LATIF MIHA NJERIU QË VRAPON MË SHUMË SE KOHA


 

Falë ndryshimit të madh që ndodhi pas viteve nëntëdhjetë dhe dyndjes rreth qyteteve shqiptare, u krijua mundësia të njihemi nga afër me miq e shokë të mirë, që nuk ishim njohur më parë dhe jo vetëm nga trevat dibrane, por edhe nga vise të tjera të vendit tonë. Mua për veten time m’u krijua mundësia të bëj mjaft miq e shokë, por dhe të bëhem një mik i tyre. Edhe Latif Miha është njëri ndër ta, që unë e njoha pas viteve nëntëdhjetë,  megjithatë, ndodh shpesh që rrimë edhe ditë me radhë pa u takuar, pasi vetë puna e tij është e tillë, gjithmonë në punë, gjithmonë në lëvizje.

Gjithë qenia e tij njerëzore lëshon vetëm mirësi e  asnjëherë ligësi. Shihemi kur takohemi drejt në sy, në fytyrë mirësi rrezaton, vetëm çiltërsi ka në shpirt. I tillë është brumosur qysh fëmijë dhe kështu është ende sot, që është bërë vetë prind. Kur bisedon me Latif Mihën, ai flet qetë, me zë të ulët, me fjalë të kursyera, por me vend. Fjala e tij peshon, por ja që nuk e thotë shpesh, e kursen. Është e gjitha kjo në natyrën e tij, që shumëkush e kërkon këtë virtyt të bukur njerëzor, por nuk e kanë, sidomos në kafen e mëngjesit kur e rrufit qetë-qetë e  biseda rrjedh vetë dashje pa dashje  edhe te politika, që në fakt është bërë më se e zakonshme kohët e fundit. Latifi të dëgjon me vëmendje, nuk të ndërpret kurrë e, kur  shikon se biseda merr rrjedhë krejt ndryshe, ul kokën mendueshëm e hesht. Hesht aq shumë, sa edhe ti që e ke përballë e kupton fare qartë se tashmë e ke shkelur disi në bisedë. Ai e ka qëmtuar fjalën si mendim në jetë, e ka përkëdhelur atë dhe e ka vendosur në funksion të shprehjes së mendimit, të botës emocionale e shpirtërore që ka.

Latif Mihën, megjithëse unë e njoh nga herët, ashtu siç e thashë më lart, ai nuk ka nevojë që ta njoh unë, nuk ka nevojë as për të shkruar në gazetë, megjithëse dëshira ime ka qenë e kahershme për t’i thënë fjalët e mia ashtu siç është dhe e njoh në fakt, por nuk më ishte bërë për mbarë pasi kafen e mëngjesit e pi shpejt dhe nuk ka nge më të qëndrojë gjatë në lokal, por atje poshtë në zyrën e tij modeste, i zënë me projektet dhe ritmet e zhvillimit, orët dhe ditët e punës së tij kanë një matës tjetër, atë të ritmit me atë se sa punë bën  “Andi konstruksion Sh.p.k” brenda një dite. Dhe mëngjesi e gjen në zyrë, por vetëm për pak orë, pastaj atje do ta takosh mes punëtorëve e specialistëve ku ngrenë kokën lart grataçelat që ndërton, të cilat  bashkohen me retë. Latifi Miha gjithmonë është në lëvizje, ai e ka kapërcyer edhe vetë kohën.

Në zyrë projekte,  aktmarrëveshje, kontrata punëtorësh e dosje pa fund, por  aty gjen të sistemuara bukur edhe libra profesionalë, por edhe artistikë, poezi e romane, studime e histori të ndryshme. Të shumtë janë edhe ata libra që ka sponsorizuar vetë. Dhe kur ka pak kohë të pushojë, patjetër që do ia kushtojë librit.

Në fakt, njohja ime me Latifin zë fill pas rrugëtimit tim  së bashku  që nisi së bashku me gazetën “Rruga e Arbërit”. Latifi jo vetëm një lexues i rregullt, por dhe një abonues e përhapës i saj në të gjithë zonën ku kishte edhe biznesin e tij. Falë tij, jo vetëm dibranët që banojnë në Kinostudio, por edhe nga  zona të ndryshme të vendit e dinë tashmë ditën kur vjen gazeta e atje  në lokalin “Bar Kinostudio” mblidhen tok të gjithë. Sot edhe po të duash ta vonosh qoftë edhe një ditë të vetme gazetën për neglizhencë apo shkaqe të tjera, lexuesit e shumtë do të turren poshtë në autobus e do interesohen se pse nuk ka dalë gazeta, kur do të dalë ky numër.

Latifi ka lindur më 18 shkurt të vitit 1965 në fshatin e bukur Qafë- Murrë të Dibrës, në Katundin e vjetër siç  e quajnë vendasit. Arsimin fillor e mbaron në vendlindje me nota të mira dhe pastaj, ngaqë vëllai i tij Osmani filloi punë inxhinier miniere në Bulqizë, e gjithë familja transferohet nga Qafë-Murra për në qytetin minator të Bulqizës. Ishin pikërisht këto vite që Latifi e la vendlindjen e bukur, atë vend turistik që do ta kishte lakmi ta vizitonte çdo turist nga   Europa, por jo që u shkëput shpirtërisht me të dhe kështu filloi një vendbanim të ri, një qytet minator plot  zhurmë e drita në çdo orë të  ditës dhe natës.

Këtu  vetë jeta ishte  ndryshe, duke e krahasuar me atje në Qafë-Murrën e largët. Qyteti ishte në lëvizje, njerëzit në lëvizje, vetë jeta ishte në lëvizje. Qyteti rrinte zgjuar ditë e natë. Dijet e para dhe ritmet e punës që ka sot, pikërisht në këtë qytet të bukur minator të strukur rrëzë maleve i mori. Latifi këtu mbaron shkollën tetëvjeçare dhe atë të mesmen të bashkuar, dega shpim me rezultate të mira.

Me përfundimin e kësaj shkolle në vitin 1984 i doli e drejta e studimit për të vazhduar Fakultetin e Inxhinieri Miniera, dega inxhinier gjeolog i mineraleve të ngurta, të cilën e mbaron shkëlqyeshëm dhe diplomohet në  vitin 1989. I pëlqeu profesioni i gjeologut, u dashurua shumë pas këtij profesioni, që  edhe pse ishte diplomuar, përsëri vazhdonte të lexonte literaturë të ndryshme shkencore që i binte në dorë.

Nga viti 1989 deri në vitin 1992 punon pranë ndërmarrjes gjeologjike Bulqizë si inxhinier gjeolog në zonën jugore të ekspeditës gjeologjike Bulqizë. Sapo ishte diplomuar, por profesioni i bukur i gjeologut e tërhiqte si me magnet drejt të panjohurave, pasi krejt të panjohura është vetë profesioni, drejt asaj që  ruante dhe fshihte prej vitesh nëntoka shqiptare. Profesion mjaft i bukur, sidomos  edhe më i bukur bëhet kur gjeologu zbulon mineralin në thellësi të nëntokës, por vetë jeta e Latifit do të merrte  rrjedhë krejt ndryshe e përfundimisht larg, shumë larg profesionit me të cilin sapo kishte filluar të dashurohej marrëzisht.  

Shumë shpejt, pasi sistemit po i vinte fundi e shteti i diktaturës po shembej përfundimisht, një erë e re po frynte kudo në vendin tonë. Kështu, po merrte fund edhe vetë ëndrra e inxhinierit të ri gjeolog Latif Miha, për t’u ndarë  nga ky profesion i bukur e plot surpriza dhe për të vazhduar të hapte një brazdë tjetër që do ta vazhdonte pa asnjë ndalesë, inxhinieri i ri, profesionin tjetër tashmë në fushën e ndërtimit.

Në vitin 1993, si rezultat i ndryshimit të sistemit, Latifi i ndërpreu marrëdhëniet përfundimisht me ndërmarrjen gjeologjike dhe gati për një vit e gjysmë punoi pranë ndërmarrjes së grumbullimit e shpërndarjes me qendër në Shupenzë. Jashtë profilit, jashtë profesionit, jashtë dëshirës, por kushtet ekonomike e detyruan të punonte këtu.

Ishin pikërisht këto vite të ngjeshura e me ngjarje të mëdha që po ndodhnin në vendin tonë, ngjarje këto që as ishin menduar e as ëndërruar dikur, por ja që u bënë fakt të kryer, ku edhe shumica e shqiptarëve filloi të lëvizë drejt qyteteve të ndryshme të vendit.

Qyteti i Bulqizës nuk mund t’i krijonte hapësira Latifit të futej bindshëm në ekonominë e tregut. Në vitin 1994 largohet përfundimisht nga Bulqiza e vendoset me banim në metropolin shqiptar, në Tiranë. Gjatë kësaj kohe biznesi privat sapo kishte filluar të hapet me shpejtësi. Ishin ngritur kompanitë e para në të gjitha fushat si në tregti, ndërtim, infrastrukturë. Latifi sapo u stabilizua me banim në Tiranë filloi punë në një ndërmarrje private, e cila kryesisht merrej me ndërtime, ku qëndroi këtu deri në vitin 1996.

Latifi është i martuar dhe ka dy fëmijë, një djalë që quhet Andi dhe ka mbaruar shkollën e lartë për Arkitekturë  dhe një vajzë, Kejda, që  aktualisht vazhdon studimet për Financë.

Latif Miha, me ardhjen përfundimisht në vendbanimin e ri në  metropolin shqiptar, filloi ta hedhë vështrimin më larg, kuptonte fare qartë situatat që po vinin dhe më datën 12/07/1996 regjistrohet si subjekt privat. Në fakt data e themelimit të “Andi konstruksion” është 25/04/1995. Objekti i aktivitetit të “Andi kostruksion” duke emërtuar kështu  kompaninë në emrin e djalit të tij, Andit, kryesisht në ndërtim, montim, zhvillim, zbatim për ndërtimin e linjave të tensionit të lartë dhe të ulët, rikonstruksione objektesh, prodhimin dhe tregtimin e materialeve të ndërtimit, import-eksport me pakicë dhe shumicë të mallrave ushqimore, industrial, bujqësore, tregtim karburantesh dhe të vajrave lubrifikante të të gjitha llojeve, bar kafe, administrim dhe mirëmbajtje e ndërtesave të banimit, palestër gjimnastikore e aktivitete të ndryshme sportive.

E megjithatë, i gjithë aktiviteti i kompanisë “Andi konstruksion” u përqendrua në metropolin shqiptar, në fushën e ndërtimit, ku pallatet e shumta që ka ndërtuar vërtet  sot zbukurojnë Tiranën.

Kanë kaluar më shumë se njëzet vite nga data e regjistrimit të kompanisë “Andi konstruksion”, njëzet vite nuk i thonë pak, është derdhur shumë mund e djersë, por kur shikon veprat që ka ndërtuar, bindesh plotësisht se kjo është një histori e plotë suksesi.

Latif Miha është pa dyshim njeriu i  madh e i papërtuar i punës dhe veprës së mirë njerëzore, i cili bashkë me kompaninë  “Andi    konstruksion Sh.p.k” kanë krijuar marrëdhënie kaq  të mira njerëzore dhe kaq harmonike me zhvillimet në Shqipëri që nga vitet e para kur u fut në një garë të ndershme në fushën e biznesit privat dhe pikërisht në ndërtim e deri  tani ku kompania “Andi Konstruksion” i ka kaluar njëzet vite dhe po përgatitet të festojë njëzet e pesë vjetorin e lindjes.

Latifi i përket radhës së njerëzve sfidantë të epokës tonë, që po nuk bëre veprën e duhur, mund të harrohesh lehtë brenda një dite a një jave, por tashmë Latifi së bashku me kompaninë  e ndërtimit “Andi konstruksion Sh.p.k” si administrator i vetëm, e ka unifikuar dhe e ka bërë prezente veprën dhe emrin e tij.

Latif Miha është sot  administrator i njërës nga kompanitë më të suksesshme në fushën e ndërtimit, më efektive dhe më bashkëpunuese në zhvillimin e vendit tonë, me të cilën takohet çdo ditë qytetari shqiptar, sidomos ai i metropolit. Është një raport vërtetë i çuditshëm, është një lloj komunikimi me të  gjithë kategoritë e shoqërisë.

Më ka rastisur edhe mua si qytetar shpesh të gjendem në mjediset e qytetit ku ka punuar dhe zbatuar projektet  “Andi konstruksion Sh.p.k” dhe vetë konceptimi modern i kryerjes së punëve publike duket se ka të bëjë me dimensionin qytetar të shoqërisë, stafit dhe drejtuesve teknikë të saj. Jo çdo sipërmarrje ndërtuese mund të marrë përsipër punë qytetëse të tilla me dimensione të larta si konstruksion, fasadë, kubaturë brenda për brenda, mjedise çlodhëse jashtë etj.

Kompania “Andi kostruksion Sh.p.k” i ka  marrë përsipër dhe i ka realizuar, pasi edhe stafin  inxhiniero-teknik e ka të kualifikuar, ndaj nuk ka dështuar deri më sot në asnjë projekt, por ka realizuar projekte bashkëkohore. Duke llogaritur se vetëm  nga viti 2000 e deri më sot kompania e ndërtimit “Andi kostruksion”  ka ndërtuar mbi 100 000 metra katrorë ndërtim, afërsisht  850 apartamente banimi si dhe 100 njësi shërbimi, nuk i thonë pak,  është një shifër relativisht mjaft e madhe, por vetë stafi i kësaj kompanie, kolektivi punonjës dhe specialist përsëri është mjaft modest e nuk tregon habi.

Kuptohet lehtë që të mësosh sa e vështirë ka qenë për Latif Mihën për të arritur deri në këtë nivel bashkëpunimi dhe sipërmarrjesh të kapaciteteve të paimagjinueshme, pasi këto kërkojnë aftësi menaxheriale, kërkojnë intuitë dhe intelekt, kërkojnë staf të përgatitur mirë, kërkojnë para, kërkojnë dije jo të një, por të tre apo katër universiteteve, kërkojnë korrektësi dhe disiplinë të patolerueshme në çdo hap e çdo moment.

Por Latif Miha me kompaninë e tij prestigjioze ia ka arritur, madje ai është kthyer në një model suksesi për shkakun e vetëm, puna e tij, brenda  kaq viteve të fundit është përkthyer në vepra suksesi madhore të realizuara cilësisht në fushën e ndërtimeve.

Për të kuptuar më së miri ngritjen e kapaciteteve dhe cilësinë e punëve të “Andi Konstruksion Sh,p.k” mjafton të mësosh punët që kjo kompani prestigjioze ndërtuese ka kryer në Tiranë.

Tashmë “Andi Konstruksion Sh.p.k” është njëra nga kompanitë më serioze dhe më e kompletuar në zbatimin e projekteve të apartamenteve banimit dhe njësive shërbimit për fushën e ndërtimit, falë kurajos, përvojës disa vjeçare dhe praktikës bashkëkohore që po zbaton.

Në promovimin e librit tim “Musai, portreti i njeriut fisnik” që bëmë tek  hotel “Tirana Internacional”, gjatë kokteit në hollin  e hotelit Latifi më afrohet pranë e më thotë:

“Unë në fakt nuk e kam njohur nga afër Naim Plakun, por kam njohur Qerim Sulën tek këndon këngët e tij, ato vargje brilante që bënë historinë e Dibrës. Dhe, nëse e  realizon një libër të tillë për Naim Plakun, mos më kurse”.

Dhe, në fakt, Latifi e mbajti fjalën se më kishin thënë edhe të tjerë që Latif Miha nuk kursen atë që ka mbledhur me mund e djersë për artin dhe kulturën dibrane. Do të ishte e pamundur ta karakterizosh të plotë portretin e Latifit si njeri korrekt në fushën e biznesit, pasi vlerat e tij si njeri lidhen e dhe me natyrën humane  që ka, pasi si njeri beson shumë tek e mira. Ai dhuron  shumë e shpesh tek njerëzit në nevojë, aktivizohet dhe merr pjesë në problemet sociale të miqve e shokëve dhe gjen kohë e mundësi financiare për të zgjidhur sadopak problemet që kanë. Çdo njeri që ka trokitur e ka gjetur derën çelë dhe, nëse është futur i ngrysur, i lodhur, i mërzitur, i stresuar nga hallet e brengat e kohës kur ka dalë, buzëqeshja e tij  dukej qartë edhe në rrudhat e faqeve. I tillë është biznesmeni, humanisti dhe  bujari Latif Miha, jep me një dorë, që të mos e shikojë dora tjetër, jeton dhe vetë orë e çast me hallet e brengat e njerëzve të thjeshtë e në nevojë dhe mundohet sadopak t’ju vijë në ndihmë.

Kur i shikojmë sot me sy, i prekim me duar e kalojmë nëpër ato rrugë, lulishte e pallate që ka ndërtuar këto vite “Andi Kostruksion” themi me  bindje se nuk janë pak në kufijtë e shkurtër kohorë me të cilët ai ka kapërcyer një zhvillim epokal. Një punë e tillë sikur  po të ishin tre ndërmarrje ndërtimi së bashku nuk e kishin realizuar një vëllim kaq të madh pune, sidomos  ashtu siç është ndërtimi. Po të grupohen të gjitha pallatet e ndërtuara në këto vite, them me bindje se mund të ishte ndërtuar një qytet i tërë, i bukur dhe modern e vetëm nga një kompani ndërtimi siç është “Andi Konstruksion”.

Puna e “Andi Konstruksion Sh.p.k” dhe vetë drejtuesit të saj zotit Latif Miha është histori suksesi, është histori shndërrimi jo vetëm të kompanisë së tij, por histori shndërrimi për vendin tonë, që i ka marrë përsipër t’i ndërtojë dhe që në fakt i ka zbatuar deri më tani.

Ashtu sikurse unë Latif Mihën nuk e njohin shumë veta, bile ka dhe nga vetë komuniteti dibran që nuk e njohin fare. Nuk e njohin nga afër se nuk u ka rastisur, por me punën e madhe që ka bërë shpreh bindjen time se janë të pakët në numër ata që nuk e  njohin. Mendoj pozitivisht se kjo është nota e parë dhe më e mirë e merituar plotësisht e Latif Mihës që ia kanë dhënë vetë qytetarët e Tiranës. Kjo do të thotë, të të njohin të gjithë përmes punës dhe produktit social që ke bërë dhe vazhdon të bësh me njerëzit, komunitetin, qytetin, vendin, të të respektojnë për këtë punë, por mos të të njohin fare fizikisht kur mund të gjendesh dhe në mesin e tyre dhe në fakt kjo i ka ndodhur shpesh Latif Mihës.

E thashë këtë për një arsye të thjeshtë të tregojnë se Latifi është një njeri i thjeshtë, madje tepër i zakonshëm si të gjithë të tjerët, çfarë do të thotë se ai respekton rrugëtimin e tij në mënyrën më njerëzore dhe racionale që ka arritur deri këtu ku ndodhet sot.

Vlen të theksohet një gjë se biznesmenë si Latif Miha kanë ditur të kapin me mendje e me zemër thelbin e lirisë, duke e shndërruar atë në vlera me të cilën ai është i lidhur shumë.

Latif Miha ka një dimension qytetar jo vetëm me ndërmarrjen e tij të rëndësishme, me punët e mëdha që ka bërë, por edhe me konceptet e këtyre punëve, të cilat duhen kuptuar në mënyrë bashkëpunuese dhe përmes një dialektike racionale. Është një nga horizontet për të cilin ka pasur dhe ka nevojë gjithmonë një njeri i sipërmarrjeve të mëdha, si ato të Latif Mihës.

Për Latifin ka një nderim dhe respekt të madh jo vetëm në Dibër e Bulqizë, por edhe në metropolin shqiptar ku kryen aktivitetin e tij prej kaq vitesh në fushën e ndërtimit. Kam një arsye të fortë të shpjegoj dimensionin e humanizmit të Latif Mihës, i cili nuk lidhet aq klasikisht, ashtu siç e kuptojnë dhe e interpretojnë rëndomtë njerëzit.

Unë e di se Latif Miha është njëri nga njerëzit më të nderuar kudo ai që ka investuar. Aktiviteti i tij i njohur në ndërtim ka një të dhënë  shumë interesante. Ai ka qenë  dhe mbetet një sfidant i pashembullt për t’i fituar “betejat”, vështirësitë për të cilat ai e ka kthyer në fuqi dhe në energji. Të gjithë kanë gjetur një njeri bujar, fisnik, human që e kanë bërë afër me njëri-tjetrin, me njerëzit në nevojë, me hallet, gëzimet, dhimbjet, paqen. Numri i njerëzve, familjeve, sponsorizimeve të ndryshme si në art e kulturë janë të shumtë. Por humanizmi i tij është shumëdimensional, domethënës, gjithësocial. Kjo duhet kuptuar mirë.

“Andi Konstruksion Sh.p.k” është sot një aset  mjaft i rëndësishëm kombëtar i zhvillimit të vendit në strukturën më të rëndësishme  siç është ajo e ndërtimit. Gjithmonë i pandalur, progresiv, racional, Latif Miha dhe kompania e tij e ka kapërcyer vetveten, e ka kapërcyer kohën për shkakun e përdorimit mjaft mirë të mundësive dhe fuqisë së vet, duke bërë realitet ëndrrën historike të kulturës së njohur të djemve të Dibrës, duke shënuar kështu gjurmët e forta të “Andi konstruksion Sh.p.k” më së shumti në metropolin shqiptar, në Tiranë.