Festa e qershisë që pret të kthehet në traditë


Qindra vizitorë morën pjesë në festivalin e qershisë. Më shumë se 21 pjesëmarrës zbukuruan me prodhimet e tyre bulevardin kryesorë dhe ekspozuan prodhimet e zgjedhura për këtë panair.

Gëzimi për frytin e parë nuk kalohet pa festë. Ishte ky motivi i grupit të festave të ngritur nga projekti “D2T – Dibra: Turizëm dhe Traditë” pranë Zyrës së Informacionit Turistik, me përfaqësues nga Bashkia, institucionet e tjera të qeverisjes vendore, Organizatat Jo-Fitim prurëse, sektori privat dhe vullnetarë e pasionantë.
Ky grupim, me datë 3 qershor 2018, nën koordinimin e Zyrës së Informacionit Turistik Dibër dhe angazhimin e shumë aktorëve mbështetës, organizoi “Festën e Qershisë”.
Veprimtaria synonte të promovonte Dibrën si një destinacion turistik, produktet cilësore dibrane, dhe në veçanti qershinë e Dibrës, e cila është kampione për prodhimin e disa varieteteve dhe me një cilësi shumë të lartë.
Kjo festë është një nga festat e përfshirë në Kalendarin e Festave për Bashkinë Dibër, nëpërmjet të cilave kërkohet të promovohet rajoni i Dibrës dhe të tërheqë vëmendjen e sa më shumë vizitorëve dhe turistëve.
Qindra vizitorë morën pjesë në festivalin e qershisë të organizuar para Pallatit te Kulturës në bulevardin kryesorë të qytetit, ku ishin vendosur tendat e panairit të qershisë dhe prodhimeve të tjera që lidhen me qershinë. Më shumë se 21 pjesëmarrës zbukuruan me prodhimet e tyre bulevardin kryesorë dhe ekspozuan prodhimet e tyre të zgjedhura enkas për këtë panair. Fermerët ishin të kënaqur me punën, me prodhimin e tyre por duhet të bëjnë më shumë për marketingun dhe cilësinë, duke bashkëpunuar më shumë njëri me tjetrin dhe duke pasur një zë më të fortë për tu mbrojtur nga spekulantët e tregut.
Grupi i valleve, grupi i cirkut, grupi i arteve marciale, amatorët e aeronautikës dhe artistët e vegjël animatorë prezantuan me perfomancë artistike e sportive pjesë nga repertori i tyre më i zgjedhur, duke mbledhur shumë fëmijë, prindër dhe vizitorë në shfaqen e tyre. Kjo i dha një atmosferë edhe më festive këtij panairi, duke e kthyer atë në një festival të mirëfilltë.
Pajtim Vranici, djali dibran me guxim dhe zemër të madhe, që është “no limit”, me rastin e festës së qershisë fluturoi me logon “Dibra – destinacion Turistik” mbi Peshkopi, nga mali i Zimurit te stadiumi, duke ndezur edhe më shumë atmosferën festive në qytet.
Janë pikërisht këto aktorë që po të bashkohen dhe vendosen në lëvizje, i japin më shumë gjallëri jetës së Peshkopi dhe Dibrën e bëjnë një vend të lakmuar për pushuesit. “Si Dibra s’ka tjetër”, është shprehja më e saktë që mund të thuhet në këtë rast.
Ky panair u mbështet nga projektit “D2T, Dibra: Turizëm dhe Traditë” si dhe nga fondacioni “Friends of Albania” që u kujdesën që festa të ishte shumë e veçantë, sidomos për fëmijët.
Grupi organizator i festave nuk do e lërë vetëm me festën e Qershisë, por së shpejti bëhuni gati edhe për festën e Drinit dhe festën e “Bjeshkës” në Radomirë rrëzë Korabit.
Na ndiqni dhe na vizitoni.

Për më shumë mbi turizmin në Dibër ndiq faqen në Facebook:
Dibra Turizëm dhe Traditë