Rruga e Arbërit i bashkon shqiptarët


Sa herë që marr e lexoj gazetën “Rruga e Arbërit”, më kujtohet gjithë zona e Dibrës. Aq e bukur e mbresëlënëse, aq historike sa dhe e mbushur me këngët më të bukura të zonave që përmbledh rreth e qark saj. Më ka mbetur në memorien time që nga viti 1986, atëherë kur shkova për herë të parë në një stërvitje ushtarake…
Ndaj në këtë moshë kujtoj masivin e malit të Korabit, më i larti i vendit tonë. Kjo me gjithë atë pllajën e bukur që janë vendosur me mijëra vjet përpara.
Që nga Kalaja e Dodës që duket vërtet si kala. Pastaj vijnë poshtë faqes së tij deri në lumin Drini i Zi, por shumë i bukur dhe lumi që na sjell dritë dhe gëzim për gjithë Shqipërinë. Nuk mund të le pa përmendur fshatrat: Kastriot, Sllovë, Shumbat, Sllatinë, Venisht, Dypjakë, Limjan, Deshat, Borovjan, Rabdisht, Zimur, Cerian, Ilnicë, Grevë, Melan, Grezhdan e Maqellarë.
Përballë Korabit, masivi i maleve të Lurës turistike, Zalldardhave e folklorit aq të pasur. Lura përmbledh shtatë liqenet në të gjitha krahët e saj.
Unë me gazetën “Rruga e Arbërit” jam lidhur që në vitet e para kur sapo doli në tregun mediatik dhe kështu u bëra një lexues i rregullt i saj. Misioni i gazetës nuk ishte vetëm Rruga e Arbërit si objekt, si infrastrukturë, jo nëpërmjet saj po promovoheshin përherë e më shpesh vlerat etnokulturore, atdhetare, historike e sociale të të gjithë trevës së madhe të Dibrës. Domosdo që edhe rruga ishte mision i kësaj gazete e cila u bë një gazetë mjaft e njohur e shumë e kërkuar jo vetëm nga dibranët por edhe nga zona të tjera të Shqipërisë.
Unë vetë kam dëshirë të madhe ashtu si për Skraparin tim atje larg rrëzë Tomorrit edhe për Dibrën dhe dibranët fisnik të përfundojë sa më parë kjo rrugë e njohur qysh në mesjetë dhe të ndërtohet një rrugë me standarde e jo shkel e shko.
Në Skrapar ka lëvizje qoftë rruga e gazit që i bie Skraparit mes për mes për tu lidhur me Korçën e drejt Kapshticës për në Greqi, por edhe lidhja e dy lumenjëve, Osumit me Vjosën që të çon në Tre Urat e Leskovikut apo Këlcyrë – Dëshnicë – Tepelenë- Gjirokastër.
Rrugët sjellin zhvillimin ekonomik të zonave, zhvillim tregtar, turistik e shumë e shumë të tjera.
Ndaj shikoja që në gazetën “Rruga e Arbërit”, shqetësimi për rrugën si objekt ishte i madh nga të gjithë qytetarët që kalonte ky segment rruge brenda për brenda Shqipërisë por dhe jashtë kufijve ku do të kalojë e bashkojë portin e madh të Durrësit me vende si Shkupi, Kosova e Sofja.
Kur unë shqetësohesha dhe u bëra pjesë e peticionit duke firmosur, një miku im pa u menduar shumë më thotë me zë pak si të fortë: “Ç’ne edhe ti me këtë rrugën e Arbërit? Çfarë të lidh ty me të? Ti je nga Skrapari e nuk të bashkon asgjë me Dibrën apo Matin”. Unë po flisja i entuazismuar për realizimin e këtij projekti jetik për këto zona me histori të mëdha kombëtare. Të them të drejtën më erdhi shumë keq për atë cektësi mendimi të atij që foli me të tillë gjuhë ku për mua ishte edhe fyese për atë popull vital si Bulqiza, Klosi, Dibra, Mati dhe Kruja por edhe lidhja me shtetet fqinje. Dhe ky debat mes miqsh, më uli të shkruaj për Dibrën.
Në këtë rrugë duke u nisur nga Çidhna e Dibrës erdhi Skënderbeu në Krujë. Kjo rrugë e përsërit dhe e sjell në memorien tonë historinë e luftërave kur Skënderbeu, heroi ynë legjendar me treqind kalorës dibranë vjen në kalanë e Krujës…
Kjo rrugë ishte dhe mbeti drejtimi më i shkurtër që bashkonte vendet dhe kalatë e Skënderbeut që nga Stelushi e në Gurë të Bardhë për të dalë pastaj në Krujë e Petrelë.
Tani që është projektuar dhe do të ndërtohet rrugë e re me parametra e standarde europiane, Dibra bashkohet nëpërmjet kësaj rruge për një orë me makinë, duke u kthyer kështu në një lagje të metropolit shqiptar.
Dibra është e madhe, ka një shtrirje gjeografike që kufizohet me Kukësin e Mirditën, Matin e Maqedoninë, për të dalë pastaj në Librazhd. Ka fshatra të bukur që do të bashkojë projekti i rrugës së Arbrit si: Zerqani e Sofraçani, Strikçani e Sopoti, dy Gjoricat e Çereneci, fshatrat e Gollobordës sidomos Trebishti, Klenja, Stebleva, Ostreni i Madh dhe Ostreni i Vogël, Borova e Zabzuni dhe Fushë Studna ku rreth e qark si një kurorë e bukur i qëndrojnë malet; Kaptina e Martaneshit, mali i Krastës, mali i Zylit, mali Car, mali Kallkan, Raduçi, varri Maricës, e në vazhdim mali i Qarrishtës.
Këto e mjaft fshatra të tjerë e duan Rrugën e Arbërit pasi ka qenë një ëndërr e kahershme e të gjithë dibranëve, matjanëve e bulqizakëve. Dhe kjo ëndërr tashmë mori fund, pritet nga dita në ditë të fillojnë punimet.
Ajo zonë është plot me miniera kromi që mundet të sensibilizohen e të shfrytëzohen nga shteti ynë. Ndaj dhe duhet të shpresojmë vetëm për mirë në drejtimin e ngritjes së nivelit ekonomik të vendit…
Dibra nuk është vetëm, na ka edhe ne. Pse të mos jetë kështu? Të gjithë të bashkuar e të ndihmojmë njeri-tjetrin, të ecim krah për krah si dy krahët e shqiponjës se jemi pak për tu ndarë. Bëhemi shumë po të bashkohemi.