O Zot, ruaje Shqipërinë nga shqiptarët…


Sa çudi me ne shqiptarët, i kërkojmë thellësitë e shekujve sa herë kemi hall. E shkundim gjithë pluhurin e arkivave dhe të mendjeve tona, gati perverse, për të sjellë në vëmendje, ose më saktë, për t’u larguar nga e përditshmja çoroditëse. Kështu shahemi e pështyhemi, kaçemi e puthemi, gucemi e përkëdhelmi, duke u bërë sa qesharakë, aq edhe imponues në sytë e botës, gjyqtares sonë…

Pak kohë më parë, një miku im në rrjetet sociale bënte “thirrje” që Skënderbeu të shkohej në …litar e unë vendosa që ta shtyja më tej këtë ide, me mendimin se do të jemi në të njëjtën linjë.

I madhi Skënderbe! Më shumë se kurdoherë, në këtë vit do t’ju drejtohemi për të na ardhur në ndihmë, ne, pasardhësve të tu. Dhe ne e dimë që Ti, përsëri nuk do të kursesh asgjë, megjithatë, unë të kërkoj që të marrësh shpatën, kalin, parzmoren, merr edhe Albulenën, Torviollin, Vajkalin edhe të gjitha kështjellat …mos harro të na sjellësh të gjithë sulltanët e pashallarët osmanë që ti i munde, merri e na i trego dhe njëherë…

Na i trego me gojën tënde, se, po nuk fole ti, ne do t’ua numërojmë të gjitha, të bëra e të pabëra, të shkruara e të pashkruara. Sa për ato të pashkruarat, o i madhi Skënderbe, do t’i shkruajmë vetë, ashtu siç dimë e bëjmë përherë ne shqiptarët, pasardhësit tuaj, të shekullit XX-XXI.

I madhi Skënderbe, kur ti ishe 500 vjeçar, ne të patëm kërkuar të na ndihmoje, por, me sa duket, atëherë nuk qe e mundur të mësonim më shumë se plot dyer ishin të mbyllura. Dhe ti, Skënderbe, asokohe nuk fole, qëndrove ashtu në heshtje. Ndërsa këtë radhë, ndryshon puna. Shumë veshë e sy sot janë çelë dhe Ti, s’ke nga t’ia mbash, tani Ti do të flasësh… Ne do të tundim të gjitha kalatë tuaja, do të nxjerrim letrat nga arkat e vjetra e, nëse nuk na sheh ti, do ta varim edhe Hamzain. Le që çfarë do të shohësh ti sot?! Ti nuk di se ne kemi një tribunë të mendimit shkencor që është facebuku, kemi hoxhallarë e shehlerë, kemi fshatarë me e pa tokë, por kemi edhe deputetë e Kuvend, por jo si ai i yti. Ne nuk bëjmë “besëlidhje” si ato të tuat për të mbrojtur trojet tona, ne i bëjmë për t’i shitë ato…

Dua të të them edhe diçka tjetër Skënderbe! Ti na ke ngatërruar edhe me ato emrat tu, edhe me fetë e tua. Si, more Skënder, e kishe ndërruar emrin tri herë, edhe fenë ?!!! Ah, ç’na ke bërë, more burrë?! Na mësove keq edhe ne, sepse atë po bëjmë të gjithë shqiptarët. Shumë prej nesh janë bërë grekë, italianë, anglezë e amerikanë, por edhe turq, ndërsa shqiptarë kanë mbetë pak, shumë pak.

O i madhi Skënderbe! Për “Vitin Tënd” ne e kemi marrë seriozisht, po bëjmë përpjekje të lavdërueshme… Kemi filluar të kërkojmë në Anadoll, i kemi rënë kryq e tërthor gjithë Mesdheut, duke të të kërkuar Ty. Kaluam në disa ishuj grekë dhe, për çudi, atje mësuam se ti ishe grek (!). Pastaj kaluam nga Hungaria dhe atje na thanë se ti paskëshe qenë vëllai i Janushit (!). Epo thamë se kaq ishte, por jo. Kur kaluam nëpër Shkup, na thanë se në sheshin e atij qyteti nuk ka vend për ty.

Një farë Aleksandri kish pushtuar gjithë Çarshinë e rrudhosur të shqiptarëve. Nga aty u kthyem për në Kosovë, aty ku gjyshi yt luftoi më 1339. Këtu gjërat ishin më ndryshe. Përveç serbëve kishte edhe plot shqipfolës, medemek shqiptarë, të cilët i mërziste emri yt, luftërat e tua.

Kthehemi në Shqipëri me ndjenja të trazuara, por një luftë e brendshme valon mes krahinave tona. Sjelljet e këtyre “luftëtarëve” të kujtojnë atë plakën që kishte tre djem të sertë, të cilët, përveç se sulmoheshin nga fshati, ziheshin edhe me njëri-tjetrin dhe nëna u tha: “O bijtë e mi, gjithë dynjaja qëllon mbi ju e ju qëlloni njëri tjetrin!”.

Përpjekjet e disa “historianëve” shqiptarë për relativizuar origjinën tënde, Skënderbe, s’bëjnë gjë tjetër veçse ndihmojë ujqërit ballkanikë. Këta “historianë” të quajnë beratas, ca të tjerë thonë je matjan, mirditor e hasjan të bëjnë të tjerë…

O Zot, ruaje Shqipërinë nga shqiptarët, ka thënë dikush… E njëjta situatë ndodhi edhe me Ismail bej Vlorën më 2012. “E solli Porta e Lartë”, – thanë disa mjekërcjepë. “Mbetët të fundit” – thuhet t’i kenë thënë ata të Portës së Lartë. Bëjeni edhe ju “Mëvetësinë” se nuk mbeti asnjë komb i Ballkanit pa e fituar atë (!). Për ty, i madhi Skënderbe, akuzat janë më të “rënda”. Thonë se t’i ke vrarë shumë njerëz, ke vrarë “vëllezër” osmanë, që asokohe rastësisht ishin me shpata e ushta në duar… Eheee, thonë e ç’nuk thonë për ty, por ajo që na çudit është fakti se shumë politikanë kanë identifikuar veten me ty.

Kështu bëri Ahmet Zogu. “Vij nga Mati, aty ku ka le Skënderbeu…” Erdhën edhe disa italianë që kërkonin ca prona. Me gjermanët na doli problem, ata thonë se je e njëjta racë me ata… Por më shumë na u shpif ai që thoshte se ishte më i madh se ti, më i zoti… Për 45 vjet ti na u duke shumë i vogël, sa të kujtonim vetëm kur shihnim kalin tënd. Bile, Skënderbe, ka edhe prej atyre që thoshin e thonë se: “…unë e kam mik Skënderbeun, se kam marrë gruan nga Dibra dhe se gruaja e tij është mbesa e afërt me ju. Dhe a e di Ti, se për shkakun tënd, kjo zonë është “respektuar” duke e lënë në gjendje të mjerueshme.

Vendlindja jote, Dibra, është zona më e diskriminuar në Shqipëri, dhe kjo për fajin tënd, Skënderbe!

Para do kohësh, edhe një  “Skënderbe” na u prezantua, i cili paska lidhje edhe me Berishët e Muhurrit, ky u vetëquajt Gjergjsali Bej, i cili i vëllazëroi Korabin me Jezercën. Tani kohët e fundit të tjerë burra i “vijnë” vërdallë emrit tuaj. Njëri është me post të lartë.

E sa do të shohim e dëgjojmë këtë vit, se është Viti YT. Në Dibër, janë dyndë historianë, arkeologë, politikanë e deri te veterinerë, agronomë e mësues, të cilët po s’po lënë gur pa lëvizë e vend pa shkelë, a thua këta janë të parët. Erdhi Marini si veriu e tha se: “Pali historisë i priu”. Erdhi Pëllumbi dhe historinë e zuri nga fundi;  qe dhe një Skënder (por jo pasha), që tha se ishte i pari në atë kala (!).

Të parët!!! Ne dimë se vite më parë aty kanë shkelë edhe Kristo akademiku, profesor Shuteriqi, profesor Ademi e Iljazi. Më pas një Haki e një Ali, një Zenel e një Murat, por Marini i vu kapak.

Të gjithë po flasin për ty, të gjithë të duan, të kërkojnë… Këtë vit na duhesh, o i madhi Skënderbe. Edhe ai i gjati erdhi dhe t’i numëroi 18 betejat e Dibrës. Këtë vit po ju thërret dhe në emrin tënd do të organizohen festime, do të shpenzohen edhe ndonjë dorë para…

Ndoshta edhe Presidenti i Republikës do të mësojë se busti që mban në zyrë të përket TY, që ende nuk e di që vendlindja jote është në Sinë! Vendlindja jote…!

U shqepën dibranët duke hamendësuar e treguar se dinë vendin ku ti lidhje kalin, ku farkëtoje shpatën, ku bëheshin vorbat e venës, kush të piqte kafen, etj., etj. I bënë me gojë përrenjtë e mullinjtë, kodra e rrëpira e çdo gjë e lidhin me emrin tënd.

Aktualisht, në Dibër të Poshtme po zhvillohet një luftë e ashpër në mes Sinës, Çidhnës, Çeliasit, Kastriotit, Kuke e deri në Muhurr te Mazrekët e Gardhi i Poshtëm dhe e gjitha kjo për fajin tënd, o Skënderbe, se nuk na i shkruajte me dorën tënde këto gjëra…(edhe pse i shkrove me shpatë). Ti, duhet të dish se të gjithë shqiptarët e më së shumti dibranët, duan secili të të ketë në bahçen e vet, duan “pronësinë” mbi TY.

Dhe këto ndodhin se ne kemi Ligjin 7501, kemi Agjenci Pronash, hipotekë, komisione për pronat; kemi celularë e kompjuter e ç’nuk kemi. Ajo gjëja më e madhe që kemi janë disa ekrane që mbushin hapësirën mediatike një natë me “histori kodoshësh” e natën tjetër me “kodosh të historisë”, të cilët kanë të përbashkët urrejtjen ndaj teje. Sidoqoftë, i dashur Skënderbe, ti do të na duash këtë vit dhe mos u zemëro me ne, se na duhesh shumë. Na duhesh ti, por edhe Hamzai juaj, i cili ngjan me Saimirin.

I dashur Skënderbe! Kur ti të bëhesh 600 vjeç, gjysma jonë nuk do të jemi më e këta që të përmendin, nuk do të jenë në jetë.

Urojmë që ata që do të jenë, të të shohin jo si ne për interesat tona, por si vlerë e madhe e historisë së popullit tonë. Faleminderit!

Dhjetor 2017