Odat ku prodhohej filozofia popullore


Filozofia popullore / Xhafer Martini Botimet M&B, 2017 / ISBN 978-9928-4458-3-4 / Faqe 256 / Çmimi: 1000 lekë

Nëse streha e filozofisë së antikitetit kanë qenë shkollat filozofike, nëse streha e filozofisë së sotme moderne janë universitetet, streha e filozofisë popullore kanë qenë odat dhe kuvendet. Në odat është holluar mendja, në oda është thelluar mendimi, në oda filozofët popullorë angazhoheshin në sipërmarrjen e përbashkët për ta çuar jetën përpara me anë të diturisë. Odat kanë qenë parlamente të vërteta popullore. Madhësia e tyre ka qenë e ndryshme, por preferoheshin odat e mëdha, që merrnin shumë burra, që ishin të hapura natë e ditë, jo vetëm për miqtë e dashamirët, por edhe për rrugëtarët e shtegtarët, për çdo njeri që kalonte andej. Kuptohet se sa e larmishme ishte pjesëmarrja e natëpërnatshme e burrave që hanin, pinin, dhe shkëmbenin mendime për çdo problem të jetës. Për të krijuar një ide rreth këtyre odave po japim vetëm njërën që e ka përshkruar misionarja angleze Margaret Hasluck:
“Odë me përmasa të jashtëzakonshme kishte Cen Elezi në Sllovë. Aty mund të flinin njëqind burra secili me dyshek e me jorganin e vet. Përmasat e saj të sakta nuk i dimë, por kjo merret me mend nga miqtë e shumtë që mund të rregulloheshin në nji natë. Oda ishte jo vetëm shumë e madhe, por edhe shumë moderne për atë kohë e për kohën tonë. Ajo kishte nji oxhak të stërmadh, rreth të cilit ishin shtruar shilte, lëkura, sixhade, për një ndenje të rehatshme, këmbëkryq, si qëmoti, tue e pa zarmin me sy. Në zjarm vihej nji kërcunë e madhe që vetëm ai oxhak e merrte. Oda, veç tek oxhaku, kishte ene kande të tjera, sipas shijeve e qëllimeve të tjera. Kishte nji kand me kolltuqe moderne, nji tjetër me divanë të gjanë, ku mund të rrinin rreth nji tryeze njizet burra lirshëm. Në mes të odës ishte nji tryezë jashtëzakonisht e madhe, e rrumbullakët, rrethue me kolltuqe, ku mund të uleshin tridhjetë – dyzet burra. Oda kishte tetë dritare të mëdhaja, që, për nga gjatësia, shkonin deri afër tavanit, që ishte pesë-gjashtë metra i naltë. Kjo odë ishte në katin e dytë. Edhe pse kishte shumë dritare e të mëdhaja, ishte ndërtue në atë mënyrë që askush nuk mund të shikonte nga jashtë në odë, në çfarëdo kodre e maje ku mund të ngjitej. Kësisoj oda ishte e mbrojtur nga çdo sulm eventual që mund t’i bahej nga larg. Çdo natë në këtë odë darkoheshin dhe flinin njiqind udhëtarë, secili në të ague vijonte rrugën e vet. Kishte nji kuzhinier, i cili kishte një dhomë gatimi më vete, ku therte çdo natë nga dy desh ose nji ka dhe përgatiste të njejtën menu: supë, mish të zier dhe pilaf orizi. Gratë kishin kuzhinën e tyne, ku gatuanin për vete dhe për fëmijët në rast se shefi i kuzhinës nuk u linte gja për të ngranë”. 1) Si kjo odë nuk kishte as paria, edhe ata më të pasurit, por, sidoqoftë, oda të mëdha dhe më pak moderne kishin shumë prej tyre. Njerëzit e thjeshtë të popullit kishin oda të veçanta për burra, por, natyrisht, shumë modeste. Shumica dërrmuese e popullit ishte shumë e varfër. Kjo shumicë e priste mikun në vatrën e zjarrit, në odën e vetme ku gatuanin e hanin, ku rrinin edhe gratë e fëmijët; edhe në ato kushte, në vatrën e zjarrit, thuheshin shumë fjalë të mençura që e pasuronin fondin e artë të filozofisë popullore. Prandaj filozofia popullore nuk mund të kuptohet edhe pa kontributin e vatrave shqiptare.
Në odat e popullit ajo që të mahniste ishte mënyra se si bisedohej. Fjala merrej me radhë, edhe pse askush nuk mbante radhë. Bisedohej me qetësi dhe urtësi, duke e peshuar çdo fjalë, mos vriste dikë pa dashje, kurse me dashje dhe me qëllim ajo punë nuk bëhej kurrë. Kur shikon sot se si kacafyten në emisione televizive “analistë dhe politikanë” për t’u treguar “të zgjuar”, si përleshen në parlament i cili jo vetëm nuk është tempull i mençurisë, por është kulmi i marrëzisë, të vjen të thërrasësh: ku jeni o kohët e shkuara, kur në Shqipëri kishte vërtet burra!
Po le të merremi me ata burra. Në popull kishte disa filozofë të vërtetë, megjithëse pa shkollë. Ata kishin një etikë dhe kulturë të madhe në mënyrën e sjelljes dhe të bisedës. Shumë herë shtronin ndonjë pyetje për gjithë mexhelisin. Problemi rrihej nga të gjitha anët dhe arrihej në një përfundim të caktuar. Nëse problemi kishte rëndësi të përgjithshme, më vonë do të bëhej normë zbatimi i tij.
Zakonisht në mexhelise vepronin si “një pendë qe”, dy mendimtarë popullorë që hapnin bisedën duke e orientuar atë sipas tematikës. Kultura e tyre e shprehjes ishte e madhe, alegoria dhe simbolet që përdornin ishin me vend, gjë që e bënte bisedën të këndshme për secilin dëgjues. Ja se si na vjen mënyra e përcaktimit të tematikës dhe të problematikës së një mexhelisi duke pasur parasysh këtu edhe interesin e pjesëmarrësve në atë mexhelis:
“Atë natë Vesves Huta dhe Murat Buta, dy bartës të shkëlqyer të filozofisë së popullit dhe të alegorisë së tij, ishin miq në shtëpinë e Ali Kucbashit, në odën e tij të madhe mbushur me burra. Murati, si më i vjetër që ishte, kishte zënë kryet e vendit, kurse përkarshi tij, pothuaj përballë, ishte ulur Vesves Huta.
– Or Vesves Huta, a i hipim kaikes, a rrimë në tokë?- e pyeti Murat Buta.
– Ma mirë rrimë në tokë, o Murat, se si toka nuk ka. Detit nuk i dihet.”
Burrat e tjerë nuk e kishin të vështirë për ta kuptuar që Murat Buta pyeti Vesves Hutën nëse do të flisnin për ngjarje ndërkombëtare, duke kapërcyer detin, apo për hallet e popullit në Shqipëri. Pra, siç shikohet, përcaktohet më parë tematika e bisedës, por kjo gjë nuk bëhet në mënyrë shkollareske dhe vulgare. Pastaj ata të dy do ta udhëqinin bisedën jo duke vënë norma dhe kufinj, por duke e alternuar atë sipas përbërjes së mexhelist, madje duke ndarë edhe rolet mes veti:
– O Murat, a të kapësh lopatën apo kazmën? – e pyet shokun Vesves Huta.
– Jo, jo, o Vesves Huta, më mirë gërmo ti dhe unë po qes, se jam burrë i vjetër e kazma më lodh. Janë vegla vorri, të dyja të rënda, por si ma e lehtë asht lopata.
– Jo, vallahi, gërmojmë bashkë dhe qesim dheun bashkë, – se ene mua më ka lanë takati krejt.
– E po mirë, si të duesh ti po e bajmë”.
Dy filozofët popullorë, siç mund të kuptohet, morën përsipër ta drejtonin të dy bisedën, duke aktivizuar krejt mexhelisin e burrave. 2)
Me shprehjen “përtej detit”, kuptohej se në mexhelise trajtoheshin edhe çështje ndërkombëtare, bëhej politikë e jashtme kombëtare, me kthjelltësi dhe largpamësi, gjithnjë në përputhje me interesin kombëtar. Për këso tematikash zakonisht ishin kuvendet e burrave ku jo vetëm shqyrtoheshin probleme me rëndësi, por merreshin edhe vendime për zbatimin e tyre:
“ Në Kuvendine Nandë Maleve të Dibrës që u mblodh tek Ferra e Pashës në Dibër të Poshtme, foli patrioti Selman Alia e tha:
– Kam marrë vesh se mbas turkut vendi ynë ka me u shkelë nga serbi, prandaj të mendojmë si me ja ba.
– Unë mendoj se duhet me u lidh me inglizin se “asht i madh e na mba, asht i pasun e nuk na ha”,- tha atdhetari Isuf Karahasani.
– Ke inglizi duhet me shpresue, por ene të kapim pushkët me luftue,- tha Ahmet Kaloshi i Vjetër”. 3)
Duke përjashtuar ndonjë odë si ajo e Cen Elezit, në përgjithësi odat e popullit, edhe kur ishin veç për burrat, ishin të thjeshta, me dysheme prej dheu, mbuluar me hasra dhe mutafë Prizreni, ku burrat rrinin këmbëkryq për të marrë sa më shumë njerëz. “Një pasuri e tillë siç ishin bisedat nuk mund të ruhej veçse në një ngrehinë të thjeshtë, e cila nuk duhej të tërhiqte vëmendjen e grabitësve dhe keqbërësve. Një pasuri e tillë e brendshme sikur nuk i pranonte zbukurimet dhe stolitë e jashtme. Në atë thjeshtësi gati shpellore janë ruajtur vlera të mëdha, tërë pasuria shpirtërore e popullit. Aty ka funksionuar ai mekanizmi i çuditshëm që prodhonte art, filozofi, strategji, politikë, diplomaci, e gjithçka tjetër. Aty në ato pak metra katrore kishte “aerodrome” ku “avionët” e mendjes ngriheshin dhe uleshin vazhdimisht, kalonin detra dhe oqeane, shtete dhe kontinente. Aty bëheshin planet e betejave e të luftërave, aty fillonin kryengritjet popullore, aty lidheshin aleancat, firmosej paqja, aty i kishin selitë konsullatat e ambasadat e shteteve të huaja, aty trokonin trenat e Orientit dhe të Oksidentit, aty ishte abetarja e enciklopedia, universitetet, telekomi, radarët, kompjuterat, transmetimet satelitore, interneti etj. 4)

1) Margaret Hasluck: “Kanuni Shqiptar”, Tiranë 2006, f. 33 (Referohet sipas librit “Perlat e Dibrës”. Botimi i dytë, Tiranë 2008, f. 46)
2) Xhafer Martini: “Perlat e Dibrës”, Tiranë 2008, f. 124
3) Martini: “Perlat e Dibrës”: 2008:30
4) Martini: “Perlat e Dibrës”: 2008:47