Shkolla Pedagogjike e Dibrës, vatër e ndritur e dijes për gjithë zonën verilindore


 

Nga Shemsi MANJANI*

Shtatëdhjetë vjet më parë, në shtator të vitit 1948, hapi dyert shkolla e parëe mesme në Dibër, shkolla pedagogjike, që rrezatoi dritën e dijes në gjithë zonën verilindore, një ndër zonat më të prapambetura deri në atë kohë në gjithë Shqipërinë.

Qëllimi i shkrimit, aq sa e lejon hapësira e një artikulli, është sensibilizimi në kohë për të përkujtuar këtë 70-vjetor të asaj shkolle që ishte elita e parë për përgatitjen e mësuesve të zonës dhe për gjenerimin e personaliteteve vendase, të munguar prej shumë vitesh. Është dëshirë e kërkesë kjo e përsëritur e ish-pedagogjikasve që punuan me përkushtim gjatë gjithë jetës së tyre në detyrën fisnike të mësuesisë dhe e gjithë banorëve mirënjohës për ta të zonës verilindore.

Viti 1948, kur u hap shkolla pedagogjike e Dibrës, e gjeti këtë rreth me afro 90% të popullsisë analfabete, vetëm me 14 mësues me arsim të mesëm pedagogjik që kishin mbaruar Normalen e Elbasanit. Rrethet e tjera verilindore,edhe më keq se Dibra. Për të lexuar apo për të shkruar një letër qëllonte të bridhje nga  një fshat në tjetrin. Në ato pak shkolla të hapura deri në atë kohë jepnin mësim, përveç mësuesve të mësipërm, shumë të tjerë pa arsim përkatës, të përzgjedhur për këtë detyrë, ndonjëri ish-pjesëmarrës në Luftën Nacionalçlirimtare, të cilët me përkushtim, duke mësuar vetë më parë, mësonin dhe nxënësit e tyre. Vendimtare në funksionimin e këtyre shkollave kanë qenë mësuesit me arsim përkatës, apo me përvojë, të ardhur kryesisht nga rrethet e Elbasanit e të Shkodrës, dy qendrat kryesore arsimore e kulturore të vendit. Ndihma e parë e tyre, sidomos nga mësuesit e ardhur nga Elbasani, i ka fillesat në vitin 1923-1924në shkollën e Kastriotit, që quhej shkollë plotore me 6 klasa, pas së cilës mund të vazhdoje shkollë të mesme. Nga kjo shkollë, ndonjëri do të punonte si mësues. Ndihma do të vazhdonte dhe shumë vite më vonë, nga kërkesat në rritje me hapjen e shkollave 7-vjeçare,kur ky arsim u bë i detyrueshëm pas vitit 1963, dhe me fillimin e hapjes, po në këtë kohë,të shkollave të mesme në të gjitha rrethet. Populli i zonës verilindore u është mirënjohës përjetë mësuesve të rretheve të sipërpërmendura apo dhe të ndonjë rrethi tjetër për kontributin e dhënë për të, duke punuar larg familjes, duke u përballur dhe me vështirësitë e njohura të atyre viteve.

Dy-tre vite para se të hapej shkolla pedagogjike, si kudo, dhe në këtë zonë kishte filluar të funksiononte ndonjë shkollë plotore me pak nxënës, me ndërtesa të papërshtatshme. Në qytetin e Peshkopisë, në vitin 1946 u hap konvikti, kryesisht për nxënës dibranë e matjanë(në Mat nuk kishte shkolla unike) apo dhe për ndonjë fëmijë që kishte mbaruar shkollën fillore (ciklin e ulët) me rezultate të shkëlqyera, fëmijë të familjeve të varfra përfshirë dhe fëmijë dëshmorësh, që dëshironin të vazhdonin shkollën 7-vjeçare. Kushtet në konvikt ishin të vështira në çdo drejtim: për ushqimin, strehimin e studimin.

Në mars të vitit 1947, rastësisht mësuam se po hapeshin themelet për ndërtimin e një shkolle të mesme. Më pas na u tha se ajo do të ishte shkollë pedagogjike ku do të kishim mundësinë të vazhdonim ne pas mbarimit të unikes, për t’u bërë mësues. Ky lajm i papritur e i pamenduar më parë ngjalli një gëzim të papërshkrueshëm te ne të gjithë. Edhe më shumë u gëzuan prindërit tanë, shumica analfabetë, kur,gjatë përqafimit,në vizitat e radhës, dëgjuan lajmin tonë të gëzuar se do të bëheshim mësues. U shfaq menjëherë interesimi i tyre për vërtetësinë e këtij lajmi, qëu përhap shpejt prej prindërve tanë dhe tek të afërmit kudo ku ishin,me t’u kthyer pranë familjes gjithë gëzim e krenari. Atmosfera e gëzueshme në shkollë e konvikt bëri që të përballonim më me lehtësi vështirësitë që na kishin çuar deri në  mendimin e gabuar për të braktisur konviktin e shkollën unike pa e mbaruar atë.

Ndërtesa e re e pedagogjikes u ngrit në afatin e caktuar e me cilësi në fushën ku ndërkohë kishte filluar dhe ndërtimi i qytetit të ri të Peshkopisë. Specialistët gollobordas dibranë,prej vitesh me përvojë në ndërtimet e veprave në gjithë Shqipërinë, ndërtuan shkollën e mrekullueshme. Kjo pohohet në çdo takim të ish-pedagogjikasve, sa herë bie fjala. Ndërtesa ishte ndoshta më e mira deri atëherë në të gjithë vendin, gjë që e shprehnin dhe mësuesit e ardhur  për të dhënë mësim nga qytetet mëdha të Shqipërisë. Shkollë me tre kate, me 12 klasa mësimi të vendosura vetëm nga njëra anë duke lejuar dritë dhe në korridoret e gjëra nga ku dukeshin oborri dhe fushat sportive nga ana e pasme e saj, palestra dhe ushtrimorja, gjithashtu me tre kate. Dhomat dhe ambientet e tjera për konvikt plotësonin çdo nevojë duke filluar nga mensa e kuzhina në katin përdhes me hapësirën e duhur e me dritë të mjaftueshme. Ndërtimi i kësaj shkolle qe një investim i madh me prioritet për zhvillimin e arsimit në këtë zonë të prapambetur.

Dy klasat e para që filluan mësimin në këtë ndërtesë, përbëheshin kryesisht nga ne nxënësit konviktorë dibranë e matjanë që kishim mbaruar uniken, pjesa tjetër të ardhur nga Kukësi, një vit më vonë dhe nga Tropoja. Klasat e shumta të mbetura bosh do të vazhdonin të përdoreshin përkohësisht nga shkolla 7-vjeçare e vetme e qytetit për nevoja të ngutshme. Numri i nxënësve sa vinte e shtohej duke krijuar dhe klasa paralele. Nga mesi i viteve’50-të erdhën për herë të parë dhe vajza nga Dibra e Burreli, konviktore, ndonjë dhe e jashtme (kështu quheshin jo konviktorët) nga qyteti i Peshkopisë apo ndonjëra nga rrethe të tjera me prindër me punë në Dibër. Ishin dallëndyshet e para vajza që, me arritjet dhe ndikimin e tyre, luajtën rolin kryesor në këto zona për emancipimin e gruas në të ardhmen.

Në fillim,mësuesit erdhën nga rrethe të tjera. Drejtori i parë i shkollës qe Rexhep Kacadej nga Elbasani, i cili sapo kishte mbaruar me rezultate të shkëlqyera Institutin Pedagogjik 2-vjeçar në Tiranë. Pas tij, Pandi Cici, korçar, mbaruar studimet në Francë. Të dy qëndruan në këtë detyrë nga një vit. Më gjatësi drejtor qëndroi shkodrani Shefik Osmani që sapo kishte mbaruar studimet në Institutin Pedagogjik gjithashtu me rezultate të larta. Ai ishte drejtor dhe kur dolën dy maturat e para në vitet 1952 dhe 1953, kur disa nga ne do të fillonim studimet e larta në Institutin Pedagogjik dy- e katërvjeçar, ndonjëri dhe jashtë shtetit në Bashkimin Sovjetik. Filluan të dilnin kuadrot e parë me arsim të lartë për zonën. Pas drejtorit Shefik Osmani, drejtorë deri në mbyllje të pedagogjikes do të ishim ne, dibranët.

Shkolla pedagogjike e Dibrës do të kishte pasur më shumë rezultate në përgatitjen e kuadrit, nëse nuk do të ishte bërë gabimi, i pranuar më vonë, mbyllja dhe hapja disa herë me ndërprerje disavjeçare, gjithmonë me urdhër të Ministrisë së Arsimit. U mbyll në vitin 1967, pas 19 vitesh, u rihap në vitin 1972 e kështu me radhë,u mbyll më 1976-ën, u rihap më 1984-ën, u mbyll përsëri më 1990-ën, u rihap më 1998-ën, një klasë e atashuar pranë shkollës bujqësore dhe u mbyll përfundimisht në vitin 2008. Kjo do të ndikonte për keq jo vetëm për numrin e mësuesve që do të përgatiteshin, por dhe për cilësinë e punës në vazhdimësi pas rihapjeve, nga zbehja e përvojës së fituar gjatë 19 viteve të para pa ndërprerje. Me gjithë ndërprerjet e mbylljen e saj me pasojat e mësipërme, ajo mbeti e vlerësuar dhe e radhitur pas Shkollës Normale të Elbasanit, “Shkollës së Kombit” duke pasur parasysh cilësinë, si edhe zonën së cilës i dha kontributin e saj. Pas disa viteve, kur filluan të dilnin mësuesit e parë të këtyre anëve, banorëve u pëlqente ta quanin “universiteti i zonës verilindore”.  

Kjo ishte shkolla e parë e mesme ku filloi në baza të shëndosha nga themeli formimi i të rinjve të zonës verilindore, moshës së energjisë, ëndrrave, përpjekjeve, shpresave e dëshirave, kryesorja përgatitja arsimore e kulturore, garanci për të ecur me sukses drejt arritjeve të reja të papara deri atëherë. Ata, krahas vazhdimit të punës së nderuar fisnike të mësuesit, vit pas viti do të vazhdonin dhe shkollat e larta, institutet pedagogjike dhe universitetet brenda dhe jashtë vendit. Do të ishin të parët në drejtimin e shkollave e institucioneve të tjera arsimore e kulturore, shefa seksionesh e institucionesh të tjera jashtë arsimit, sipas përgatitjes duke bërë emër kudo ku punuan  e drejtuan, brenda e jashtë rretheve të tyre. Të njohur janë disa personalitete, ish-pedagogjikas të kësaj shkolle, deri akademikë, deputetë, ministra, pedagogë në universitetet e vendit, diplomatë, ushtarakë, shkrimtarë, gazetarë e kryeredaktorë në gazetat lokale e qendrore, historianë, artistë, sportistë, shumë prej tyre me tituj  të lartë shkencorë. Dhjetëra të tjerë me kontribute për disa vite drejtues në komitetet ekzekutive e të partisë në rrethe e qendër, përfshirë dhe organizatat e masave, siç quheshin në atë kohë. Ndonëse dihen e njihen, nuk përmenden emra, shifra e hollësira të tjera për kontributet e pedagogjikave në çdo rreth, gjë që mendohet se do të bëhet në vijim në shkrimet që do të botohen dhe në 4-5 kumtesat modeste që do të mbahen nga përfaqësues të çdo rrethi të zonës verilindore, ditën e takimit jubilar në Peshkopi.

Së fundi, dëshiroj të ritheksoj se është detyrim moral i kuadrove kryesorë të pushtetit, duke filluar nga Ministria përgjegjëse për arsimin, drejtoritë arsimore në rrethe, deputetët e rretheve përkatëse e shumë të tjerë për ta përkujtuar këtë përvjetor. Do të jenë aty ish-pedagogjikase mësuesit e tyre, disa shumë të moshuar, mbi 80-vjeçarë, që kanë mbetur si lisa të rralluar, të përmalluar për ish-nxënësit e tyre e për njëri-tjetrin. Përveç këtyre, do të ketë të ftuar nga këto zona e rrethe të tjera. Komisioni që do të ngrihet me përfaqësues nga gjithë rrethet e zonës verilindore, me pjesëmarrjen edhe të një specialisti me përvojë nga Ministria e Arsimit,  mundësisht dibran, që njeh rrugën e arritjet e kësaj shkolle, do të përcaktojë detyrat konkrete për çdo rreth të zonës, kuptohet më të shumta për rrethin e Dibrës, si pritësi i mysafirëve të nderuar. Gazetat, kryesisht ato lokale, në shembullin e gazetës “Rruga e Arbrit” që, ashtu siç bëri shumë lobing me shkrimet analitike dhe cilësore për rrugën me të njëjtin emër, të organizojnë punën për të pasur sa më shumë shkrime me tematika nga më të ndryshmet, kujtime për punën, veprimtarinë e jetën e ish-nxënësve të kësaj shkolle. Është rasti që biznesmenët e rretheve të verilindore, ndonjëri ish-nxënës apo i afërti ish-pedagogjikasve, të japin kontributin e tyre për këtë takim, duke treguar dashurinë dhe respektin për shkollën,për arsimin dhe për arritjet e fëmijëve të tyre.

E rëndësishme është që përvjetor i këtij viti, me të veçantat e tij si “Viti i Skënderbeut” dhe i vazhdimit të ndërtimit të Rrugës së Arbrit, të festohet sa më bukur dhe me madhështi, ashtu siç qe madhështor kontributi i shkollës pedagogjike për Dibrën dhe zonën verilindore.

 

*Ish nxënës, mësues e drejtor i shkollës pedagogjike dhe shef i seksionit të arsimit e kulturës në Dibër.