Drini Halili: Objektivi është Kombëtarja!


Drini Halili, është dibrani 18 vjeçar që luajti për ekipin tonë përfaqësues U-19 kundër Kazakistanit, në dy sidat miqësore që ekipi ynë luajti në stadiumin “Roza Haxhiu” të qytetit të Lushnjës. Ai jeton në Graz të Austrisë dhe aktivizohet me skuadrën e dytë të qytetit GAK dhe është kandidat kryesorë për të veshur fanellën e ekipit të parë me të rriturit. Edhe babai i tij Ilir Halili, ka qenë futbollist me ekipin e Korabit të Peshkopisë, ndërsa sot familja e tij jeton në Durrës. Drini Halili ka luajtur 6 ndeshje me ekipin përfaqësues U-19 dhe ka shënuar dy gola, por po kaq ndeshje ka luajtur edhe me ekipin përfaqësues U -17. Pas ndeshjes së dytë të luajtur në Lushnjë me Kazakistanin i morëm një intervistë për gazetën “Rruga e Arbërit”, që ai e dha me shumë kënaqësi.

Si e nise futbollin Drini?
E kam nisur në moshën 7 vjeçare në Durrës. Duke pasur dhe babin tim Ilirin një ish futbollist, gjithmonë ky sport më ngacmonte brenda shpirtit dhe ëndrrës sime për tu bërë edhe unë si ai, pra futbollist. Fillimet janë me ekipin e trajnerit Mikel Furxhi dhe aty jam hedhur hapat e parë, madje në jo pak, por pesë vite. Trajneri dhe shokët, me jepnin vlerësime pas stërvitjes ose ndeshjeve të shumta që bënim, por babai im nuk kënaqej kollaj, sepse kërkonte shumë nga unë. Golat që shënoja në ndeshje e lumturonin atë dhe aty nisi të bindej është ai, që rruga ime mund të ishte edhe jashtë Shqipërisë.
Dhe kjo rrugë prej aty nisi?
Jo, kalova te skuadra U 15 e Teutës dhe aty punova me një tjetër emër të njohur të trajnimit durrsak, Lutfi Sejdini. Kishim një ekip të bukur që rivalizonte në kampionate dhe aty edhe unë personalisht pata një rritje të cilësive fizike, teknike dhe taktike. Xhaxhallarët e mi që jetojnë atje, më krijuan mundësinë që të provohesha në Graz, qytetin ku Uzriu, Arjani dhe Arturi jetonin prej vitesh. Veçmas Arjani është marrë shumë me mua. Ndaj vendosa dhe shkova atje, duke ndryshuar kësisoj kursin e rrugëtimit tim për futbollin. Atje bëra provat dhe u pëlqeva nga specialistët e ekipeve të moshave në Graz. Fillimet e mia i takojnë klubit Leibnitz, por kohëzgjatja dhe bashkëpunimi aty ishin vetëm tre muaj, sepse menjëherë kalova te ekipi “GAK 1992”.

Cilat janë disa nga arritjet e tua ne Graz?
Ndjehem mjaft mirë atje edhe pse në fillim e kam pasur të vështirë për tu ambientuar, sepse kuptohet vendi, skuadra, qyteti, njerëzit, shokët, të gjithë ishin të huaj…Por u përshtata dhe ia dola. Deri tani kemi dalë nënkampion me ekipin U-17. Në moshën 16 vjeç kam arritur të jem pjesë e ekipit të dytë të të rriturve, që për momentin ndodhemi në vend të parë. Së shpejti do të kaloj tek ekipi i parë dhe ndoshta sapo të arrij në Austri. Por krahas arritjes brenda klubit, qëllimi im ka qenë gjithmonë Shqipëria dhe ekipet tona përfaqësuese. Fillimisht jam aktivizuar me ekipin përfaqësues U-17 dhe kam luajtur në gjashtë ndeshje, ndërsa më pas kalova te moshat U-19.

Si erdhi kjo ftesë e trajnerit Bogdani dhe si është bërë përzgjedhja juaj?
Ka qenë një turne që stafi i skuadrës U-19 me trajnerin Bogdani realizuan në Zvicër. Aty mblodhën shumë talente shqiptarë që jetonin jashtë Shqipërisë. Unë pata fatin të isha i pranishëm dhe s’duket cilësitë e mia i bënë për vete stafin dhe trajnerin, që të bëhesha pjesë tashmë e një moshe më të rritur. Turneu që u bë vitin që shkoi, më ndihmoi të nxirrja në pah vlerat e mia dhe aty shënova edhe dy gola kundër Maltës. Ftesa tjetër ishte kjo e fundit, që luajtëm përballë Kazakistanit. Ndeshjen e parë mendoj se ia dolëm jo vetëm në rezultat, por edhe në lojë. Ndërsa ndeshja e dytë ishte më shumë një test për lojtarët se qëllim pqër të fituar.

Si u njohe me Marko Alinë dhe a e dije që është dibran?
Që ditën e parë qëllova te dhoma e tij dhe ai tha që jam nga Fushë Alia e Dibrës. U gëzova që ishim dy dhe krijuam vërtet shoqëri. Edhe Marko është një talent dhe të luash tek Lacio në Itali nuk është kollaj. Me Markon flasim shpesh jo vetëm për futbollin, por edhe për Dibrën. Në fakt as unë dhe as ai s’kemi lindur atje, por prindërit tanë dhe natyrisht është vendi që duam dhe respektojmë.

Meqë ra fjala për Dibrën, sa nostalgji keni për të dhe a shkoni ndonjëherë atje?
Kam lindur në Durrës, por e them me krenari që jam dibran. Dibrën e kam shumë për zemër. Babai dhe xhaxhallarët më flasim gjithmonë për vlerat dhe bukuritë e saj. Kur isha në Durrës shkonim shpesh me prindërit. Kemi akoma shumë njerëz të gjakut tonë atje. Lagja që jetonte familja ime në Dobrovë me ngjallte shume emocione. Familja jonë ishte shumë sportive. Kam dëgjuar për gjyshin tim Avni Halili që ka qenë mundës i mirë, po ashtu edhe babi im futbollist, ndërsa unë jam vazhdimësia e zinxhirit sportiv të kësaj familje.

Ëndrra tjetër cila është…?
Qëllimi i radhës është kualifikueset të ekipit U19, Dua të jap maksimumin tim në ndeshjet kualifikuese dhe uroj që skuadra jonë të arrij këtë objektiv. Më tej kuptohet që objektivi dhe qëllimi është kombëtarja e madhe. Nëse arrij ta vesh atë bluzë, do të isha njeriu më i lumtur. Gjithmonë mendoj për Shqipërinë edhe pse jetoj jashtë saj…

Të uroj suksese dhe shpresoj që intervistën tjetër ta bëjmë kur të kthehesh për ndeshjet kualifikuese.