Faik Xhani, 70 vjet jetë aktive me vizion, freski e energji


70-vjetori i ditëlindjes është nga festat më të bukura e më domethënëse për çdo njeri. Kjo është mosha kur jeta fillon e flet për ty me ato që ti ke bërë gjatë saj dhe kjo të shton krenarinë e të nxit sedrën për të bërë dhe shumë gjera të tjera të mira në shërbim të vetes, familjes dhe shoqërisë.
Në këtë moshë ke akoma mundësi e optimizëm, ke pjekurinë dhe përvojën, për të realizuar punëra të tjera dhe më të mëdha.
I dashur Faik!
Ti mbushe 70-vjet jetë e punë aktive, por në shpirtin, vizionin dhe fizikun tënd ke shumë rini, freski dhe energji realizuese. Në këtë 70-vjetor ti vjen me një panoramë komplekse e shumë të pasur. Në 20 vitet e para të punës tënde intelektuale ke dhënë kontributin tënd të vyer në administratën shtetërore vendore, duke i dhënë asaj fytyrën njerëzore.
Në 25 vitet e fundit, na shfaqesh plot dinjitet, duke depërtuar e eksploruar fusha e tema interesante të historisë, të kulturës e deri te figura e bëma të veçanta, shqiptare e të huaja. Në veprimtarinë tënde të shumanshme shohim forcën integruese, modelin e njeriut të përshtatur me frymën e kohës, aktivistin e gjithanshëm, gjurmuesin e gjithçkaje me motivin e mbijetesës dhe për t’ia transmetuar brezave.
Gjithçka e përjetuar nga Faiku ka marrë jetë dhe është fiksuar me realizëm të veçantë në librat e tij të shumtë e mbresëlënës.
Krijimtaria e Faikut është rritur natyrshëm, duke u pjekur dhe shtrirë në shumë fusha. Nga koha në kohë ajo është bërë më intensive, më e vrullshme, me problematikë të gjerë e të thellë ku të gjitha shtresat, moshat dhe profesionet gjejnë veten.
Është interesant fakti se, Faiku, në të gjithë librat e tij i trajton ngjarjet dhe personazhet me mjeshtëri, dashuri e delikatesë, në përputhje me modelin e sjelljes së tij në marrëdhëniet e përditshme me cilindo. Personazhet e tij janë jetësorë, gjuha e tyre është elokuente, e pasur dhe e kuptueshme. Midis shprehjes e mendimit, problematikës dhe asaj që personifikon çdo personazh, mbizotëron një unitet i veçantë në llojin e vet. Vepra e Faikut është sa artistike aq edhe reale, sa analizë e realitetit aq dhe sintezë e fantazisë së zhvilluar, sa gërshetim i formimit, kulturës e aftësive krijuese, aq dhe triumf mbi sfidat e gjalla të vetë jetës së tij.
Vepra e tij u flet të gjithëve me thjeshtësi. Ajo kuptohet e asimilohet me lehtësi nga intelektualët dhe nga shtresat e gjera. Ajo nuk është shkruar në sallone mondane e uikende të gjata. Kjo vepër ka lindur natyrshëm në ecje e sipër, në mendjen e një vëzhguesi të hollë që prek ndjeshmërisht çdo marrëdhënie njerëzore me realitetin. Ajo është shkruar vijimësisht netëve pa gjumë, është rritur e ka dalë në dritë me sakrificat e vetë autorit dhe dashamirësisë së një rrethi të ngushtë njerëzish, të cilët urimi e mirësia i ndjektë ngaherë!
Është nder që në moshën 70-vjeçare të ndjehesh e të jesh si ti, shok e mik i ndjeshëm, punëtor, studiues e krijues i formuar, bashkëbisedues i këndshëm, bartës dhe realizues i së mirës, plot freski e energji, i pëlqyer dhe i vlerësuar nga njerëzit e thjeshtë deri te intelektualët më në zë të kohës.
Vitet që kanë kaluar, nuk të kanë lëvizur e deformuar. Ato vetëm të kanë pjekur, të kanë shtuar reflekset, të kanë kalitur vullnetin dhe kanë ndikuar fuqishëm në shumëfishimin e krijimtarisë letrare.
Me rastin e 70-vjetorit të lindjes, nga zemra të uroj shëndet të mirë, jetë sa më të gjatë e të lumtur, krijimtari të suksesshme letrare dhe fat e mbarësi, për vete e për të mirën e familjes dhe të shoqërisë.