Shën Gjergji, festa e gjelbërimit


Një thënie e stërpërsëritur është se jeta shkruan romane. Mirëpo, kundruar nga prizmi i jetës së rëndomtë, jeta duket se “shkruan” më së shumti për veprimtarinë e popullit. Derisa te popujt e tjerë për emancipimin dhe edukimin e popullatës janë kujdesur institucionet arsimore, kulturore, shkencore e administrative, ndër ne “ligjet e jetës” janë krijuar pothuajse gjithandej ku është zhvilluar jeta nën sisteme të ndryshme pushtuese. Jeta e njeriut shqiptar u ndërtua mbi traditat e lëna nga të parët, të cilat realisht i dhanë ngjyrime dëshirës për ta trashëguar atdheun. Në mesin e pasurive të trashëguara nga të parët, me të drejtë qëndrojnë ritet e zakonet tradicionale.
Festat e motmotit lidhin jetën e shqiptarit me natyrën dhe jetën e vendit.Si popull i vjetër, shqiptarët i kanë ruajtur festat e motmotit: Ditën e Verës, Nevruzin, Shën Gjergjin, Shën Mitrin, etj. Festa e Shën Gjergjit kremtohet me 6 maj me kalendarin e sotëm Justinian apo “allafranga” siç e quan populli, ndërkaq me kalendarin Julian apo “allaturka” i bie të jetë 23 prill.
Duke u bazuar në enciklopedinë Katolike, e cila mban qëndrimin në ekzistencën historike të Shën Gjergjit, megjithëse pak dihet rreth jetës dhe veprimtarisë se tij, del se ai u lind në Nikomedia (Nicomedia, Izmit), rajon në Turqinë e sotme. Shën Gjergji ka jetuar në shekullin III (e. r.) ndërmjet viteve 275-303. Prindërit e tij ishin të Krishterë, babai nga Kapadokia (Cappadocia) kurse e ëma nga Palestina. Edhe vetë Gjergji më vonë, pasi që u bë ushtar romak, jetoi në Palestinë, ku protestoi kundër persekutimit të krishterëve nga ana e Romës pagane, ndaj u burgos dhe u torturua por, qëndroi besnik ndaj besimit të tij të krishterë. Me 23 prill 303 atij iu pre koka në qytetin Lyda të Palestinës, ku edhe u varros dhe akoma besohet të dihet varri i tij. Si rezultat i torturave që përjetoi Gjergji gjatë shekullit III dhe IV arriti të konsiderohet si “i shenjtë” (saint-shën).
Pas zyrtarizimit të krishterimit, Shën Gjergji u bë simbol dhe mbrojtës i ushtrisë bizantine dhe shumë vendeve evropiane, për shkak se ai ishte ushtari i parë profesionalist i krishterë në Perandorinë Romake. Në vitin 1222, Këshilli Kombëtar në Oksford shpalli 23 prillin “Dita e Shën Gjergjit”, si ditë feste anekënd Anglisë. Shën Gjergji festohet nga shumica e vendeve me popullatë të krishterë, pjesë të Lindjes së Mesme, tërë Evropa, SHBA dhe tej Oqeania. Shumica e krishterëve: katolik dhe anglikan manifestimin për nder të këtij martiri e njohin si Saint George Day (Dita e Shën Gjergjit), Ortodoksët poashtu e njohin si Dita e Shën Gjergjit (në Lindje të Mesme dhe Afrikën Veriore), si “Yuriev Den” (në Federatën Ruse dhe ish Republikat e Bashkimit Sovjetik), si dhe “Đurđevdan-Gjurgjovden” (tek sllavët në përgjithesi), ndërsa për çudi protestantët, të cilët veten e konsiderojnë si reformist të kishës, në veçanti të asaj perëndimore, nuk festojnë fare lidhur me Shën Gjergjin.
Edhe disa nga çifutët festojnë, respektivisht vizitojnë varrin e Shën Gjergjit, duke konsideruar qytetin Lyda si vend ku është varrosur profeti Elijah/Elisha (Iljasi apo Eljesai). Disa nga muslimanët konsiderojnë Shën Gjergjin si hazreti Hidri (Hızır, “i Gjelbëri”), respektivisht një takim metafizik i Hidrit dhe Iljasit në kohën e gjelbërimit, që përket me stinën e pranverës, i njohur tek sufistët si “Hıdırelez”.
Ekziston një ngjashmëri sipërfaqësore ndërmjet Shën Gjergjit dhe Hidrit në aspektin gjuhësor ngase emri Gjergj (George) rrjedh nga greqishtja e vjetër “georgeus” që do të thotë bujk, ndërsa El Hidr nga arabishtja gjithashtu do të thotë “i Gjelbëri”. Këtë festë pagane ndër shqiptarët, disa studiues mundohen ta emërtojnë si festë fetare, ndërkaq që ritet e kësaj ditë-feste kanë të bëjnë me bimësinë, blegtorinë dhe mirëqenien që i vjen shoqërisë nga to. Kjo datë shënon ardhjen e një stine të re, njëlloj si Shën Mitri (bie më 8 nëntor), e që të dyja këto data ndajnë vitin në dy pjesë, verë-dimër. Brezi i vjetër i ka njohur këto dy data, të cilët thonin që gjashtë javë pas Shën Gjergjit, kthejmë nga dimri (me kalendar i bie 21 qershori, dita më e gjatë e vitit), pas së cilës realisht fillon të shkurtohet dita, e gjashtë javë pas Shën Mitrit thonin, kthejmë nga vera (i bie diku 21 dhjetori, dita më e shkurtër e vitit)…
Karakteristikat e kremtimit të kësaj feste pranverore në Dibër dallojnë nga ato të trevave tjera. Një ditë më përpara, më 5 maj bëhet “potkimi” apo ushqimi i luleve të ndryshme, kukurekut (luleborës), lule mëtinin, luleshëngjergjin etj. Mes këtyre lloje lulesh, mblidhet edhe një lloj barishtje e gjelbërt, delikate e ngjitëse, të cilat ju ngjiten djemve dhe vajzave të reja me qëllim që t’ju ngjitet fati nga pas e t’ju hapet fati i jetës. Gjatë “potkimit” urohet: “Qofsh potku për natë Shëngjergji e krye motmoti”. Në gjithë Dibrën traditë është që në këtë ditë të therret një qengj në çdo familje, e mishi përgatitet me oriz të zier apo jufka, që për popullin dibran njihet si “birjan me mish kinxhi”, të cilit për aromë i futet “nanëjcë” (nenexhik). Përveç kësaj, leshniku (qumësht me vezë) dhe petullat, janë ushqime që karakterizojnë specialitetin dibran gjatë festës së Shën Gjergjit. Herët në mëngjes, tradita e don që grupe grash e të rinjsh të shkojnë në Tabakane (vend i shenjtë në fushë të Dibrës) të lajnë sytë, të mbushin ujë e të lënë të holla, të ndezin nga një qiri me uratat që të ligat të largohen nga mesi i familjes dhe mbarësia të pushtojë çdo familje. Në kopshtet e shtëpive, pranë luleve të trandofilit, në ujin e mbushur në Tabakane, futen lloj-lloj barishtesh e me vezë të kuqe lahen faqet për të qenë të shëndetshëm gjatë gjithë vitit. Ekzistojnë me dhjetra vargje këngësh kushtuar kësaj feste, të cilat tregojnë gëzimin e lumturinë shpirtërore që ndjen populli me ardhjen e kësaj date dhe të mirat që ajo ka sjellur: Kukurek mër kukurek, Nana ton’ të na bon birek; Orgovan mër orgovan, Nana ton’ të na bon birjan!…
Edhe kremtimi i festës së Shën Gjergjit ka “hise” në pasurinë e folklorit tonë, të cilën i madhi Gjergj Fishta e quajti “Ashti i Kombit”. Festat e motmotit janë formë brilante dhe shumë koncize e informimit të popullatës për ardhjen e një stine të re. Ato bartin në vete porosinë,afirmojnë vlera e qortojnë mosvlera. Veç karakterit filozofik-edukativ, festat e motmotit përshkohen edhe me veçori argëtuese, nëpërmjet së cilës populli edhe argëtohet, por edhe bën thirrje që t’i përvishen punës për të siguruar egzistencën, pastaj edhe për të luftuar të jetojnë të lirë. Lidhur me këto motive të jetës, poligloti ynë Faik Konica, është shprehur: “Të mos i lëmë të humbasin këto festa të vjetra të racës sonë. Nuk i bëjnë dëm njeriut. Sjellin një gëzim të kulluar nëpër shtëpi. Në një vend ku jeta e të vegjëlve është aq e trishtuar, ndaj djalëria dhe vajzëria kanë këto pak raste të rralla për t’u dëfryer”. Gëzuar festa e Gjelbërimit…!