PASIONANTI I SPORTIT DIBRAN


Nuk thonë kot, që njeriu vdes, por kurrë emri i tij… Islam Rama (Kosova) prej afro katër vitesh na mungon, por emri, buzëqeshja, gjurmët dhe historia që ai bëri në Dibër, nuk shuhet nga kujtesa në adresën e njërit prej figurave më të nderuara të sportit në Dibër. Islami ka kuriozitetin që mbante dy mbiemra, Rama dhe Kosova. Një histori kjo që vlen të tregohet që në startin e këtij shkrimi homazh, për pasionantin e sportit, që iu përkushtua si pakkush në vitet e jetës së tij. Babai i Islamit, ishte njëri prej zejtarëve më të mirë në Dibër, që kish ardhur nga Gjakova në Tiranë e më pas në pazarin e Dibrës, aty ku qeleshet dhe shajaku i tij ishin me famë. Ai u martua po me një vajzë gjakovare, por që vinte nga Tirana dhe tashmë ishte e vetmja vajzë që nga kryeqyteti, martohej në Dibër. Babai i Islamit quhej Hajrulla, por që shumica e thërrisnin, Kosova. Kësisoj edhe Islamit, duke i thirrur djali i atij tregtarit nga Kosova, i mbeti edhe mbiemri i dytë, Islam Rama (Kosova)…

Por cila është historia e tij sportive, një histori që shkruajti edhe emrin e tij në panteonin e artë të atyre që bënë historinë e sportit dibran. Islami ose Lami, që në rininë e tij, ishte djaloshi futbollist që do të vishte fanellën e Korabit. Pas mbarimit të shkollës pedagogjike në Peshkopi, ai edhe pse i ri, krijon një personalitet që i shërbeu mjaft, duke e caktuar edhe kujdestar konvikti krahas karrierës sportive. Por zanafilla e tij me futbollin nis në vitin 1956-1957 me trajner Mark Toptanin dhe ky sport do ta bënte të paepur Islamin që të luante deri në vitin 1971 e më pas edhe të gjykonte e drejtonte në stol. Kulmi i Islamit ishte viti 1962, kur Korabi doli për herë të parë në kategorinë e parë dhe mes dibranëve të paktë në atë foto suksesi, shquhej edhe Islam Rama, krahas Shemsi Manjanit, Taxhedin Shehut dhe Lutfi Manjanit. Kësisoj, fusha e sportit, do të kthehej shtëpi e dytë për Lamin, që nuk do të ndalej në pasionin e tij, tashmë edhe si mësues i edukimit fizik në Peshkopi,  Zall-Dardhë, Reç dhe së fundmi në Kastriot. Pas lënies së futbollit, ai do të ishte edhe zv/trajner me ekipin e të rinjve të Korabit, por një vlerë e shtuar e bibliografisë së tij, padyshim mbeti ajo e gjykimit. Islam Rama (Kosova), ishte gjyqtari i parë i kategorisë së parë nga Dibra, që do të ndikonte mjaft edhe në përgatitjen e emrave të rinj në kolegjumin dibran. Ai u trajnua në Tiranë dhe për shumë vite bashkë me disa djem të tjerë, ishin pjesë e një kolegjumi të dalluar në gjykimin e futbollit shqiptar. Në anketën e vitit 2000 në Peshkopi, Islam Rama (Kosova), shpallej mes 11 futbollistëve më të mirë të të gjithë kohërave, me trajner Bexhet Shehun. Dashamirësit e futbollit në Dibër mbajnë mend lojtarin elegant, që në 15 vite karrierë të futbollit nuk humbi një penallti. Gjithnjë, ai finalizonte me sukses dhe mbahej si njeriu i penalltive.

 

FAMILJA SPORTIVE RAMA

DHE MIQTË E TIJ

 

Jo vetëm Islami, por mjaft protagonistë të tjerë mbajnë firmën e mbiemrit Rama dhe miqve të tij Bardulla. Vetë bashkëshortja e Islamit, pikërisht Vjollca Bardulla Rama, ishte njëra prej qitësve të njohura të ekipit të Korabit. Vëllai i Islamit, Luani, dha kontributin e tij modest, ashtu si miku i tij Atliu dhe nipi  Dashi, afirmuan vlerat e tyre në futbollin dibran. Ndërkaq që po kaq të afirmuar ishin në basketbollin e Korabit, vëllezërit Përparim dhe Flamur Bardulla, që ishin edhe kunetërit e Islamit. Pra, duket se një dinasti sportive rrethonte mjeshtrin e sportit Islam Rama Kosova, që Korabin dhe Dibrën i kishte idhujt e jetës së tij.

 

MËSUESI PASIONAT DHE ZBULUES TALENTESH

 

Shumë talente të sportit dibran kanë firmën e një pune disavjeçare që Islam Rama Kosova bëri si mësues i edukimit fizik në disa prej shkollave në qytet dhe në fshat. Ai kurrë nuk hezitoi të punonte deri në skajet e largëta të Dibrës, si Reç, Zall-Dardhë, apo vitet e fundit në Kastriot, pa harruar punën pasionante në shkollën “Demir Gashi” në Peshkopi. Spartakiadat apo veprimtaritë e shumta shkollore kishin kontributin e vyer të mësues Islamit që punonte shumë jashtë orëve të mësimit.

 

VEPRIMTARI I SHQUAR SPORTIV

 

Shpesh në palestrën e volejbollit të Korabit kur luanin vajzat, në sekretari gjithnjë do të shihje veprimtarin e palodhur Islam Rama. Ai me saktësinë e tij shënonte pikët dhe behej pjesë e rëndësishme e një gare, që natyrisht kur fitonte skuadra e të madhit Bashkim Lala gëzonte shumë. Islami aktivizohej edhe në mjaft sporte të tjera dhe kudo që merrte përsipër, mundohej të bënte më të mirën.

 

TAKIMI IM I FUNDIT

 

Një vit përpara se të ndahej nga jeta, mësova për sëmundjen e tij dhe, natyrisht, detyrimi im nuk mund të më linte larg Islamit në ato momente të vështira. Paraliza e kish dobësuar dhe ndryshuar shumë imazhin potent të një kolosi sportiv si ai, por asesi mendjen e kthjellët dhe zemrën e mirë të tij. Sytë m’u mbushën me lot, por nuk e dhashë veten përpara tij, për të mos kuptuar vuajtjen time, por duke ruajtur mbresat e mira dhe kujtimet e bukura që më bashkuan shpeshherë me këtë personalitet të sportit dibran. Jam i sigurt që historia e sportit në klubin Korabi, emrin e Islam Rama (Kosova), do ta mbajë në vitrinën e saj, si një meteor i pashuar…

 

SI E KANË NJOHUR ISLAMIN ISH KOLEGËT, TRAJNERËT DHE SPORTISTË

NË KLUBIN KORABI?

 

Por, si e kanë njohur Islamin ish kolegët, trajnerët dhe sportistë në klubin Korabi. Xhelil Cibaku, Mjeshtër i Merituar i Sportit,  është njëri prej tyre, që nxiton të thotë fjalët e mira në adresë të Islamit. Ai e quan simbol të qytetarisë dibrane këtë meteor të pashuar të sportit, duke treguar se ka qenë njëri prej futbollistëve më përfaqësues të klubit sportiv Korabi. Ai pohon faktin se lëvizja sportive fizkulturore dhe ajo olimpike, mban edhe firmën dhe kontributin madhor të tij në rrethin e Dibrës. Gjithashtu, Cibaku pohon faktin se Islam Rama Kosova ishte një figurë universale e sportit, hokatar dhe gazmor, që ndërtoi ura miqësie në sportin dibran.