Veprimtaritë që mund të bëhen gjatë “Vitit të Skënderbeut”


Ky propozim i është drejtuar kryetarit të Bashkisë së Dibrës, në lidhje me veprimtaritë kulturoro-historike në kuadrin e vitit të Skënderbeut, të shpallur nga Kryeministri i Shqipërisë z.Edi Rama.

Baza historike e kërkesës.

1. Dibra është origjina dhe vendbanim i Kastriotëve dhe se heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti është dibran.

2. Në Çidhën të Dibrës, heroi ynë Gjergj Kastrioti ka vendlindjen, këtu ka kaluar vitet e para të jetës.

3. Populli i Dibrës gjatë epopesë së Kastriotëve ka përballuar peshën më të rëndë të luftërave. Këtu u zhvillua beteja e parë me turqit, beteja e Torviollit më 1 gusht 1444, me pas 17 beteja të tjera nga 24 gjithsej në territoret shqiptare, si dhe beteja e fundit, rimarrja e Kalasë së Çidhnës në prill 1467.

4. Fshati Kastriot dhe Sina janë vendbanime të Pal dhe Gjon Kastriotit.

5.  Gjergj Kastriotit, me t’u kthyer nga Nishi në Dibër, bëri të parin kuvend me fisnikërinë dibrane, më 14 nëntor 1443, ku u lidh besa dibrane në mbështetje të Heroit tonë Kombëtar, u hodhën bazat e ushtrisë çlirimtare dhe me 300 kalorës dibran Skënderbeu mori Krujën, ngriti flamurin Kombëtar.

6. Më shumë se kujtdo në krahinat e vendit tonë na takon ne, dibranëve, në këtë vit jubilar, të bëjmë veprimtari historiko-kulturore në vlerësim dhe kujtim të veprës legjendare të birit tone, Gjergj Kastriotit, Skënderbeut.

Propozojmë këta masa organizative:

1.-T’i bëhet një kërkesë e veçantë Kryeministrit të Shqipërisë që në veprimtaritë historiko-kulturore, Dibrës t’i jepet prioritet për origjinën dibrane të Kastriotëve dhe kontributin e veçantë historik të tyre në mbështetjen ndaj Skënderbeut, në realizimin e planeve të tij për çlirimin e trojeve shqiptare nga pushtuesit otoman, duke u shoqëruar me mbështetje financiare.

2. Të ngrihet një komision nën drejtimin e Bashkisë Peshkopi-Bulqizë dhe komunës Dibër e Madhe për organizimin e veprimtarive historiko-kulturore.

Veprimtaritë që propozojmë:

1. Të bëhet një konferencë shkencor me temën: “Skënderbeu dhe mbështetësit e tij dibran’’, ku të referohet nga historianë dhe studiues nga të dy Dibrat, të Bulqizës dhe të ftuar të tjerë. Tematika e kumtesave të hartohet nga komisioni nismëtar.

2. Materialet e referuara në këtë konferencë shkencore të botohen në një libër të veçantë si dokumente historike për ndriçimin e historisë së Kastriotëve në trojet dibrane.

3. Të ngrihet një përmendore në fshatin Kastriot, ose në afërsi të tij ku të gjykohet më e arsyeshme.

4. Të vihet një pllakatë përkujtimare në kujtim të Masakrës së Çidhnës së 1 gushtit 1466, ku u shkuan në shpatë minimalisht, sipas kronikanëve të kohës, 8 000 veta gra, fëmijë dhe pleq të pafajshëm.

5. Në shkollën e mesme të Kastriotit, të Fushë-Alies, të Maqellarës të ngrihen dhoma muze kushtuar historisë së Skënderbeut në Dibër.

6. Të zbulohet Pusi i Gjon Kastriotit në Kastriot te Kulla, ose Kalaja e Gjonit si dhe fragmente të shkurtra të mureve rrethues.

7 . Të organizohen marshime nga rinia dibrane (e shkollave të mesme) në vendbanime të Kastriotëve, në Kastriot dhe Sinë, në kalatë dhe në vendbetejat e Skënderbeut në të dy Dibrat dhe në Bulqizë, të shoqëruara me biseda nga historianë dhe studiues të historisë së Kastriotëve.

8. Në shkollat e mesme të organizohen biseda me nxënës për njohjen e historisë së Kastriotëve në trojet dibrane dhe kontributin dibran në mbështetje të Heroit tonë kombëtar në realizimin e planit të tij për çlirimin e vendit tonë nga pushtuesi otoman.

9.-Të emërtohen rrugë dhe objekte me rëndësi me emrin e Skënderbeut në rrethin tonë.

10 -T’i kërkohet gazetës ‘’Ruga e Arbërit’’ të hapë një rubrikë të veçantë me botime nga autor dibranë rreth kontributit të popullit dibran në mbështetje të heroit tonë Kombëtar, Gjegj Kastrioti, Skënderbeu.

Ne kemi hartuar një draft të temave për konferencën dhe shpresojmë në një takim sa më të afërt me përfaqësuesit e pushtetit vendor, të diskutojmë hapat e mëtejshëm.

Grupi nismëtar