Një femër mund t’ia dalë


T’ia dalësh mbanë në një mentalitet të ndrydhur nuk është aspak e lehtë! E vështirë për të mos thënë e pamundur, është të bëhesh e suksesshme në një ambjent ku mund të gjykohesh apo përgojohesh pothuajse për çdo gjë. Të jesh femër e të mbijetosh në dallgët gjigante të paragjykimit që na shoqëron çdo frymë që marrim, do të thotë sukses. Të kapërcesh çdo barrierë të ngritur prej qindra vitesh, do të të thotë arritje. Të pakta janë ato femra të vërteta që ia dalin të mposhtin çdo paragjykim, të çajnë furrishëm drejt suksesit duke punuar fort e duke qenë një shembull për pjesën tjetër më pak të guximshme. E tillë është Sadetja.

Ajo ia ka dalë mbanë të depërtojë në mentalitetin e një qyteti të vogël e të mbyllur. Ka punuar fort dhe ka hedhur hapa të cilët kontribuojnë shumë dhe në komunitetin ku ajo jeton, duke u bërë një shembull për t’u ndjekur nga qindra femra të cilat mbeten rëndomtë nën kthetrat e mprehta të disa dogmave të vjetëruara që fatkëqësisht akoma egzistojnë. Ajo është bërë agjent ndryshimi në zonë. Lindi në një fshat të vogël të Dibrës, ku u rrit  përpara qindra syve kurioz të cilët nuk mundën t’i kufizojnë dëshirat e saj. Nisi studimet në gjimnazin e Peshkopisë, për të vazhduar universitetin, masterin, specializime e më pas drejton një institucion mjaft të rëndësishëm po në këtë zonë. Është nënë e dy fëmijëve, drejtuese e një grupi të rinjsh vullnetarë që realizojnë punë të mrekullueshme në qytet, zonjë shtëpie dhe akoma ia del për mrekulli në detyrat që vetëm një femër e fortë di t’ia dalë. Ajo nuk tundohet nga askush, por çdo ditë ndjek ëndrrat e saj duke punuar fort.

Dita e saj nis që herët në mëngjes, madje-madje shumë herët, pa dalë akoma dielli. Amina 7 vjeçare, fëmija i saj i parë, duhet të jetë gati për t’u çuar në shkollë, e  ndërsa Amar, që sapo ka mbushur një vjeç do një vëmendje shumë më të madhe. Ora 8 e mëngjesit, të buzëqeshur, atë e shohim teksa përshëndetet me kolegët, nxënësit e teksa drejtohet në zyrën e saj në konviktin e Shkollës pedagogjike “Nazmi Rrushiti”, ku mban dhe postin e drejtoreshës së këtij konvikti. Një post sa i bukur, por dhe i vështirë, duke qenë që marrëdhënien e ka të drejtëpërdrejtë më një moshë mjaft delikate dhe me punojës pothuajse dy herë mosha e saj. Me magjinë e fjalës Sadetja arrin të balancojë marrëdhëniet me nxënësit e kolegët në mënyrë që procesi i punës të mos hasë pengesa, të cilat nuk do të ishin të pëlqyeshme nga asnjëra palë. E ulur pranë kompjuterit të saj, e zhytur thellë duke menduar sërish Amarin, Aminën, shtëpinë, kolegët, të rijntë, konviktorët, shërbimet që u bëhen atyre, ushqimin, prindërit dhe një milion gjëra të cilat qëndrojnë  të stamposura në kokën e saj. E çuditshme  që ia del të bëj çdo gjë, i habitshëm fakti se çfarë energjie ka. Prej tri vitesh ajo vazhdon të trajnojë të rinjtë e grupit Ipact vullnetarisht për t’i mësuar ata të marrin nisma të rëndësishme në komunitet. E vëmendshme në çdo temë që ajo trajton duke I bërë këto të rinj të dobishëm për vendin, komunitetin dhe qytetarët, të cilët më të vërtetë ka nevojë për ndryshim. Vizitat në konvikt në  çdo lloj orari nuk janë të rralla për të. Kontrolle rutinë, emergjenca, probleme të ndryshme e detyrojnë atë që as në darkë të mos kalojë e qetë atë pak kohë me familjen e saj. Darka duhet me patjetër ta gjejë në shtëpi, duke kryrer detyrat e një nëne, bashkëshorteje, bije, motre apo detyrave që i ngarkohen një femre si Sadetja. Padyshim që ajo ja del. Si ajo ka shumë, por nuk ka mjaftueshëm. Gojët e liga vrasin qindra ëndrra, dhjetra qëllime dhe pasione të mbytura nën stofkullën e këtij mentaliteti të ngurtë. Vrasin çdo tentativë për t’u bërë një Sadete, e cila bën çdo gjë dhe ia del të edukojë një familje të shëndoshë, një shoqëri dhe një komunitet të cilin ka nevojë për të.

Unë jam i bindur që çdo femër ia del. Çdo vajzë ka aftësinë të ndryshojë vetë vetveten, më pas të bëhet shembull për të tjerat. Ndryshimi nuk vjen vetë, atë duhet ta kërkosh. Duhet të vuash, të punosh fort, të krijosh një plan e më pas ta ndjekësh derisa ta bësh atë realitet. Përpiqu, mbyll fort veshët, mos dëgjo asgjë dhe më pas vazhdo drejt, sepse ndryshe nuk do të mund t’ia dalësh. Bëhu ti një Sadete, bëhu një vajzë e fortë dhe përpiqu të ndryshosh mënyrën e të menduarit. Jeta jote varet nga mënyra se si ti mendon.

Dita e Sadetes nis sërish e njëtë. Ajo lodhet, por është e lumtur.  Ajo jeton si ne! Unë, ti, në të njëtin komunitet, por fokusohet te qëllimet e saj. Ajo përplaset me shumë padrejtësi, por me këmbëngulje prej femre ia del. Ajo sakrifikon çdo gjë dhe shijon frytet e punës së vazhdueshme. Ajo po kontribon që shoqëria jonë të mos paragjykojë. Ajo u shkollua, ka një punë të mirë dhe gëzon një familje të shëndetshme. Pse? Sepse guxoi! Punoi! Mësoi! Nuk qëndroi stoike e paragjykimeve, e fjalëve, të cilat  po lënë pas shumë ëndërra dhe pasione. Ky është një shembull që padyshim të gjithë vajzat dhe jo vetëm duhet ta ndjekin si agjente e suksesshme ndryshimi.