Në gjurmë të historisë të Dibrës dhe Bulqizës


Sakip Cami me librin “Ngjarje dhe figura të shquara historike të komunitetit të bashkisë së Bulqizës“, ka shkruar se Dibra, në gjirin e vet ka mbështjellë me mjegullat e kohës ngjarje, bëma, si dhe njerëz të shquar që ende nxjerrin krye e dritësojnë me vlerat e tyre të rralla. Në këtë sfond shfaqet para syve Bulqiza, një vendbanim ky, i cili qëndron bri shkëmbinjve dhe maleve të Dibrës, si një pushkë e varur në krahët e lirisë e atdhedashurisë.

Nëpërmjet analizës së ngjarjeve historike të ndodhura në Dibër dhe Bulqizë, kjo është një histori e mirëfilltë, si dhe një përpjekje për t’u transmetuar brezave se jetojmë në këto troje ku ka luftuar Skënderbeu. Në në këto troje ku ka lindur, jetuar dhe kanë luftuar Zaharia Gropa dhe Vlladan Gjurica, prijësa të Skënderbeut, si dhe në këto troje e kala shekullore janë thyer hordhitë osmane të komanduara nga Hajredin Pasha. Autori ju bën një analizë këngëve sipas variantit të vjetër, ku për kangën kushtuar luftës kundër Hajredin Pashës, i ka bërë një përshkrim dhe analizë gjithë ngjarjes historike që ka lënë gjurmë në kujtesën popullore.

Nëpërmjët këngëve popullore të zonës së Dibrës dhe Bulqizës shpaloset qëndresa heroike e mbrojtjes së trojeve etnike shqiptare në shekuj. Nëpërmjet atdhetarve dhe patriotve, ata na vijnë si kreshnikë  të Dibrës dhe Bulqizës.

Ndaj dhe udhëtimi historik në Bulqizë, natyrshëm rigjallëron këngët popullore me hapësirat e tyre homerike mbi supet e të cilave kalërojnë figura të mëdha të historisë. Autori në libër ka përmendur dhe shkruar për shumë fise dhe figura historike, të cilët të zbritur nga fshatrat e Zogjajt dhe Bllacës dhe vendosur në Dibër të Madhe, ku shquhen fiset Daci, Markja, Lleshi, Dema, Cami, Rusi etj., të cilët i kanë bërë nder dhe i kanë shtuar vlerat këtyre krahinave se ata kanë luftuar me pushkë, por dhe për dije, për shkollë dhe për dritën e diturisë.

Prijësat dibranë e bulqizakë bënë emër dhe shkruan histori duke qenë zot në trojet e tyre, duke ngelur legjendarë, e duke përcjellur nga brezi në brez, trimëritë, kuvendet, luftërat dhe këngët. Ata ishin legjendarë dhe si legjendarë ngelën në historinë e Dibrës dhe të Bulqizës. Prijësa dhe udhëheqës popullorë si Sheh Mustafa Zerqani, Sheh Fejzë Bulqiza, Hoxhë Hasan Moglica, Hoxhë Hazis Lila, Mehmet Duriçi etj., realizuan me intuitën e tyre, vizionin madhor se nuk ka fe pa atdhe, si dhe nuk ka atdhe pa gjuhën tonë të bukur shqipe.

Figura të fuqishme patriotike dhe atdhetare si Mersim Dema, Hazis Xheka, Dalip Karaj, Mehmet Duriçi, Feta e Dan Cami meritojnë vlerësim nga brezat, sepse të gjithë bashkë dhe veç e veç luftuan për çështjen kombëtare shqiptare.

Në kujtesën e Sakip Camit kanë mbetur të gjalla këngët dhe vajtimet për trimërinë e Hazis Demës dhe Kurt e Mete Demës nga Homeshi. Mustafa Jakimin nga Shtushaj autori e bie si një hero të vërtetë që lufton edhe me një këmbë dhe pse i plagosur. Nëpërmjet këngëve popullore vjen dhe Salë Markja, një udhëheqës i vërtetë popullor. Sali Aga siç e thëriste populli, me dy kulla një në Zogje dhe një në Bofmollë të Dibrës ishte një gur xhevahiri në gjerdanin e madh të historisë së bashku me Sali Demirin e Çidhnës. Nga kënga del roli organizator i Sheh Mustafës nga Zerqani, por njëkohësisht shfaqet gadishmëria e Llan Kaloshit nga Dibra e Poshtme për të luftuar së bashku me trimat e tij. Në mjaft beteja legjendare ka shembuj të mirëfilltë heroizmi dhe patriotizmi të shfaqur prej Ahmet Lokës nga Sopoti i Grykës së Madhe, si dhe të trimave Rizvan Alla dhe Fasli Malja, ku shquhen për luftë burrërore ballë për ballë me turqit.

Sakip Cami është një lis i ardhur prej maleve të Dibrës, i cili me fjalën e tij të urtë e fisnike, përherë ka mbjellë miqësi në jetën e Dibrës, Bulqizës dhe në Tiranë. Gjurmët e tij të çojnë në trimërinë dhe të fisnikërinë e Camajt, në gjithë Dibrën, për bëmat dhe përpjekjet e tyre do të mbeten shekullorë në kulturën shpirtërore dhe historinë shqiptare.

Sakip Cami përbën një vlerë intelektuale e njerëzore në Dibër dhe në Bulqizë, njeri me vullnet të hekurt, me përkushtim dhe me botë të pasur shpirtërore, ai e ka lartësuar emrin e tij, dhe është bërë shembull i njeriut të kohës.

Ndaj dhe libri është i gjetur dhe i ardhur në kohë, për të dëshmuar këtë histori të shkruar me gjak nga populli heroik i Dibrës dhe i Bulqizës në shekuj. Libri dhe historia brenda tij i bëjnë nder jo vetëm këtyre krahinave, por dhe historisë tonë kombëtare. Ai mendoj se do të jetë pjesë e historisë në veprimtarinë historike dhe patriotike të zonave të Dibrës dhe të Bulqizës, për një njohje më të detajuar për luftëtarët e lirisë dhe të pavarësisë.