Krijohet “Union Lura”, një përpjekje e qytetarëve për t’i rikthyer Lurës lavdinë e dikurshme


Më 29 qershor, në mjediset e hotel Tirana International në Tiranë është themeluar shoqata “Union Lura”.
Në një postim në FB, Abaz Deda, një nga anëtarët themelues të shoqatës, falënderoi në emër të Këshillit Ekzekutiv të Shoqatës, të gjithë anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme, të ardhur nga qytetet dhe zonat në të cilat lurianët kanë ndërtuar jetën e tyre dhe përfaqësojnë denjësisht vlerat dhe traditat e Lurës në këto vende. Në listën themeluese prej 37 anëtarësh spikasin emra të njohur në fushën e biznesit, politikës e gazetarisë, mes të cilëve gjeneral Gjergj Vladit, biznesmeni Dod Doçi, juristi Abaz Deda, botuesit Naim Buci, gazetarit Hekuran Vladi e shumë të tjerë.
Shoqata u themelua vetëm pak ditë pasi Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama vizitoi Lurën, në një etapë të gjatë takimesh e konsultimesh me publikun. Vizita e një kryeministri në vendin e 7 liqenjve, i ka hapur mundësi të reja zhvillimi këtij rajoni dhe duket se krijimi i kësaj shoqate është një përpjekje për ta rilindur Lurën dhe për ta kthyer në një nga pikat me potenciale zhvillimi në të ardhmen. Lura është përfshirë në projektin qeveritar për zhvillimin e turizmit “100 fshatra plus” dhe pritet që krahas ndërtimit të infrastrukturës rrugore, të merren masa emergjente për ruajtjen dhe zhvillimin e pyjeve dhe agroturizmit.
Në statusin e bërë publik, thuhet se qëllimi i shoqatës “Union Lura” është të promovojë vlerat e Lurës si një trevë me histori, të ofrojë mbrojtje ligjore të të drejtave dhe interesave të krahinës së Lurës, lidhjen e marrëveshjeve bilaterale dhe multilaterale me personat juridikë publikë dhe privatë, për të realizuar qëllimet e përcaktuara në statut, organizimin dhe/ose pjesëmarrjen në takime, konferenca, simpoziume, kongrese, forume, tryeza të rrumbullakëta, ekspozita, seanca komunikimi të specializuara me pjesëmarrje të një publiku vendas dhe të huaj, bashkëpunim aktiv me organizata të huaja të ngjashme etj.

Anëtarë të organizatës “Ecovolos” zhvilluan në mes të qershorit një lundrim me kanoe në liqenet e Lurës, duke nxitur kështu rritjen e turizmit në këtë rajon. Ened Mato, drejtuesi i Ecovolis, përmes një postimi në Twitter, citoi një thënie të Gjergj Fishtës, se “Kush nuk ka parë Lurën, nuk ka parë Shqipërinë”! Mato e cilëson Lurën si një Perlë! “Natyra e gjallë më e bukur në botë! 7 Liqene, 7 Mrekulli! Ta mbrojmë Lurën! Ta duam Lurën!”, shkroi ai në Twitter, duke përcjellë edhe disa foto nën hashtagun #VizitoLurën #LiqenetELurës, njëra prej të cilave është fotoja shoqëruese.
Anëtarët e kësaj organizate i kërkuan Kryeministrit Rama gjatë vizitës së tij në Lurë që të shihte mundësinë e rregullimit të rrugës për te liqenet, pasi vetëm kështu mundësia për zhvillimin e turizmit dhe ruajtjen e kësaj pasurie nga djegiet dhe prerjet do të bëhej e mundur.