GJEOLOGJIA DHE PASURITË MINERALE
Nga prof. dr. Bashkim LLESHI


 

Nga ana gjeologjike Rajoni i Grykës së Vogël bën pjesë në pjesën jug perëndimore të zonës tektonike të Korabit. Në ndërtimin gjeologjik të kësaj pjese marrin pjesë shkëmbinj terrigjenë dhe karbonatikë nga moshat më të vjetra të Permo-Triasit deri tek depozitimet e reja kuaternnare.

Depozitimet e Permit të përhapura në zonën Kovashicë, Zogje, Shtushaj, Mazhicë e më në veri përfaqësohen nga ranorë, konglomerate dhe rreshpe argjilosilicore të zeza të përhapura kryesisht në zonën e Kovashicës.

Depozitimet e Permo –Triasit të poshtëm përfaqësuar nga ranorë e konglomerate me ngjyrë hiri të zbardhur deri në të kuqëremtë-hiri të zonës Zogje, Gjuras deri në Lishan e më në veri të cilat janë të pasura me lëndë feldshpatike  që mund të përdoren në industrinë e porcelanit për prodhimin e fajancës.

Depozitimet karbonatike të Triasikut të mesëm deri në Jurasik të poshtëm  përhapen nga pjesa perëndimore e Vlashajve, Boçevës, Homeshit duke vazhduar në malin e Homeshit dhe më në veri në malin e Bllacës, deri në kufi me zonën e Selishtës dhe në sektorin  Kovashicë-Shtushaj-Gjuras-Mazhicë me të cilin lidhen gurët dekorativë karbonatikë të Kovashicës, Shtushanit, Gjurasit, Zogjeve e Mazhicës, nga të cilët në tre objekte si ato të Kovashicës, Gjurasit e Shtushanit janë kryer edhe punime te kërkim zbulimit nga ana e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar dhe janë kthyer në vendburime gurësh dekorativë.

Depozitimet terrigjene të Jurasik-kretakut ndërtojnë kodrat e Tërbaçit, Viçishtit, Çerenecit, Boçevës, Homeshit, Okshatinës, Topojanit, Mazhicës, Shpukthit e deri në kufirin verior të Gjurrës së Mazhicës.

Depozitimet më të reja ato të kuaternarit ndërtojnë fushën e Gjoricës dhe fushat e Çerenecit, Shupenzës, Boçevës, Homeshit, Okshatinës, grykën e Zogjeve e Shtushanit, livadhet e Bllacës dhe tokat arë të fshatrave të tjerë, por me përhapje më të kufizuar.  Me këto depozitime të reja lidhen dhe objektet e argjilave të Shupenzës e Çerenecit dhe inerteve lumore të Çerenecit aty ku bashkohen zalli i Okshtunit me zallin e Bulqizës ku edhe për këto objekte janë kryer pak punime për vlerësimin nga ana gjeologjike.

 

PASURITË MINERALE

TË GRYKËS SË VOGËL

 

Nga pasuritë minerale të Grykës së Vogël më të rëndësishmet janë Gurët dekorativë (mermeret) e zonës Kovashicë, Zogje, Shtushaj e Gjuras, në të cilat janë kryer edhe punime të kërkim zbulimit nga ana e gjeologjisë së Tiranës e Bulqizës. (Kujtim Imami 1967, Hasan Hajdari 1978, Avni Dibra, Bashkim Lleshi 1992, Bashkim Lleshi, etj. 2005, Vesel Hoxha, etj. 2007, Bashkim Lleshi 2010)

Punime kërkimi janë kryer edhe në objektin e Manganit të Topojanit (Hasan Kajdari 1972) dhe objektet e argjilave të Çerenecit e Shupenzës dhe inertet e Çerenecit të Poshtëm (Mustafa Manjani, Lenard Kazanxhi, Sefedin Shabani,1998,2004).

Në zonën e Grykës së Vogël krahas këtyre mineraleve ka edhe mjaft shfaqje e shenja të mineralizuara si: Shistet argjilo silicore (rrasat) për mbulimin e çative në Kovashicë, Zogje, etj. të ranorëve feldshpatikë për ndërtim e fajancë në Zogje, Shtushaj e Gjuras, të argjilave si ngjyrosës mineralë (bojra dheu) në Kovashicë, Zogje e Mazhicë (bota e zezë e Kovashicës dhe e Mazhicës), argjilat e kuqe (Kuçlat e Shalave në Zogje) dhe argjilave (botë për çerep e për t’u larë) të Kovashicës. (Bashkim Lleshi 2012)

 

  1. Vendburimi i Gurëve dekorativë  Kovashicë

Ndodhet në veri të fshatit Kovashicë, ngjitur me burimin Gjurra e Kovashicës.

Përfaqësohet nga gëlqerorë të mermerizuar me ngjyrë rozë të çelur, laramane, vende vende të kuqe të Triasikut të mesëm, me veti dekorative shumë të mira, përbërje kimike, fiziko-mekanike e bllokshmëri të mirë dhe rezerva të konsiderueshme. (K.Imami 1970,B Lleshi 2005,2010, V.Hoxha etj.2007) Në vitet 1991-1993 gjeologjia e Tiranës kreu punime për  nxerrjen e disa blloqeve për eksperimentim, si dhe kreu vrojtime në disa shfaqje të tjera të zonës Zogje, Gjuras e  Mazhicë për vlerësin e disa daljeve të shkëmbinjve gëlqerorë për t’i vlerësuar si gurë dekorativë (A.Dibra,B. Lleshi 1993) Në vitet nëntëdhjetë filloi shfrytëzimi dhe prerja në vend e gurëve dekorativë të Kovashicës nga një kompani italiane e cila pas disa vitesh  i ndërpreu punimet.

 

  1. Vendburimi i Gurëve dekorativë  Gjuras

Ndodhet 1 km. në perëndim të fshatit Gjuras, në zonën e quajtur Maja e Qytezës ose Xhiteca e Gjurasit (Kazane) me emërtimin e vendasve.

Përfaqësohet nga gëlqerorë të mermerizuar me ngjyrë rozë të çelur, laramane e të kuqe të Triasikut të mesëm, me veti dekorative shumë të mira përbërje kimike, fiziko-mekanike e bllokshmëri të mirë dhe rezerva të konsiderueshme.( H.Hajdari 1978,B.Lleshi 2005,20010, V. Hoxha etj.2007)

  1.   Objekti  i Gurëve dekorativë  Shtushan

Ndodhet në lindje të lagjes Shtushan i Epërm poshtë majës së Dejthit me lartësi 972,8 m. Përfaqësohet nga gëlqerorë të mermerizuar me ngjyrë rozë të kuqërremtë, të Triasikut të mesëm, me veti dekorative të mira dhe përbërje kimike e fiziko-mekanike të afërt me ato të vendburimit të Kovashicësë, sepse është vazhdimi më verior i brezit të këtyre gëlqerorëve. (Hasan Hajdari 1978)

Në zonën Kovashicë-Zogje-Gjuras-Mazhicë ka edhe dalje të tjera të gurëve dekorativë, si në vazhdimin më në veri të Sharrës së Zogje në drejtim të Shtushanit, në disa dalje të gurëve dekorativë në afërsi të Gurit të Çetës e Sharrës së Leke në Zogje, në Sharrën e Lik Mehmetit afër vendburimit të Gjurasit dhe disa dalje me gurë dekorativë të bardhë në afërsi të Gjurrës së Mazhicës në të cilët ka nevojë të kryhen disa punime kërkimi për të përcaktuar vetitë dekorative, përbërjen kimike dhe vetitë fiziko mekanike të tyre. (Bashkim Lleshi 2012)

Mbështetur në perspektivën që paraqet kjo zonë për prodhimin e gurëve dekorativë me propozim të Seksionit të industrisë të ish Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Dibër më 1977, në vitet 1978-1979 nga Instituti i Gjeologjisë e Minierave u përpiluan projektet i shfrytëzimit të Gurëve dekorativë të Kovashicës e Gjurasit dhe u ngrit grupi i projektimit të rrugës me drejtues teknik inxhinierin e vjetër të rrugëve Dhori Guri i cili përpiloi projektin e rrugës Ura e Serbinit- Gjuras.

Në vitin 1978 para fillimit të punës projektuese një grup prej 5 specialistësh i përbërë nga ish drejtori i Institutit të Gjeologjisë Bashkim Lleshi, shefi i Seksionit të Industrisë në Peshkopi Skënder Kuçi, inxhinieri i projektimit të rrugëve Dhori Guri dhe inxhinjeri topograf Halit Ndreaj kryen rikonjukcionin e kësaj rruge duke kaluar në këmbë të gjithë zonën mbi Shtushan e Bokat e Zogje, në Qaf Mollë, Kroin e Bukës e deri në Kepin e Gjurasit  pranë objektit të mermerit ku do të ishte pika fundore. Në perspektivë kjo rrugë do të lidhej me Sektorin pyjor të Pratit dhe rrugët pyjore të kësaj zone mbi Bllacë. Në vitin 1979 përfundoi projekti i rrugës dhe në vitin 1980 me propozim të Institutit të Gjeologjisë u sigurua fondi në Ministrinë e Industrisë dhe Minierave për ndërtimin e kësaj rruge e cila përfundoi më 1981 nga ish Ndërmarrja Rruga Ura e Elbasanit. Kjo rrugë i shërbeu më vonë jo vetëm vënies në shfrytëzim të vendburimit të gurëve dekorativë të Kovashicës, por edhe zhvillimit ekonomik të kësaj zone.

  1. Vendburimi i Manganit Topojan

Ndodhet 500m. në veri të fshatit Topojan, në afërsi të kodrës me lartësi 703,0 m. Përfaqëson një zonë me mineral mangani brenda depozitimeve flishoidale me përbërje të mirë kimike e rezerva të mjaftueshme për  t’u  përdorur në metalurgji e industrinë kimike. (H. Hajdari 1978 )

 

  1. Vendburimi i Argjilave Çerenec

Ndodhet në jug lindje të fshatit Çerenec i Poshtëm. Përshkohet nga rruga automobilistike që vjen nga Ura e Çerenecit dhe vazhdon për Viçisht e Gollobordë. Argjilat janë të moshave të reja të Neogjen-kuaternarit dhe vendosen mbi depozitimet më të vjetra të Jurasik-kretakut. Me punimet e kryera janë llogaritur rezerva të konsiderueshme argjilash cilësore për prodhimin e tullave dhe tjegullave. (Mustafa Manjani, Leonard Kazanxhi,Sefedin Shabani 2004)  

  1. Vendburimi i Argjilave Shupenzë

Ndodhet në lindje të fshatit Homesh, 500 larg kthesës tek lapidari afër Urës së Serbinit. Ashtu si argjilat e Çerenecit janë të moshave të reja të përfaqësuara nga dy horizonte me argjila me ngjyrë gri e të kaltër me cilësi të mirë e rezerva të mjaftueshme  për prodhimin e tullave dhe tjegullave. (Mustafa Manjani, 2004)  

 

  1. Vendburimi i Inerteve lumore Çerenec i Poshtëm

Ndodhet në perëndim të fshatit Çerenec i Poshtëm, në jug të zonës ku bashkohen Zalli i Okshtunit me Zallin e Bulqizës. Përfaqësohet nga zhavore e rëra të sjella kryesisht nga Zalli i Okshtunit e Zalli i Bulqizës me përbërje kryesisht të copave terrigjene me mbizotërim të mineralit të kuarcit. Me punimet e kryera janë siguruar rezerva inertesh lumore për t’u përdorur për nevoja të ndërtimit dhe infrastrukturës. (Leonard Kazanxhi, Mustafa Manjani, 1998)

 

  1. Shfaqjet e ranorëve  e  rërave feldshpatike

Në zonën Zogjaj – Shtushaj – Gjuras shkëmbinj takojmë depozitime ranorësh deri në mikro e mezo konglomerate të çimentuar të moshave të vjetra. Këto depozitime ndërtojnë Bokat e Zogje, në drejtim të Majave, Qaf Mollës e Gjurasit dhe kurrizin në perëndim e veri perëndim të fahatit Shtushaj deri në Qafën e Shtushanit e më në veri në drejtim të përroit të Gjurasit. Këto depozitime priten edhe nga rruga automobilistike kthesa tek Varret e reja Zogje-Qaf Shtushaj-Qaf e Mollës-Gjuras pothuajse gjatë gjithë trasesë së saj. Në perëndim të Qaf Shtushanit në rrugën  këmbësore që zbret nga Gjurasi janë marrë prova dhe nga analizat e tyre rezulton se kanë përmbajtje të mirë të lëndës feldshpatike për t’u përdorur në industrinë e porcelanit. Provat eksperimentale të marra e të dërguara në ish Ndërmarjen e Porcelanit në Tiranë flisnin për rezultate premtuese për t’u përdorur si lëndë e parë cilësore për prodhimin e porcelanit. (Bashkim Lleshi 2012)  

Në këtë brez të shkëmbinjve ranorë e konglomeratë që zgjatet nga Zogjaj në Gjuras, Lishan e Muhurr janë kryer edhe punime kërkimi nga ana e Ndërmarjes Gjoefizike të Tiranës (sidomos në zonën e Muhurrit) dhe rezulton se në këto shkëmbinj kemi përmbajtje që duhen marrë në konsideratë të lëndëve radioaktive për të cilat kërkohen punime e studime të mëtejshme.

 

  1. Gëlqerorët dhe ranorët  si lëndë e parë ndërtimi

Në territorin e Grykës së Vogël kanë përhapje të konsiderueshme shkëmbinjtë gëlqerorë nga pjesa perëndimore e Vlashajt në malin e Homeshit, të Kovashicës e Bllacës deri në Gjuras e Seishtë dhe nga Gjurra e Kovashicës në sharrën e Zogje e të Shtushanit në perëndim të Topojanit e Mazhicës deri tek Gjurra e Mazhicës. Shkëmbinjtë gëlqerorë të kësaj zone përbëjnë një pasuri të madhe lënde të parë ndërtimi për ndërtimin e mureve të shtëpive e ndërtimeve të tjera, për hapjen e guroreve për prodhimin e lëndëve inerte karbonatike shumë cilësore për ndërtim dhe për prodhimin e gëlqeres e të çimentos për ato sektorë që kanë përmbajtje më të ulët të silicës dhe përmbajtje më të lartë të lëndës karbonatike. Këto gurë gëlqerorë janë përdorur që në kohë të lashta nga banorët e zonës për prodhimin e gurëve të gdhendur për qoshet e shtëpive që duken shumë bukur në kullat e Sal Markes e Qamil e Shefki Lleshit në Zogje dhe në shumë shtëpi të tjera të këtyre fshatrave nga Kovashica, Zogjaj, Shtushani, Bllaca, Mazhica, Topojani, Gjurasi, etj. Vlen të theksohet se pothuajse të gjitha shtëpitë në këto fshatra janë të ndërtuara me gurë të prodhuar në vend dhe të mbuluara me rrasa guri të prodhuara po në këtë zonë.

Brezi i shkëmbinjve shkëmbinjve ranorë e konglomeratë të çimentuar që zgjatet nga Zogjaj në Shtushan e Gjuras punohet shumë lehtë dhe përdoret në ndërtim për muret e shtëpive, ndërsa ranorët e mikrokonglomeratet e shkrifët të kësaj zone janë të pastër për t’u përdorur  në ndërtim për prodhimin e llaçeve e të betoneve. (Bashkim Lleshi 2012 )

 

  1. Daljet e Shisteve të zeza (rrasat )

Përfaqësojnë shistet e zeza të moshave të vjetra të metamorfizuara (presuara) dhe shistet më të zbardhura të moshave më të reja të zonës Kovashicë-Zogje-Topojan. Këto shiste përfaqësojnë të ashtuquejturat rrasa në gjuhën e popullit të cilat përdoren për mbulimin e çativë të shtëpive. Më të mira janë rrasat e Kovashicës që dalin në të dy anët e përroit të Kovashicës në afërsi të lagjes Toçi, që edhe në gjuhën e popullit vendit ku kalon rruga për Shupenzë ku prodhohet kjo rrasë i thonë “Rrasa e Toçit”. Këto rrasa vazhdojnë edhe mbi shtëpitë e fisit Xhafa në lindje të rrjedhjes së përroit të Zogje në drejtim të Topojanit.

Rrasa të tilla por me cilësi më të dobët e ngjyrë më të zbardhur ka edhe tek Hurdha e Lleshit në Zogje ku vendi quhet “Rrasa e Hurdhës së Lleshit”, në zonën e Homeshit, Okshatinës, Topojanit, etj.

Për Rrasën e Toçit mirë është të kryhet ndonjë studim i mëtejshëm se këto rrasa ndahen në feta shumë të holla që bëhen më të lehta për mbulimin e çative, janë rezistente, dalin në copa të mëdha dhe mund të përdoren edhe si gurë dekorativë siç përdoren edhe për veshjen e mureve në vendet në veri të Europës si në Gjermani, etj. si dhe për shtrime trotuaresh, etj. (Bashkim Lleshi  2012 )

 

  1. Argjlat ngjyrosëse (bojrat e dheut) dhe argjilat për poçeri e larje

Brenda shkëmbinjve sedimentarë të këtyre zonave kemi disa shfaqje argjilash me ngjyrë të zezë, kafe, të kuqe, gri, etj. sipas mineraleve që përmbajnë, siç janw argjilat e zeza nga përmbajtja e mineralit të manganit, ato kafe e të kuqe nga minerali i hekurit, etj. Me veti  mjaft të mira për ngjyrosje janë argjilat e zeza që takohen në Përroin e Çukut të Mazhicës e Topojan, ndërsa ato kafe e të kuqe të i takojmë në Zogje (Kuçlat e Shalave) të cilat janë përdorur e përdoren nga vendasit për lyerjen e brezave të poshtëm në pjesët e jashtëme të shtëpive.

Në zonën e Kovashicës takohen argjilat gri me cilësi shumë të mirë për poçeri, por vendasit i përdorin edhe për bërjen e çerepëve për pjekjen e bukës. Këto argjila kanë edhe veti pastruese dhe përdoren edhe për larjen në llixha. (Bashkim Lleshi 2012)

 

REFERIMET

 

Avni Dibra, Bashkim Lleshi (1993)Punimet për eksperimentimin e nxjerrjes së blloqeve të gurëve dekorativë në Kovashicë në vitet 1991-1992. Ndërmarja Gjeologjike e Tiranës 1992

Bashkim Lleshi (1996) – Gurët dekorativë të Shqipërisë Ndërmarja Gjeologjike e Tiranës Tiranë 1996

Bashkim Lleshi, etj (2005) – Shkëmbinjtë dhe mineralet industrialë (jo metalorë ) të Shqipërisë Tiranë 2005

Bashkim Lleshi (2006)  – Gurët dekorativë të zonës së Dibrës. Degalbanev Studio Tirannë 2006

Bashkim Lleshi (2010) – Shkëmbinjtë dhe mineralet industrialë (jo metalorë ) të Shqipërisë, libër, Tiranë 2010

Bashkim Lleshi (2012) – Pasuritë minerale të Grykës së Vogël. Degalbanev Studio Tirannë 2012

Hasan Hajdari (1972) –  Raport mbi punimet e kërkim-zbulimit të kryera në vendburimin e Manganit Topojan në vitet 1968-1971, Ndërmarja Gjeologjike Bulqiizë 1972

Hasan Hajdari (1976) – Raport mbi punimet e kërkim zbulimit në vendburimin e gëlqerorëve të mermerizuar Gjuras (Peshkopi), Ndërmarja Gjeologjike Bulqiizë 1978

Kujtim Imami (1970) – Raport mbi punimet e zbulimit të detajuar me llogaritjen e rezervave të vendburimit të gëlqerorëve të  mermerizuar Kovashicë me gjendje 01.01.1969, Ndërmarja Gjeologjike Tiranë 1969

Leonard Kazanxhi,Mustafa Manjani (1998) – Raport mbi punimet e kryera në vendburimin e Inerteve lumore Çerenec i Poshtëm në vitet 1997-1998, Ndërmarja Gjeologjike Bulqizë 1998

Mustafa Manjani, Leonard Kazanxhi,Sefedin Shabani (2005) – Raport shkencor mbi rezultatet e punimet të kryera për argjila për tulla e tjegulla në në vendburimet  e Argjilave Shupenzë, Çerenec i Poshtëm, etj., Ndërmarja Gjeologjike Bulqizë 2005

Vesel Hoxha,Bashkim Lleshi,Ilir Alliu,Sefedin Shabani,Naim Karaj (2007)- Pasuritë minerale të rajonit të Dibrës që mund  të vihen në qarkullim ekonomik me ndërtimin e Rrugës së Arbërit. Kuvendi Teniko- Shkencor për Rrugën e Arbërit. Tiranë 26 maj 2007.