HISTORIA E SHEZA BALLIUT, JETIMJA NGA SKRAPARI QË U BË NUSE DHE DEPUTETE NË DIBËR


Sheza Balliu ka lindur më 1 nëntor 1944. Ajo është pasardhësja e vetme e Ismail Qerim Alushanit, dëshmor i atdheut, dhe Rrahime Qazim Fushës nga fusha e Gjerbësit të Tomoricës. Sheza është rritur jetime, pasi babai i saj u vra në luftë me bandën e diversantëve të Hamit Matjanit në 23 Maj të vitit 1947, ndërsa nëna e saj u “vra” nga zakoni i kohës, sipas të cilit ajo nuk kishte asnjë të drejtë të kujdesej për mirërritjen dhe fatin e mëtejshëm të vajzës të saj 3-vjeçare…

Për këtë ngjarje një detaj të dhimbshëm tregon dr. Ajli Alushani, i cili, atëherë në moshën 8 ose 9 vjeç, ka qenë dëshmitar. Ajliu tregon: “Më kujtohet si sot ajo ditë. Ata e kishin hipur Rrahimen në një kalë. Kur u ndodhën para shtëpisë tonë, mbasi aty kalonte rruga, te çezma, Rrahimja u hodh nga kali mbi gurin e madh që ne i thoshim “Guri i shtegut” dhe e kapi atë me dy duart, sepse nuk donte të ikte, por rezistenca e saj ishte e kotë. Një dorë burri e fuqishme e merrte si të ishte leckë dhe e vendoste mbi kalë. Kjo skenë u përsërit disa herë. Më ka mbetur në mendje ai krah muskuloz, leshtor si krah gorille, ndërsa Rrahimja e shkretë që qante papushim, e tretur nga dhimbja, para tij  më dukej si  fëmijë. Ketë skenë ja kam treguar Shezes në vitet 60-të, kur ajo ishte në moshë madhore dhe nuk e kishte takuar asnjëherë nënën e saj. Që në atë kohë tregonin se xhaxhai i Rrahimes në fillim i tha asaj “hajde me ne se nëna është sëmurë” por ajo, duke kuptuar të vërtetën refuzoi, filloi të qante, mori vajzën në gji dhe nuk e lëshonte atë. Por ai i ndau me dhunë. Ja kështu ka ndodhur, një ndarje çnjerëzore e një nëne nga vajza e saj 3-vjeçare, një ngjarje shumë e dhimbshme”.

Sheza duke folur për jetën e saj tregon: ”Unë e rrita pa dashurinë prindërore, por nën kujdesin e gjyshërve, xhaxha Isufit dhe hallë Sheribasë. Për babain tim, Ismailin, të vërtetën e mësova gradualisht duke u rritur dhe isha shumë krenare, ndërsa për nënën atë pak informacion që mora ishte i pasaktë dhe kjo pjesë më dhëmb e më trishton, sepse mendoja se ajo më kishte braktisur. Të vërtetën për nënën time unë e mësova vonë, atëherë isha në universitet. Rrethanat dhe mundësia për të takuar nënën time u krijuan në vitin 1966. Më vjen keq që nënën time të mirë nuk munda ta takoja më herët; që edhe unë në fëmijërinë dhe rininë time të përjetoja dashurinë e saj”. Për disa minuta Sheza emocionohet dhe nuk mund të flasë, por njëkohësisht për këtë pjesë ajo rezervohet të shprehet. “…Nuk ishte shkruar që unë të takoja më herët nënën time dhe për këtë fajësoj kohën, por, ndoshta, dhe njerëzit që për këtë gjë u treguan të padrejtë”.

Sheza vazhdon tregon: “Shkollën 7-vjeçare e bëra në Gjerbës, ndërsa në vitin 1958 fillova studimet në shkollën e mesme mjekësore në Tiranë. Mbështetjen financiare e kisha të siguruar nga shteti, pasi përfitoja nga Ismaili që ishte dëshmor. Mbasi përfundova shkollën e mesme me rezultate shumë të mira, në vitin 1962 fillova studimet e larta për mjekësi në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, të cilin e mbarova   me sukses në vitin 1967 dhe po këtë vit u diplomova si mjeke e përgjithshme. Periudha e shkollës së mesme dhe asaj të lartë ka qenë për mua koha kur unë mora kulturën dhe edukimin profesional. Kjo ka qenë një periudhë rilindje për mua, pasi edukimi dhe pjesëmarrja në jetën sociale krijuan te unë personalitetin e duhur për të ecur më tej me sukses në rrugën e jetës”.

Pastaj, Sheza tregon për shokun e jetës së saj, njeriun e mirë dhe të mirënjohurin, dibranin Tush Balliu, si dhe për takimin me nënën e saj në vitin 1966. “Me Tushin, në fakultet kemi qenë në të njëjtin grup, u njohëm qysh në vitin 1962. Në vitin 1965 Tushi më kërkoi për shoqe jete. Ne e njihnim mirë njëri tjetrin prandaj unë pranova. Ne e shpallëm lidhjen tonë dhe një vit më pas u fejuam. Ndërkohë, unë kisha mësuar të vërtetën për nënën time, prandaj vendosa ta takoj atë. Në këtë kohë Rrahimja ndodhej në fshatin Zerec të Korçës, pasi, natyrisht, prindërit e saj e kishin rimartuar. Me brengë në zemër, kundër dëshirës së saj, ajo kishte pranuar fatin e ri i cili kësaj here, për Rrahimen, ishte treguar zemërgjerë. Ajo kishte ndërtuar një familje të re dhe kishte katër fëmijë, tre djem dhe një vajzë si dhe gëzonte respekt dhe mirëkuptim nga i shoqi. Vajta në Gjerbës bashkë me Tushin, i cili i kërkoi Isufit se donte të takonte nënën e Shezës. Isufi i befasuar, pasi u mendua pesë minuta e miratoi kërkesën. Ditën tjetër u nisëm për në Zerec, ishim katër veta, xhaxha Isufi, Tushi, unë dhe Resuli. Për herë të parë pas rreth 19 vjetësh mu krijua mundësia të takoja nënën time.

Me sytë e mbushur me lot Sheza tregon: “Takimin me Rrahimen e kam të vështirë ta përshkruaj me fjalë. Kur u afruam para shtëpisë ata kishin dalë dhe po na prisnin, ndërsa Rrahimja ishte shumë e emocionuar dhe e përmalluar. Kur më takoi ajo vetëm më puthte, më ledhatonte dhe qante. Dhe kështu kaloi gjithë ajo natë, ajo nuk mu nda për asnjë moment. Këmbët e mia u lanë nga lotët e saj. Në një kornizë në mur ndodheshin fotografitë e saj me Ismailin si dhe një fotografi e imja kur isha 2 vjeç. Ajo grua me dinjitetin dhe cilësitë e saj kishte fituar respektin e bashkëshortit, të familjarëve, të afërmve dhe të gjithë fshatit. Por jo vetëm kaq, ajo ju kishte treguar fëmijëve historinë e saj dhe kishte edukuar te ata dashurinë për motrën e tyre të madhe të cilën ata nuk e kishin parë asnjëherë. Pritja që na bënë ishte sa e shkëlqyer, aq dhe e mirëpritur. Në atë darkë festive, për të na nderuar e respektuar, bashkëshorti i Rrahimes kishte ftuar miq dhe të afërm. Na pritën me shumë kënaqësi e përzemërsi dhe po kështu na përcollën me nderim shumë të madh. Prej asaj dite unë u bëra me nënë, prandaj vendosa e ruajta lidhje të ngushta me atë, vëllezërit dhe motrën.

Nëna ndërroi jetë para 3 vjetësh, ndërsa me vëllezerit e motrën bëhemi shumë. Ata më duan dhe më respektojnë. Për të përshkruar takim me nënën time duhet të isha shkrimtare”- përfundon Sheza tregimin për takimin me nënën e saj. Megjithatë edhe për kaq sa tregoi ne mund të mësojmë e kuptojmë shumë  për jetën e Shezës dhe të nënës së saj Rrahimes dinjitoze, e cila ishte e lumtur për familjen e re, por një brengë malli e vjetër, për Shezën e vogël, nuk e lejonin të lumturohej plotësisht. Rrahimja kishte mall të madh dhe nostalgji për kohën dhe jetën me Ismailin, sepse ata e donin shumë njeri tjetrin.

Në vitin 1967, Sheza me Tushin diplomohen për mjekësi dhe fillojnë punë në qytetin e Peshkopisë. Që në fillim Sheza dallohet jo vetëm në aspektin profesional por dhe në aspektin njerëzor. Ajo tregoi profesionalizëm të lartë dhe njëkohësisht shfaqi cilësitë më të mira të karakterit të saj si njeri. Ajo në marrëdhënie me pacientët u dallua për komunikim të ngrohtë, humanizëm, fjalën e mirë që të shëron, sjelljen miqësore dhe përkushtim maksimal për kurimin e pacientëve deri në shërimin e plotë tyre. Kur njerëzit kishin nevojë për ndihmën e doktoreshë Shezës ajo ishte në gatishmëri në çdo moment. Dhëmbsuria ndaj jetës së njeriut dhe buzëqeshja ishin virtyte të saj, prandaj Sheza fitoi dashurinë dhe respektin e të gjithë dibranëve.

Në vitet 1972-73, Sheza specializohet në fushën e neurologjisë. Vlerat e saj njerëzore ajo i tregoi edhe në familje si bashkëshorte dhe nënë shëmbullore. Tushi tregon se i jam mirënjohëse Shezës për kujdesin që tregoi ndaj prindërve të mi të moshuar, sepse ishte ajo që i mori ata nga fshati në shtëpinë tonë të vogël në Peshkopi. Sheza kudo rrezatonte mirësi, profesionalizëm dhe personalitet. Për të gjitha këto vlera Sheza zgjidhet deputete në Kuvendin e Shqipërisë për katër legjislatura rresht, nga viti 1974 deri në vitin 1990. Nga viti 1983 – 1984 Sheza ka kryer detyrën e drejtores në spitalin e Peshkopisë. Por në suksesin e Shezës meritë të veçantë ka dhe bashkëshorti i saj, i cili e ndihmoi atë, pa asnjë rezervë në familje ashtu dhe drejtim të përmbushjes të detyrave të saj si në fushën profesionale ashtu dhe atë shoqërore. Në vitin 1991 Sheza me Tushin transferohen në Tiranë ku punuan në profesionin e tyre, deri sa dolën në pension në vitin 2000. Sheza dhe Tushi krijuan një familje të shëndoshë që ishte çelësi dhe baza kryesore për të gjitha arritjet dhe sukseset e tyre. Ata lindën, rritën dhe edukuan dy vajza Anilën dhe Erisën.

Mjeku i shquar Tush Balliu ka dhënë një kontribut të konsiderueshëm në procesin e zhvillimit të mjekësisë në zonën e Dibrës, jo vetëm si mjek higjenist por dhe si drejtues për 8-vjet, në sektorin e shëndetësisë të këtij rrethi. Përshkrimi i këtij kontributi është pjesë e jetëshkrimit të këtij njeriu të mirë dhe specialisti të dalluar. Unë e mbaj mend Tushin që herën e parë që ai ka ardhur në Gjerbës, në vitin 1967. Ai tregoi vlerat dhe kulturën e tij në të gjitha takimet dhe bisedat me njerëzit e afërt të Shezës dhe të gjithë gjerbësllinjtë që njohu, prandaj fitoi respektin e të gjithëve. Me çdo bashkëbisedues në çdo rrethanë Tushi tregonte inteligjencën dhe kulturën e tij, por njëkohësisht ishte dhe shumë i këndshëm, i qeshur, i vëmendshëm në biseda dhe i respektueshëm. Ai arrinte të dilte “fitues” në ballafaqimin me kushërinjtë e Shezës, ose ndryshe qeflinjtë e rakisë, Hysenin, Sinanin etj. sepse çdo ngacmim të tyre e kalonte me sportivitet..

Babai im, Bektashi kishte kënaqësi të veçantë kur takohej me Tushin, sepse e donte dhe e respektonte. Ai e cilësonte Tushin si dhëndrin më të mirë të Alushanëve.

Sheza ka një kujtim interesant nga Peshkopia. “Kur vajta për herë të parë në Peshkopi dibranët nuk arrinin ta shqiptonin emrin ‘Sheza’, sepse ky emër atje nuk përdorej si antroponim. Ata nuk e kishin dëgjuar ndonjëherë këtë emër sepse është emër i rrallë, ndërsa kur ika nga Peshkopia mora vesh se emrin ‘Sheza’ e kishin 7 apo 8 vajza. Pra, unë çova dhe lashë atje edhe emrin tim – tregon ajo duke qeshur. “Në vitin 1994 unë me Tushin vajtëm në Peshkopi te disa miqtë tanë. Gjatë drekës dëgjoja herë pas here shprehjen: ‘Sheza na sill një broke ujë’ – prandaj  kjo gjë më tërhoqi vëmendjen, pasi për një moment mendova se më drejtoheshin mua. Pak më vonë pyeta se kujt i drejtohen. Më thanë se i thërresin një vajze e cila quhet Sheza. Kur u largova e përqafova atë vajzë dhe e pyeta pse quhej Sheza? Ajo u përgjigj: ‘Prindërit më thirrën kështu, sepse këtu në Peshkopi dikur ka jetuar një mjeke shumë e mirë që quhej Sheza’. E lashë për në fund këtë ndodhi interesante, për të njohur më mirë motrën tonë Sheza dhe  gjurmët e pashlyeshme që ajo ka lënë në Dibër.       

(Marrë nga libri i sapopublikuar “Alushanët e Gjerbësit –Jetëshkrime” me autor Nesim Alushanin, botimet “Naimi”)