Një amanet që dhimshëm po e përcjell


Ajo është e bija e XhemalTrupes nga Staravecii Dibrës dhe e Naxhie Zhuzhit (Trupes), motrës së nënës sime, Defes, kushërira ime e parë, motra e vetme e shtatë vëllezërve me të parin Halilin e në vijim Ramadanin,Menduin, Emriun, Robertin, Ulviun e Ulsiun, bashkëshortja e Riza Shehut, nëna e Iridës dhe e Edit, gjyshja e…

E kërkova në arkivin tim të gjerë fotografik. E gjeta Ditën e Verës të vitit 1991 midis pishave të pyllit modest të Llixhave, në rrethin e ngushtë familjar, qetësi shpirtërore që ta jep gëzimi kur je me rrënjët e tua të jetës…

Po e përcjell zbardhur për herë të parë…

E kisha amanet kushërirën time të dashur, FatimeTrupen (Shehu), amanet nga babai i saj Xhemali që kishte një besim të jashtëzakonshëm për mua. Nuk e di nga i buronte ky besim por për çdo gjë që i thosha nuk e bënte dysh. Kështu ndodhi edhe kur e lidha në miqësi me familjen e Myrteza dhe Mereme Shehut, kur u martua me Rizain…

E kisha amanet nga teze Naxhia, punëtore dhe e dashur sa nuk kishte kandar ti peshonte…

Kam edhe një fotografi të Fatimes. E kam vënë në kopertinën e dytë të librit “Rilindësit e kohës sonë”, kohë kur Ajo, pa shkëputje nga puna, vazhdonte shkollën e mesme.

Punonte në Ndërmarrjen e Prodhimeve të Ndryshme në Peshkopi, ishte mjeshtre në punimin e xunkthit dhe të lëvoreve të misrit…

E ku nuk janë shpërndarë prodhimet e shporterisë dalë nga gishtat e saj që fluturonin si mbi tastierën e pianos, në Evropë dhe në kontinentet e tjerë…

Pa arritë të mbushë moshën e pensionit ajo do të merrte një “pension” që rrallë njerëz e marrin si ajo, pensionin e dashurisë të fëmijëve, vëllezërve, kunatave, Edit, djalit të saj, që siç thonë “çfarë i shihte syri ia bënte dora”, por edhe nuses,Rezartës një korçare që ia kishte marrë që ditën e parë dhuntinë e dashurisë për t’ia kthyer ditë për ditë e orë për orë. Të mos harroj Iridën vajzën që i kapërceu të gjitha shkallët e dijes me notën më të lartë e ishte krenari e saj.

Vuajti Fatimja një sëmundje të pashërueshme. U tret si qiriri. U tret aq sa kur e pashë para disa muajsh në një foto familjare, një lot më rrodhi brazdave të moshës sime. Më mirë mos e kisha parë, më mirë ta ruaja në kujtesë me atë pamjen  e saj dasmave kur vente mashtrapën me ujë mbi kokë e kërcente duke përjetuar nënën e saj dasmave të hershme e gëzimeve familjare…

I qëndruan pranë të gjithë por më duhet të veçoj kunatat e saj, nuset e të shtatë vëllezërve, që ndërroheshin njëra pas tjetrës çdo javë, duke u kujdesur në detaje e duke i dhënë kurajë…

Një kujdes që më ngjan si në legjenda…

Gjashtë javë më parë iku e fundit rrjedhës së hershme të familjes Shehu, Meremja, nëna që do të bëhej jo vetëm gjyshe por edhe stërgjyshe me fëmijën e nipit të saj Edit, djalit të Fatimes. E dinte sëmundjen e saj ndaj uronte që të mos arrinte kurrë ta përcillte. Madje kishte lënë amanet që Fatimja ta qante tek koka sepse ajo dinte ti radhiste fjalët si vajtojcat e motit.

Kushërira ime iku për të mbetur në kujtesën e shtatë vëllezërve, të mbesës më të madhe, Irmës, të kunatave, kunetërve, nipërve e mbesave… një fushe të madhe lule-jete.

Natasha, bashkëshortja imeqë bashkë folëm për ta ngushëlluar për ikjen e nënës së saj të dytë, Mereme Shehut, nuk u mbaj kur i tregova lajmin e hidhur. E lau mermerin e bardhë të verandës me lot…

E kisha një amanet për Fatimen, amanet nga babai i saj XhemalTrupja, amanet nga nëna e saj NaxhieZhuzhi (Trupja).

Po e përcjell me dhimbje nga larg…

Hidhni edhe për mua një dorë dheu e ua fshini lotët njerëzve që e deshën si nënë, si gjyshe, si një njeri të thjeshtë të dashurisë së tyre…

Ajo iku midis dashurive të mëdha…

Abdurahim Ashiku

Athinë, 4 dhjetor 2017