Rabdishti mirëpret vizitorët e parë si fshat turistik


Përfaqësuesja e USAID Albania në Shqipëri, Znj. Catherine Johnson dhe Shefja e Bashkëpunimit për Zhvillim të Ambasadës Suedeze, Znj. Birgitta Jansson, së bashku me ekipin e tyre ishin vizitorët e parë të fshatit turistik në Rabdisht, njëri nga modelet që do të krijohet në kuadër të projektit “Dibra: Turizëm dhe Traditë”, financuar nga USAID Albania, Ambasada Suedeze në Tiranë dhe zbatuar nga ALCDF në partneritet me Bashkinë Dibër.

Nën shoqërine e drejtoreshës së ALCDF znj. Lindita Manga, stafit të D2T dhe kolegëve të CNVP, vizitorët nga Tirana u pritën në një nga shtëpitë pritëse të z. Sabri Shahini nga zonja e shtëpisë dhe gratë e tjera të fshatit që do të jenë zonjat e shtëpive pritëse në një të ardhme të shpejtë.

Mikpritja dhe bujaria e banorëve të Rabdishtit ishin shumë të ngrohta nën çatitë e muret e gurta të shtëpive karakteristike dhe nën borën që mbulonte gjithçka, por jo bukuritë e natyrës, të cilat në këto ditë dimri dukeshin edhe më të bukura. Çajrat e ngrohta të luleve dhe frutave të malit, lëngu i boronicës dhe thanës, kompostot e ftoit dhe kumbullave, frutat e mollëve, arrave, lajthive mbushën jo vetëm tavolinën, por edhe me bujarinë e të zotit të shtëpisë dhe zonjave të fshatit shtuan kënaqësinë e vizitorëve, të cilët ishin dhe përfaqësuesit kryesorë të dy donatorëve të projektit “Dibra: Turizëm dhe Traditë” (D2T).

Vizita në rrugicat e Rabdishtit, në shtëpitë karakteristike dhe bisedat me banorët e shumtë që u takuan gjatë rrugës, krijuan një pamje sa më të qartë të projektit se ku do zhvillohet dhe ku do të synojë ndërhyrja. Mbresat nga vizita ishin shumë të kënaqshme. Ky ishte një fillim i mbarë ose ndryshe, gjysma e punës.