Mehmet pashë Deralla në kujtimet e një gjenerali


 

Jeta e njeriut është si një përrua malor që zbret në kapërdredhjet e ngushta të shtratit formuar prej tij, përgjatë një relievi të përthyeshëm. Ndërsa e një patrioti të madh si Mehmet pashë Deralla, jeta i ngjan një lumi ujëshumë me shumë ujëvara, lakore, bërryle e shtrat gjerë, ku prurjet e tij lëvizin plotë kapriço.
Në librin e tij me kujtime gjeneral Vinçenco Murikio krahas përshtypjeve të udhëtimeve nëpër Shqipëri, analizon situatën politike, gjendjen ekonomike, anarshinë shoqërore të asaj kohe, hedh dritë mbi embrionin e krijimit të shtetit të ri shqiptar dhe takimet me disa patriotë të mëdhenj shqiptarë si Ismail Qemalin, Mehdi Frashërin, Luigj Gurakuqin, Prenk Bib-Dodën, Abdi bei Toptani, Fezi Alizoti etj.
Lexojmë se si shkruan ai për pashallarët e kohës së sundimi osman: “Nga viti 1905 – 1908 u thirra nga gjeneral Gjorgjis ku më ngarkoi me detyra në Vilajetin e Manastirit… Në këtë rast jam përpjekur të sillem e të ndihmoj mjaft pronarë shqiptarë myslimanë, të cilët kishin mjaft toka në pronësi… (V. Murikio Kujtime nga shqip. f.14, Napoli 1935)
Ai vlerëson te këto pashallarë shpirtin patriotik, për mëvetësinë e Shqipërisë. Dhe lexojmë: “Jo pak prej këtyre bejlerëve kishin ndjenja patriotike, te cilën e vlerësonin shumë… një autonomi të qëndrueshme, por me një të ardhme jo të shpejtë për Shqipërinë.” (V. Murikio, 1935:14-15)
Duke vazhduar leximin e librit, i cili është i mbushur me ngjarje e fakte, zbulojmë mbi jetën e patriotit Deralla. “Në vitet 1912-1913 banoja në qytetin e Barit me detyrën e komandantit të një grupi artilerësh. Gjon Deragjati kishte dëgjuar mbi raportet e mia me shqiptarët, prandaj më afroi e më prezantoi me mjaft shqiptarë me banim të përkohshëm në qytetin e Barit, ose që po kalonin këndej. Më njohu përsëri me midir (mbarështues qeveritar i një krahine, qyteti. S.M.) beu me emrin Mehmet bej Deralla- Tetova. Ky me Ismail bej Qemalin kishin formuar në Vlorë Qeverinë e parë Shqiptare (12 nëntor 1912- këtu autori ka gabuar pra është 28 nëntor 1912 S.M).,, (po aty, f. 17)
Gjenerali duke patur një kujtesë të fuqishme, kthehet prapa me kujtimet e tija duke pasqyruar në detaje një takim tjetër me patriotin tetovar Deralla. Dhe lexojmë: “Midir Beu, pra Mehmet pash Deralla, gjendesh në Vlorë i izoluar nga babai i tij, me Ismail Qemal beun, sepse bregdeti shqiptar ishte bllokuar nga pushtuesit grek, prandaj ai më kërkoi ndihmë financiare. Unë i dhashë atij kursimet e mia (3000 lira), i cili me premtoi se do të mi kthente sapo të largoheshin grekërit. Kur po kthehesha në Shqipëri dëshironte të më përshëndeste. Pashai i vjetër më përqafoi ngrohtësisht duke më falënderuar për ato që unë kisha bërë për familjen e tij. Ai më tha: “Kolonel, po qe se do të keni rastin, në të ardhmen, të shkelni në tokën shqiptare, kujto shtëpinë time se ajo do të jetë në shërbimin tuaj.” (po aty, f. 15-16)
Përsëri jemi në fillimet e vitit 1914, dhe gjenerali takon përsëri pashain tetovar dhe ja çfarë shkruan: “…megjithatë edhe në Durrës pata raste të takoi njerëz të shquar shqiptar, si të krishterë, si muslimanë- takohem me Mehmet pash Derallën nga Tetova (Kosova), Hasan bej Prishtinën, doktor Turtuli nga Korça, Murat bej Toptanin, Fuat bej Toptanin”, (po aty f.28)
Duke lexuar këto pjesë të shkurtëra të shkëputura nga kujtimet e gjeneralit italian, mik i ngusht i shqiptarëve, lind vetëvetiu pyetja: Vallë, çfarë kërkonin, me çfarë merreshin këto njerëz të shquar në qytetin e Durrësit dhe Tiranës? Sa për ta kuptuar po shkëputim një pjesëz,po aty f.28: “Në këtë kohë disa bejelerë të Maqedonisë, ishin të pushtuar nga trupat armike serbe e nga grekërit, prandaj ato kishin ardhur në Tiranë dhe kishin formuar Klubi e tyre.”
Aq shumë ishte forcuar miqësia e patriotit tetovar me gjeneralin italian saqë: “Mehmet pash Deralla më ftoi një mbrëmje për të ngrënë në Klubin e bejelerëve të Kosovës, ku ai ishte president. Me prezantoi me të gjithë miqtë e tij duke më konsideruar mik i sinqertë i çështjes shqiptare.”(po aty. f. 28-29)
Erdhi momenti të trajtojmë një çështje mjaft delikate, e vështirë të jepen përfundime të sakta, por që mjerisht vazhdon akoma te shqiptarët e Maqedonisë, në Kosovë, Mitrovicë e Mal të Zi etj. Një plagë e cila kullon ende gjak, shkombëtarizimi, e ne shqiptarët nuk jemi të organizuar, të unifikuar, për ta ndaluar përfundimisht. Dukuri e cila edhe në trungun e kombësisë shqiptare që është Shqipëria pas viteve 1990, ka hyrë si një epidemi shkatërruese, duke sjellë në një mënyrë ose në një tjetër shkombëtarizim, ligësim politik, ekonomik dhe zbehjen e çështjes kombëtare, “dhuratë” e politkanëve shqiptarë përgjatë një çerek shekulli.
Autori i këtij libërthi të vogël në volum, por me një analizë të thellë të fakteve, ngjarjeve na dërgon qetësisht në një problem plagëshumtë: “Mehmet pash Deralla, një ditë prej ditësh më propozon që ti bëja një kërkese për të shitur gjithë pronat e tija në pjesën e sipërme të Vardarit (Tetova), kapitalistëve italianë. Un iu shkruajta menjëherë Ministrisë përkatëse në Romë ku erdhi përgjigja që mund të filloja bisedimet.”( po aty, f. 29)
Dhe më tej, autori e përgjithëson këtë veprim duke e shtrirë më gjërë. “Mjaftë bejelerë të tjerë, në krahinat e pushtuara nga serbët dhe grekërit në Luftën e DytëBallkanike, vinin tek unë dhe më propozonin të njëjtën kërkesë që më bëri më parë Mehmet pasha.” (po aty f. 29)
Por, arsyet e largimit nga vendlindja, mëmëdheu i tyre jo vetëm i të pasurve, por edhe i fshatarësisë e qytetarëve të varfër, ka shpjegime e arsye më të thella, më të dhimbshme, më njerëzore, më konkrete, më jetësore. Edhe për këtë rast po i drejtohemi librit të gjeneral Vinçencos: “Vizitojm dy Dibrat dhe Lumën (Mars 1913, S.M), ku mund të evidentojm që ushtria serbe ishte tërhequr matanë kufirit, duke masakruar gjithçka. Azgjë më shumë se barbarët duke mos kursyer pasuritë modeste për jetesë, as gratë, as fëmijët që pinin qumësht nga nënat, të cilët i hidhni në zjarr për ti zhdukur. Të mëdhenjt, të cilët nuk kishin ikur të fshiheshin në pyje e që fatkeqësisht kishin rënë në duar të tyre, i kanë masakruar të gjithë. Në një fshat të Dibrës së poshtme të gjithë meshkujt janë gjetur të therur”. (po aty, f. 18)
Kapitalet e huaja ishin të interesuara që të hynin në Shqipëri edhe pse gjendja politike ishin mjaft e acaruar dhe shqiptarët ekonomikìsht ishin kockë e lëkurë. Dhe ja si e trajton koloneli italian: “Një ditë paraqitet tek unë një inxhinier francez, emri i të cilit nuk më kujtohet, i cili më kërkoi që unë të hyja në bisedë për shitje tokash, për llogari të kapitalistëve francezë, bie fjala për këto toka në Maqedoni, pronarë një shqiptar. Unë u përgjigja i qetë dhe me kulturë inxhinierit francez, se po të dëshironi kontaktoni direkt me këto bejlerë”. (po aty. f. 30)
Në këto situata teje e të vështira për Shqipërinë jetoi e punoi në mes shqiptareve gjeneral Viçenco, duke kryer veprimin tjetër më njerëzor se kurrë, më të kulturuar sa s’ka ma, pasqyruar në ketë libër, këtë odise udhëtimi e qëndrimi duke e mbyllur kështu: “Sukseset e dy popujve të cilët jetojnë përballë njëri-tjetrit me ndarjen ujore,Detin Adriatik e Jon, për të jetuar si gjithmonë në vëllazërim, duke iu rekomanduar shqiptarëve që të njihen sa më mirë nga italianët, të cilët gjithmonë kanë dëshiruar e dëshirojnë si në një kohë,zhvillimin e pandërprerë moral e material”. (po aty f. 55).
Gjithashtu, përshkruan takimet, bisedat, marrëdhëniet me mjaft njerëz të shquar që punonin për krijimin e shtetit shqiptar, forcimin ekonomik, stabilitetin politik të Shqipërisë, por edhe problemet social ekonomike të secilit prej tyre.