Punimet fillojnë, ndërsa kontrata nuk është firmosur akoma


Tuneli i Murrizit. 3246 m.

Kompania “Gjoka Konstruksion” akoma nuk e ka hedhur firmën mbi kontratën me qeverinë shqiptare për ndërtimin  e Rrugës së Arbrit, por një nënkontraktore e saj ka nisur punimet në vendin e quajtur Ura e Çerenecit.

Muajin e kaluar, gjatë vizitës së qeverisë shqiptare në Peshkopi, kompania prezantoi një video mbi projektin e rrugës. Video 5 minutshe tregonte gjurmën e rrugës, degëzimet dhe gjatësinë e saj, pjesën e ndërtuar, aty ku punimet vazhdojnë dhe segmentet e reja të saj.

Por ndërsa punimet kanë filluar, duket se firma në letër është vetëm një akt formal.

Ky proces nuk ka kaluar pa debat. Opozita ka akuzuar për shpërdorim të fondeve publike. Ndërsa qeveria thekson se Partneriteti Publik – Privat është e vetmja mundësi për të pasur me cilësinë më të lartë dhe kohën më të shpejt këtë vepër të rëndësishme të infrastrukturës publike.

Në numrin e Gushtit 2017 të gazetës ju kemi njohur me segmentet e rrugës së Arbrit, në ndërtim ose të reja, por një pjesë e rëndësishme e këtij aksi janë tunelet dhe urat,për të cilat, bazuar në dokumentet e Autoritetit Rrugor Shqiptar, po përcjellim për lexuesit materialin e mëposhtëm.

Prerje tërthore e Tunelit të Murrizit (galeria e tunelit të trafikut

Tunelet e Rrugës së Arbrit

Do të jene tre tunele në Rrugën e Arbrit. Dy prej të cilëve, ai i Tujanit me gjatës 70 m dhe ai i Qafës së Buallit me gjatës 465 metra kanë mbaruar. Tuneli më i gjatë dhe më i rëndësishëm është Tuneli i Murrizit, i cili do të jetë me një gjatësi 3246 metra, me dy tuba kalimi.

Tuneli i Murrizit do të ndërtohet nga km 19+054 deri në km 22+300. Ai do të ketë një tub për trafikun normal me dy korsi me gjerësi 3.5m secila, si dhe një tub emergjence, paralel me atë të trafikut në një distance aksiale 25m. Këto dy tunele paralele bashkohen midis tyre me anë të 6 galerive të kalimeve tërthore, nga të cilat 4 janë për shpëtimin e këmbësorëve në një rast eventual (Galeri Shërbimi), dhe 2 të tjerët janë për nevojat emergjente të automjeteve (Galeri Emergjence). Seksionet përkatëse tërthore janë projektuar për të mundësuar për arritjen e qëllimit të këtyre galerive. Galeritë tërthore vendosen në largësinë 500m midis tyre përgjatë tërë tunelit. Kuota në hyrje është 835.95m mbi nivelin e detit.

Hapja e tunelit të Murrizit (tuneli i trafikut, emergjencës dhe galeritë) në projek ide është sipas Metodës së Re Austriake të hapjes së Tuneleve (NAMT – New Austrian Method of Tunneling). Pjerrësia tërthore brenda në tunel është 2.5%. Pjerrësia gjatësore e tunelit është 2.25%

Tuneli parashikon marrjen e masave të sigurisë sipas standardeve europiane. Në raste emergjence apo zjarri në tunel ai u mundëson plotësisht udhëtarëve të lënë mjetet e tyre dhe të shkojnë në një vend të sigurt, ndërkohë që garanton akses të shpejtë të ekipeve të zjarrfikëseve dhe të shpëtimit. Për këtë është parashikuar të ndërtohet një tunel emergjence paralel me atë të trafikut. Po kështu janë projektuar edhe galeritë e kalimit nga tuneli i trafikut në atë të emergjencës dhe anasjelltas (çdo 500m). Këto vendkalime do të jenë 2 cope galeri mjetesh dhe 4 cope galeri këmbësorësh, të gjitha të paisura me dyer sipas kërkesave të mbrojtjes nga zjarri e tymi. Sheshet e portaleve të tunelit mundësojnë hyrje/daljen e shpejtë të mjeteve të emergjencës në tunelin/galerinë e emergjencës, ndërsa ndentakimet e galerive te mjeteve me tunelin e trafikut dhe atë të emergjencës do të mundësojnë edhe hapësira vendqëndrimi për mjete.

Ura B1 mbi Lumin e Tiranës, 164m

Sistemi i Mbrojtjes nga Zjarri brenda në tunel përfshin hidrante, linja uji për hidrantet, sisteme fikje zjarri të veçanta, detektor zjarri e tymi, niqe (dhomëza) të mbrojtjes nga zjarri çdo 250m, rezervuar uji të posaçëm, prurje uji jo më pak se 1200 l/min për gjatë të paktën një ore, etj. Brenda në tunel çdo 125m ka dhomëza të thirrjes/lajmërimit të emergjencës. Tuneli është projektuar për t’u pajisur me instalimet e kërkuara elektro-mekanike të sigurisë dhe ventilimit.

Gjerësia e tunelit të trafikut me L=3246m përbëhet nga dy korsitë e trafikut më gjerësi 3.5m secila, dy kuneta anësore 0.35m të gjëra secila, dy trotuare: 2×0.85m, që kanë pjerrësi tërthore2% në drejtim të kunetave përkatëse, pjerrësia tërthore e korsive është -2.5%, ndërsa lartësia e lirë për trafikun është 5.00m.

Përmasat gabarite brenda për brenda tunelit të trafikut janë: baza 10.1m dhe lartësia 6.8m.

Tuneli i Emergjencës me L=3246m përmban korridorin e kalimit të mjeteve me b=3.5m, dy trotuare me b=2×0.7m=1.4m, lartësi të lirë kalimi H=4m, dhe pjerrësi tërthore të pjesës kaluese 2.5%. Përmasat e tij gabarite janë: baza 6.04m dhe lartësia 4.7m.

Tuneli/Galeria e kalimit nga tuneli i trafikut në atë të emergjencës është i ngjashëm me vetë Tunelin e Emergjencës. Të tillë do të jenë dy: km 20+300 dhe 21+300

Ura B2 mbi Lumin e Tiranës me  gjatësi 316m.

Galeria e shërbimit/kalimit të këmbësorëve në tunelin e emergjencës konsiston në korridorin e kalimit me b=2.5m, lartësinë e korridorit të kalimit h=2.2m, dhe pjerrësi tërthore i=0%. Galeri këmbësorësh do të jenë 4 copë: km 19+300, 19+800, 20+800 dhe 21+800 me L=4×15.62 m.

Seksioni tërthor i aneksit për vend-qëndrimin e mjeteve në tunelin e emergjencës do te realizohet në km 20+300 dhe 21+300, secili me gjatësi 60m

Në të njëjtin progresiv me tunelin e emergjencës si më sipër, edhe Tuneli i kryesor (i trafikut) ka 2 anekse vendqëndrimi mjetesh në të dy anët e tij (km 20+300 dhe 21+300) me L2x60m. Seksioni tërthor i këtij aneksi ka këto tregues: dy korsi udhëtimi dhe dy korsi parkimi me nga 3.5 m secila, dy kuneta  anësore  si dhe trotuare. Përmasat gabarite të vendqëndrimit të jetëve këtu janë: baza 15.6m dhe lartësia 7.65m.

Tuneli i Murrizit parashikohet të ketë dy anekse të tillë ven-qëndrimi me gjatësi 60m secili. Në këtë 60 metërsh 40 do të përdorën për vendparkimin e mjeteve, 5m për aneksin e thirrjes/lajmërimit të emergjencës, 5m për aneksin e panelit elektrik, dhe 10m për shuarsin e goditjeve.

Tuneli kryesor është i pajisur edhe me vendlajmërim i emergjencës dhe ato të mbrojtjes nga zjarri.

Të gjitha seksionet tërthore tipe të tuneleve, apo galerive, do të kenë dy veshje:) veshja primare dhe veshja e brendshme.  Veshja primare përbëhet nga shtresa e torkretit me trashësi 10-30cm, rrjetë hekuri (deri në tre rrjeta), vendosja e kapriatës metalike harkore, ankera të gjatësive dhe tipeve të ndryshme për përforcimin e shkembit.  Veshja e brendshme përbëhet nga 25-40cm trashësi betoni e hedhur në segmente tuneli 12m të gjata dhe hekur betoni sipas rastit .

Portalet e tuneleve do të trajtohen me përforcime të skarpatave të gërmimit me ankera, sikurse edhe tek gërmimet për trupin e rrugës.

Ura B3  përshkon një luginë të thellë pranë Fshatit Fshat. Gjatësia e saj është 332m.

Drenazhimi i tunelit do të realizohet në të dy anët e tij mbi thembrën përkatëse të tunelit me anë të tubave të drenazhimit, ku grumbullohen ujërat nëntokësore.

Sistemi i kullimit të ujrave sipërfaqësor të tunelit do të jetë prerazi veçmas atij të drenazhimit nëntokësor. Ai vendoset nën kunetë dhe përbëhet nga një tub beton-armeje sikurse tregohet në seksionet tërthore të tunelit. Në dalje të të dy anëve të tunelit do të ndërtohet një rezervuar që grumbullon ujrat e ndotura të këtij sistemi. Volumi i këtij rezervuari është 105 m3.

Gjashtë urat e rrugës

Rruga e Arbrit do të ketë edhe gjashtë ura të reja, dy prej të cilave janë më të rëndësishmet: ajo e Vashës dhe e fshatit Fshat në Klos.

Gjeometria e seksionit tërthor të urave përmban: pjesa kaluese (korsitë) 2×3.5 m; kuneta e kullimit të ujit – b=2×0.5 si dhe trotuaret b=2×1.25. Totali i gjërësisë =10.5m

Ura B1: Ura B1 kalon mbi Lumin e Tiranës dhe vendoset ne km 8+360 – 8+524. Gjatësia e saj është 164m. Mbistruktura e kësaj ure do të realizohet me trarë të paratensionuar në formë “T” me lartësi h=1.8m. Mbi to do të vendoset soleta monolite me t=0.22m. Lartësia totale e mbistruksturës sipas llogaritjeve është 2.02m. Katër pilat e urës do të jenë rrethore me 33 diameter d=2.4m. Lartësitë e pilave variojnë nga 22 deri 35m. Kuota në hyrje është 356.41m mbi nivelin e detit.

Ura B2: Ura B2, përsëri mbi Lumin e Tiranës, shtrihet nga km 10+710 deri në km 11+026, me  gjatësi 316m. Mbistruktura këtu do të realizohet me trarë të paratensionuar, ose dhe b-arme të thjeshtë të parapërgatitur në formë “T” me lartësi h=1.2m. Mbi to do të vendoset soleta monolite me t=0.22m. Lartësia totale e mbistrukturës është 1.42m. Gjithsej janë 15 grupe pilash dhe 2 ballna ure. Pilat e urës do të jenë mure masiv, sikurse dhe ballnat. Lartësitë e pilave variojnë nga 1.6 deri 6.6m. Kuota në hyrje është 372.67 m.

Ura B3: Ura B3 është projektuar mbi gjurme të re në krahasim me projektin e arkivuar ne ARRSH me synimin e eleminimit të Tunelit T2 (Guri Bardhe) dhe përmirësimin e gjurmes të rrugës në planin horizontal (më pak kurba dhe rreze me të medha), dhe atë vertikal (rruga ulet me rreth 77m). Vendndodhja e saj është km 28+304-28+636, ku përshkon një luginë të thellë pranë Fshatit Fshat. Gjatësia e saj është 332m.

Kjo urë është projektuar si ramë rigjide konsol/kantilever. Ura është e kurbëzuar në planin horizontal. Mbistruktura e urës do të realizohet si box b-arme me h=8m në mbështetje dhe h=3m në mesin e hapësirës. Dy pilat/kollonat qendrore janë 51 dhe 67m të larta mbi tokën natural. Edhe pilat jane me seksion box katror 6x6m. Dy pilat/kollonat e tjera janë box 4x6m me lartësi rreth 31m. Ballnat e urës realizohen me beton-arme masive që do të inkastrohen në bazament shkëmbor. Kuota në hyrje është 554.26 m mbi nivelin e detit.

Ura B4 (Ura e Vashës): Ura B4, ndryshe Ura e Vashës, shtrihet në progresivat km 30+495-30+893 dhe ndodhet mbi Lumin Mat. Gjatësia e saj  është 398m.

Ura B4, ndryshe Ura e Vashës, ndodhet mbi Lumin Mat. Gjatësia e saj  është 398m.

Edhe kjo urë do të realizohet si ramë rigjide me mbistrukturë tip konsol/kantilever. Në planin horizontal përsëri kemi një urë të kurbëzuar, gjë që kushtëzon projektim të kujdesshëm dhe masa shtesë ankorimi të këmbeve/pilave kryesore.  Mbistruktura këtu do të jetë në formë boxi me përmasa lartësi 8m në mbështetje dhe 3m në mes të hapësirës.  Ura mbahet nga tre këmbë/pila dhe dy ballna. Këmbet do të jenë 27, 62 dhe 70 m të larta. Struktura e tyre do të jetë box me përmasa 6x6m, që kanë një kapje rigjide me mbistrukturën, si dhe një inkastrim të plotë në shkëmbinj masiv të bazamentit. Ballnat do të përfaqësojnë struktura masive beton-armeje. Kuota në hyrje është 444.96 m Mbi Nivelin e Detit.

Ura B5: Fillon në km 63+090 të Rrugës së Arbërit (km 1+918 i Segmentit 6) dhe mbaron në km 63+302 (km 2+130 i Seg. 6), me gjatësi 212m. Kuota në hyrje është 482.29 m mbi nivelin e detit. Konstruksioni i mbistrukturës së kësaj ure parashikohet të realizohet me trarë “T” të parapërgatitur me h=1.2m, soletë monolite me t=0.22m. Lartësia punuese e trarëve është 1.42m. Ura ka dy ballnat dhe 10 këmbë. Lartësia e këmbëve varion nga 4.6m deri 10.6m.

Ura B6: Ndodhet mbi lumin Drin. Ajo fillon në km 66+870 të Rrugës së Arbërit dhe mbaron në km 67+162. Gjatësia e saj  është 292m. Kuota në hyrje është 448.82 mbi nivelin e detit. Përsëri, mbistruktura e kësaj ure parashikohet të realizohet me trarë “T” të parapërgatitur me h=1.2m, soletë monolite me t=0.22m. Lartësia punuese e trarëve është 1.42m. Ura ka dy ballnat dhe 14 këmbë. Lartësia e këmbëve varion nga 3m deri 5.5m. Këmbët/pilat e urës do të jenë rrethore me d=1m.

Përgatiti: Bujar Karoshi

Burimi: Autoriteti Rrugor Shqiptar