Hafiz Visha, një emër i njohur në mjekësinë shqiptare


Kam shumë e shumë vite që shkruaj, portrete e skica, reportazhe e poezi, tekste të ndryshme këngësh që i këndojnë këngëtarë edhe nga Shqipëria por edhe nga Kosova. Dhe jam i lumtur se sado pak jam munduar të hedh një gur të çmuar në godinën e artit, kulturës e folklorit shqiptar.
Sot krejt ndryshe e rroka penën, them krejt ndryshe se e di që jam shumë i vonuar. Të shkruash për njerëzit e thjeshtë, për njerëzit që dijet që kanë përfituar në shkollë kërkojnë ti shfrytëzojnë në dobi të shëndetit të njerëzve. Ndoshta me të drejtë shumë kush mund të thotë se vitet e fundit humanizmi në shëndetësi ka humbur, nuk ekziston. Krejt ndryshe mendoi unë. Kur ke përballë mjekun e talentuar, birin e Kalasë së Dodës Hafiz Visha, bindesh plotësisht në këtë që them.
Hafizi lindi në Kala të Dodës, në fshatin Ceren më 8 dhjetor 1965 në një familje të mirë e të njohur atdhetare, bujare e arsimdashëse. Hafizi fëmijë ëndërronte shumë, ëndërronte kur shikonte mjekun e vetëm në fshat që me një çantë të thjeshtë në dorë futej shtëpi më shtëpi kur kishte ndonjë të sëmurë e kërkonin ndihmën e tij. “Mjeku shpëton jetë” mendonte djaloshi i Cerenit dhe unë e kam një ëndërr në jetë. Të bëhem mjek e ti shërbej popullit tim” Kështu ëndërronte atëherë Hafizi fëmijë por ëndrrën e kishte mbajtur në sirtar. Do të rritej djaloshi, do të përfundonte shkollën në fshat dhe pastaj do të vazhdonte shkollën e mesme në qytetin e Peshkopisë në vitet 1979-1983, dhe kjo falë ndihmës e kontributit të xhaxhait të tij Destan Vishës.
Ajo ëndrra e kahershme më së fundi u realizua fill pas përfundimit të shkollës së mesme. Vazhdoi studimet e larta në mjekësi të cilat i përfundon me rezultate të larta që klasifikohet një ndër studentët më të mirë të asaj periudhe. Fill pas diplomimit si mjek i përgjithshëm emërohet në vendlindjen e tij, në Kala të Dodës. Derë më derë e shtëpi më shtëpi, në kohë të mirë, në borë e stuhi, doktor Hafizi do të gjendej pranë çdo të sëmuri që kërkonte ndihmën e tij. Asnjëherë nuk u mërzit, asnjëherë nuk u pendua se pse zgjodhi këtë profesion human, kur vinin në çdo orë të natës e binte dera. Doktor Hafizi gjithmonë i pa përtuar, me një elektrik dore do të vraponte para shoqëruesit e do të gjendej tek i sëmuri. Përkushtimi dhe dashuria e madhe që kishte për profesionin e mjekut, gatishmëria e vullneti i fortë që kishte për të punuar në kushte mjaft të vështira e në një teren malor, e bënë doktor Hafizin njeriun më të dashur dhe respektuar në të gjithë krahinën e madhe të Kalasë së Dodës. Emri i tij u përhap si era, anembanë trevës së Kalasë por dhe jashtë sinorit të saj, personaliteti i tij gjithmonë vinte në rritje. Kudo lakohej me respekt. “Zoti në qiell e doktor Hafizi në tokë”, shpreheshin në raste të vështira ku sytë e të gjithëve ishin mbërthyer në derë kur do të futej me çantën e ndihmës së shpejtë doktor Hafizit.
Vite më vonë doktor Hafizi kreu specializim të plotë për radiologji-imazheri. Ishte ndoshta i vetmi specialitet që kishte nevojë jo vetëm Kalaja e Dodës por e gjithë Dibra. Pas viteve nëntëdhjetë doktor Hafizi zhvendoset familjarisht me banim në Tiranë. Klinika e tij “Visha” ka krijuar një emër të mirë dhe një besueshmëri të lartë.
Përvoja e gjatë, përballja me një mori sëmundjesh të ndryshme, ndoshta edhe nga më të rrallat e bëri kështu të njohur doktor Hafizin edhe ndaj kolegëve të tij si njeri e mjek që sfidon e fiton mbi të keqen.
Duke përfunduar e duke qenë i bindur se kamë lënë edhe shumë gjëra pa thënë nuk mund të lë pa përmendur virtytet njerëzore më të mira të Hafizit si njeri, intelektual, mjek i kualifikuar, human në shpirt. Ai u ka qëndruar dhe vazhdon përsëri që t’ju qëndrojë pranë njerëzve në nevojë duke u kryer të gjitha vizitat dhe analizat në klinikën e tij falas. Doktor Hafizi mbetet një shembull model për tu marrë nga të gjithë mjekët e tjerë se ende humanizmi nuk ka vdekur. Ka njerëz të mirë me shpirt e zemër që kontribuojnë vazhdimisht në shëndetin e njeriut.