Sakip Ngota, baxhieri i ndershëm dhe i punës


Ishte viti i hershëm 1971, kur djaloshi nga Çetushi Sakip Ngota, lirohet nga ushtria. Që të thoshte të vërtetën, djaloshi i i ri nuk e kishte me qejf të punonte në kooperativë. Jo se nuk mundej, por vlera e pakët e dites se punës ishte shkaku që donte të shkojë diku tjetër. Familja e tij kishte nevojë për të më shumë se kurrë dhe donte të kishte një punë , apo një zanat me fitim më të madh. Mori vesh se do hapej një kurs gjashtë mujor për baxhier dhe ai vrapoi të ishte një prej kursantëve të rinj. Me kohë, do t’ja merrte dorën, se në fund të fundit, askush nuk kishte  lindur i ditur. Trajnimet bëheshin nga Mehmet Përnezha dhe Fadil Dufi,dy specialistë me eksperiencë të kohës.  Dy vjet më vonë, bëri sërish një trajnim tjetër në Tiranë dhe tashmë e ndjente veten më të aftë e më të kompletuar. Ishin gjashtë djem të rinj nga Dibra, të cilët më vonë do të bëheshin baxhjerë të talentuar e nuk do linin zonë e fshat të rrethit pa shkelur, nga Golloborda e deri në Lurë. Vetëm në malet mbi fshatin Sinë, afër liqeneve të Lurës, në vendin e quajtur Pllajë, punoi 12 vjet. Përpunonte një sasi prej 25 kunjtalë qumësht, duke e kthyer në djathë të llojeve të ndryshme me një cilësi vërtetë shumë të lartë. Dukej sikur aromat e luleve të bjeshkës ishin të stampuara në të. Më vonë punoi dhe si përgjegjës i fabrikës së qumështit, derisa e mbylli këtë kapitull, në vitin 1993. Një mik i tij e kërkoi në Këmishtaj të Lushnjes, ku mësoi dy kursantë të rinj. Kryetari i asaj komune e lut më pas të qëndrojë atje, duke i gjetur truall e  duke i krijuar kushte të favorshme për ushtrimin e aktivitetit, por Sakipi nuk qe dakort dhe kthehet në Dibër, për të parë ndonjë mundësi të re.

PLOTESIM I  ENDRRES

Sakip Ngota ishte mësuar me punë e jo të rinte duarkryq, se mos i vinte ndonjë mrekulli nga qielli. Aty në një nga rrugët e qytetit të Peshkopisë, bleu një copë truall dhe hapi një dyqan për fruta e perime. Jo se sillte të ardhura të mëdha, por diçka fitonte, nga e cila dhe konsumonte për nevojat e familjes dhe akumulonte. Por prapë, nuk e dinte përse, mendja e tij rrihte diku tjetër. Kujtime të hershme i vinin në mendje, baxho e fshatra të ndryshëm, kolegë e blektorë me të cilët pati diskutuar, kishte punuar e ngrënë së bashku. Ndoshta do të vinte një ditë, që ai të kishte baxhon e tij. Kjo ditë vonoi pak, por erdhi. Ishte viti 2010. Sakipi nuk e harron dhe nuk ka se si ta harrojë atë ditë, bile e ka të stampuar në logon e prodhimeve të tij. Maksim Hajrullai, në atë kohë drejtor i bujqësisë së qarkut Dibër, i bën një ofertë. I afron një kredi prej 80 miljon lekësh nga A. Z.H.B.R-ja, ose sic quhet, Agjensia e pagesave, me afat shlyrës gjashtë vjeçar, pa asnjë interes. E si nuk e pranoi Sakipi! Ai kishte kohë që e ëndërronte. Nuk i mbetej tjetër, vetëm të falenderonte Zotin për këtë mundësi, pa harruar dhe sebepin, drejtor Hajrullain. Shumë shpejt, dyqani i frutave dhe perimeve, u kthye në një baxho. U blenë dhe makineritë, u ndërtua kaldaja poshtë dhe Sakipi filloi të mbledhë qumështin nga fermerët. Lokali i punës nuk ishte krejt i përshtatshëm, por me pak sforco, ai do t’ja dilte.

Filluan prodhimet e para. Djath i zakonshëm lope, delje dhie, djath kaçkavall, djath Korabi,djath fet që pritet në formë trekëndëshi dhe plot djathra të tjerë. Ka dhe gjizë të ëmbël dhe të mrekullueshme, që shpesh të detyron ta harrosh dhe shijen e djathit.  Deri në 45 kunjtalë qumësht arriti të përpunojë Sakipi në baxhon e tij. Do të ishte padituri dhe miopi profesionale po të llogarisje vetëm fitimin e Sakipit, apo punësimin e familjes së tij, në bilancin e gjërave pozitive. Sa e sa fermerë që ishin bërë gati të shisnin bagëtitë e tyre, panë një dritë në fund të tunelit,  gjetën një strehë te baxhoja e tij. Ata e falenderuan pafundësisht për këtë sipërmarrje, që bartëte në vetvete kushedi sa rreziqe. Prishja e qumështit, mungesa e tregut, konkurenca e pandershme e plot faktorë të tjerë, silleshin si korba në qiell të hapur për ti shkatërruar biznesin e për ti shpallur falimentimin. Shpesh Sakipi revoltohet me konkurencën e pandershme, duke shtruar pyetjen, që shpesh mbetet pa përgjigje. E si mundet të dalë djathi në treg me 2500 apo 3000 lekë kilogrami, kur duhet të jetë sëpaku dyfish? Në fakt, përgjigja është krejt e qartë. Gjizë, niseshte, apo të tjera gjëra dhe lëndë të huaja, që vetëm djathë nuk mund të quhen. – Djathi im është bio, thotë me krenari Sakipi. – Asnjë cc lëndë të huaj nuk ka në të.

Qëndrova pak kohë te dyqani i tij, ndërsa po bëja një intervistë të vogël. Klientë të shumtë vinin në dyqan dhe ai shpesh detyrohej të shkëputej. E kishim bërë marrëveshjen, nuk kishte problem për mua, vetëm tu shërbente njerëzve. Banaku është plot me djathra të ndryshëm, bile ka dhe copa të vogla, të prera, që klientët ta provojnë dhe ta testojnë djathin që blejnë. Kjo ndoshta do tu shërbente vetëm klientëve të rinj, pasi ato të “vjetrit” dhe që janë larg, bëjnë porosi me telefon. Megjithë trupin pak të shëndoshë, Sakipi bën lëvizje të shkathta, duke u shërbyer njerëzve, duke i respektuar dhe në fund, kur peshorja tregon peshën fikse, ai hedh dhe një copë tjetër djathi, për të marrë hallallikun. Një grua, të cilës i shërbeu, nuk mundi të mos e shprehë konsideratën e saj. – Ua bëftë Zoti hallall! Shumë të mirë e bëni djathin. Nuk di pse ndjeva një kënaqësi, kur zonja bëri konstatimin. Thashë me vete se Sakip Ngota meriton shumë gjëra, të cilat nuk po ja japim. Të paktën një shkrim le ti bëjmë, si një fjalë e mirë për njerëzit e ndershëm të punës.

Ka pak vite që Sakipi e ka shtuar gamën e prodhimeve, duke futur kosin dhe dhallën, që mbajnë logon e tij. Sidomos në verë janë produkte shumë të preferuara dhe të dëshiruara nga njerëzit.

LEJA  E  NDËRTIMIT

E thamë që më parë, se lokali ku punon Sakipi, nuk është i mjaftueshëm për të punuar lirshëm. Duhen më shumë hapësirë për të futur produktet, për të stazhionuar djathin, për të mbajtur materialet, apo hapësira për të lëvizur dhe parkuar makinat që sjellin qumështin dhe marrin prodhimin e përpunuar. Sakipi ka blerë dy dynymë tokë në hyrje të fshatit Melan, për të ngritur një baxho të re. Më pas shtoi dhe dy dynymë të tjerë. Lejen e ndërtimit nuk ja jepnin që nuk ja jepnin për vite të tërë. Po përse xhanëm, kur nuk e ndihmojmë tjetrin, të paktën të mos e pengojmë. Zili për njerëzit e punës, injorancë, prezantim force, apo çfarë dreqin duhet ta quajmë këtë veprim? Po të ishte në ndonjë shtet tjetër, kushedi sa lehtësi do ti afroheshin këtij njeriu që do të punësonte mbi dyqind fermerë, duke marrë qumështin e tyre. Kushedi çdo të bënte nje shtet, sadopak i përgjegjshëm dhe me dy para mend në kokë, për të vënë në punë këtë njeri tashmë të moshuar, të na afronte shërbimet e tij cilësore! Po të ishte jashtë ama, se tek ne vetëm pengesa e burokraci të afron shteti, a thua se ka për detyrë të bëjë të kundërtën e asaj që duhet. Nuk di si rrodhën ngjarjet, por  më së fundi e morri dhe lejen e ndërtimit. Projekti është gati dhe inshalla, në muajin mars të vitit që vjen, fillojnë punimet për ndërtimin e baxhos së re. Ajo do të jetë me një kapacitet prej 100 kunjtalësh në ditë, duke u hequr blegtorëve të zonës një barrë të rëndë nga shpina.

Sakip Ngota tani u afrohet të shtatëdhjetave dhe ka përgatitur me kohë zëvendësin, djalin e tij, Shemsiun. Por sërish ai nuk dorëzohet, duke punuar në të gjitha frontet, si një ushtar i paepur, duke kontribuar për familjen dhe shoqërinë.