Xhavit Gasa, poeti i dhimbjes dhe i mallit për vendlindjen


Jeta. Sa e bukur e krenare, por edhe sa e vuajtur e tragjike, sa e dhimbshme aq edhe fisnike, sa e shndritshme aq edhe e errësuar, sa e përkushtuar aq edhe gjurmëlënëse. Këto e plot të tjera lexuesi i zbulon në riledimin e librit poetik “Të fala nga Londra” të matjanit të fisnikërisë e të vuajtjeve Xhavit Gasa. Libri, sigurisht i thjeshtë duket në pamje, i vogël, por ai përmban madhështinë, vlerat, traditat, dritën e shpirtit e mbi të gjitha kronikën e jetës. Redaktori i librit, poeti dhe studiuesi i talentuar am, ish normalisti i Elbasanit Namik Selmani shkruan midis të tjerash: “Me poezinë e tij (Xhavit Gasa M. B.) ai ecën në kohë dhe shumë sinqerisht bën një lloj gjyqi të kohërave. Një gjyq që ka vetëm butësi, si një nga gjyqet më të çuditshme të botës, që mund të bëjë një poet e aq më shumë Xhavit Gasa. I gëzon lirisë së shprehjes, ashtu si i gëzon lirisië së lëvizjes nga Zenishti i tij në Londrën e metrove, të urave tamiziane, të mjegullave, të Shekspirit, Dikensit dhe të Bajronit… (f. 4).
Vetë titulli na dëshmon kujtesë, dhimbje, mall, mirësi shpirtërore, krenari legjitime, dritë jete, gjurmë vitesh, vlera e zë të vendlindjes… Ky libër modest e mjaft i çmuar prej 148 faqesh përmban një botë të dëlirë shpirtërore, gdhend me prush zemre e dritë lirie gjurmët e dhimbjes e të mallit, gjurmët e vendlindjes. Pa aspak hiperbolë, por në dëshmitë e jetës, pas rileximit të librit lexuesi njeh Prometeun matjan, dritën e bujarisë, lotët e dhimbjes e të mallit të njeriut të thjeshtë, të djaloshit të pasionuar që shtegton përmes vuajtjeve, lodhjes e persekutimit, që shtegton larg mëmëdheut, por që jeton me vendlindjen, traditat, me vlerat e çmuara të brezave, të njerëzve të thjeshtë. Pas pjesës që hap librin “Të fala nga Londra” ku në sinonimi do të thotë kurrë nuk ju harroj, vendlindja e gjurmët e jetës më japin krahë e dritë autori Gasa shkruan poezinë “Lexojeni vargun tim” ku jepet mesazhi i dhimbjes, vuajtjeve, padrejtësisë në kohën e diktaturës, makabre; ndaj së cilës çdo zemër drejtësie duhet të irritohet e të njohë pabesinë vrastare:
… Nëse në vargun tim do të gjeni dhe trishtim. Është nga kohë trishto jo për fajin tim… Ju lutem, lexojeni fjalë për fjalë vargun tim. Ju të nderuar kritikë, vetë te ju gjen shërim… (f. 10)
Poeti aq bukur portretizon “Nënëmirat” ata që mëkojnë gjinë, dashurinë, ata që gatuajnë “nga çerepi bukën e ëmbël”, që arnonin rrobat tona arnë për arnë. Mesazhi i poetit Gasa është plot rrezatim, plot dëlirësi si vetë kullat e mençuria matjane:
… Sa dëshirë të madhe paskam unë
Vargje poetike t’i vë në letrën e bardhë
Të bëhen si lumenjtë që nuk ndalen kurrë
Nënmirave tona të ëmbla t’ju ngjajnë… (f. 11)
Të mirërealizuara janë edhe poezitë “Këshilla e nënës”, “Magjia e drunjtë”, “Kristal”, “Duart e nënës”, “Në prehrin e nënës”, “Dita e nënës”, “Nënëloket”. Pa mëdyshje poeti Gasa mund të quhet poeti i nënës, ai që përjeton dashurinë më të çmuar, dashurinë e nënës:
… O, sa dua të mbështes kokën
Në prehrin e ngrohtë të nëna
Gjumi sytë të m’i pushtojë
Në krahë të më marrin ëndrra
Dhe ëndrra të nisë te kënga…
Poezia “Në prehrin e nënës”, f. 16, strofa e tretë
Poeti Gasa rrok larmi temash, personazhesh të thjeshtë, por me vlera të çmuara njerëzore, për ata që janë sinonim i madhështisë. Ai sikurse nënën quan ikonë edhe kunatën Rrufie Gasa (Dobra).
“Sa i lumtur dhe me fat, ndjehem unë sot bashkë me nënën time, Ijen e kam ikonë.
(Poezia “Ikonë”, strofa 6, (f. 19))
Poeti matjan Xhavit Gasa shkruan thjeshtë e bukur për dashurinë, paqen, respektin, për gëzimin, buzëqeshjen, për erën, për krushkun, për trëndafilin, për paktin me diellin, për amanetin, fjalën poetike, poetin, besën poetike, zemrën që ngroh, muzën, sofrën e poetit, forcën e bukurinë e fjalës, poezinë e parë, penën dhe letrën, barbarët, dritën e diellit, Xhapë Gasës (gjyshit të persekutuar), dashurinë për lisat, renë dhe stuhinë, pranverën, virtytin, Havzi Nelën, opingat e llastikut, parullat, trishtimin e mallin, pyllin, gozhdën, dritën e dijes, zogjtë fluturakë, pashën zemërzi, vdekjen e pyllit, durimin, muzat, kohën e plot të tjera. Në vargjet dhe strofat poetike autori Gasa na jep plot mesazhe jete, mesazhe dhimbjeje, dritëson vuajtjet në diktaturë, dritëson lirinë në demokraci por edhe gdhend madhështinë e fjalës, peshën e vlerat e saj.
… Nuk kuptoj pse të gjithë rendin
Pas fjalës, pse bëjmë kaq garë
Fjala nuk është zog krahëylberi
As kalorës që bredh me kalë…
(Poezia: “Këmbana” f. 87, strofa e 2-të)
Lexuesi në libër gjen edhe poezinë “Kurbetli në vendin tim” (f. 88). Kjo mbart tragjedinë, vuajtjet e dhimbjet, dëshminë e padrejtësisë ndaj regjimit diktatorial, ku autori me nota proteste shpirtërore shkruan vargje për xhaxhain e tij të paharruar Ahmet Gasa, gjurmët e jetës së tij, djersën e lodhjen prej minatori, por djersëhumbur në shoqërinë e regjimit vrastar, ku ai nuk çmallej as edhe me fëmijët, sepse punonte nëpër pyje apo “me mantelin e rëndë të minatorit…” Poet emigrant i shumëvuajturi Xhavit Gasa në këtë libër poetik realizon mjaft bukur kontrastin midis dy kohëve në poezinë “Dje dhe sot”.
Dje: “Diellin me re të zeza”, Plot zogj krahëprerë”, “mbetur telave me gjemba”, “rrethonin me gardh tokë e qiell”, “qarkullonin vetëm çakej e dhelpra”
Sot: “Dhe ajrin e zotit në treg shesin”, “Zogjtë fluturojnë qiejve, të gjithë marrin arratinë…”.
Një lloj janë ditët dhe netët
Të gjithë një lëkurë kanë veshur
Askush s’e dallon çakallin dhe dhelprën… (f. 89)
Me plot bindje do ta quaja poezinë aktakuzë, poezinë himn për diagnozën e sistemeve a poezive të cilat vrasin lirinë, drejtësinë, vuajtjet, mirësinë, shpirtin e vlerat e një populli martir. Poeti Gasa në libër flet me kohën, me dhimbjen me demokracinë, me vendlindjen, me vlerat, me Migjenin, me gurët, me fëmijët e braktisur, me dhëmbët e betonit, fëmijët e varfër, me fshatin, fshatarin, pasqyron mallin e kurbetqarit, ditën e dimrit në Londër, mallin e vendlindjes, dallëndyshen që e porosit nga Londra…, që don të jetë si dallëndyshe… “Që nga Londra të fluturojnë vargjet e lira, si dallëndyshe të kthehen të gëzuar viseve të mia… (f. 101). Te vargjet e poetit Gasa, gëlon jeta, malli, nëna, Mati, Deja, Zenishti, xhaketa me arna, amaneti, drenimi, respekti, fluturat, lahuta, çiftelia, tërkuza, Fiqiri Koçi, dëshmor i atdheut, Qamil Xhika, poetët martir ish normalistët Vilson Blloshmi e Genc Leka të pushkatuar nga diktatura moniste, aroma e fshatit, sharkia, pjetur Budi (vargje të bardha), fyerjet, kullëbardhat e Matit, nipi Kastriot Gasa (nipin, të cilin sëmundja e ndau para kohe nga jeta).
Poezia e Gasës së Matit është pasqyrë e jetës, e dhimbjeve dhe e mallit, poezi që të emocionon, të bën të meditosh, të veprosh, të frymëzohesh. Autori ka skalitur me mjeshtri poezitë “Të ishte gjallë Naimi”, “Përjetësisht” (kushtuar Bajram Hoxhës, që vdiq në burgjet komuniste). “Nëpër kulla”, “Grykakuqi”, “Largoji mizat”, “Xhezvja e kafesë”, “Halli”, “Rreth flamurit kuq e zi”, “Lamtumirë xhaxhi Halili” (Halil Dedollit), “Qëndrestar vargjesh (poetit matjan Basir Bushkashi), “Kurorë”, “Mbretëreshë me kurorë”, “Urim gjyshit”, “Na sollën vendlindjen” etj. Poezi jete, mesazhe dhimbjeje, dëshmi të vuajtjeve e madhështi qëndrese, në ecje prej maratonomaku të lirisë, njeri vital që ec dhe shikon përpara; Gasa shkruan:
… Ani
Se xhelozohesh
Sa vrapi im
Sfidon moshën
***
Ani
Nuk zemërohem
As merrem me ty
Se humb kohën përsëri
(f. 144)
Libri “Të fala nga Londra”, dëshmi e jetës së vuajtur e krenare të emigrantëve, tablo e vlerave të çmuara, pasqyrim vital e realist i dhimbjes dhe i mallit për vendlindjen lartësim e dritësim i bardhësisë së shpirtit, i gjurmëve të jetës së shumëvuajtur në diktaturë dhe i rivuajtjeve larg atdheut, një neomonizmi i veshur me qyrk demokratik. Urime Xhavit Gasa, biri i Matit të barotit, biri i lirisë, Prometeu e qëndrestari i udhëve të emigracionit, poeti i dhimbjes dhe mallit për vendlindjen!