Atdheu jam une


E lexova me nje frymë vëllimin e pestë poetik të poetit Islam Çenga. Kemi nevojë të lexojmëpoezi të tillë që tingëllon ëmbël, një poezi njerëzore me taban kombëtar  e dashuri universale.

Islamin e njoh dhe e kam lexuar që herët. Ai ka shkruar që në gjimnaz dhe ka botuar në faqet e shtypit lokal e në gazetën “Zëri i Rinisë”. Më pas e vazhdoi rrugën e poezisë në Universitetin e Shkodrës. Pastaj ishte poezia ajo që nuk e lëshonte atë.  Në qytetin e Bulqizës një grup shokësh krijues rrinim së bashku unë, Islami, Hajriu, Simoni, Halili, Xhelili, Azemi etj dhe diskutonim për artin dhe letërsinë. Në qytetin e ftohtë minator funksiononte një kinoklub letrar ku bëheshin konkurse letraro-artistike, viheshin në skenë drama, bëheshin festivale e jepeshin koncerte.

Pra Islami nuk është poet i rastësishëm. Ai ështënjë poet që i përket sojit të poetëve. Kush nuk e ka lexuar, të paktën ta lexojë tani. Ai ka shkruar pesë vëllime dhe nuk është  hallakatur  në gjini të tjera të letërsisë.

Në kopertinën e librit nuk ka asgjë të kërkuar por të bie në sy  portreti i poetit me fytyrën rrumbullake e engjëllore, me ballin e gjërë dhe sytë e menduar, pikturuar me dashuri nga një shok i tij, piktori Zaim Elezi.

Libri hapet me poezinë me titull:”Përëndeshës” që kuptohet lehtë që ja kushton gruas së tij, një poezi brilante që do të dëshiroja ta citoja të plotë:

Ti je përëndeshë e bukurisë/Ta kam thënë mot për mot/Po ta them edhe sot/Dy fëmijë si drita më ke falur/ Pleqërinë ka kohë që ma ke ndalur/ Shkurt, më dhe ato që desha/ Ç’mund të bëjë më tepër përëndesha ?!

Poezia  e  I.Çengës është poezi e dalë nga shpirti, poezi  komunikuese  me qiellin dhe me retë, me natyrën dhe me njerëzit, me vendlindjen dhe me  gjithçka që e rrethon.

Në poezinë  “Njerëzit e qytetit tim” shkruan: ” Kur pragun shkel, qyteti im/ Më bëhet sy, më bëhet frymë, fëmijë më bëhet/ Dhe lojë… dhe gunë/   Dhe nuk më lë të plakem asnjë ditë/ Asnjë thinjë të më shtohet në gunë/ Le të jetë janar apo gusht/ Le të jetë e hënë apo e shtunë.

Por  mbiemrin e poezisë së Islam Çengës e mban poezia: ” I lindur jam në fshat” . Ai deklaron me dinjitet:” Kam lindur në fshat/ Në odën e poshtme me dritare nga jugu/ Kërthizën ma preu nëna Mude/ Dhe e hodhi gjithë bekime në përroin e fshatit/ Përroi i fshatit e përcolli në Drin/ E drini në det/Atje kërthiza ime e kriposur ende fle në djepin e perlave/ Dhe në shilarsen e valëve ende luhatet/  Në odën e poshtme për së pari kam qarë/ E më thirrën me emrin mysliman të gjyshit/ Dhe gjyshi emrin e gjyshit të tij kishte marrë…  A  ka më bukur se sa ky pohim, se sa kjo thirrje për vazhdimësi të popullit e të kombit ?!

Një nga poezitë e vëllimit mban titullin:”Atdheu jam unë” dhe kjo është kredoja e poetit. Unë do të dëshiroja që ta shkruaja të plotë për lexuesin. Iu afrova Atdheut / E qënia u shëndrrua në Myzeqe/ E kryet në Korab/ E sytë në Jon/ E mollëzat Zagori’/ E krahët Çamëri/E shtati në Kosovë/ E balli në Ulqin/ E malli Trebeshinë/ E ëndrra në Janinë/ E fjala në Moravë/ Ë zëri në Strugë/ e Dashuria në Bunë/ … Si skifter fluturova drejt qiellit blu/ E që atëherë / Atdheu jam unë.

Poezitë kushtuar fëmijëve të tij, bashkëshortes, babait dhe nënës janë pa dyshim poezitë më të arrira të vëllimit sepse janë poezi të ndiera, pa sforcim, por me ndjenjë. Kështu mund të përmendim poezitë “Babait, në pritje të 90 vjetorit të lindjes”, “Nëna”, “për ty”, “mbulomë me frymën tënde”, “Më thotë vajza”, “Duke pritur të bëhem baba”, “Dikur e shkruar për gjyshin”, “Bisedë me tim bir” etj. Nëpoezinë“Nëna” poeti shkruan:” Dhe dielli, hëna, deti, lumi, stinët/ Dhe burimi, gjethi, vala, shpirti, zemra/Mirësia e dashuria/ Si ti e mira/ S’kanë fjalë…

Një vend të veçantë në këtë vëllim zenë edhe pejsazhet e natyrës dhe të stinëve të vitit. Këto pejsazhe do t’i kishte zili edhe piktori mëi mirë, ndërsa lexuesi futet në përfytyrim dhe mediton në ditët e pranverës dhe të vjeshtës.Në poezinë “Trill në fillim vjeshte” poeti shkruan: “Prish gardhin e verës vjeshta/ Si hamshor hingëllon në luginë/Në male dimri kërcet dhëmbët/ Gjyshja nga sepeti nxjerr sarginë/Blirët e qytetit lëshojnë gjethet/ I fshin fshesarja pa përtim/ Por lëri, e dashur, në çast, këto gjethe/Tokës së dashur t’i bëhen qylim//

Poezia fillon me një metaforë të bukur “prish gardhin e verës vjeshta” dhe vijon me një krahasim” Si hamshor hingëllon në luginë” e përsëri vijon me një metaforë tjetër  ”në male dimri kërcet dhëmbët” dhe poezia mbyllet me thirrjen e përzemërt qytetare që poeti i bën fshesares:”Por lëri, e dashur, në çast këto gjethe tokës së dashur t’i bëhen qilim”.   Nuk ka më bukur.

Nëkëtë vëllim ka edhe poezi përkushtuese që poeti ua fal shokëve të tij, piktorit Z.Elezi, ushtarakut A.Prençi, nxënësit të tij, kompozitorit P.Tomçini me të cilin është rritur etj. Por Islami nuk shkruan poezi përkushtuese për deputetë apo ministra e aq më tepër për presidentë e kryeministra, por vetëm për njerëzit e thjeshtë e të mirë. Në nokturnin numër 6, kushtuar kompozitorit Tomçini lexuesi sjell ndër mend tërë këngët epike dhe lirike dibrane të kompozitorit Tomçini me tekst të N.Plakut, ato këngë që siç thotë poeti, kompozitori i mblodhi në piano dhe tastierë e bëri shpirtin. Përsëri me një metaforë të bukur mbyllet ky nokturn nga më të bukurit. Dhe metafora, krahasimi, shembëlltyra e pejsazhi e përshkojnë poezinë e  tij fillim e mbarim. Dhe kur lexon poezi të tillë, sot në këtë dyndje të madhe poetësh e poezish pa tharm, mrekullohesh dhe natyrshëm e bën pyetjen:”Kur do të vlerësohen poetët e vërtetë?!”

Një vend të rëndësishëm në këtë vëllim zë cikli dhe poezia bazë e tij “Vdekatari”. Poeti jep mesazhin e rëndësishëm për kohën se jemi të vdekshëm të gjithë, të pasur dhe të varfër, njerëz të thjeshtë apo ministra, prandaj vini gishtin kokës. Çdo gjë paguhet në këtë botë. Bëni mirë që të gjeni mirë. Do të sugjeroja që ky vëllim poetik t’u shpërndahej deputetëve të pozitës dhe të opozitës, ministrave dhe pushtetarëve, bisnesmenëve dhe të pasurve. E di që nuk e lexojnë, por ndoshta në ndonjë  moment pauze e lexojnë ndër rreshta:” Jam vdekatar. Mirësinë e dua/ Dhe dashurinë e kam të shtrenjtë/E dashur, a s’më thua/ Se ç’shteg për mua qenka i drejtë?/ Ti më thua se filani është i zoti/ Se ka ngjitur goxha të përpjetë /Por unë vdekatar paskam qëlluar/ Dhe ndershmërinë e kam të shenjtë/….Ç’qëllova unë … e ç’ë pastaj !?/Le të ishte ndonjë tjetër? Një hajn, mashtrues, vrasës me nam/ President, ministra apo Mbretër!/

Një kujdes i veçantë nga autori , nga redaktori N. Zoto dhe nga botimet M & B  është bërë për gjuhën letrare dhe për pasurimin e saj. Në vëllim nuk gjen fjalë të huaja të huazuara e të kërkuara. Ndonjë krahinizëm është futur për të zbukuruar gjuhën dhe për të bërë dallimin se autori është nga një vend i bukur i Shqipërisë,  rrëzëKorabit dhe buzë Drinit, se është rritur nën hijen dhe me aromën e blirëve të qytetit më të bukur verilindor, Peshkopisë.

Fatkeqësisht kritika letrare nuk është më institucion si dikur, por mendoj se ky libër duhet të jetë objekt i saj në të ardhmen.

Islam Cenga është një “istikam” në poezinë shqipe!

Sapo u ktheva nga Minneapolis, ku për rreth 20 ditë isha mysafir i ish drejtorit të gazetës “Studenti i Bujqësisë” dhe mikut tim të mirë, Shefqet Meko. Ai më kërkoi diçka nga Shqipëria dhe unë mendova t’i dërgoj këtë buqetë me poezi të poetit, mësuesit tim Islam Çenga, i sigurt që do të kishte në dorë një copëz Shqipëri. Ndërkohë që me Shefqetin bëmë një udhëtim shumë të gjatë me makinë në zemër të Amerikës, jo rrallë dëgjonte komunikimin tim me ish mësuesin dhe mikun tim, i cili kishte një problem shëndetësorë në atë kohë. Sot gjej rastin të sjell impresionin e parë të Shefqet Mekos për këtë libër që merr rrugën e botimit…

Ahmet Prençi

I dashur Met!

Kam mbushur një gotë nga uiski që ti nuk e shijove fare kur ndodheshe këtu, dhe si një  meze-pashoqe  po “përtyp” babëzitshëm vargjet e Profesorit tënd dhe po aq edhe i imi! (Dy maçokët e mi po kacafyten dhe unë u bërtas dhe ata ikin në dhomën bosh, ku për disa net të paharrueshme ishte dhoma jote…)

Tani po kuptoj saktësisht kur çdo mëngjes, kur zgjoheshim hoteleve të atij turi mbresëlënës, thoshe dhe pyesje: “Si do jetë profesori?!”  Tani që një nga një si cironka Poradeci përtyp vargjet magjike, sikur vij dhe unë e ju gjej aty… Te Dibra e Madhe apo tek e Vogla, s’ka rëndësi, ju sërish jeni aty pranë e pranë njëri-tjetrit! Por unë jam kaq larg!  Në këtë ikje të largët, në këtë ikje të kërkuar, duket se profesori ka gdhendur vargje edhe për mua!…

Jam elektrizuar në faqet e para! Dhe pyes: Ku ka qenë ky “Lasgush dibran” deri dje?! Nuk di, edhe pse sapo kam kaluar një moment shokues nën këtë “qiell kaq të madh”, poezitë sikur më platitin një moment të trazuar, që shyqyr Zotit nuk ishte fatal….

Mësuesi yt, që  ti ke pasur fat, por po aq fatlum është edhe ai poet që rrethohet nga bota juaj mirënjohëse, duke përfshirë edhe diplomatin! Tani shoh se sa mjeshtërisht ke “vjedhur” nga mësuesi yt! Islam Cenga është një “istikam” në poezinë shqipe!  Ndihem fajtor që nuk munda ta njoh dhe nuk munda të isha qoftë edhe në një poezi botues dhe redaktor tek “gazeta më e vogël” ku unë isha “më i madhi”. Poezia për qiellin, për  qytetin, për kostumet, për babain, për “ikanakët” apo ajo “kërthiza e kripur në oqean” të shokojnë …

Po ne, pse rrojmë kur nuk “qëndisim” një poezi të tillë?! Po ato “cironkat” që sjellin erën deri në Minneapolis?! Jam i dehur nga era e cironkave të vendit tim, që aq bukur i përshkruan poeti.

Vijoj t’i lexoj, por nuk munda të heshtja dhe po dërgoj “reagimin e parë”, para se “presidiumi t’i mbyllë diskutimet”… Këto janë poezi perla dhe besoj se autori ka zënë vend në podiumin e merituar, me kostum ose pa kostum!

Faleminderit që ndave këtë buqetë shpirtërore me mua! Uroj shëndet të plotë për Profesorin e mikut tim!

Të përqafoj mik, miqësisht,

Shefqet Meko, Minneapolis USA

TATËPJETË

Po zbres.

Arrita në majë e po zbres tani teposhtë

ku më thyhen gjunjët.

I trembem zemrës dhe e shtrëngoj si zog në grusht.

I trembem diellit që djeg si prush.

Një lëndinë,

një lis,

një lule kukureku,

një shelg,

një lumë.

Më duken ambulanca

në teposhtën e ngushtë.

Po zbres

e pres të bëhem fëmijë

që ka frikë prej lugatit…