BORA E SHKURTIT “FLORIRI I BARDHË” I BUJKUT
MEDITIM | NGA ABDURAHIM ASHIKU


 

Bardhësia e dëborës ka mbuluar thuajse gjithë Shqipërinë, nga Veriu në Jug, maleve, madje edhe fushave…

Mjetet e komunikimit masiv e kanë fiksuar objektivin rrugëve të zëna e rrugëve me “kujdes në qarkullim”.

E natyrshme. Në kohë të tilla njeriu është i pari. Si fëmija në rrugën për në shkollë e kthim në shtëpi ashtu edhe ai që del nga shtëpia për në punë, që udhëton me automjet, që është në shërbim të njerëzve në spitale, polic në rrugë e kudo ku është e nevojshme për ndihmë.

E kam një përvojë timen vetjake në dimrin e madh 1985 kur bëra një udhëtim të gjatë maleve të Dibrës, fshat më fshat të Luznisë, Muhurrit, Selishtës për tu gjendur pranë njerëzve. E kujtoj me nostalgji…

Po ndërsa kronikat dhe kronistët e mërdhirë sa u dridhet mikrofoni e u lëkundet kamera nga dora,fokusohen në pamjet e bardha, pak për të mos thënë aspak e thellojnë kronikën në vlerën e bardhësisë së këtyre ditëve, në atë që populli e quan “Floriri i bardhë i bujkut”.

Dëbora e shkurtit, në ndryshim nga ajo e dhjetorit dhe e janarit, është borë e butë, e mbushur me lagështi aq sa flokët e saj duken si zogj që bien nga qielli.

Bujku, me gjithë ngushtësinë si blegtor për shkak të kufirit të të ushqyerit të bagëtive, e pret borën e shkurtit me dëshirë, me mirëpritje.

Kjo lidhet me vlagën që depërton në tokë, që qëndron gjatë dhe është baza e hapave të parë të zhvillimit të bimës. Kjo, veçanërisht kur punimi bazë i tokës është bërë në janar.

“Punimi i janarit-vlaga e beharit”- thotë populli.

Bora e shkurtit mbush malet. Trashësia e saj që jepet nga kronikat televizive në zonat malore është një sihariq për bujkun. Bardhësia e saj mbi male do të ruhet deri në muajt më të nxehtë të vitit, korrik dhe gusht. Bora do të shkrihet ngadalë duke mbushur burimet ujore rrjedha e të cilëve do të përfundojë në arat e mbjella.

Por jo vetëm burimet ujitëse por edhe ata që lidhen me ujësjellësit, me ujin e pijshëm në fshat e qytet.

Bora e shkurtit, shtresuar në male, është rezervuari më i madh natyror për jetën e njeriut, kafshëve, bimësinë e egër dhe atë të kultivuar.

Bora e amulluar në male, veçanërisht tash kur niveli i ujëmbledhësve të hidrocentraleve, jo vetëm mbi Drin, është afër pikës më të lartë, është një sihariq për sistemin energjetik ujor. Malet e mbushura me dëborë, veçanërisht ato të pellgut ujëmbledhës të Drinit të Zi e të Bardhë, të Valbonës e të lumenjve të vegjël që derdhen mbi liqenet e Fierzës, Komanit e Vaut të Dejës, janë një rezervuar gjigand hidroenergjetik çka nuk mund të gëzojë vetëm prodhuesit e energjisë elektrike por çdo njeri që ka mbi tavanin e shtëpisë së tij një llambë elektrike për tu ngjitur më tej tek konsumatorët e mëdhenj të saj, por edhe për eksport.

Këto ditë në Shqipëri po bije borë…

Është momenti që kamera dhe shkronja e gazetarit të drejtohet tek vlera e saj.

Është koha që në studiot shurdhuese me emra nga më të çuditshmit në të gjithë televizionet shqipfolës, të dilet nga temat tepër lodhëse për publikun me motivin “e lagu apo nuk e lagu bishtin dhelpra e politikës”, të mblidhen specialistë të fushës së bujqësisë dhe energjetikës, njerëz që të na mësojnë se si “Arin e bardhë” të këtij shkurti ta shndërrojmë në prodhim bujqësor e blegtoral, në energji elektrike për vatrat tona.

Ka shumë mënyra për ta mbledhë këtë “flori”, me lera në kullota për blegtorinë, me ujëmbledhës për të ujitur qoftë edhe një dynym tokë, me… (pyesni bujqit, atyre që ia dinë shpirtin tokës)

Do të desha që kësaj jave ndonjë televizion “kombëtar” t’i lexonte këto radhë për të folur jo vetëm për motin si “përmbytje”  e për “dëmshpërblime”, por edhe për motin si dhuratë e natyrës për bujkun, blegtorin, prodhuesin e energjisë elektrike, shëndetin…

Ekranit të televizioneve tona, zërit të radiove tona, germës së gazetave tona… mendoj se i mungon shikimi “te këmbët”.

Këto shënime, nga larg, i bëra me dashurinë e agronomit për vlagën e tokës…