Parku natyror Korab-Koritnik, mundësi të mëdha për turizmin malor


PËRSHKRIMI I ZONËS:

Ekosistemi natyror malor “Parku natyror Korab – Koritnik “, ka një sipërfaqe prej 55,520 ha, apo 555, 5 kilometër katror, pjesë e Rajonit Alpin, i përfshirë në rajonet e Kukësit dhe Dibrës. Vargmali Koritnik – Gjallicë – Korab, është i vendosur në pjesën verilindore të territorit shqiptar dhe shtrihet nga kufijtë me Kosovën, deri në malin e Deshatit, në pjesën jugore të vendit, duke u kufizuar me Maqedoninë. Ai është pjesë e rajonit Malor Qendror, të ashtuquajtur Alpet Shqiptare Lindore. Masivi në fjalë ka shumë maja malesh të ndërprera herë pas here nga tektonika radiale, që përfundojnë në formën e grykave apo të luginave.

Habitati më i bollshëm brenda zonës janë kullotat natyrore, tokat e mbuluara me shkurre dhe barishte. Pyjet e ndodhura kryesisht në pjesën veriore të parkut mbulojnë një sipërfaqe të konsiderueshme. Zonat bujqësore janë zakonisht të vendosura pranë fshatrave të banuara. Habitatet e kullotave dhe livadheve, janë gjithashtu të pranishme në zonë. Zonat shkëmbore malore mbulojnë një pjesë të konsiderueshme të parkut natyror dhe janë me mungesë, ose me mbulesë bimore të pakët.

Korabi është një masiv malor i karakterizuar në pjesën veriore nga peisazh tipik alpin me maja të thepisura shkëmbore, ndërkohë që peisazhi i pjesës së tij jugore është më i butë. Maja më e lartë e vargmalit të Korabit , maja Golem Korab( 2764 m), është maja më e lartë në Shqipëri dhe ndër më të lartat në Ballkan.

Klima në territorin e Ekosistemit Natyror Malor “  Parku Natyror Korab – Koritnik “, është e butë, kontinentale, me dimër të ftohtë e të lagësht dhe me verë të thatë e të nxehtë. Temperatura mesatare vjetore luhatet ndërmjet 7 – 10 gradë C për pjesët më të ulta të zonës dhe 2 – 3 gradë në zonat më të të larta të saj.

Reshjet janë një nga faktorët kryesorë që ndikojnë në regjimin klimaterik të zonës. Niveli më I lartë i tyre regjistrohen në periudhën Nëntor – Janar dhe pranverën e vonë, përgjithsisht në maj. Reshjet janë në nivelin më të ulët gjatë korrikut dhe gushtit.

Territori i Parkut Natyror Korab – Koritnik, përshkohet nga një rrjet i dendur hidrografik i liqeneve dhe përrenjve, të cilët derdhen në degët e Drinit.Për shkak të karakterit gërryes në basenet e lumenjve dhe përrenjve , në zonë janë krijuar lugina dhe kanione, sic janë Gryka e Vanajve, Kanioni i Bicajt, luginat e Lumës, Bushtricës, Veleshicës dhe Gramës.

Një nga lumenjtë më të përmendur të këtij territori është lumi i Lumës, si një degë e lumit të Drinit të Bardhë. Baseni ujëmbledhës ka një sipërfaqe 578 km katror.

Lumi i Belajt ka një basen ujëmbledhës prej 517, 5 km katrore, kurse pjerrësia e shtratit 19 %.

Lumi i Veleshicës ( Radomirës ), formohet nga burimet dhe rrjedhjet e Tejzës, i cili buron nga mali i Korabit, si dy rrjedha të ndara. Të gjitha këto ujra bashkohen përpara hyrjes në fshatin Radomirë.

Burimet e Tejzës dalin pranë fshatit Radomirë, ndërkohë dy rrjedhjet e tjera , të njohura si përrenjtë e Preshit, formohen nga burime të gjendura në pllajën e Korabit dhe bora e shkrirë. Vetë zona ujëmbledhëse është vetëm 17 km katror, por në zonë ka burime karstike dhe një basen të madh ujëmbledhës nëntokësor, i cili duhet marrë në konsideratë në të ardhmen.

Përroi i Bjeshkës së Shehit është një burim tjetër që buron nga mali i Korabit, në jugperëndim të tij, rreth 2700 metra mbi nivelin e detit. Ky përrua ka një zonë totale ujëmbledhëse afër 9 km katror, bashkohet me lumin e Radomirës, pas fshatit me të njejtin emër. Pas këtij bashkimi  marrin emrin përroi i Veleshicës dhe vazhdojnë rrjedhjen në drejtim të perëndimit.

Brenda zonës së parkut janë Liqeni i Gramës në rrethin e Dibrës dhe Liqeni i Kallabakut në Kukës. Liqeni i Gramës është liqeni më i madh në malin e Korabit, afër malit të Gramës, me lartësi 2345 metra. Liqeni akullnajor i Gramës ka një sipërfaqe prej pesë hektarësh.

Liqeni i Zi gjendet afër fshatit Tejzë, (Radomirë ), në një lartësi prej 1460 metra. Ai është një liqen akullnajor me një sipërfaqe prej 0, 8 ha.Liqeni njihet për vlerat hidrologjike, gjeologjike, biologjike dhe kulturore.

 

 

 

 

 

 

 

 

MONUMENTET KULTURORE, HISTORIKE DHE NATYRORE

Parku Korab – Koritnik strehon 25 Monumente Natyrore (Kategoria e tretë e zonave të mbrojtura në Shqipëri). Ata mund të klasifikohen në:

Bio Monumente.

Krasta e Pocestit – Gjendet në fshatin Pocest, 1500 metër mbi nivelin e detit. Është një territor i formuar nga guri gëlqeror dhe bimësi tjetër.

Rrapi i Kërçishtit – Gjendet në fshatin Kërçisht i Poshtëm, në komunën Maqëllarë, 700 metër mbi nivelin e detit. Mosha e rrapit është 250 vjeçare.

Boroviku i Begjunecit. – Gjendet në afërsi të fshatrave Begjunec dhe Rabdisht, 785 – 1350 metër mbi nivelin e detit. Përbëhet nga gipsi dhe bimësi tipike.

Mështekna e Shishtavecit. – Përfaqëson një pyll prej 33 hektarësh, pranë fshatit me të njejtin emër, në lartësi 1300 – 1390 metër mbi nivelin e detit. Drunjtë e mështeknës kanë një lartësi 13 – 17 metër, diametri 20 – 30 cm dhe moshë 40 – 45 vjeç.

Rrobulli, Laku i Topojanit. Gjendet afër fshatit Tërshan, komuna Bicaj, në lartësi 1450 – 1600 metër nivelin e detit. Përfaqson një pyll prej 34 ha, lartësia e drunjve 20 – 25 metër , diametri 1 metër dhe moshë 160 deri në 200 vjeç.

Pylli i Lisit i Novosejt. Ndodhet afër fshatit me të njejtin emër në komunën e Shishtavecit, 1410 metër mbi nivelin e detit. Është një pyll prej 3 hektarësh, me pemë të reja 4 – 5 metër të larta.

Gjeomonumente.

Guri i Kërçinit. – Ndodhet afër mbi 2000 metër mbi nivelin e detit, afër fshatit Kërçisht. Përbëhet nga gur gipsi dhe shkëmb kripor, 900 m i gjatë, 250 m i  gjërë dhe 200 m i lartë. Sipërfaqja e tij është 12, 5 hektarë.

Shpella e Qytetit. – Ndodhet në fshatin Bellovë, komuna Melan.. Është e krijuar nga gipsi në periudhën e Permo- triasit, por nuk është eksploruar ende.Është 10 metër e gjatë, 2 metër e gjërë dhe tre metër e lartë. Shpella është 1400 metër mbi nivelin e detit.

Pasqyrat e Gramës. – Gjenden në një faqe pranë malit të Korabit, në lartësinë 1900 metër. Shkëlqen për shkak të pranisë së selenit. Është 500 metër e gjatë dhe 200 m e gjërë.

Shllinas. – Gjendet në malin e Bardhë, pranë fshatit Vrenjt, 1200 deri 1500 metër mbi nivelin e detit. Është një masiv shkëmbor i përbërë nga gipsi dhe halitet. Përmasat e tij janë 900 metër i gjatë, 250 metër i gjërë dhe 200 metër i lartë. Vend i preferuar nga dhitë e egra, që shkojnë aty për të lëpirë kripën.

Rrafshi i Korabit. – Ndodhet në Radomirë, mbi 1900 metër mbi nivelin e detit. Është një kompleks akullnajor, rreth 1000 metër i gjatë dhe 200 m i gjërë.

Gropa e Panairit. – Radomirë, 2115 m mbi nivelin e detit. Hinkë akullnajore karstike me gjatësi 800 metër dhe gjerësi 230 m, në formën e një amfiteatri.

Po kështu mund të përmendim dhe plot Gjeo – Monumente të tjerë si Karsti i Malit të bardhë në Gramë, Grykën e Çajës, Gurin e Shqipes, Gurin e Mëngjesit, si dhe Kanionet e bukura të Bicajt dhe Vanajt.

Monumentet Ujore

Bekim Qosja, drejtor i Agjensisë së zonave të mbrojtura për qarkun e Dibrës, thotë se   do të ishte e paplotë lista e monumenteve natyrore, po të mos shtonim në të dhe monumentet e mrekullueshme ujore. Ata ndodhen në pika të ndryshme të Parkut, duke i dhënë atij një larmi e bukuri të veçantë.

Mund të përmendim sit ë tillë: Burimet karstike të Kërçinit, Ujëvarën e Pocestit në Maqëllarë, Burimet e Bellovës, Ujin e Ftohtë në Vleshë, Liqenin e Zi në Radomirë, Kroin e Bardhë në Topojan, Kroin e Kuq në Gjallicë, si dhe Kroin e Mbretit në Sarakol.

Do të ishte shumë fyese për këto peisazhe të mrekullueshme tu përmendje thjeshtë emrin, siç po bëjmë ne. Secili prej tyre mund të bëhej objekt i një vizite speciale nga grupe të ndryshme njerëzish vendas e të huaj. Për më tepër secili prej tyre mund të bëhej objekt i një reportazhi apo kronike televizive.

 

BUJQËSIA, PRODUKTET BUJQËSORE, BLEKTORALE DHE TURIZMI.

Po t’ ju referohemi shifrave do të na rezultonte se popullsia që jeton brenda territorit të parkut është jo shumë e madhe, rreth 19 mijë banorë, kurse sipërfaqja totale e tij është afërsisht 55 mijë hektarë. Sektorët kryesorë të ekonomisë lokale në këto male janë pyjet dhe bujqësia ekstensive. Me atë pak tokë bujqësore në përdorim, banorët mbjellin sasi të pakta misri, thekre, por janë prodhues të mirë të patates, sidomos në ish komunën e Bellovës. Vetëm Xhavit Feta në Zagrad kultivon mbi dy hektarë me këtë kulturë dhe synon të prodhoje farë patatie për zonën e ulët. Sipërfaqet e mëdha me kullota dhe livadhe kanë bërë që popullata e këtushme të orientohet në drejtim të mbarështimit të deles, sidomos të deles Rudë, që është një racë autoktone dhe që ngjall shumë interes për cilësitë dhe vlerat e saj. Nuk janë të paktë fermerët që kanë 300 apo më shumë krerë dele, sidomos në Kalanë e Dodës. Të tillë mund të përmendim blektorët Ramazan Kupa, Sejdi Madana, Lutfi Domi, që mbareshtojnë delen rudë, Islam Ahmati dhe lavdrim Madana, që mbarështojnë lopën e përmirësuar Për pasojë janë ngritur dhe disa pika të përpunimit të qumështit, apo sic i quajm, baxho. Ka shumë vite tashmë që  baxhierët e talentuar Sulejman Ahmati , Hysen Dabulli, Eles Cibaku, mbledhin dhe përpunojnë qumështin e blektorëve të zonës.

Produktet lokale tradicionale janë djathi i bardhë dhe ai kaçkavall, gjalpi dhe nënproduktet e tjera të qumështit, mishi, pastërmaja e produktet e tjera të tij, mjalti, frutat e pyllit dhe bimët mjekësore.

Maja e malit të Korabit, më i larti në Shqipëri, ka një bukuri të rrallë. Përveç tij ka dhe kreshta të tjera të këtij vargmali, me formacione gëlqerore dhe gipsi, mbuluar me bimë barishtore dhe kullota alpine, me lloje të ndryshme lulesh plot aromë, gjatë gjithë pranverës dhe verës. Burimet e ftohta të ujit, kataraktet, liqene natyrore, llojshmëria e luleve, pemët me gjelbërim të përhershëm,majat e maleve mbuluar me borë, ofrojnë mundësi të mëdha, për të shijuar çdo detaj të turizmit malor, dimër dhe verë. Vende si Kalaja e Dodës, me malin e Korabit në lindje, bjeshkët e Ilnicës, Rabdishti, Zagradi, Popinara, Kërçishti i Sipërm e shumë fshatra të tjerë malorë, janë atraksione, që meritojnë shumë vemendje. Mishi, qumështi, djathi, të gjitha të një cilësie shumë të lartë, monumentet e shumta natyrore  që përmendëm pak më parë, janë oferta që nuk mund tu rezistosh më, nëse i viziton njëherë. Porse është detyra jonë, e pushtetit lokal, e bashkisë, e drejtorive të ndryshme e shoqatave që operojnë në turizëm, për ti promovuar këto vlera, për ti ekspozuar e për ti bërë të prekshme. Sapo ka filluar njohja e përcaktimi i shtigjeve turistikë,përmirësimi i infrastrukturës, apo ndërtimi i bujtinave të para për të pritur turistët. Nëse na mungon eksperienca e menaxhimit të turizmit malor, le ta marrim atë tek banorët e Thethit, Dardhës, Voskopojës, apo te komshinj të tjerë , që e kanë kthyer në industri turizmin malor.

Le ta bëjmë sa më shpejt këtë, pasi popullsia në këto zona po rrallohet, numri i krerëve të bagëtive po shkon në rënie e për pasojë çdo tregues tjetër i tillë do të jetë, nëse indiferenca jonë do ti kalojë limitet e kohës.