TË PUNOJMË SË BASHKU PËR NJË FJALOR TË TË FOLMES DHE TOPONIMISË SË DIBRËS*


Ftesa e parë është për një Fjalor për të folmen e Dibrës. Ftesa e dytë është për mbledhjen dhe tubimin e toponimeve (emrave të vendeve) të Dibrës. Më pas, edhe për toponimet – një fjalor. Do të shpjegojmë shkurt vlerën dhe dobinë e këtyre dy punëve të mëdha.

E folmja e Dibrës bën pjesë në nëndialektin e gegërishtes qendrore. Është një e folme konservative në disa aspekte. Por e zhvilluar brez pas brezi në punë të fjalorit (leksikut) të saj. Këtë e tregon edhe tabloja e saj shumë e gjerë jashtëgjuhësore e çdokush mund ta shohë atë (kemi parasysh shtëpitë e odat e Dibrës, pastërtinë shembullore / vetëm një fakt: në Dibër nuk mund të kishte dhomë bashkëshortore pa hamam, veshjet e nuseve, tentenet (= dantellat), ojnat e teminat, gatesat, kuviset e bendet, fejesat e martesat etj.etj.).

Ç’pasuri fjalësore (leksikore) ruan kjo e folme? Si mund të pasqyrohet ajo në një libër, që quhet fjalor? Sa e vlefshme do të ishte kjo pasuri për gjuhën e përbashkët letrare? Si mund t’i rikthehet popullit kjo pasuri si mjet kulture? Të gjitha këtyre pyetjeve mund t’u përgjigjeshim me një fjali: Duhet hartuar dhe botuar një fjalor i së folmes së Dibrës. Me vlera të pallogaritshme për gjuhën tonë të përbashkët, siç do ta shtjellojmë shkurt pak më poshtë. Edhe për tablonë jashtëgjuhësore, që u përmend më lart, sepse siç dihet, gjithçka formësohet me gjuhë, me fjalë. Gjuha është institucion kulturor dhe ruan trashëgiminë kulturore ligjërimore të bashkësisë. Kurse fjalori është visari i gjuhës, visari i kësaj trashëgimie. Fjalori është me vlerë të pallogaritshme edhe për dialektologjinë e shqipes (sepse shembulli, që ilustron përdorimin e fjalës a të kuptimit, jepet tërësisht sipas së folmes e përveçohen kështu dukuritë dialektore e krahinore), për etimologjinë (prejardhjen e fjalëve) e historinë e fjalës shqipe (p.sh., i vokërr = i vogël – fjalë e Dibrës, e ka edhe arbërishtja; gjuhëtar = gojëtar – fjalë e Dibrës, edhe Bogdani e ka me këtë kuptim; piç = pëlqyer –  fjalë e Dibrës; krahaso në anglisht pinch; etj.), falë asaj që ka ruajtur kjo e folme.

Ç’vlera mund të vijnë për gjuhën e përbashkët letrare shqipe nga e folmja e Dibrës? Siç dihet, për arsye gjuhësore dhe jashtëgjuhësore, të folmet krahinore të shqipes kanë shërbyer e shërbejnë si burime të pazëvendësueshme për pasurimin e fjalorëve shpjegues kombëtarë të gjuhës së përbashkët letrare. Një ndër arsyet gjuhësore është kjo: Në të folmet e shqipes rron një pasuri e madhe fjalësore, e cila, për arsye historike është pasqyruar në mënyrë të kufizuar e josimetrike në botime të ndryshme letrare artistike etj. Kjo do të thotë që kjo pasuri ende nuk e ka fituar “të drejtën e qytetarisë” në gjuhën e përbashkët letrare. Që ta fitojë këtë të drejtë, duhet të pasqyrohet, sidomos në fjalorë e prej këtej, në letërsinë artistike, në tekstet shkollore, në fjalorët terminologjikë, në mjetet e informimit masiv etj. Kur ndodh kjo? Kjo ndodh kur aksh fjalë popullore krahinore sjell një emërtim të ri, të panjohur për gjuhën e përbashkët (le të themi, vetësí të qenët i vetëm e pa krahë, i vermë që mbillet në pranverë: grun i verm, kapatherem kapem e zihem keq me dikë, syfortë që nuk druhet të të dalë përpara, edhe pse të ka bërë diçka të keqe, rrugëtisht në rrugë e sipër etj.), sjell një nocion të ri (p.sh., përlutem = i lutem shumë dikujt për diçka), sjell një kuptim të ri, të panjohur (p.sh., fjala dhe në “Fjalorin e gjuhës shqipe” / 2006 ka pesë kuptime; por sipas një kumtimi gojor nga Beqir Shehu, në të folmen e Kalasë së Dodës ka një kuptim të panjohur: njësi më e vogël se krahina, me veçori të vetat natyrore, etnografike e gjuhësore, nënkrahinë) ose një ngjyresë të re kuptimore, të panjohur, (p.sh., arbënesh në të folmen e Ujemujës është edhe shqiptar/ në dallim nga evgjiti, cigani etj: ishte martaue ni arbnesh me ni xhipk) zëvendëson një fjalë të huaj të panevojshme (p.sh., tëhollëse për palare; sipas një kumtimi gojor nga Duro Ibrahimi, fjala gjallon në të folmen e Fushës së Shehrit) etj.

A ka në të folmen e Dibrës fjalë e shprehje popullore me të tilla vlera? Besojmë, ka shumë. Sepse jemi një popull me kulturë të lartë materiale e shpirtërore. Le të përmendim punën në bujqësi, ndërtimtari, zejtari etj. Këtu do të gjejmë profesionalizma pa fund. Emërtimet e veshjeve e të pjesëve të veshjeve, të zakoneve e të traditave (etnografizmat) janë një tjetër fushë e pasur. Po kaq të pasura janë emërtimet që vijnë nga lojërat popullore (tipi luejmë kujas / hanas). Emërtimet popullore të bimëve të egra (etnobotanizmat), të zogjve, të kandrrave etj. (etnozoologjizmat), të ngjyrave, të njerëzve sipas dukës a sipas vetive morale janë, gjithashtu pa fund. Gjeografia jonë gjuhësore sjell edhe sinonime (fjalë me kuptim të afërt) për gjuhën e përbashkët letrare. Krahaso, p.sh.: lëpardhë për daulinë; mëlliskë për mëllenjë; triskë për tricël; teposhte për tatëpjetë; sypafjetëm për syhapur, vigjilent; kalashtoj për përkëdhel; udhoj për përudh; përtokëz për cung, kërcu; kërçep; kacipup e pupas për galiç; pacanjegull për pasrregull etj.. Edhe fjalë që plotësojnë çerdhen fjalëformuese (tipi kacadrehen//gjuha letrare njeh vetëm kacadre. Edhe grupe të caktuara fjalëformuese që tregojnë shpirtin e së folmes (p.sh., formimet më –aj: kopshtnaj(të), rrugënaj(të),  vathnaj(të), –sh: ngathsh, kalbsh etj.).

Por edhe fjalë me kuptime të kryehershme (p.sh., në të folmen e Ujemujës, nxit i fryj zjarrit a trazoj zjarrin që të ndizet / e ka edhe Budi). Edhe fjalë të vjetra (tipi jes) ose të vjetruara (tipi kumbojnë kodër e zhveshur që e rreh era gjithandej: kam fjet mram si n’kumojn). Këto kuptime mund të gjurmohen në toponime, sidomos në minitoponime (emërtime visesh, arash, ujërash etj.), në folklorin tradicional etj. Shprehjet frazeologjike, fjalët e urta e proverbat janë një tjetër pasuri e së folmes për gjuhën e përbashkët letrare. Te këto mund të shquash edhe mënyrën e motivimit të tyre, por mënyra e motivimit është pasuri gjuhësore. Shih, p.sh., motivimin te: i baj lak dikujt a diçkaje = i bëj bisht; si thesi, mielli = si peri, gëzofi; dita ka sy e nata ka veshë = fusha ka sy e mali ka veshë; kur s’ke magjar, pse ban “ush”? = kur s’ke pula, pse bën “ish”?; s’bahet edhi sqap për nji ditë – s’majmet pata për nji ditë; ti aga, unë aga, po samarin kush e mba? = ti zot e unë zot, po dhinë kush e kullot?; mos shti kripë n’groshën e huej! = mos hidh kripë në gjellë të botës!; etj. Edhe te fjalët e përbëra, që shënojnë njerëz sipas vetive fizike a morale shquhet mënyra e motivimit të tyre (krahaso: fytyrëbrymë, fytyrëbëlsimë, fytyrë kërpudhë, zemërflori, zemërkalbtë, zemërthirr etj.). E, thënë ndryshe, te ky motivim shihet mënyra si mendon dibrani.

Po të shtonim diçka më shumë për toponimet, shprehjet frazeologjike, fjalët e urta  e proverbat, mund të themi:

Tek toponimet (emërtimet e vendeve) është e folmja e dikurshme dhe e folmja e sotme (krahaso, p.sh., emërtimet dhe formimet e tyre gjuhësore: Tej fshat në Kalanë e Dodës, si Prevezë, Qytezë etj.; Bashnjarë lagje në katundin Sllovë, turqisht bash = agá). Nëse një fshat ka 100 toponime (ndoshta, edhe 150), atëherë fjalori i toponimeve të Dibrës do të ishte mjaft i madh. Me mbledhjen e tubimin e toponimeve në një fjalor toponimesh, me një gur vrasim dy zogj, sepse kemi gjetur edhe fjalë, të ashtuquajtura të rralla, që na duhen për fjalorin me fjalë e shprehje popullore. Si? Ja, si: Vendet emërtohen sipas konfiguracionit të përcaktuar nga një mbiemër, që tregon pozitën gjeografike, natyrën, ngjyrën e dheut etj. Ka emërtime vendesh me emra kafshësh, bimësh (p.sh., Linishte = ara ku është mbjellë dikur liri), sipas lëndës që mbizotëron në përbërjen e tyre, sipas ndonjë objekti të ndërtuar atje, sipas një marrëdhënieje të caktuar (historike) pronësie / tipi Paraspore, sipas një ngjarjeje që ka ndodhur atje etj. Emërtimet e rrjedhave ujore (me emrin përrue etj.) janë një tjetër zë për fjalorin e toponimeve dhe një tjetër pasuri për fjalorin me fjalë e shprehje popullore. Në parantezë: Edhe nga patronimet – mbiemrat e njerëzve, sidomos nga ata profesionalë mund të zbulojmë fjalë (tipi Çaushi, Mezini, Saraçi, Spahia, Kapexhia). Në Defterin kadastral turk të vitit 1467, në Ujemujë të Dibrës dalin mbiemra të tillë familjesh: Buzuzije, Gjasht/e/iglishti = Buzëziu, Gjashtëgishtëshi – formime krejt shqipe. Del edhe Zografi. Zografi është me prejardhje të huaj, por është me rëndësi përmbajtja kuptimore e mbiemrit – profesioni: zograf = piktor (ikonash e afreskesh). Ky profesion është i vitit 1467. E njihte edhe Ujmuja e Dibrës – zona midis Veleshicës, Drinit e përroit të Gramës.

Shprehjet frazeologjike kanë figurshmëri të lartë e janë të pëlqyeshme në letërsinë artistike, në publicistikë etj. (krahaso, p.sh. m’ka rrjedhë koci ujë dhe kam vuajtur shumë; bajnë si arrat në thes dhe bëjnë shumë zhurmë; çan kullat e bardha dikush dhe është shumë i zoti e shumë trim). Ka nga ato që janë edhe barasvlerëse të fjalëve (p.sh., kur të çelje lisi thatë = kurrë, asnjëherë). Ato zgjerojnë vargjet sinonimike frazeologjike (krahaso, p.sh., si magjari n’duhan / e Dibrës dhe si qeni në rrush / e gjuhës letrare; folën n’arë e n’vneshtë dikush / e Dibrës dhe flet kodra pas bregut / e gjuhës letrare; del si lisi para farkës (para sharrës) / e Dibrës dhe shkon si cjapi te kasapi e gjuhës letrare). Brenda shprehjeve frazeologjike mund të gjallojnë edhe fjalë a kuptime vendore (lokale), ndoshta, edhe të kryehershme.

Fjalët e urta e proverbat janë njësi shumë të rëndësishme komunikimi për figurshmërinë që kanë e për mësimet e urtësinë që përcjellin (shih, p.sh.: shif lisin e hyn në hije; lisi rrzuem nuk ban hije; lisit i matet hija kur rrzohet; thesi bosh nuk rri në kambë; mos e prek gjarpnin me krande se e ke për t’zezën tande; zbardh faqen tande, t’zbardhish faqen e t’tjerëve). Në përbërjen e tyre ka edhe idioma – aq të pëlqyeshme për shkrimtarínë, publicistikën etj. (shih, p.sh., kaçita (= kafshata) e huej – grill në gojë / grill në gojë – idiomë). Ndryshe nga shprehjet frazeologjike, fjalët e urta e proverbat i ruajnë pothuajse të pandryshueshme ndërtimet sintaksore. Kësisoj, prej tyre vijnë edhe vlera të sintaksës popullore. Fjalët e urta e proverbat nuk kanë kufizime stilistike, çka do të thotë se duke u rindërtuar sipas standardit (gjuha letrare e përpunon fjalën popullore krahinore sipas normës, por pa e shfytyruar atë), mund të përdoren në të gjitha stilet funksionale të gjuhës së përbashkët letrare, sidomos në letërsinë artistike e në publicistikë  / edhe si sinonime me ato të gjuhës letrare (le të themi, me nji t’rame të sëpatës / me nji sëpatë: s’pritet lisi me nji sëpatë / me nji të rame të sëpatës sinonim me me një të rënë të penës: s’bëhet diçka me një të rënë të penës; n’arrën si ka koka shtijnë n’gurë sinonim me lisin n’kodër e rreh era; mos shko n’zabel pa kmesë sinonim me mos shko në pyll pa sëpatë. Kjo është një vlerë tjetër për gjuhën tonë letrare.

Po pasthirrmat e tingullimitimet? Ato janë një klasë më vete fjalësh sepse nuk formohen gjithsido, por sipas disa rregullave e kufizimeve të caktuara. Nga tingullimitimet formohen fjalë të tjera (krahaso bum  bumllon, gum  gumllon, praf  prafllon,  ft(ë)rr ftorr), çka do të thotë se sjellin edhe vlera prejardhjesore fjalëformuese.

Vetëm kaq? Jo. Pasuri tjetër e së folmes së Dibrës janë edhe urimet. Edhe eufemizmat (eufemizmi është fjalë ose shprehje që përdoret në vend të një fjale a të një shprehjeje tjetër, të cilën nuk duam ta përmendim / p.sh., farkofsh për gjarpër, e paemna për rrebull etj.). Edhe replikat e bendet e odave dibrane. Edhe emërtimet e banorit sipas vendbanimit a prejardhjes (tipi luznak, homeshas). E pse, jo – edhe vulgarizmat e mallkimet, që janë karakteristike për ligjërimin e thjeshtë në raste zemërimi e mërzitie. Ka edhe më shumë se kaq. Është si puna e detit: Kur zhytesh, e sheh sa i thellë është. Nga gjuha e popullit gjithherë veç mund të marrësh. Vetëm se duhet zgjatur dora, siç e zgjatim për të ulur degën e pemës për të marrë kokrrat.

A do ta lëmë këtë pasuri të madhe të Dibrës të humbasë? Themi të humbasë, sepse largimet nga vendlindja, përzierjet e popullsisë dhe mërgimet jashtë vendit bëjnë punën e tyre. Bartësit e kësaj së folmeje – aktualë dhe historikë, aq të mirë, aq punëtorë e aq kuvendarë janë bujq, blegtorë, ndërtues etj. A nuk na takon ne mësuesve të gjuhës ta tubojmë këtë pasuri në një libër që quhet fjalor? A nuk na takon ne mësuesve të gjuhës t’ua rikthejmë këtë pasuri dibranëve si mjet kulture? E, jo vetëm atyre, por edhe të tjerëve. Po. Edhe të tjerëve. Sepse fjalorët marrin e japin. Fjalori ynë do të merrte nga e folmja e Dibrës, por do t’ia jepte një fjalori shpjegues kombëtar, ose një letrari, publicisti, terminologu etj. e kështu, aksh fjalë do ta fitonte atë “të drejtën e qytetarisë” në gjuhën e përbashkët letrare shqipe. Atëherë, të organizohemi e të ndajmë detyrat! Sipas zonave natyrore e etnografike-gjuhësore. Sipas së folmeve. Themi sipas së folmeve sepse në të vërtetë, brenda dy Dibrave ka disa të folme. Ato lidhen si pjesa me të tërën. E tëra është e folmja e Dibrës. Pjesët janë, le të themi, e folmja e Reçit dhe e Dardhës, e Katër Grykëve, e Lurës, e Shehrit (Dibra e Madhe mund të ketë disa të folme) dhe e Fushës së Shehrit (Maqellara), e Grykës së Madhe (Zerqan, Peladhi etj.), e Grykës së Vogël (Shupenzë etj.), e Bulqizës, e Katundeve të Epra, e Çidhnës, e Kalasë së Dodës, e Muhurrit dhe e Qafë-Murrës, e Luznisë, e katundeve përreth Peshkopisë, e Ujemujës etj. Një a dy mësues për çdo zonë, që do të thotë një a dy hartues për çdo fjalor, për t’i tubuar pastaj sipas kërkesave shkencore leksikografike në një të vetëm – “Fjalor me fjalë e shprehje popullore nga e folmja e Dibrës”, me 15 000-20 000 fjalë, përveç shprehjeve frazeologjike, fjalëve të urta e proverbave.

Botanistët kërkojnë të zbulojnë bimë e specie bimësh deri në Himalaja. Mirë bëjnë. Por, para se të shkojnë në Himalaja, nund të shkojnë në Gramë dhe të kërkojmë e të zbulojnë lule e specie lulesh. Gjuhëtarët, ashtu si botanistët e kanë Gramën në Dibër me të gjitha lulet e saj. Deri tani janë botuar dy fjalorë nga e folmja e Dibrës: “Fjalor me shprehje e njësi frazeologjike nga Dibra”, nga Mevlud Buci dhe “Fjalor me fjalë e shprehje popullore nga Ujemuja”, nga H. Shehu. Dimë që Duro Ibrahimi ka punuar dhe besojmë, e ka gati për botim “Fjalorin etnografik të Dibrës”. Duhet të jetë, me siguri një punë e bukur. Por në Dibër e tek e folmja e Dibrës ka ujëvara. E, në këto ujëvara nuk mund të shkohet me një shimatës. Tek ujëvarat shkohet me enë të mëdha. Atëherë, kthehesh i mbushulluar. Por duhet shpejtuar. Të shpejtojmë se jemi me vonesë! Kur të dalë Fjalori, me rezultate aq bindëse, besoj se do të lumturohemi. Sepse kemi gjetur e kemi botuar perla. Dhe për një gjë i siguroj bashkautorët e Fjalorit: Do t’i bëjë për vete kjo punë, sapo ta nisin. Dhe nisja do të jetë shumë e mirë sepse ka edhe një model për të (është Fjalori i Ujemujës). Dhe siç dihet, fillimi i mirë është gjysma e punës.

Viti 2018 është përvjetor për Skënderbeun. Viti 2018 është përvjetor edhe për Shkollën Pedagogjike të Peshkopisë. Është ajo Shkollë që e mbushi vendin me mësues. Secili prej tyre mund të ishte autor i Fjalorit për të folmen e zonës. Atëherë, le të bëhemi autorë e bashkautorë të këtij Fjalori! Përvjetorët përkujtohen  me më shumë punë e me më shumë vepra se zakonisht. Le të na gjejnë, atëherë këta përvjetorë në punë për hartimin e “Fjalorit me fjalë e shprehje popullore nga Dibra”! Jemi të bindur që drejtoritë arsimore në Peshkopi, Bulqizë e Dibër do të na ndihmojnë në këtë punë kaq të madhe e kaq të vlefshme. Ndoshta, edhe gazeta “Rruga e Arbrit”, duke hapur një rubrikë – qoftë edhe gjysmë kolone për fjalë e shprehje popullore nga Dibra, me mendimin që, sidomos letrarët t’i marrin dora – dorës, pa pritur botimin e Fjalorit. Pse, cili do të ishte ai letrar që nuk do të lumturohej, kur t’i shihte në gazetë e kur t’i skedonte, b. f., këto dy shprehje frazeologjike të Dibrës: ha re dikush (= është shumë i zoti) dhe të ha dhevin nër kambë dikush (= është shumë i pabesë)?

 

* Titulli është i redaksisë. Ata që janë të interesuar t’i bashkëngjiten kësaj nisme, mund të komunikojnë përmes kontakteve të redaksisë së gazetës që gjenden në faqen e parë, ose mund ti shkruajnë direkt prof.dr. Hajri Shehut në emailin: hajri.shehu@gmail.com ose celular: 068 444 3902