REXHEP GREVA,NJË ZË QË MË VJEN NGA LARG


 

E kam në vesh e më vjen nga larg. Nuk më ikën se s’mund të ikë. E kam kap dhe nuk e lëshoj. Më ka kap dhe nuk më lëshon.

Ma solli e bija, Besa, në një bisedë shkurt në efir.

E pyeta:

Ka qenë një centralist në centralin telefonik të Peshkopisë që kishte një zë që të bënte për vete, ishte mik me të gjithë, sigurisht edhe imi, shakaxhi që të mbante gjallë. Ai kishte një vajzë që e quanin Besa, nxënëse e shkëlqyer e zonjës time, Natasha Ashikut. Mos jeni ju ajo vajza e rrëfenjës time të shkurtër. Po qe se po më shkruaj diçka për babanë tënd, jo shkurt por gjatë. Më dërgo edhe një fotografi të tij se më ka marrë malli ta shoh.
Natën e mire!

E befasuar nga shkrimi,

E emocionuar nga përshkrimi,

E vlerësuar nga mendimi!

Më shkroi. 

Jam unë “vajza” e rrëfimit…

Të falënderoj pa masë për konsideratën!

Ju përqafoj me mall. Në veçanti zushën time të dashur…

Më dërgoi një fotografi.

Veshur me kostum gri, me kapele të zezë republike, në një valle popullore… Rexhep Greva serioz.

Pak e zbehtë fotografia…

U gëzova. Shkrova:

Gjallë është?

U gëzova. Qenka bërë serioz. Si ta dëgjoj në telefon zërin e tij. Më ka marrë malli!

Vërtet më ka marrë malli. Rexhep Grevën kush nuk e njihte në Peshkopi. Njerëzit në rrugë tek shkëmbenin përshëndetje me të, tek ndjenin humorin dhe gëzimin në fjalët e tij…

Njerëzit që komunikonin me të në telefon. Kurdoherë i gatshëm të të dëgjonte dhe me një gatishmëri të jashtëzakonshme për të të lidhë me këdo që kërkoje jashtë qytetit të Peshkopisë, me Tiranën e të gjithë Shqipërinë.

Gërmova në kujtesë centralistët, ata që na lidhnin me njerëzit, ato gra të respektuara që unë dua t’i përshëndes personalisht për marrëdhëniet me mua si gazetar në ditët e mia më të vështira kur më duhej të përcjell ngjarje që lidheshin me Dibrën në kapërcyell të kohëve 90-të, që asnjëherë, edhe pse ishin “demokrate” nuk ma prenë linjën, nuk ma munguan respektin…
Minen, Mine Bahollin e kujtova menjëherë, korrekte gjithnjë, zë që të ndillte respekt…

Nuk më vinin të tjera në rrjedhë të kujtesës. Për një arsye sepse ata ishin gjithnjë të mbyllura me fishat e centralit telefonik në dorë, njihja zërin që në rrugë nuk e lidhja dot me figurën.

I kërkova ndihmë Mondit, vlonjatit që u bë më dibran se dibranët.
Hezitoi të më përgjigjet menjëherë. “Do të lidhemi në mbrëmje” më tha. Më solli Semaiha Kojkun, Zurie Isakun, Fatime Smaçin e Fatime Kuçin, Zarifka Shehun e Violeta Muçën…

Unë i shtova Tufë Kallaveren, centralistin e natës…

Nuk e mbante mend. Kishte të drejtë. Tufa ishte nga më të vjetrit…

Sot, 28 dhjetor 2018, pas 22 vjet ikje nga zëri i tyre në centralin e Peshkopisë tek shkruaja ndjeva ngrohtësi, një dashuri në shpirt për këto njerëz të heshtur që i njohëm nëpërmjet zërit dhe shërbimit të tyre ndaj njerëzve në gëzimet dhe hidhërimet e tyre.

Më vjen keq që në arkivin tim nuk gjeta ndonjë foto të tyre.

Gjeta një foto me centralistet e Bulqizës që do ta përdor në ndonjë rast, ose thjesht në facebook…