Jashar Kurti, shembulli se si suksesi vjen përmes agroturizmit


Sapo kishte mbaruar klasën e tetë, kur u nis udhëve të jetës në kërkim të identitetit të tij. E ndjente që kishte shumë për të dhënë, por nuk e dinte se ku dhe si. Baba Izeri, një partizan i vjetër i luftës, një burrë i mençur, që kishte punuar në shtet e në kooperativë, do të ishte një model frymëzimi dhe pikë orientimi për të. Shpatullat i kishte akoma të njoma kur filloi punë në minierën e Bulqizës. Ata minatorë, me kasketa në kokë, ata njerëz, që në vend të parfumit, kishin në fytyrë një tis nga minerali i kromit, do të ishin modelet njerëzore, që do të ndiqte në të ardhmen, bashkë me figurën e babait të tij. Siç luftonin ata me malin, me shkëmbin, ashtu do të sfidonte dhe ai në jetë, në kërkim të gjërave, që nganjëherë dukeshin të pamundura. Punoi jo pak, por pesë vjet. Aty u rrit, u burrërua, mësoi si të fitojë dhe si duhet ndërtuar jeta. Ndërsa punonte, vazhdonte shkollën për teknik miniere dhe ndiqte në të njëjtën kohë, kursin e shoferave. Falë vullnetit të hekurt ia doli mbanë. Mori diplomën e shkollimit të mesëm dhe patentën e shoferit me rezultate shumë të mira.
Dy vite më vonë, kur mbaroi shërbimin ushtarak, e gjeti veten në kabinën e një skode të madhe. Ishin kohë të vështira, dimra të egër, rrugë nëpër male. Ngarkonte tulla, dru, material ndërtimi, duke ndërruar goma, duke bërë defekte, duke lëshuar frymën e tij në duart e ngrira, me shpresën për ti ngrohur sadopak. Kështu u rrokullisën dhe ca vite të tjerë, deri në vitin 1990, kur duhej dhe një dhjetëshe, për tu mbyllur mijëvjeçari i dytë.

Fillimi i biznesit

Dy tre vite të tjera, punoi akoma si shofer. Fillimisht te biznesi i motrës, në Bulqizë. Ngiste makinën dhe mendja i punonte për të ngritur një biznes të tijin. Nuk duhej shumë njohuri për ta bërë një gjë të tillë. Pak guxim, pak para, shumë korrektesë dhe po kaq ndershmëri. Ai i kishte të gjitha këto, në një shkallë të mjaftueshme dhe mjaftonte të bënte hapin e parë.
E filloi tregtinë me një makinë të vogël. Shkonte e merrte mallin në Tiranë dhe dilte tregjeve, në Peshkopi, në Bulqizë, në Shupenzë, a ku të mundej tjetër. Vite e vite me këtë mënyrë pune, ku dyqani i tij, i vendosur mbi katër rrota, lëvizte sa andej këndej. Lëvizte dhe i shtonte nga pak përmasat, derisa makina e tij e vogël nuk e mbante më. Kishte ardhur koha për tu instaluar diku dhe ai gjeti një mjedis të përshtatshëm në qendër të Maqëllarës. Ashtu siç nisin të gjithë bizneset, me pak mallra, me pak xhiro, me pak klientelë, duke u shtuar më pas, çdo ditë e më tepër. Në krah tani ka dhe tre djemtë e tij, Klevisin, Feratin dhe Ergildin, djem, që kushdo do të dëshironte ti kishte për vete. Të shkolluar, me edukatë dhe besimtarë të devotshëm. Dy më të mëdhenjtë kanë mbaruar arsimin e lartë për financë-bankë, me master, por dhe i treti vazhdon në atë rrugë. Më e vogla e familjes, Juarda, në klasën e gjashtë, duket pak e pezmatuar dhe pa shumë humor këto ditë. Të gjitha notat i ka dhjeta, por vetëm matematikën e ka nëntë, duke i dalë mesatarja 9,9.
Një tjetër biznes ka hapur familja Kurti, këtë radhë në Tiranë. Është një market ushqimor, identik si ky që kanë në Maqëllarë. Dy djemtë e mëdhenj po punojnë dhe po i japin jetë biznesit të tyre. Po mundohen të vënë në jetë teoritë e fituara. Nuk i kërkojnë punë shtetit, e kanë gjetur vetë atë. Me punë, me djersë, me sakrifica, ata i kanë bërë vend vetes, duke fituar respekt e dinjitet, që përkthehet në më shumë klientelë dhe para.

AGROBIZNESI

Plot dhjetë vite më parë, kur shumë njerëz ja kishin drejtuar sytë frutikulturës, Jashari u ndal për një moment, me kokën turbull në mendime. Po sikur të guxonte dhe ai, siç kishte guxuar në gjërat e tjera? Sikur të ngrinte një pemëtore të vogël në fillim, me vetëm pak dynymë? Dhe sikur të humbiste, nuk do të humbiste shumë. Pastaj e kundërshtoi mendimin e parë. “Nuk je lojtar i peshave të lehta”, i tha vetes. Të mbillte një hektar? Më shumë akoma. Dy… tre… pesë…? Steka u vendos diku mbi shtatë hektarë dhe aty qëndroi pa lëvizur më. Nuk e kishte të gjithë tokën e tij, gjashtë hektarë i mori me qira për një periudhë 20 vjeçare. Shumicën e mbolli me mollë të variteteve të ndryshme, Starking, Gold, Green Smith, nga të cilat, dy hektarë me distanca të vogla, të mbështetur në tela. Mbolli dhe pesë dynymë me qershi dhe shtatë dynymë me kumbull. Vetëm ai e din se sa para ka harxhuar, sa net ka mbetur pa gjumë dhe sa ëndrra të frikshme ka parë. Sidomos, vitet e para, shumë të vështira. Megjithëse konsultohej me specialistë të fushës, dilnin pengesa të panumërta dhe të paparishikuara. Biznesi i ri i pemëtarisë, i ngjante me një lubi, që po i hante ato kursime që kishte fituar me tregtinë, aq sa para tre-katër vitesh vendosi ti shkulte pemët. Specialistët e bujqësisë ia kundërshtuan mendimin. I thanë të duronte dhe pak, të tentonte sërish e të mos dorëzohej, se ishte fare pranë suksesit.
Rendimentet tashmë kanë ardhur në rritje, por Jashari mendon se ky do të jetë viti i kthesës së madhe. Me qershitë e filloi mbarë. 35 kuintalë të prodhuar i shiti “një dorë, në Kosovë” (siç e përdorin shprehjen tregtarët). Tani po vazhdon me kumbullën e hershme, për t’u pasuar pastaj me mollën. Prodhimi i saj është shumë i mbarë dhe fermeri shpreson të marrë deri në njëmijë kunitalë në total. I ka bërë të gjitha shërbimet në shkallën maksimale: krasitjen, plehërimin organik dhe kimik, punimin, rrallimin, që sapo e ka përfunduar dhe, spërkatjet që i ka në vazhdim.
Jashari ka mbjellë çdo vit dhe kultura të tjera si: misër, fasule, patate, lakër dhe perime të ndryshme. Në të gjithë këtë veprimtari japin ndihmesën por dhe marrin të ardhura jo pak familje të tjera nga fshati i tij, Grazhdani. Po të bësh një llogaritje të thjeshtë, mund të rezultojnë rreth pesë milionë lekë të shpenzuara në këtë mënyrë. Vetëm rrallimit të kokrrave, po t’i referohemi, rezultati do të ishte i tillë. Dhjetë veta, kanë punuar për dy javë, që do të thotë, diku te 1.5 milionë lekë që kanë shkuar te njerëz në nevojë.
Në gjithë këtë veprimtari jo të vogël, Jashari ka pasur hera-herës ndihmën e shtetit, por do të dëshironte që këtë ndihmesë ta kishte akoma më të pranishme. Ai e bën vaditjen e pemëve, duke marrë ujin nga liqeni i fshatit, kundrejt një pagese të caktuar. Po të nxirrte puse në tokën e tij, kjo do të ishte më ekonomike, por dhe uji do të ishte më i pastër dhe pa ndotje. Duke e bërë vaditjen në formë pikash dhe një pjesë plehrash kimike do t’i dërgonte përmes sistemit rrënjor, nëpërmjet vaditjes. Gjithashtu, do të dëshironte të subvencionohej nga shteti për ngritjen e një frigoriferi, ku mund të fuste prodhimet e tij, pa pasur frikën e prishjes së frutave. Ngritja e një pike të madhe të grumbullimit të frutave, do të ishte si një rregullator i madh për fermerët e Dibrës. Janë këto, disa nga kërkesat që Jashari dhe fermerë të tjerë i adresojnë tek shteti, një apel për ndihmë, pasi dhe këto, do të dinë që këtë respekt ta shpërblejnë me punë.
Ja kështu, Jashari, bashkë me djemtë dhe me gjithë familjen e tij, punojnë dhe synojnë drejt lartësive të reja. Duan dhe pak të shtojnë tregtinë, duan t’i ngjisin dhe një bllok arrash, pemëtores së tyre. Duan të investojnë në turizmin familjar dhe plot projekte të reja, nga të cilat, do të përfitonim të gjithë.

Profesor Sabriu

Gati të gjithë e njohin profesorin e biokimisë, Sabri Vraniçin, në qytetin e Peshkopisë. Ai tashmë u drejtohet të tetëdhjetave, por asnjëherë nuk shteret, si një pus i begatë, me plot gjëra për tu treguar e për tu dhënë të tjerëve.
Prindërit Demir dhe Shirete Vraniçi, i edukuan fëmijët e tyre me besim, me moral, me dashuri për njerëzit e për krijesat e tjera. Profesori kujton njëherë, kur ishte i vogël e kishte marrë diku një kalli misri për ta pjekur, nënë Shiretja e detyron ta çojë kallirin atje ku e kishte marrë. Ishte ky një mesazh nga ata që zor se harrohen gjatë jetës, duke përcaktuar qartë vijën ndarëse të hallallit dhe haramit.
Shtatëdhjetë vjet më parë Sabriu i vogël vazhdonte shkollën shtatë vjeçare me rezultate të shkëlqyera. . Pasditeve shkonte në fshatin Rashnapojë tek hafiz Tahir Salkurti, duke mësuar KURAN, sure e histori për jetën e Profetit. Ndoshta do ishte bërë hafiz, ndoshta teolog i fesë islame, por marshimi i tij u ndërpre në një moment shumë vendimtar e ju përkushtua vetëm arsimit. Mbaron pedagogjiken, e më pas diplomohet për histori gjeografi e pastaj për biologji e kimi.
Në vitin 1957 vjen mësues në pedagogjike, e më pas nëndrejtor në bujqësore. Bashkë me Mois Camin, asokohe drejtor i shkollës së mesme në qytet, u bënë promotorë për përhapjen e arsimit bujqësor në të gjitha zonat rreth e qark, në Maqellarë, Kastriot, Shupenzë e më gjërë.
Duke pasur dije në shumë fusha të jetës e shkencës profesor Sabriu, bashkë me nxënësit e tij, hulumton dhe eksploron faunën e florën e pasur të vendit tonë. Ndoshta nuk mbeti kënd i tokës shqiptare pa shkelur që nga Lura e Kalaja e Dodës, Saranda e Ksamili, Kukësi e Korça, Tirana e Durrësi. Vizituan miniera të ndryshme, parqe kombëtare, fabrikën e qelqit. Bakri, kromi, seleni apo të tjerë elementë ishin objekt i studimit të tyre. Agrumet e jugut apo pisha flamur e Llogarasë mbetën në memoriet apo fotografitë e studenteve.
Ai kishte kabinetin e biologjisë më të pasurin, të paktën në Dibër. Nje familje ku bashkëjetonte gjarpri, peshqit, bretkosa, zhapiku e plot gjallesa e krijesa të tjera.
Kjo punë stoike e plot vetëmohim vazhdoi deri në vitin 1990, kur profesori u pensionua. Jeta e tij u vu nëdilemë. Si do ta mbushte zbrazëtinë e mësimit? A nuk duhej drejtuar diku tjetër eksperienca e tij e gjatë dhe e begatë?
Angazhime të tjera filluan për profesor Sabriun. Puna me njerëzit i kishte mësuar shumë gjera. I kishte mësuar artin e të kuptuarit të njerëzve, artin e të fituarit të respektit të njerëzve dhe artin e drejtimit të tyre.
Në shkollë kishte drejtuar bashkimet profesionale. Më pas zgjidhet kryetari i këshillit të lagjes. Për dy legjislatura ishte anëtar këshillit të qytetit, ku jep ide e mendime me vlerë. Zgjidhet kryetar i shoqatës së të verbërve, kryetar i kthimit të pronave e sot vazhdon të jetë nënkryetar i veteranëve të rrethit duke marrë pjesë në takime e promovime të shumta.
Por përsëri e përsëri ai ndjente se gjithë kësaj jete të mbushur me angazhime të shumta, i mungonte diçka, si një gjellë e mirë që i është harruar kripa. Gjatë gjithnjë atyre viteve si gjeograf, biolog e kimist ai kishte mbetur i habitur, në mos i mahnitur nga gjithë ato dukuri e fenomene të jashtëzakonshme. Përsëritja e stinëve nga pranvera tek dimri, nata e dita, dielli e hëna dhe planetet të tjerë, pa takuar njëri tjetrin. U kishte shpjeguar studentëve të tij lëvizjen e elektroneve nëpër orbita, ngjashëm me planetet.
Si biolog kishte studiuar trupin e njeriut, ndërtimin e tij, qelizat, indet, organet, rruazat e kuqe, të bardhat, trombocitet, tretjen e ushqimit, e nga çdo kënd që ta shihje dukej një baraspeshë hyjnore. Kush ishte krijuesi e rregullatori? Kishte përdorur ndonjëherë termin “mëma natyrë”, por pa u bindur as vetë për këtë. Një term i thatë që nuk thoshte asgjë. Natyra për vete është e krijuar. A mund të krijonte, a mund të prodhonte ajo gjësend?
Jo dhe jo . Gjithë këto kishin një krijues të vetëm, të madhin Allah.
Në këto raste, bile dhe më shpesh, mendja harbonte viteve të largëta të fëmijërisë, kur shkonte tek hafizi i nderuar Tahir Salkurti, për të mësuar Kuran. Shumë vite që atëherë, por jo e pamundur për tu strehuar tek mëshira e Allahut.
E shoqja e tij, Kujtimja, vëlla Rustemi, motra Munire, falnin pesë vaktet dhe e nxisnin të bashkohej në namaz. Profesori kishte vite që agjëronte bashkë me familjen e tij. Do ti shtonte dhe nje shtyllë të fuqishme si namazi, besimit të tij për ti dëshmuar Allahut se është nga të devotshmit. Tashmë e sheh shpesh profesor Sabriun të falë të xhumanë apo ndonjë vakt tjetër në xhaminë ë qytetit bashkë me besimtarë të tjerë.
I duket se jeta e tij ka fituar nje dimension të ri, është shtuar një notë shumë e rëndësishme në pentagramin e jetës, pa të cilën nuk gjëndej përseja, e krijimit njerëzor.
Ndoshta rastësisht emri i tij përkon me një nga cilësitë e tij më të shkëlqyera të jetës së tij, sabrin dhe durimin. Myzhde profesor! Me të vërtetë Allahu është me durimtarët.
Osman Xhili