHAFA

Sait Najdeni (Hoxhë Voka) (1864 – 1903) – një pishëtar i Rilindjes

Na mblodhi sot këtu në Tiranë me 7 qershor 2017 Shoqata “Bashkimi Dibran”, me rastin e përvjetorit të krijimit të saj,  për të nderuar kujtimin dhe veprën e disa prej rilindësve dibranë të brezit të dytë të periudhës së Rilindjes, që me veprimtarinë e tyre kombëtare rrezatuan në etapën e fundit të saj dhe, disa edhe në periudhën e Pavarësisë (1912-1939). Bëhet fjalë për Sahit Najdenin, Josif Bagerin, Jashar Erebarën, Hafiz Sherif Langun, Izet Dibrën (Shatku), Abdurrahman Dibrën,  etj.

Në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit (1878-1881), lëvizjen më të madhe politike të shqiptarëve gjatë Rilindjes, Dibra përbënte epiqendrën e saj nga drejtoheshin sytë e dy skajeve të Shqipërisë: Toskërisë në jug dhe Gegërisë e Kosovës në veri, si në aspektin politik dhe në atë ushtarak. Konsulli i Austrisë në Manastir August Kral i shkruante Vienës: “Sytë e gjithë shqiptarëve janë drejtuar nga Dibra, dhe në të vërtetë këtu gjendet pika e gravitetit të situatës së Shqipërisë”. Mbase kjo është arsyeja pse këtu  u ngul me tërë forcën thika e ftohtë e diplomacisë në Konferencën e Ambasadorëve për caktimin e kufijve në Londër më 1912-1913.

Nga veprimtarët e brezitë të dytë të Rilindjes, personaliteti më i përkushtuar për çështjen kombëtare, sidomos për shkollën shqipe, ai që me vetëdije të plotë u u flijua, u tret e u shkri si qiriri, në kuptimin e plotë të fjalës ishte dibrani Sahit Islam Najdeni. Lindi në Dibër të Madhe më 1864 (mbiemri Najdeni do të thotë “të gjetur”, vendas, “autochthonous”), njohur ndryshe si Hoxhë Voka (Vokrri) i Dibrës. Mësimet e para i mori në qytetin e lindjes (fillore, plotore – ruzhdije) prej së ciliës doli më 1882, në moshën 18 vjeçare. Studimet e larta teologjike i vazhdoi në Edërne, por pas një viti i vazhdoi në Stamboll. Këtu ra në kontakt me figura të shquara kombëtare si Naim e Sami Frashëri, Ismail Qemali e patriotë të tjerë.

Sapo mbaroi studimet më 1888, Saiti, me  ca abetare që mori në Stambol, u kthye në Dibër me dëshirën e zjarrtë të hapë aty shkollën e parë shqipe. Në bodrumet e dyqaneve, të Xhamisë së re dhe në shtëpitë e fshehta të qytetit formoi grupet e nxënësve. Ndër nxënësit e parë përmenden Selim, Dalip, Ymer dhe Riza Rusi, Shaban Pepa, Daut e Hajredin Varvarica, Zenepe Çoku, Aziz Menzelxhiu, Vehbi Xhidri, Hasan Ballanca, Hafiz Sherif Palikuqi, Hafiz Muhameti, Sheh Latifi, Sefedin, Qazim e Hysni Najdeni, Razie Pregja1 etj. Shkolla nuk mbet pa u zbuluar dhe Saiti largohet në Stamboll, shkruan Isamil Strazimiri në “Kujtime historike mbi lëvizjen kombëtare në qarkun e Dibrës”. Nxënësit e parë të Hoxhë Vokës u bënë prisat e lëvizjes kombëtare.

Hapja e shkollave shqipe u bë obsesion për Hoxhë Vokën. Më 1893 Hoxha kthehet përsëri në Dibër për të hap shkolla shqipe. Në Gollobardë angazhoi Hoxhë Muglicën nga Okshtuni. Shkollat u hapën në Maqellarë, Homesh (1894), Dohoshisht, Brezhdan etj.     

Sait Najdeni ishte iluminist dhe misionar i vërtetë e çështjes kombëtare. Bashkë me shokun e vet Ibrahim Mitrovica më 1895 niset me mision të veçantë në Stamboll dhe Edërne por aty u kapën nga policia dhe u futën në burg, ku u mbajtën 15 muaj. Menduan ta thyenin vullnetin e Hoxhës, por ai sapo doli nga burgu vazhdoi një aktivitet patriotik edhe më të madh. Atë e gjejmë në Manastir, në Dibër, në Shkup, Mitrovicë etj. mes mëmëdhetarëve duke shpërndarë libra shqip e duke i nxitur të mësonin të shkruanin gjuhën kombëtare. Shkoi për t’u takuar edhe me patriotë të kolonive shqiptare në Rumani, Bullgari, Libi (Tripoli), në Itali (San Demetrio Korone), në Brindisi, Bari, Napoli e Romë.

Nga mundimet e shumta e sidomos nga qëndrimi në qelinë e gurtë, të ftohët e të lagësht të burgut, Saiti u sëmur rëndë nga tuberkulozi. Eshtë shumë prekëse biseda me të jatin i cili, kur e sheh ashtu të zbetë e të tharë dhe me gjunjë të këputur, e këshillon të heqë dorë dhe të kujdeset për shëndetin. “Shëndeti yt i keq po më tremb, i thotë i ati. Ty s’po due me të pa të vdekur para mejet. Prandaj dëshiroj të qetësohesh, të të kthehet fuqia e shëndeti…”. Saiti iu përgjigj: “Sakrificat qi ke ba ti për mue nuk më përkasim mue por Shqipërisë, e cila ka nevojë për sakrificat e të gjithë kombit. Pushka, plumbi, burgu, litari e të tjera mundime s’janë gja për ne. Po shkon Shqipnia, babë, po shkon nderi i shqiptarit e shqiptari rrin në gjumë e s’e din se çështja qendron deri në këtë shkallë.. Ç’vleftë ka jeta ime, kur asht tue vdekë i tanë një komb!”2 (nënvizimi im).

Sakrificat e vetëmohimi i tij për shkollën shqipe dhe çështjen shqiptare në përgjithësi ishte në kufijtë e shenjtërisë. Fenë e vuri në shërbim të kombit, të shkollës dhe shkrimit shqip. “Feja myslimane urdhëron dhe detyron çdo mysliman me dashtë atdheun” thoshte Hoxha Voka i Dibrës. “Shqehtë, bullgarët e grekët duen me e copëtue Shqipninë midis tyne” dhe “ne rrimë në gjumë” thotë Hoxha. Për këtë qëllim shkroi edhe librin “FE-RRËFENJËSEJA E MYSLIMANËVET”, shtypur në Sofje, ndë Shtypëshkronjë Shqipe “MBROTHËSIA”, 1900.

Në vitin 1900, bashkë me patriotë të tjerë, Sait Najdeni hapi për të tretën herë shkollën shqipe në qytetin e Dibrës së Madhe, siç ishin hapë në Prizren, në Gjakovë, në Pejë. Por edhe kësaj here ajo nuk pati jetë të gjatë. Sait Najdeni botoi në Sofje edhe një “Abetare e gjuhës shqipe” ndë të folë gegërisht”, prej 16 faqesh (1900). Vokacioni kombëtar i Hoxhë Vokës përbën një elegji më vete.

Vdiq në qytetin e lindjes më 21 nëntor 1903 në moshën 39 vjeçare. Në çastet e fundit të jetës la amanet familjes: “Në vorrin tem mos më veni gurë deri sa të lirohet Shqipëria dhe kur të fitohet liria, më veni gurë, tue m’i shkrue shqip. Në këto gurë të ngrini edhe flamurin e kombit, të cilin unë për fat të keq s’un po e shof për së gjalli, po munde barem ta kem afër”. Nuk mund të themi nëse duhet të dëshpërohemi që Hoxha i përkushtuar nuk e mbërriti ta shohë ditën e madhe të Flamurit apo të ndjehemi me shpirt të lehtësuar që nuk e pa thikën që iu ngul aq kriminalisht Dibrës së tij vetëm dhjetë vjet më pas (1913) duke e shkëputur nga trungu i shtetit shqiptar të sapo krijuar.

Sait Najdeni, ky pionier i arsimit kombëtar, mik dhe bashkëpunëtor i respektuar i vëllezërve Frashëri, i Ismail Qemalit, Rexhep pashë Matit, Dervish Himës, Hamdi Ohrit, Seremedin Seit Toptanit, Kristo Luarasit, Shahin Kolonjës, Josif Bagerit, P. N. Luarasit, Nikolla Naços e shumë patriotëve të tjerë shqiptarë, mbeti një figure e shquar, e dashur dhe e nderuar e gjithë kombit shqiptar. Po e mbyllim vetëm me fjalët e Nikolla Naços në “Shqiptari” të Bukureshtit. “Me të keqe të madhe mësuam vdekjen e atdhetarit tënë Said Dibranit një shqiptari të vërtetë , një të madhi ushtar të palodhur të Shqipërisë”3. Sait Najdeni – një jetë misionari kombëtar, një jetë martiri.

Josif Bageri (1870 – 1914)

Kur Shqipëria ishte e plotë, e bashkuar, integrale, nën Perandorinë Osmane e në bashkëjetesë me të, shqiptarët ortodoksë të Dibrës dhe gjithë Shqipërisë Lindore (sot e quajtur Maqedoni Perëndimore) qanin e qesnin si të gjithë shqiptarët për Shqipërinë; njëlloj punonin e jetonin, gëzonin dhe mjeronin, luteshin, luftonin e vdisnin për Shqipërinë. Josif Bageri nga Nistrova e Rekës së Epërme (të Dibrës) ishte njëri nga këta. Si shumica e burrave të Rekës së Epërme shkoi për punë në Bullgari, në Sofje. Atje zuri malli për Nistrovën dhe Rekën, për Dibrën dhe Shqipërinë e tij, ndaj mësoi të shkruajë në gjuhën shqipe. Punonte si këpucëtar, por studioi si autodidakt sa, jo vetëm shkruante poezi e prozë në shqip, por edhe të drejtonte e botonte gazeta, ndonjë libër dhe bën pjesë edhe në shoqëri. U përfshi në veprimtarinë atdhetare shqiptare sa u bë një rilindas i shquar.

Më 1 janar 1993 ishte ndër themeluesit e shoqërisë shqiptare të Sofjes “Dëshira”. Ishte propagandues dinjitoz dhe i flaktë i çështjes kombëtare shqiptare. Në shkrimet e tij në shtypin e kohës u bënte thirrje shqiptarëve për të njohur historinë e popullit të vet, për t’u bashkuar pa dallim feje dhe për të përballuar edhe me armë çdo synim shovinist. E shihte të gjallë rrezikun: Shqipëria rrezikohej në ekzistencën e saj.

Pati krijimtari letraro-artistike e publicistike me nota të theksuara atdhetare-politike. Në “Thirrjen” që u publikua në gazetën “Shpresa e Shqypnisë”, që botonte vetë Bageri u drejtohej vëllezërve të vet shqiptarë duke vënë në dukje vuajtjet që kishin pësuar vëllezërit e tij shqiptarë nën robërinë osmane. U kujtonte Naum Veqilharxhin Vaso Pashën, Kostandin Kristoforidhin, vëllezërit Frashëri, Jani Vreton e sa e sa të tjerë që e “shndritën kombin tonë para Evropës në dituri e gjuhë të vet”. Në vitet 1909-1911 drejtoi gazetën “Shqypja e Shqypnisë” ku u bënte jehonë luftave të çetës trime të Çerçiz Topullit. Botoi edhe një përmbledhje me poezi nën titullin “Kopësht malësori”. Pati miqësi dhe korrespondencë me intelektualë rekas Anastas Albanski, Llazar Siljani e Thoma Sergji dhe me dibranët Sait Najdeni, Dervish Hima, Jashar Erebara etj.

Në vitin 1914 vjen në Durrës për të nxjerrë gazetën “Ushtima e Krujës”, por nuk gjeti përkrahje. Trazirat që filluan më pas e dëshpëruan shumë e detyruan të kthehej prapë në mërgim, ku vdiq pa pak kohësh në varfëri të plotë në Prishtinë, duke lënë gruan dhe fëmijët. Vlerësuar me Urdhërin “Për veprimtari patriotike” klasi II, Tiranë, 25. 11. 1962.

Pas shkëputjes brutale të territoreve të Shqipërisë Lindore, shqiptarët ortodoksë të atyre viseve u përthithën me agresion etnik. Ortodoksët shqiptarë u bënë “homogjenë”, u sllavizuan. Sot pas 100 vjetësh në Maqedoni nuk ka më Josif Bagera.

Dibra nxorri edhe shumë e shumë atdhetarë e luftëtarë të tjerë të dorës së parë për çështjen shqiptare, për kombin, për atdheun, për pavarësinë, për shtetësinë.

Rilindja kombëtare u mbyll me Pavarësinë, pavarësi që më shumë erdhi nga ultimatumi i rrufeshëm i ngjarjeve (shpreje e Hanato) kur dhe çështja shqiptare u shtrua për zgjidhje para Evropës dhe u vendos zyrtarisht në tryezat e diplomacisë së Fuqive. Nën zjarrin e Luftërave Ballkanike dhe të Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 1912-1913 doli me ngurrim e shtërzim shteti shqiptar.

Për kombin shqiptar ato qenë katastrofat më të mëdha në historinë e tyre 3000 vjeçare. Me një bilanc tragjik mbi një çerek milioni shqiptarë të vrarë e të masakruar nga një genocid i pashembullt deri në këtë kohë në historinë evropiane, të kryer nga ushtritë ballkanase në një luftë që shqiptarët as e kishin shpallur e as e kishin humbur dhe me një copëtim mizor nga Fuqitë e Mëdha duke ua dhënë trojet shqiptare armiqve të tyre historikë e kombëtar, shqiptarët do të përjetonin tragjedinë më të madhe historike e kombëtare. Pikërisht në këtë sfond historik u shpall edhe Pavarësia e Shqipërisë. Në vorbullën e këtij cikloni apokaliptik u pështjellua edhe fati i Dibrës.

Kur Serbia shtetërore dhe “jo shtetërore” (në kuadër të Aleancës Ballkanike) në tetor 1912 ndërmori agresionin ushtarak kundër Shqipërisë, për pushtimin dhe aneksimin e saj, Dibra e Madhe, alias Sheheri i Dibrës, qendra administrative krahinës, qendra e vetme qytetare, ekonomike, kulturore e shpirtërore, me famë në historinë e shqiptarëve, si e gjithë Shqipëria iu nënshtrua masakrave, gjenocidit dhe spastrimeve etnike. Krimeve të luftës iu bashkëshoqërua krimi politik i Fuqive të Mëdha evropiane, si projekte të hartuara me kohë, kur, pas copëtimit skandaloz, qyteti i Dibrës, n(d)ë kërthizë të Shqipërisë, truri dhe zemra e Dy Dibrave: Topalltisë dhe Malësisë dhe e gjithë vendit, “iu muar Shqipërisë me vijën kufitare të vitit 1913, siç nxirret me thikë sythi  një patateje”, shkruan Rouz Uajlder Lein (shkrimtare amerikane) në fillim të viteve 20 të shek. XX në librin “Majat e Shalës” (“Rilindja”, Prishtinë, 1997, f. 185).

Nën zjarrin dhe hekurin e soldateskës serbe gjatë Luftës së Parë Ballkanike (tetor 1912-30 maj 1913 u bë shkulja e parë e dibranëve  nga Dibra e tyre që,  me djepet e leckat në krah morën rrugën e huhaxhirllëkut drejt Tiranës dhe viseve të tjera në brendësi të vendit. Brenda një dhjetëvjeçari Dibra u dogj edhe dy herë të tjera nga serbi: më 1915 dhe më 1818. Kjo e fundit zgjati deri në dhjetor 1921.

Në Tiranë dibranët, sheherlinjtë, jo “Tigrat e Dibrës”, siç i quan Miss Durhami ato të maleve që mbeten me pushkë në krah, por sheherlinjtë e Dibrës, erdhën dhe u  vendosën në mënyrë kompakte, më së shumti në atë që është e njohur si Rruga e Dibrës. U pritën mirë nga vendasit, tironsit, si vëllezër në fatkeqësi, nga familjet e mëdha duke filluar nga Toptanët, po ashtu nga njerëzit e thjeshtë. Në arealin e ri sheherlinjtë dibranë shpalosën një kulturë jetese me nivel të lartë, integritet, shembull qytetarie. Sheherlinjtë kishin çfarë të ofronin; vinin nga një qytet që mbante nofkën “Stambolli i Vogël”. Ishin klas. Shpejt u integruan në hallet e Shqipërisë së pavarur. Pas 1912-s shqiptarët u vunë para detyrave të reja, atë të ngritjes së shtetit të pavarur.

Dibranët e Tiranës u bënë faktor i qenësishëm dhe shumë i rëndësishëm i këtij procesi historik të shtetndërtimit dhe kombformimit.. Dy nga përfaqësuesit e këtij komuniteti, elitë e kulturës dhe e formimit intelektual ishin përfaqësues të Dibrës në Kuvendin Kombëtar që shpalli Pavarësisë: Haxhi Vehbi Dibra (Agolli) dhe Hafiz Sherif Langu të cilët kryen shërbime shumë të vyera. I pari u shndërrua në shtyllë dhe ikonë për ngritjen e institucioneve të shtetit të ri shqiptar, pushtetit laik dhe fetar. Figura e tij është trajtuar gjërësisht. Hafiz Sherif Langu (1877-1956) mësimet e para i mori në qytetin e lindjes, Dibër. Shpejt u lidh me atdhetarët vendës Sait Najdeni, Kadri Fishta, Shaqir Daci etj. Merr pjesë në kuvendin e madh të Dibrës të 27 shkurtit 1899. Me shtysën e prindërve dhe të gjyshit Selim bej Rusi vazhdoi studimet për teologji në Stamboll. Mes rilindësve të shquar si Ibrahim Temo, Dervish Hima etj. atje Sherifi u afirmua më tej me idealin kombëtar. Mori pjesë në formimin në dhjetor 1908 të  klubit “Bashkimi” të Dibrës sëbashku me pjesën më aktive të patriotëve dibranë: Kadri Fisha, Riza Rusi, Eqrem Cami, Ibrahim Xhidri, Abdullah Tërshana dhe Ibrahim Jegeni. Më 1910 të gjitha këto i shtypi me dajak Shevqet Dërguti i cili Sherifin e cilësoi “Prift latin”. Me këmbënguljen e dibranëve, pasi u dha leje për shkollë shqipe, ata unanimisht caktuan Hafiz Sherifin si mësues. Në fund të qershorit 1912, sëbabashku me Eqrem Camin, Ismail Strazimirin, Tajar Tetovën Dan Camin, Sheh Sulën e Zerqanit etj morën pjesë në kryengritje. Për atdhetarizmin e tij të flaktë e të kultivuar, e delegojnë përfaqësues të tyre në Kuvendin e Vlorës.

Me okupimin serb te viseve të Dibrës dhe Elbasanit, niset nga Vlora me mision për të organizuar qëndresë, ku autoritetet serbe e arrestojnë. Me ndihmën e Aqif Pashës, në krye të një komisioni të përbërë nga Tajar Tetova, Haki Ismail Peqini, Ahmet Dakli ndërmerr disa herë misione për ngritjen e pushtetit lokal. Në këto misione bashkëpunoi me Dan Camin, Hoxhë Muglicën, Hoxhë Kurt Ballën etj. Nga fundi i vitit 1913 deri më 1917 kryen detyrën e kadiut (gjyqtarit) në viset e Dibrës që i mbeten Shqipërisë.

Në vitet 1920-39 jetoi në qytetin e Dibrës ku kreu detyrën e imamit dhe në disa raste, të kadiut. Më 1941 vjen në Tiranë, pak kohë si kryetar i komunitetit Mysliman shqiptar.  Si nacionalist që aspiroi dhe punoi për Shqipërinë etnike, pas ardhjes së komunistëve në pushtet dënohet me 10 vjet burgim. Lirohet me 1950 dhe vdes në mars 1956.

Jashar Erebara (1875-1953), jeta e të cilit është mbushur me ngjarje tragjike, si vetë jeta e popullit dhe kombit tonë. U bë gazetar me emër, i shtyrë mbase jo aq nga talenti i lindur, sa nga dhimbja dhe zjarri i dashurisë për atdheun. Me origjinë nga Podujeva, lindur më 1875 (mbase në Mostar të Bosnjës, ku shërbente i ati, Sadik Fejzullahu, përfshirë nga vala e muhaxhirllëkut mysliman të Luftës e të Pasluftës së 1877-1878-s dhe përfundon në Dibër, ku së pari i vdes i ati, i përndjekur në male, më pas e ëma dhe e motra nga tuberkulozi të mbetura rrugëve të muhaxhirllëkut, së fundi vëllai, që humbi në kurbet drejt Turqisë e që nuk iu dëgjua më zëri, as emri. Fati e shpuri Jasharin, këtë fëmijë të mbetur midis katër rrugëve në familjen dibrane Erebara (të Sejfulla Erebarës), prej së cilës në shenjë respekti mbajti mbiemrin. Pastaj sa andej-këndej: nga Dibra në Manastir, nga Manastiri në Stamboll e më 1891 në Elbasan.   

Formimin e parë shpirtëror e arsimor – kulturor, shpirtëror e politik e mori në Dibër. Pati për mësues Sait Najdenin në Dibër dhe Nikolla Naçon në Bukuresht, bashkënxënës Dervish Himën, Asdrenin, Kristo Luarasin dhe bashkëpunëtorë Ibrahim Temon e Jani Vreton. Më 1902, sëbashku me Ismail Qemalin, Dervish Himën merr pjesë në Kongresin e xhonturqve në Paris. Eshtë njëri nga firmatarët e kartës drejtuar Sulltanit për të drejtat e kombit shqiptar.

Veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare, publicist, diplomat, burrë shteti i spikatur që e shtrin aktivitetin nga fundi i shek. XIX – gjysma e parë e shek. XX. Eshtë bashkautor i shumë protestave dhe thirrjeve drejtuar fuqive të mëdha për mbrojtjen e çështjes shqiptare. U ropat nëpër kryeqytetet e Evropës e të Ballkanit për 27 vjet me radhë, me bukë e pa bukë, me strehë e pa strehë, por i paepur. Vështirësitë ekonomike nuk qenë gjë përpara ndjekjeve, internimeve dhe burgosjeve. Vraponin veprimtarët shqiptarë nga njëri kryeqytet i Evropës në tjetrin për çështjen shqiptare, zëvendësonin njeri tjetrin. Kur qëllonte që politikanët e Evropës t’i takonin për së dyti veprimtarët shqiptarë, i pyesnin me habi: “akoma nuk ju kanë vrarë?”.

Më 1902-1906 nxjerr në Beograd gazetën “Albania”. Pas shpalljes së Hyrrietit (korrik 1908) dërgohet në Kumanovë  ku krijoi Klubin shqiptar dhe hapi një shkollë në gjuhën shqipe. Më 1911-1912 është në Shkup, ku nxjerr gazetën “Shkupi”, e para gazetë në gjuhën shqipe në trevat e Kosovës e të Shqipërisë Lindore.  Më 1913 vjen në Vlorë, ku bën pjesë në administratën qeveritare. Më 1914 në Durrës dhe 1914-1915 në Vjenë ku bashkë me të tjerë boton organin “Biblioteka Zëri  Shqipërisë”. Ndiqet nga bullgarët dhe internohet 18 muaj në Karlovo. Ishte ndër themeluesit e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”.

Pjesëmarrës në të gjitha ngjarjet që sollën Pavarësinë, ngritjen dhe konsolidimin e shtetit shqiptar duke filluar me Bukureshtin, Beogradin, Vjenën, Parisin, Sofjen, Shkupin, Vlorën e 1912-s, Durrësin e 1914-s, Tiranën e 1920-s e të 1924-s. Më në fund i ra “rehat” trupi por jo shpirti vetëm më 1925, kur Shqipëria “u la të jetojë”. Nga viti 1923 u zgjodh vazhdimisht në organet ligjvënëse deri në 1939, vit pas të cilit, ashtu si Shqipëria, edhe jeta e tij mori tatëpjetën.   

Patriotizmi i tij të mahnit për shkallën e sakrificave. Asdreni në një letër që i dërgonte, shkruante: Gjithmonë kur jam duke folur me një mik ose atdhetar për mundimet dhe përpjekjet e kohës kur luftonim për një rilindje të atdheut, kujtoj vazhdimisht edhe emrin tënd. Ndërsa Mihal Grameno i shkruante: “shërbimet që i ke sjellë kombit s’kanë shembull”I ra trupi rehat (por jo shpirti) vepëm me Triumfin e Legalitetit pas dhjetorit 1924, deri më 1939, ashtu se dhe vetë shtetit shqiptar kur e lanë të marrë frymë vetëm përkohësisht.

Një tjetër personalitet nga dora e dibranëve sheherlinj që kontribuan në shtetndërtimin dhe kombformimin e Shqipërisë është Izet Shatku (Dibra) (1877-1964). Shkollimin e filloi në Shehër të Dibrës së Madhe, e vazhdoi në Manastir dhe e mbylli në Stamboll më 1898 për Drejtësi-Administratë. Filloi punën si jurist në dikasteret e Perandorisë, avokat publik, pastaj nënprefekt e prefekt në Soroviç e në Korana, guvernator rajoni në Allasonjë, Kërçovë dhe Çall për disa vite.  Veprimtar i çështjes kombëtare shqiptare.

Agresioni ushtarak serb më 1912-1913 e shkuli edhe atë nga trualli dhe qyteti i tij historik. Për mallin e vendlindjes, krenarinë e qytetit e kujtimin e të afërmve të vrarë gjatë gjenocidit e  “pastrimit” etnik, përdori emrin e qytetit të tij të dashur dhe të krahinë me histori krenare “Dibra” si llagap në ushtrimin e funksioneve politike, por edhe si një apelacion irredentist. U lidh me krahun nacionalist dhe mbështeti Kongresin e Lushnjës më 1920 dhe qeverinë që doli prej tij. Gjatë viteve 1920-1924 shërbeu si n/prefekt i Tiranës (me kompetencat e prefektit) dhe komisar i bashkisë Tiranë; prefekt i Durrësit dhe më pas i Beratit. Në zgjedhjet e dhjetorit 1923 për Asamblenë Kushtetuese zgjidhet si përfaqësues i prefekturës së Dibrës si asamblist. 1925-1926 prefekt i Elbasanit, 1927-1928 prefekt i Tiranës dhe njëkohësisht komisar i bashkisë Tiranë. Më 1928-1929, prefekt në prefekturën e Shkodrës dhe 1919-1930 kryetar bashkie në Shkodër. Nga qershori i vitit 1930-dhjetor 1932 ministër i Punëve Botore në qeverinë e Pandeli Evangjelit. Në zgjedhjet parlamentare 1932-1936 del deputet   për qarkun e Elbasanit, kurse në zgjedhjet që pasuan, që qenë të fundit të shtetit kombëtar shqiptar të pavarur doli deputet për prefekturën Durrës-Tiranë.

Nga shtatori i vitit 1937 deri në prill 1939 ka qenë d rejtor i Departamentit për Emigracionin që merrej me kujdesin e sistemimin e shqiptarëve të ardhur nga trevat shqiptare të Kosovës, Malit të Zi, Shqipërisë Lindore e të Çamërisë, të Diasporës, për ngritjen e strehave e vendbanimev  të reja për ta nga shteti shqiptar i Mbretërisë në zonat Fier, Lushnjë, Durrës, Tiranë etj. Sistemimi i muhaxhirëve shqiptarë të dëbuar nga trojet e tyre për shkak të politikës shoviniste të spastrimeve etnike të fqinjëve sllavo-grekë të Shqipërisë ishte një problem madhor me karakter politik kombëtar dhe humanitar.

Siç shihet nga kjo kurrikul, Izet Dibrës vazhdimisht i janë besuar detyra të larta e me përgjegjësi duke gëzuar kështu staturën e shtetarit në niveleve më të larta në administratën e kursyer e mjaft efiçente të shtetit të parë e të fundit  (deri tani) kombëtar shqiptar. Gjithmonë në pikat kyçe të administratës kur po ngrihej shteti i parë i Shqipërisë së pavarur, shteti juridik në kuptimin e plotë të fjalë pa asnjë shtojcë e artificë ieologjike e propagandistike.

Ka qenë reformator i një sërë dikasteresh të administratës shqiptare  me staf teknik të diplomuar në universitetet evropiane. Pjesëmarrës në të gjitha diskutimet e projektet për konstruktimin e Tiranës. Eshtë cilësuar si një ndër administratorët më të mirë në shtetin shqiptar të kohës kur Shqipëria me të vërtetë kishte ngritur një shtet.

Me vendim të këshillit bashkiak të Shkodrës, më 25 qershor 1930 shpallet “Qytetas nderi”, për kontribute të veçanta në ndërtimin dhe imazhin publik të qytetit.

Me ardhjen e regjimit komunist Izeti dëbohet nga Tirana për në Shkodër dhe e gjithë pasuria e tij grabitet në mënyrën  më të paskrupullt. Shkodra të nderoi me titull qytetas nderi, ndërsa diktatura i tha: tani shko atje (në Shkodër), si i internuar. Ndërroi jetë në vitin 1964.

Shkodër, 6 qershor 2017

Kumtim i mbajtur në veprimtarinë përkujtimore të Shoqatës “Bashkimi Dibran”, të zhvilluar në Tiranë në“Hotel Tirana Internacional”, (në Sallën e Konferencave) më 7 qershor 2017, me rastin e dekorimit nga ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Bujar Nishani me titujt e lartë “NDERI I KOMBIT” dhënë këtyre veprimtarëve të Rilindjes. Me atë rasat edhe shumë personaliteteve të tjerë, dibranë të Tiranës, iu dha titulli “Mjeshtër i Madh i Punës”.