Masakra në pyjet e Lurës është akuza dhe denoncim


Pergezoj dhe falenderoj inxhinjeret e apasionuar Hazis Porja dhe Abdulla Diku, per publikimin ne internet te fotografive lidhur me masakren pyjore te Lures, gje qe ka ngjallur komente te shumta nga nje numer i madh specialistesh. Keto jane fotografi te verteta, qe pasqyrojne realitetin e hidhur jo vetem te Parkut Kombetar te Lures por te te gjitha pyjeve te Shqiperise qe po japin shpirt e po zhduken, tamam si barka ne det te hapur qe po mbytet dhe ka leshuar sinjalin S. O. F (Save Our Forests) dhe askush nuk i shkon ne ndihme per ta shpetuar.

Kur i pashe keto fotografi, ne vecanti disa prej tyre qe jane me pikante dhe eksplicite ne paraqitjen e masakres, nuk po u besoja syve, mbulova fytyren me te dy duart, u trondita shume dhe ndjeva qe trupi m’u rrenqeth nga ky akt barbar, antipyjor, antishqiptar dhe antikombetar i cili, brenda nje kohe rekord prej disa vjetesh, zhduku nga harta e gjelbert e Shqiperise mrekulline magjepse natyrale, Parkun Kombetar te Lures.

Si qytetar i atij vendi dhe specialist i pyjeve shpreh indinjaten time te thelle dhe e denoj kete krim monstruoz qe ka cuar ne zhdukjen e atij parku, nje nder margaritaret e rralle te Ballkanit e te Europes. Per mua, shkaterrimi i kompleksit pyjor, liqenor e livadhor te Lures, perfaqeson “ martirin “ me te madh te pyjeve dhe te natyres shqiptare te cilin, duart e zeza te krimit, ne sherbim te nje politike antikombetare dhe antishqiptare, e rrafshuan njesh me token. Me te drejte, kete masaker Abdulla  Diku, duke qene ne pozicionin e specialistit vizionar e patriot, e ka krahasuar me pasojat e bombardimit te Hiroshimes, kurse publicist Selman Meziu, qe njihet per perdorimin me mjeshteri te metafores, e ka quajtur holokaust natyror. Ka edhe shume pylltare te tjere qe e kane ngritur zerin e protestes dhe jane te revoltuar per krimet qe kryhe per dite e me shume ne pyje e s’kane te ndalur, por zeri i tyre, zeri i te gjitheve ne, bie ne vesh te shurdher. Ku eshte dora e shtetit? Ku eshte opinioni shoqeror? Ku eshte…? Asgjekundi! Tashme nje gje eshte e qarte si drita e diellit: ndikimet negative te nje akti te tille vetevrases e te pakuptimte kunder natyres do te shtrihen e do te ndihen edhe pertej kufijve te Lures, sidomos mbi regjimin hidrik, ne mbrojtjen e tokes nga gerryerjet, ne ekonomine e zones dhe, me kryesorja, ne perspektiven e zhvillimit te turizmit ne kete Tirol shqiptar. Shumekush nuk arrin te kuptoje, me sa duket, se natyra nuk ka nevoje per njerez por, jemi ne, njerezit, qe kemi nevoje per natyren dhe prandaj duhet te jemi te ndergjegjshem e te edukuar per t’a respektuar ate, per t’iu pershtatur natyres dhe per te zbatuar verberisht ligjet e hekurta te saj.

Ne imagjinaten time nuk arrij dot te rifotografoj dhe te perceptoj kompleksin lurian, krijuar prej mijra e mijra vjetesh, qe karakterizohej dikur nga nje harmoni e persosur, me konturet e qarta te nje eko-biosistemi impresionues, brenda te cilit cdo element perberes luante dukshem rolin e tij specifik dhe, te gjithe sebashku, si nje e tere e vetme: malet, liqenet dhe burimet ujore te pashterrshme, pylli, livadhet dhe fauna e pasur, qe i kam shijuar dikur, ndersa tani, qe po ballafaqohem me fotografite, me duket vetja sikur jam ne Saharane afrikane. Tronditja mu shtua akoma me shume kur me dilte parasysh Lura e fillimit te viteve ’60 , qe e “kisha matur me pellembe” te cilen e kam pasqyruar edhe ne disa shkrimet e mia te meparshme si dhe ne korespondencen qe kam patur me ish studente dhe kolege. Shkaterrimi i parkut kombetar te Lures ka qene nje nder “temat e nxehta” te korespondences me ta. Keshtu, me date 18 Maj 2012 i kam derguar nje leter Selman Meziut lidhur me artikullin e tij, te botuar ne gazeten “Le Radici”, Aprile, 2012, qe ben fjale per Luren, per bukurite natyrore te saj dhe shkaterrimin qe po perjetonin pyjet atje. Shkrimi shoqerohej nga dy fotografi me pamje qe mohojne njera tjetren. Njera me Luren e dikurshme te bukur, te gjelberuar me pyje dhe me liqene, kurse tjetra me Luren “ e shemtuar “, qe lengon, e masakruar nga prerjet abusive dhe hajduteria e lendes se drurit, process ky qe do te conte me shpejtesi ne zhdukjen totale te pyllit.

Mbas vleresimit qe bera per artikullin, nder te tjera i shkruaj: “ E lexova ate me nje fryme! “. Ti e kupton shume mire perse them keshtu. Kam lene atje nje pjese te jetes time dhe, ne kembim, kam marre me vete dhe ngulitur ne memorie kujtimet me te bukura e te paharrueshme per ate dhurate te pacmuar dhe unikale te natyres, qe nuk e gjen ne asnje vend tjeter te botes, gje per te cilen te shpreh pergezimet e mia dhe kenaqesine e vecante kur e lexova kete shkrim”. Dhe me tej vazhdoj: “….duke u perqendruar tek shkaterrimi vandalist dhe shkretetimi i Parkut Kombetar te Lures, ti e ke shprehur zemerimin dhe dhimbjen e thelle qe te vlon perbrenda me ane te nje metafore brilante, kuptimplote: “ Parku kombetar i Lures nuk ekziston, eshte zhdukur, ai tanime i shembellen nje kufome ne dekompozim te vazhdueshem “. Nje thenie fantastike! Ndonese Lura u shpall “Park Kombetar” shume vite perpara, asnje here ajo nuk e gezoi kete status ne praktike. Vendimi nuk u mbeshtet me fondet perkatese dhe nuk u shpenzua asnje qindarka per te siguruar mbrojtjen e parkut ne rradhe te pare, per te mirembajtur e permiresuar gjendjen ekzistuese. Gjithcka mbeti ne leter dhe ne sirtaret e zyrave, mbeti ne fakt nje “ Res Nullus “.

Rasti i Lures eshte tipik i nje kontrasti te dukshem ballafaqimi ndermjet se bukures te kohes se shkuar dhe te shemtuares aktuale, te kohes moderne, qe te trishton por edhe te revolton. Shkaterrimi i masivit pyjor te Lures eshte, ne fakt, nje requiem, nje meshe speciale per “shpirtin” e dikurshem te Lures, tashme inekzistente e te “vdekur”. Eshte requiem per Luren tone te dashur, qe s’ishim te zot t’a mbronim, per Luren e te gjithe shqiptareve, per Luren e te gjithe Shqiperise, qe eshte gjymtuar, sakatosur, zhdukur e fundosur si dikur Atlantis! Eshte requiem per vepren makabre te Neronit shqiptar qe, me nje ndjenje autosugjestive perverse, te papermbajtur per veteshkaterrim e vetmohim negative ne permasat e “Doomsday” apo te “Giorno del Giudizio”, brenda nje harku kohor “ sa hap e mbyll syte “ e ktheu mijra, mijra, mijra vjet mbrapa kete copez parajse prrallore te planetit tone, kete perle e kaluar perlen ( sikurse te gjitha pyjet, shkurret, zabelet, korijat, livadhet e gjithcka te gjelbert qe mbulonte dikur Shqiperine ) dhe e transformoi ate ne nje rrenoje, ne nje “ toke te djegur “, ne nje deshmitare qe akuzon per krimet qe jane bere ne pyjet e Shqiperise. Sa keq, sa trishtim, sa deshperim dhe tronditje qe gulcon perbrenda cdo shqiptari.

Per mua, qe e njoh shume mire Luren, qe kam punuar e jetuar atje, kur e pashe “te lincuar” ne fotografi, u shokova aq shume sa mu mbushen syte me lot. Mu kujtuan me nje here pyjet e dendur dhe toponomia e grumbujve pyjore qe e perbenin: Krej Lure, Borie Lure, Fushe Lure, Lan Lure. Mu kujtuan liqenet te alternuar me njeri-tjetrin nga breza pylli, ku shquhej liqeni i luleve per bukurine e tij te rralle dhe kenaqesine e vecante qe te jepte, qe terhiqte me shume vizitore. Arkitekti-natyre cdo gje e kishte konceptuar e ndertuar ne perfeksion! Gjate viteve qe punova ne Peshkopi dhe Burrel, me lidhte shpesh puna qe te kaloja permes liqeneve dhe do ndaloja patjeter tek ai i luleve per te shijuar ujin e burimit qe ishte aq i ftohte dhe aq i lehte! Ai me hiqte lodhjen qe ndjeja nga rruga e gjate malore qe beja ne kembe per te ardhur deri ketu. Ishte nje burim i vogel, i improvizuar, ne anen e siperme te liqenit, bash ne rreshtin e pare te drureve , ku fillonte skaji i pyllit. Nuk e ekzagjeroj te them se kam qene fatlum qe kam pire ate uje. Ishte ilac i vertete.

U zgjata me shume se c’duhet, per te shprehur kenaqesine e rralle qe kam ndjere, dhe ndofta privilegjin qe gezoja, kur , ndodhesha ne Lure: goja me shijonte ujin me te mire ne bote, syte kenaqeshin duke soditur panoramen e mrekullueshme plot kontraste te bukura, mushkerite me mbusheshin me ajer te paster, te filtruar e te oksigjenuar, nervat me qetsoheshin duke degjuar cicerimat e zogjve qe fluturonin te lire, te gezuar e te dashuruar me njeri – tjetrin ne hapsiren e gjelbert e te pafund dhe, here pas here, doktori i pyllit, qukapiku, “vizitonte” druret “paciente” dhe i pastronte ata nga krimbat, larvat e cdo parazit, duke thyer monotonine me zhurmen e embel, cukitjen e tij te zakonshme prej qukapiku. Keto ndjenja, keto kujtime te paharruara, qe pushtuan tere qenien time sot, mbas afro 50 vjetesh, kur po flasim per katastrofen pyjore ambjentaliste te Lures, per bukurite dhe madheshtine e dikurshme te saj, me ftojne te denoj e te mallkoj qeverite e djeshme e te sotme per kete kasaphane bioekologjike, per kete krim makaber te permasave gjigande qe e kane lejuar te kryhet ndaj natyres se bukur shqiptare, ndaj kesaj pasurie kombetare, ndaj ketij thesari qe ja kalon cdo banke.

Per me teper, shkaterrimi i pyjeve te Shqiperise dhe sidomos i Parkut Kombetar te Lures, perben nje krim akoma me te madh per brezat e ardhshem, te cilet do te na mallkojne. Dhe me te drejte! Ndofta, shume pak mund ta dine se pyllit,si komponent kryesor i ekuilibrit te peizazhit gjeografik, i duhen te pakten pese-gjashte shekuj qe te rimarre veten dhe, akoma me shume, te gjallerohen liqenet me uje e te duken ne to troftat e peshqit e tjere.

Lura ngjante dikur me peizazhin zviceran. Ngjante ne miniature me Luzernen, qe une kam pas rastin ta vizitoj ne vitin 1993. Lura, sikurse Luzerna, ashtu sic u permend me siper, dallohej nga kombinimi i shkelqyer i bukurise se pyjeve me pisha, ah e bredh, ku strehohej nje faune e pasur me shpend e kafshe te egra, me liqenet e kristalte mbushur me zambake te bardhe (Nymphaea albaL. ), qe notonin mbi uje “ si pelikane te krekosur“, me malet e larta qe mbuloheshin me debore, me burimet e ftohta qe rridhnin ujin me te mire ne bote, me ajrin e tejngopur me oksigjen, me livadhet e gjelberta ku spikaste ai i njohur si Livadhi i Pelave, ku rriteshin ne te barera te hardallisura te llojeve te ndryshme, disa te rralla ne Ballkan e me gjere, me lule te bukura shumengjyreshe qe arrinin lartesine deri tek gjuri i kalit, nje nga livadhet natyrore me te medha te vendit tone. Nje parajse e vertete! Nuk e teproj aspak po te shprehem ne menyre figurative se: “…Lura perfaqesonte dikur nje pikture te permasave gjigande, nje kryeveper te persosur arti, realizuar prej mijra vjetesh nga autori Nena Natyre, e denje per tu vendosur ne muzeun e Luvrit ne Paris, krahas kryeveprave te tjera te artit boteror! Akoma me teper se kaq, Lura ishte nje diamant i peizazhit shqiptar “…Keshtu ishte Lura kur gezonte ende “ imunitetin natyral “. Po tani? Ajo eshte shnderruar ne nje toke te cveshur, e braktisur perfundimisht nga gjelberimi dhe ngjyra e gjelbert, eshte kthyer ne nje shkretetire artificiale nga njeriu i pa kulturuar e injorant qe vetem di te prese e te shkaterroje natyren, ta vrasi ate me nje pasion primitiv diabolik!?! O zot c’po ndodh ne vendin tone! Jemi tamam ne nje situate te ngjashme me konkluzionin qe ka nxjerre shkencetari psikiater austriak Dr. Sigmund Frojd (S. Freud) nga eksperimentet dhe studimet e kryera para luftes se dyte boterore lidhur me instiktet njerezore, ndergjegjen, memorien, emocionet, egoizmin, histerine etj. Frojdi arriti, pak a shume, ne perfundimin se: “modernizmi i njeriut te sotem nuk mund t’ia shkule nga ndergjegjia jeten primitive te shpellave ku kane jetuar brezat e hershem…” , ide te cilat u kristalizuan me vone si “ rryma frojdizmi “ dhe u perqafua nga letersia perendimore. Ne kete menyre mund te thuhet ne vazhdim, neqoftese fillimi i shekullit XX ishte per shqiptaret shekulli i legjendes se bukes dhe i apotheozes se misrit, shekulli XXI e me tutje do te perjetesohet e do te mbahet mend nga brezat pasardhes si shekulli dhe mijevjecari i legjendes se pyjeve. Shqiperine parajse te para 200 vjeteve qe pershkruan i madhi Naim Frasheri ne vepren “Bageti e Bujqesi”, kur mbreteronte nje ekuiliber natyror ideal dhe i harmonizuar: me male te larta, me lisa te gjate, me fusha te gjera me lule, me bregore bukuroshe, me lumenj te kulluar, me cuka, kodra, brinje e gerxhe dhe pyje te gjelberuar, nuk e kemi me, eshte zhdukur bashke me “parajsen pyjore”. Kjo tashme eshte nje e vertete e hidhur dhe e dhimbshme jo vetem per njerezit e pyjeve por per cdo shqiptar patriot. Natyra shqiptare e asaj kohe do te kujtohet me nostalgji nga brezat qe do te vijne, do te kujtohet si parajse e humbur, si nje perralle, si nje enderr e bukur dhe e pa besueshme se ka ekzistuar dikur mbi truallin shqiptar. Brezat qe do te vijne do te mund ta perceptojne pyllin shqiptar ndofta nepermjet librave dhe dokumenteve arshivore, po qe se do te ruhen e s’do te zhduken apo digjen sipas tradites psikologjike shqiptaro-ballkanike. Kush pergjigjet per keto krime te mireorganizuara, per kete regres galopant anthropogjen te Lures? Kush pergjigjet per keto vandalizma e anarshi qe ndodhin ne pyjet tona, jashte cdo logjike njerezore dhe te paimagjinueshme per nje vend e shtet te qyteteruar europian? Deri me sot asnje funksionar shteteror e partiak nuk ka dhene llogari per keto krime e te behet shembell per te tjeret. Le te shpresojme se do te ndodhe!?

Diskutimet qe ngjallen fotot per pyjet e Lures dhe ku moren pjese nje numer shume i madh specialistesh, tregojne se kemi te bejme me nje problem te mprehte, qe kapercen kufirin strikt pyjor dhe implikon edhe aspektin shteteror, ekonomik, politik, shoqeror etj. Me terhoqen vemendjen dhe vleresoj mendimet e shprehura nga kolegu im i mirenjohur Fadil Llubani dhe te ish studenteve Selman Meziu, Kristo Kauri, Kleanthi Mandi, Shyqyri Bushati, Palush-Jolanda Alia, Riza Doda, Petrit Ruka, Qazim Murati, Bedri Ormenaj, Ilir Gurabardhi. Ndonje komentues ka ngritur me te drejte problemin e pergjegjesise te organeve pyjore per shkaterrimin e Parkut Kombetar te Lures dhe te pyjeve ne pergjithesi. Sigurisht, pergjegjesia per mbrojtjen e pyjeve te Shqiperise, si kudo ne bote, normalisht qe bie mbi organet dhe personelin e sherbimit pyjor. Por, ne kushtet kur administrate pyjore ne Shqiperi ka pesuar, pak a shume, fatin e juristeve universitare qe u zevendesuan me kursantet e kursit te plepave, kur ne minisrine perkatese nuk ekziston nje drejtori , qofte edhe modeste ne personel, qe te drejtoje e kordinoje problemet pyjore ne shkalle kombetare( nje kerkese kjo e bere ne nje nga shkrimet e fundit te Selman Meziut ) dhe kur, akoma me keq, nuk kemi ende nje polici pyjore, e cila ekziston edhe ne vendet me te varfra e me te prapambetura te botes, kuptohet qe organet pyjore kane pjesen me te vogel te pergjegjesise ose nuk e ndjejne ate fare.

Pergjegjesia kryesore per gjendjen vajtuese te pyjeve tona, sikurse per deshtimet ne te gjitha fushat e tjera bie mbi ata qe kane drejtuar e vazhdojne ta drejtojne ate vend, pergjegjesi e cila, fatkeqesisht, kamuflohet me vellon e demokracise dhe abuzimin me aspiraten per t’iu bashkuar Bashkimit Europian.

Sikurse permenda me lart, Livadhi i Pelave, krahas masivit pyjor qe ekzistonte dikur, ishte nje komponent i rendesishem, qe plotesonte spektrin e diversitetit biologjik te peizazhit lurian. Per kete super-super perle, per kete thesar te botes bimore shqiptare, me date 5 Shtator 2011 i jam drejtuar me nje pershkrim te posacem ish studentit, tani kolegu im i respektuar Haki Kola, ku nder te tjera theksoj:— Nuk e di ne se ke rastisur te ndodhesh ne kete livadh e te shijosh bukurine e tij te rralle e magjepse ne periudhen mesi i Majit – mesi Qershorit para se ai te prishej? Mua me ka rene rasti shpesh te jem ne kete periudhe duke qene se punoja ne ndermarrjen pyjore te Peshkopise. … Kenaqesia qe ndjeja ishte e vecante kur ndodhesha ne mes te ketij livadhi malor aq te madh sa qe nga njeri cep tek tjetri kalorsi i hypur ne kale te dukej sa nje tullumbace e vogel.

Nuk e teproj te them se bari me lule ngjyra-ngjyra me vinte deri ne brez dhe perbehej nga nje flore e pasur ne lloje, madje edhe me specie endemike qe nuk i gjeje ne asnje vend te Ballkanit, qe sherbente si strehe “ luksoze “ per lepujt e shumte, dhelprat e mjaft gjallesa te tjera, karakteristike per faunen e ketyre zonave. Ndjeja atehere sikur te gjitha organet e trupit: truri, syte, mushkerite, zemra fillonin automatikisht e me shpejtesi rrufe te riprogramonin ne keto kushte te reja, teper specifike, ku mbreteronte nje qetesi absolute, nje gjelberim i pafund barishtor e pyjor qe e rrethonte dhe nje ajer i mbingopur me oksigjen. Shkurt, nje parajse e vertete.

Pikerisht kete perle, kete muze te natyres shqiptare qe ishte krijuar prej qindra e qindra vjetesh, qeveria e atehershme ne vend qe ta ruante e t’a trajtonte si birin e vetem , ne vend qe t’ia propozonte UNESCO-s si pasuri me vlera unikale natyrore e shkencore per tere Europen, kreu nje krim barbar duke e shkaterruar ate. Ushtria e plugoi duke e mbjelle me patate qe nuk prodhoi dot asnje kokerr dhe as faren qe u hodh ne te. Une jam nje nder deshmitaret okulare te ketij krimi monstruoz. Ndjeva me pas nje trishtim te thelle kur pashe ngjyren e murrme te ketij ish livadhi te kthyer ne nje shkretetire te tipit malor!.

Si reagim ndaj masakres pyjore, u perpoqa te sjell kujtimet e mia mbi kompleksin gjeografik, ekologjik e biologjik te Lures, ashtu sic e kam pare e njohur dekada me pare.E kam pershkruar ate me menyren time, duke perseritur pjeserisht edhe ndonje pasazh, me qellim qe specialistet e moshave te reja te mesojne sa me shume e sa me mire per madheshtine reale te Lures, pa qene domosdoshmerisht e tepruar nje gje e tille, por domosdoshmerisht e ngarkuar me emocione, te cilat i japin asaj dimensionin e vertete dhe shkelqimin e dikurshem, emocione te cilave nuk mund t’u shpetosh dot. Ne kete menyre do te mund te kuptohet drejte e te justifikohet perse une dhe shume te tjere perdorim ne menyre te perseritur epitete superlative si margaritar, perle, magjepes etj.

Nga sa u parashtrua me lart lind natyrshem pyetja: pse keto fenomene negative ne permbajtje dhe ne permasa kombetare qe shqetesojne dhe ngjallin pasiguri te vazhdueshme ndodhin ne pyje, ne ekonomi, ne shoqeri, ne politike e gjithcka, te cilat pleksen me njera tjetren dhe formojne nje konglomerat qe, me efektin bomerang, na godet vazhdimisht e kudo? Pyes veten time dhe nuk gjej pergjigje! Shkaqet mund te jene disa.

Realiteti tregon qarte per nje krize akute e te thelle, te gjithanshme, morale, politike, ekonomike, ideologjike e psikologjike neper te cilen po kalon sot shoqeria shqiptare. Ajo nuk ka arritur te behet sensitive ne menyre qe zeri i saj te prodhoje efekte tektonike mbi cdo individ e institucion, ashtu sic ekziston ne shtetet e perparuara te perendimit. Ajo ndodhet ne nje krize ndergjegjeje dhe ndergjegjesimi qe reflekton mungesen e aftesimit per te te marre ne duart e saj fatet e popullit shqiptar dhe drejtimin e vendit ne rrugen e duhur drejte nje te ardhme te sigurte e te lumtur. Per rrjedhim, SHOQERIA SHQIPTARE nuk ka arritur te pervetesoje e te zbatoje standartet perendimore per te qene PLOTESISHT E INTEGRUAR, KOMPAKTE DHE DEMOKRATIKE.

Shoqeria shqiptare, qe nga shpallja e pavaresise se vendit e deri me sot, nuk ka arritur te ndertoje nga themelet nje SHTET MODERN DEMOKRATIK, qe te bazohet ne ligj, qe te godase krimin dhe pandeshkueshmerine e krimeve te kryera, shtet qe te garantoje te drejtat themelore te njeriut dhe te udheheqe me konsekuence luften pa kompromis kunder korrupsionit.

EKONOMIA SHQIPTARE, nga ana tjeter, nuk po arrin te formoje fizionomine e saj, per te qene fleksibel per t’iu pershtatur e pergjigjur ne menyre krijuese konjukturave te tregut te brendshem e te jashtem, gje qe do te conte ne hapjen e vendeve te punes, ne rritjen e te ardhurave personale dhe te nivelit te jeteses se popullit. POLITIKA SHQIPTARE vazhdon me kembengulje traditen e vjeter te kundervenies haptazi unitetit te popullit dhe interesave te tij legjitime, ta mbaje ate te percare e ta sundoje ne funksion te interesave partiake dhe ne sherbim te nje grupi te vogel, te cilet zoterojne milionat e grabitura nga pasuria kombetare nga viti 1990 e deri me sot dhe bejne me to nje jete te shfrenuar luksoze, si karshillek ndaj varferise qe perjeton nje popull i tere.

Ne keto kushte eshte naivitet, eshte deshire platonike dhe puro utopi te mendohet zgjidhja e problemit te pyjeve i shkeputur nga e tere gama e problemeve te tjera jopyjore qe permenda me siper. Zgjidhja e problemit pyjor eshte ne funksion dhe varet nga keto te fundit. Pyjet kane rrenje te thella te cilat nderthurren me rrenjet, po te thella, te kompleksit te problemeve te tjera qe ka vendi. Pyjet jane pjese e problemit global dhe do te zgjidhen vetem ne kuader te tij. Vetem atehere do te filloje puna e vertete e per se mbari per te ardhmen e pyjeve dhe per rigjelberimin e Shqiperise.

Kur te vije ajo kohe, qeveria qe do te drejtoje vendin, kujdesin per pyjet do ta kete si prioritet kryesor te aktivitetit te saj dhe jo si tani qe ato jane “ brima e fundit e kavallit “ dhe jane katandisur si “ mall pa zot “ mbi te cilat jane turrur hijenat per te shqyer edhe copat e fundit qe jane ende gjalle. Le te shpresojme se ajo dite, sado e larget qe te jete, do te vije!

Toronto, 3 Tetor 2017