Rabdishti dhe Radomira,dy fshatrat që po përgatiten për zhvillimin e shpejtë të turizmit


Para disa ditësh qeveria shqiptare hodhi një hap të rëndësishëm për turizmin në Shqipëri. Vendosi që të investoj në 100 fshatra turistik që kanë ndikuar në zhvillimin e turizmit dhe që janë  pikat që tërheqin më shumë turistë. Në fokus të këtij investimi të qeverisë, në bashkëpunim me qeverisjen lokale dhe banorët e zonave; janë parë të nevojshme në infrastrukturën rrugore, çështjet e mbetjeve urbane si dhe përmirësimi i faktorëve të tjerë që ndikojnë në cilësinë e shërbimit të turizmit. Vendimi i qeverisë për këtë projekt-investimi është menduar të shtrihet në një periudhë 4- vjeçare.

Në Qarkun e Dibrës fshatrat e përzgjedhur janë Rabdishti dhe Radomira në Dibër, Bushkashi dhe Guri i Bardhë në Mat e Klos dhe Zerqani në Bulqizë.

Në numrat e ardhshëm do të bëjmë një panoramë turistike për Bushkashin, Gurin e Bardhë dhe Zerqanin, ndërsa këtë radhë po ndalemi te dy fshatra mjaft interesant në Dibër: Rabdishti dhe Radomira.

 

RABDISHTI

 

Rabdishti dhe Radomira janë pjesë e Parkut Kombëtar Korab-Koritnik, dhe dallohen për natyrën, arkitekturën si dhe historinë që mbartin. Gjithashtu, njihen për mikpritjen dhe nderimet që i bëjnë mikut.

Rabdishti është një ndër fshatrat tërheqës në Dibër dhe më i vizituar nga të turistët sidomos ato të huaj. Madje mbresat e lëna kanë bërë që këto vizitorë të vijnë përsëri me miq të tyre. I ndodhur rreth 7 km larg qytetit të Peshkopisë  është lehtësisht i arritshëm me makinë ose me këmbë. Duke lënë pas një ndër lagjet e vjetra të Peshkopisë si dhe Kompleksin e Llixhave, lë pas gjithçka dhe del në një mjedis krejt tjetër që ndikon menjëherë në mendjen e gjithsecilit që e viziton për herën e parë apo që rikthehet përsëri.

Gjatë ecjes përballesh me një peizazh fantastik. Gjendesh i rrethuar nga një vargmal gipsi me pisha në supe, gurë nga të katër anët në formë të çrregullt, si dhe dëllinja, trëndafil i egër dhe manaferra pa fund. Pra, e ndien veten si kur je në mes të një mjedisi ku asgjë nuk lëviz.  Tabloja që ke përpara është mahnitëse.

Në çdo hap që hedh zbulon gjëra të reja. Fillimisht bien në sy nga  larg tri fshatra të tjerë, Bellova, Cerjani dhe Zagradi. Të shtrira rrëzë këtij vargmali të krijojnë idenë gjurmëve të para të jetës. Përballë është edhe Qyteza, e shtrirë në një Kodër që duket sikur asgjë nuk lëviz. Por në të vërtetë  është një ndër pikat historike edhe për Dibrën. Aty ka qenë një ndër zonat në periudhën e Ilirisë  shërbente si qytezë për një pjesë të Fisit të Penestëve dhe si një ndër pikat tregtare të kësaj periudhe.

Dalëngadalë i afrohemi Rabdishtit. Nga larg të krijon idenë enjë fshati të vogël, por mendimi të ndryshon pas çdo hapi që afrohesh drejt tij. Përveç përmasave, element tjetër që e karakterizojnë fshatin janë gurët dhe ngjyra gri. Të gjitha shtëpitë avllitë dhe rrugicat janë punuar me gurë dhe çdo gjë duket e vendosur saktësisht në vendin që i takon. Gjithashtu, ngjyra gri që fillon nga këmbët deri në majat e çative të krijon idenë e meditimit dhe përhumbjen në mjedisin përreth.

Sikurse natyra apo historia, edhe mikpritja e nderimi që i bëjnë mikut është element tjetër që lë mbresa. Të gjithë banorët, nga më i vogli e deri tek plaku, të ftojnë për kafe në shtëpinë e tyre dhe të respektojnë pafund. Çdo mik dhe turist në fshat do të konsiderohet mik i të gjithëve. Çdokush që viziton fshati dhe vendos të qëndrojë për një ose disa net mund të qëndroj tek Sabri Shahini, Fitim Goleci si dhe familje të tjera që kanë vendosur ti përkushtohen pritjes së turistëve.

Përveç vizitës në pikat historike, në bjeshkë apo dhe fshatrat ngjitur; vizita mund të bëhen edhe tek burimet e ujërave termale apo dhe uji i ftohtë me përmbajtje gipsi për qëllime kurative. Kjo është e gjitha që mund të vizitohet në këtë fshat.

 

RADOMIRA

 

Radomira është fshati tjetër i përfshirë në projekt – investimin e qeverisë. Ndodhet rreth 35 km larg nga Peshkopia në një lartës prej 1250 m mbi nivelin e detit, është pjesë e Njësisë Administrative të Kalasë së Dodës. Nga shumë njerëz identifikohet me këngën ‘Cucë e Radomirës’, për disa të tjerë identifikohet me blegtorinë dhe produktet cilësore blegtorale. Për turistët Radomira identifikohet si fshati rrëzë Malit të Korabit, dhe si pika e nisjes së ecjes për në Korab.

Gjatë rrugës për në Radomirë shoqërohesh nga vargmalet e Korabit që janë pjesë e Parkut Kombëtar Korab- Koritnik. Për të gjithë vizitorët peizazhi është mahnitës. Malet anash rrugës të mbuluar me pishat e larta dhe lëvizjet pakta të makinave e të njerëzve të krijojnë idenë se gjithçka është e qetë. Gjatë ndalesave të shkurta për të shikuar peizazhin mund dallosh lehtë Majën e Rrunjës, Malësinë e Reçit apo më largësi vargmalet e tjera që janë e pjesë e Parkut Kombëtar të Selishtës, Lurës dhe Luznisë. Diku rrëzë këtyre maleve dallohet dhe Drini Zi.

Shpesh për njohësit e historisë kjo zonë identifikohet me luftërat e periudhës 1913- 1921 kundër forcave Serbe, dhe për figurat e kësaj zone. Për këtë bërë edhe dokumentarë e studime. Por ajo që vlerësohet dhe bën përshtypje tek vizitorët e studiuesit janë organizimi dhe hierarkia shoqërore mbi disa norma, përveç respektit që kanë për ligjin. Bazuar në këto norma niveli më i lartë i drejtimit të fshatit është Pleqësia dhe Kuvendi që vendos quhet Itifaku. Funksionimi i këtyre dy elementëve socialë ka ndikuar pozitivisht në ruajtjen natyrës dhe parkut kombëtar të Korabit.

Gjithashtu, mikpritja është pika tjetër më fortë e Radomirës. Për banorët e zonës miku dhe turisti vlerësohen e nderohen shumë. Çdokush që viziton fshatin është i mirëpritur tek familja e çdo fshatari duke u respektuar sipas traditës së zonës. Këtu gjen vend fjala e urtë “Shpia është e mikut dhe e zotit”.

StiliiI ndërtimtarisë së shtëpive me gurë dhe natyra përreth, që nga pishat e lulet shumëngjyrshe e deri në majën e Korabi në horizont, të krijon idenë që gjithçka është përshtatur mjaft mirë me mjedisin përreth. Të krijohet ideja që njeriu aty nuk ka dorë fare. Por nëse do të kuptosh sa të dashur ndaj natyrës, dhe mikpritës e festivë janë banorët e kësaj banorët e kësaj zone mund të vizitosh Radomirën në 2 Korrik në festën e fshatit. Madje kjo festë është një ditë ku  intelektualët dhe emigrantët rikthehen në vendlindje për të treguar se edhe vlerat intelektuale janë pjesë e kësaj zone. Një djalë i kësaj zone, Lefter Daku, profesor në një universitet në Shtetet e Bashkuara, kthehet sëbashku me djalin çdo vit për një kurs veror për mësimin e anglishtes fëmijëve të këtij fshati.

 

* * *

Zgjedhja e këtyre dy fshatrave në këtë projekt- investim përbën një avantazh për të gjithë zonën e Dibrës. Përveç zgjidhjeve problemeve me infrastrukturën, mbetjet dhe zhvillimin që merr turizmi në këto dy zona, efekti tjetër është për ngritjen e një mekanizmi të tërë për zhvillimin dhe promovimin e të gjithë kësaj zone. Në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikon në të ardhurat dhe zhvillimin e këtyre dy zonave që janë Portat e këtij Parku Kombëtar dhe si pika të nisjes për ture dy ose tri ditore. Indirekt rrit numrin e të punësuarve tek zonat pranë dhe nxit të rinjtë që të mendojnë projekte për këtë sektor, që të punësohen dhe promovojnë zona të tjera të Dibrës. Mendoj që tani radha për të ‘lëvizur gurët e mullirit’ janë qytetarët me projekt-idetë për të qenë të suksesshëm në atë që kërkojnë.