NDËRMJET LUKSIT NË MONTE CARLO E VARFËRISË NË KENIA


Megjithëse unë kam qenë disa herë në Firenze, kam qëndruar e kam kaluar, kam takuar plot emigrantë që punojnë e jetojnë aty prej vitesh, por dibranin e mirë, çidhnakun që ka bërë emër në këtë qytet të artit e kulturës europiane, Adil Përnezha, nuk kisha mundur ta takoja.

Adili çau detin qysh në moshë të re, duke u bashkuar kështu me mijëra e mijëra emigrantë shqiptarë, të cilët i kthyen shpinën vendlindjes me dhimbje dhe fati e dërgoi në Firenze, në qytetin e luleve e me histori të lashtë.

Muret e fuqishme të kështjellave mesjetare që ndodhen kudo nëpër qytet, djaloshit çidhnak i sillnin ndër mend vendlindjen e Kastriotëve, formacionet e kështjellave të tyre të rrënuara nga invadorët osmanë. Ah sikur ata kështjella të ishin ruajtur siç janë këto të Firenzes – mendonte djaloshi, që sytë e tij vështronin këto mrekulli ndërtimesh mesjetare. Por jo, këtu çdo gjë është bërë ndryshe, çdo gjë e vjetër është ruajtur, çdo gjë flet për atë periudhë kohe të largët, ku në vendin e tij ende grinden e shahen historianët të thonë e tregojnë të vërtetën, por që nuk munden dot.

Adili shkeli në tokën fiorentine kur ishte mjaft i ri. Dëshira për t’u arsimuar e çoi në dyert e shkollës profesionale, ku zgjodhi degën e kuzhinës dhe prej shumë vitesh është shef kuzhine në një nga restorantet më të njohura të këtij qyteti me kulturë europiane “La Giostra”.

Fati e deshi  që të takohem me Adil Përnezhën në Tiranë, atë ditë gushti të vitit të kaluar, tek kishte ardhur me pushime.

Nga biseda mjaft e çiltër mësova shumë gjëra… “Zgjodha këtë profesion, – shton duke qeshur Adili, – pasi kam dëgjuar se “dashuria vjen nga kuzhina”. Në vitin 2006 e përfundoi shkollën me rezultate mjaft të mira dhe ishin vetë profesorët e shkollës të cilët e morën të punojë në restorantin “Il Cantastoria”, ku ata shërbenin. Ky qe një fillim mjaft i mirë për djaloshin çidhnak dhe shërbeu si një suport i rëndësishëm për të “udhëtuar” në fushën dhe artin e kulinarisë. Fati e çoi që qysh në hapat e parë të profesionit të njohë e të punojë me personalitete të kulinarisë fiorentine e më gjerë. Ai çdo ditë “zbulonte” sekretet e profesionit të cilat i japin mjaft kënaqësi e siguri. Kështu, Adili ngjiti ngadalë shkallët e karrierës, duke grumbulluar një eksperiencë mjaft të pasur nëpër restorante të njohura në Itali, Francë e deri në Kenia.

Aktualisht ju punoni në restorantin “La Giostra” në Firenze, i njohur edhe në Evropë. Jeni në pozicionin e shefit të kuzhinës. A mund të na thoni diçka më shumë për këtë eksperiencë?

Po, këtu te “La Giostra” punoj prej vitesh, fillimisht si kuzhinier e tani prej dy vitesh me detyrën e shefit të kuzhinës. Jam i kënaqur për çfarë kam arritur, por vërtet përgjegjësia është mjaft e madhe, pasi edhe klientela e këtij restoranti është mjaft e përzgjedhur. Pothuajse çdo natë kemi njerëz me emër të të gjitha fushave. Këtu darkojnë figura e personalitete të shquara të sportit, të artit, politikanë etj. Pikërisht për këtë arsye edhe përgjegjësia jonë është permanente në drejtim të ruajtjes së klientelës. Menaxhimi i kuzhinës është një sfidë e përditshme dhe ne kemi gjetur “prerjen e artë” në mes kërkesës për të servirur gjithnjë ushqime të freskëta dhe asaj që asgjë të mos hidhet. Këtu hyn në lojë ajo që ndryshe thirret “menaxhim”, thënë me gjuhën tonë popullore kujtojmë kërkesën, ndoshta jo në kontekst, që “mishi të piqet, por helli të mos digjet”. Kjo ide plotësohet edhe me shqetësimin tonë të përhershëm, vlerësimin e çdo elementi në një pjatë, që nga vlerat ushqyese, shija e deri te paraqitja e saj.

 

Ju keni eksperiencë pune në artin e kulinarisë edhe në Amerikë. A mund të na shtoni diçka më shumë për këtë përvojë?

Në Uashington më takoi të punoja në një restorant të njohur. Ai quhej “Aqua 2”. Si kudo edhe këtu, përveç emocioneve që të jep profesioni, (kuzhina) lehtësisht sheh e mëson shumë për jetën. Ajo që më ka bërë përshtypje është se atje askush nuk lëviz kot. Çdo njeri kur del nga shtëpia ka një drejtim të caktuar, ka një plan në kokë. Të gjithë lëvizjet bëhen për punë, atje të krijohet ideja se njerëzit jetojnë vetëm për të punuar… Kjo duhet të bëhet moto edhe për shumë të rinj shqiptarë.

 

Pak më parë përmendët edhe eksperiencën në Monte Carlo. Mund të na thoni ndonjë përshtypje?

Fati më çoi të punoj në një ndër restorantet më të famshëm të Monte Carlos në Francë. Ai quhej “Cipriani”, i cili ofronte një shërbim ekselent në fushën e kulinarisë. Monte Carlo, qytet në pamje mjaft mbresëlënëse, me njerëz të shumtë në lëvizje, me një qarkullim në dukje kaotik, por me një rregull perfekt të “përpin” dhe shumë shpejt bëhesh pjesë e kësaj “rrjedhe” gjigante… Ky ndryshe mund të quhet edhe qyteti i “bosëve”, i të pasurve dhe këtë e ndjejmë më së shumti ne kuzhinierët. Në këto mjedise dukej sikur njerëzit janë në garë se kush të shpenzojë më shumë miliona në një darkë… Këtu pjata më e thjeshtë është 24 euro deri në 180 euro (pjatë me tartuf).

Çfarë kujtoni nga eksperienca në Kenia?

Kur më propozuan për të punuar në Kenia, në fillim hezitova të shkoja, pasi kisha dëgjuar për nivelin e ulët ekonomik të këtij shteti, ndaj mendova se nuk ia vlente. Por do të kisha gabuar nëse nuk do të kisha shkuar. Them kështu, pasi kjo ka qenë një ndër eksperiencat më të bukura që kam pasur deri më tani. Që në fillim dua të them se u desh një periudhë prej tre muajsh që unë të parapërgatitem për të punuar atje e kjo më së shumti kishte të bënte me disa rregulla e kushte që duhej të plotësoja për të shkuar në Kenia. Ajo që më çuditi ishte seria e vaksinave që u desh të bëja për të mos u prekur nga sëmundjet që qarkullonin atje. Resorti turistik ku do të punoja ishte vërtet një mrekulli. Shpejt u mësova me rregullat dhe me detyrën që do të kryeja. Njohuritë që kisha marrë në Monte Carlo në fushën e menaxhimit të kuzhinës duhej t’i vija në praktikë atje. Pas njohjes me detyrën dhe me vendin e punës ku do të punoja, m’u desh të shkoja të bëja blerjen e disa perimeve që na duheshin. Në stafin e punës kishim edhe dy kenianë, të cilët na shoqëronin e ndihmonin kur dilnim nga resorti. Kështu, unë mora njërin dhe dolëm për të bërë pazarin. Udhës për në treg pashë me sytë një botë tjetër nga ajo që ishte brenda resortit. Varfëria dukej kudo, para syve më dilnin njerëz me duar të rreshkura e të dobëta, me lëkurë të qepur pas kockave, e cila tregonte kequshqyerje. Blemë çfarë na u desh dhe shpejt u kthyem në resort. Ngado lëviznim shihja dhjetëra duar fëmijësh a grash që shtriheshin kah makina jonë. Këto skena më vinin vërtetë  në siklet, kur mendoja se sa ushqime tepronin e hidheshin… Një ditë tjetër na kishin planifikuar të bënim një shëtitje nëpër pyllin e pamatë të Kenias, për të parë faunën e atij vendi. Dikush na porositi që të merrnim me vete ushqime për t’jua dhënë banorëve gjatë udhës. Kjo disi më çuditi, por kur filluam të përshkonim fshatrat, kuptova se duhej të kishim marrë më shumë gjëra për t’i dhuruar. Por ajo që më së shumti më çuditi e më bëri të mendoj ishte kur kaluam pranë një shtëpie, 9 fëmijët e së cilës na dolën para duke na prerë udhën. Fëmijët me shpejtësi u vendosën në radhë njëri pas tjetrit duke shtrirë dorën. Më i vogëli ndër fëmijët ishte i pari, pastaj me radhë vinin të tjerët dhe në fund të radhës e ëma e fëmijëve. Çdo fëmijë, pasi merrte diçka në dorë, ikte me vrap duke i lënë radhën tjetrit. Kështu i boshatisëm çantat duke sjellë sadopak kënaqësi në sytë e atyre vogëlushëve, vështrimet e të cilëve na shoqëronin kudo. Pasi vëzhguam nga afër xhirafa, rinocerontë, tigra etj., u kthyem në resort duke menduar për hendekun e madh që ishte në mes jetës sonë dhe asaj që pamë në fshatra. Në resort vinin biznesmenë të cilët prishnin çdo natë nga 10 deri 15 mijë euro nata, ndërsa 100 euro do të mjaftonin për të shpëtuar një fëmijë që vuante nga malaria.

 

Na thoni diçka për ardhmen, si e mendoni ju atë?

E mendoj veten si një ndër specialistët e kësaj fushe, por që ende kemi punë për të bërë në lidhje me njohjen e eksperiencave tjera. E kam menduar disa herë se si mund të krijoj mundësi që bashkëvendësit e mi, kryesisht dibranët, të njohin më shumë këtë art dhe ta shfrytëzojnë atë. Është fatkeqësi që fshatarët dibranë përkundër shumëllojshmërisë së prodhimeve që sigurojnë, nuk arrijnë t’i përdorin për të krijuar e përdorur pjata të thjeshta e mjaft të ushqyeshme. Pikërisht për këtë arsye unë bashkë me një koleg timin kemi menduar që t’i kërkojmë botuesit të gazetës “Rruga e Arbërit” të na mundësojë një dritare për të shpalosur receta me prodhime dibrane. Shpresojmë që t’ia arrijmë.

Kështu mbyllëm bisedën me këtë djalosh, për të cilin veç tjerash, mësuam se ai së bashku me mikun e tij Erionin, kishin krijuar edhe një shoqëri të titulluar “Vivanda”, e cila merrte përsipër të organizojë dasma, ditëlindje etj. Shpresojmë se kjo shoqëri së shpejti të jetë prezente edhe këtu në Shqipëri.