Me rastin e 17 janarit, 550 vjetorit të vdekjes të Skënderbeut


 

Për mendimin tim, nuk ka rëndësi në se Gjergj Kastrioti lindi në Mat, në Dibër, në Has, në Krujë a gjetkë. E rëndësishme është se ai qe, në radhë të parë, një shqiptar i madh, pastaj një dibran i madh, a matjan i madh, a hasjan i madh, a krutan i madh.

Skënderbeu, nga 26 beteja të mëdha që ka zhvilluar kundër ushtrisë më të madhe e më të egër të kohës, turqve osmanlinj, 19 beteja i ka zhvilluar në Dibër. Cili kordhëtar i madh nuk do të tërhiqte e ngrinte pusi kundër armikut në ato vende ku edhe rrënjët, degët, gurët, drurët, malet, luginat, gratë dhe fëmijët, do t’i kishte shpatulla e krah të fortë, armë fitoreje?

 

Nga ABDURAHIM ASHIKU
Gjergj Kastrioti lindi në Kullën e Gjon Kastriotit. Po ku ka qenë Kulla e Gjon Kastriotit ? Në cilën Odë shqiptare u vendos dhe u përkund djepi, i vetmi mjet që shtriu e lidhi me dizga të leshta Gjergj Kastriotin ?

Barleti, që konsiderohet më pranë tij në kohë e hapësirë, na flet për Emathian, që studjuesit e mëvonshëm (Biemi, Tivarasi, Noli) e lidhën me Matin, lidhje që KristoFrashëri e kundërshton, kurse Edith Durham, në “Brenga Ballkanike”, duke cituar Strabonin thotë se “Ai vend që tani quhet Maqedoni, dikur quhej Emathia” (f.433), emër i cili, sipas saj, do të thotë “ E Madhja”.

Autorë të tjerë, korifenj në historiografinë shqiptare si Aleks Buda e të tjerë, bazuar në përshkrimet e Barletit dhe të disa autorëve të tjerë, i kërkuan rrënjët e Kastriotëve në Has të Kukësit. Të tjerë i kërkuan dhe i kërkojnë rrënjët e Kastriotëve, madje edhe të Vojsavës, në Mirditë kur të tjerë autorë, jashtë kufijve të Shqipërisë së sotme, por brenda kufijve shekullorë shqipfolës, rrënjët e kësaj të fundit (Vojsavës ) i gjejnë në Pollog , fshatin Gradec në Gostivar.

Të tjerë autorë, hajdutë të historisë, Gjergj Kastriotin janë munduar e mundohen ta quajnë dikush Georgij e dikush Jorgji, dikush sllavoserb, sllavomaqedonas apo grek.

Gjergj Kastrioti lindi në Shqipëri, lindi shqiptar, u rrit si shqiptar, luftoi siç luftojnë shqiptarët, me shpatë në dorë, dhe vdiq shqiptar.

Për mendimin tim, nuk ka rëndësi në se Gjergj Kastrioti lindi në Mat, në Dibër, në Has, në Krujë a gjetkë. E rëndësishme është se ai qe, në radhë të parë, një shqiptar i madh, pastaj një dibran i madh, a matjan i madh, a hasjan i madh, a krutan i madh.

Në qoftë se unë në prezantimin tim do të përdor “prashajkën” duke tërheq pas vetes e paraqitur para jush tezën se Gjergj Kastrioti lindi në Kullën e Gjon Kastriotit në Dibër duke e lidhur me toponiminë që personalisht e njoh, lindi në Dibër, e cila gjeografikisht gjendet atje ku takohen vektorët e popullsisë shqipfolëse, qendra gjeografike shqiptare, nuk i mbyll rrugën kërkujt që të thotë fjalën e vet mbi fakte e dokumente. Rrugën ua mbyll vetëm atyre që emrin Gjergj e shkruajnë dhe e shqiptojnë Georgij apo Jorgji.

Barleti dhe të tjerë studiues, të afërt apo të largët në kohë me Skënderbeun, na ka lënë duzina emra vendesh që lidhen me lindjen dhe jetën e Skënderbeut. Këta emra, studiues dhe historianë të vonët i kanë lidhë me Matin dhe me Hasin. Çuditërisht ata, për një kohë të gjatë nuk i kërkuan në Dibër.

I pari, në shekullin e kaluar, në vitin 1940, në përmbledhjen historike, ende në dorëshkrim ( ! ), “ Dibra në prak të historisë”, Haki Stërmilli, autori i të parit roman historik kalorsiak shqiptar, “Kalorsi i Skënderbeut”, duke kundërshtuar Nolin paraqet si çelës për tezën e tij se Gjergj Kastrioti lindi në Dibër, toponiminë e cila përkon tërësisht me emrat dhe emërtimet e vendeve historike të cituara nga Barleti, Bjemi, Anonimi i Venedikut dhe të tjerë.

Skënderbegasi i madh Kristo Frashëri në artikullin e vet me titull “Nga ishin Kastriotët ? Ku lindi Skënderbeu? “( gazeta “Mësuesi” 4 dhe 11 shtator 1974) çështjeve në burimet historike, arkivore dhe letrare, u shtoi edhe të dhënat toponimike të mbledhura në teren.

Nga analiza e të dhënave, ai nxori konkluzionin se me emrin Has autorët e ndryshëm nuk kanë pasur parasysh Hasin e sotëm mbasi ai deri në shekullin XVI nuk quhej Has por Pashtrik, por një nga krahinat e Dibrës, qendra e së cilës ishte Qidhna e masakruar barbarisht nga Sulltan Mehmeti II më 1466 ( ku u kaluan në tehun e thikës dhe të shpatës më se dhjetëmijë burra, gra, fëmijë e pleq të strehuar aty për t’i shpëtuar genocidit otoman) në gjirin e së cilës ndodhen fshatrat Kastriot, Sinë dhe Gardhi i Poshtëm, që lidhen historikisht me familjen e Skënderbeut. Nuk është e rastit, thotë autori, që bashkëkohësi i heroit R. Voltarrano e quan të atin e Skënderbeut Gjon Dibra apo Gjon Dibrani. Kristo Frashëri thotë se nga defteri turk i përpiluar në vitin 1467 del se në fshatin Sinë, që një shekull më parë ishte zotërim feudal i Pal Kastriotit (gjyshi i Skënderbeut), banonte një familje me të njëjtin mbiemër – familja e Dhimitër Kastriotit. “ Fakti që në Sinë të Dibrës, shkruan K. Frashëri, dy orë larg fshatit Kastriot, i cili ndodhet po ashtu siç shënon kronika e Lukarit, pranë lumit Drin, tre ose katër breza pas Pal Kastriotit, ekzistonte një familje me të njëjtin mbiemër, siç është ajo e Dhimitër Kastriotit, kjo nuk është e rastit. Kjo tregon se Kastriotët ishin vendosur prej kohësh në fshatin Sinë”.

Por edhe pse ishin në fshatin Sinë Kastriotët pronat e tyre i kishin poshtë në fushë. Në mes të kësaj fushe ndodhet fshati Kastriot. Pikërisht në disa pika të caktuara të këtij fshati, një varg i tërë toponimesh janë të lidhura me emrin e babait të Skënderbeut, siç janë Kulla e Gjonit, Kopshti i Gjonit, Pusi i Gjonit, Ograja e Gjonit. Të gjitha këto të dhëna, përfundon K. Frashëri, mbështetin traditën popullore dibrane, sipas së cilës Skënderbeu lindi në Shëgjerth ( lagje e Sinës) dhe u rrit në Çelias (lagje e Kastriotit).

Po në këtë kohë, dy autorë dibranë, Hazis Ndreu dhe Ali Hoxha, lindur e rritur në këtë zonë, në shkrimin “Toponimia në ndihmë të Kastriotëve” botuar në gazetën “Mësuesi” e përforcuan tezën dibrane të origjinës së Kastriotëve. Ali Hoxha në shkrimin “Mbi lokalizimin e fushës së Betejës së Torviollit” ( Fushë e Çidhnës ) botuar në “Studime historike” nr. 3 viti 1979, në vlerë të rrënjëve të Kastriotëve na jep në dorë toponime të tilla si Kastriot, Fusha e Kastriotit, Kalaja e Gjonit ose Kulla e Gjonit, Kroi i Kastriotit, Pusi i Gjonit, Zabeli i Gjonit, Kalueri (vend në të cilin thuhej se stërviteshin kalorësit), Çeliasi (thuhet se këtu ka qenë burgu), Gjuri i Luftës, Gjardhi i Poshtëm, dikur fshat më vete, sot lagje e fshatit Sinë e Poshtme, Gjardhi i Epër në Sinë të Epër. Brenda territorit “Gjardhi i Poshtëm, ose shkurt Shgjerth janë edhe toponimet Troja, ( ku thuhet se kanë pas trojet Kastriotët) e ku ka gjurmë themelesh prej guri, Kodra e Trojes, Hambaret. Po në Sinë të Poshtme kemi edhe toponimet Pajella e Skënderbeut dhe Hurdha e Kalit të Skënderbeut. Në Sinë të Epërme ruhet toponimi Thana e Skënderbeut. Në Çidhën: Kepi i Xhitetit, Kepi i Matjes ( i cili sipas gojëdhënës shërbente për të matur ushtarët e Skënderbeut). Pusi i Skënderbeut, Guri i Kalit të Skënderbeut (në të cilin thuhej se Skënderbeu ka pas lidhë kalin e tij), Kalaja e Skënderbeut etj.

Hazis Ndreu në shkrimin e 14 janarit 1976 në gazetën “Mësuesi” vë në dukje se materiali toponimik i trevës së Dibrës jo vetëm pajtohet me burimet dokumentare mbi Skënderbeun , por ka edhe veshjen folklorike Kastriotase, gjë që i mungon materialit toponimik të viseve të tjera.

Për rrënjët e Kastriotëve në trevën e Dibrës flet edhe historia e jetës dhe e veprës së Skënderbeut. Skënderbeu, në kthim nga beteja me Huniadin, në krye të treqind kalorësve shqiptarë erdhi në Dibër. Cili hero historik nuk është mbështet në marshin e tij legjendar nga vendlindja ? Pse nuk shkoi Skënderbeu në Has të Kuksit por erdhi në Dibër dhe prej andej nisi çlirimin e vendit ?

Beteja e parë e Skënderbeut, ajo e 29 qershorit 1444 është zhvilluar në Dibrën e Poshtme, në Fushën e Çidhnës, në ato vende që Gjergji i Kastriotëve i njihte symbyllas që në vogëli. Cili strateg ushtarak nuk do të zgjidhte për të tërhequr në betejë armikun në ato terrene ku ai njeh çdo pëllëmbë toke ?

Skënderbeu, nga 26 beteja të mëdha që ka zhvilluar kundër ushtrisë më të madhe e më të egër të kohës, turqve osmanlinj, 19 beteja i ka zhvilluar në Dibër. Cili kordhëtar i madh nuk do të tërhiqte e ngrinte pusi kundër armikut në ato vende ku edhe rrënjët, degët, gurët, drurët, malet, luginat, gratë dhe fëmijët, do t’i kishte shpatulla e krah të fortë, armë fitoreje?

Kumtesë e mbajtur me rastin e 600 vjetorit të Lindjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, Athinë dhjetor 2005