Të jesh grua


Sapo ka dalë në qarkullim libri “Të jesh grua”, i autores Sanie Degjoni Ndreka, botuar nga Shtëpia botuese M&B.
Ky libër me poezi vjen pas disa botimeve të tjera të autores.
Sanie Degjoni Ndreka u lind në Brezhdan, Peshkopi. Pas diplomimit në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi, ka punuar si mësuese në disa shkolla 9-vjeçare dhe të mesme. Ka punuar si drejtore e shkollës 9-vjeçare Arras dhe nëndrejtore e shkollës 9-vjeçare “Selim Alliu”, Peshkopi. Është trajnuar për metodat bashkëkohore të mësimdhënies.
Ka botuar librin me poezi “Ëndrra të vrara”. Poezitë e saj janë botuar edhe në librin “Antologji e poezisë dibrane”. Ka botuar, me bashkautore Femie Kaziun, librat për fëmijë “Një buqete për ju”, në dy vëllime për klasat 1-2 dhe 3-4.
Ka menaxhuar për disa vite në mënyrë të suksesshme kopshtin e saj privat “Fluturat”. Bashkë me kolegen Femie Kaziu po përgatisin një libër tjetër për fëmijë. Vazhdon të punojë me pasionin e saj të kahershëm si mësuese e suksesshme!
Përjetim

Kisha provuar një herë
detin me këmbë.
Më duket se një tjetër herë
luftova me mullinjtë e erës
si Don Kishot.
E ferrit të Dantes i rashë
pash e me pash.
Po krenarinë
rrugës askund s’e lashë.
Më pas u kreha bukur
me krehrin e argjendtë
me mendimet që kacavirren
si enigma të një kohe të çmendur
fillova prapë të zgjedh mend!
Madhështor ai çast
kur të tjerët para meje
janë veçse hije
që fshehin fytyrat prej hiene!!!

Jetë më dhuroni…
(fëmijëve të mi)

Pikëzat e mia të mjaltit
që më ushqeni çdo ditë
me pjalm lulesh, nektarë
me kalori të shëndetshme
me copëza dashurie
të kristalta si ujëvarë.

Me dhuroni çdo ditë
energji
që ta filloj të nesërmen
një ditë të re, ndryshe
gjithsesi!

Kjo është jeta

Në jetë ka jetë
që zgjasin një jetë
në jetë ka jetë
që mbeten në gjysmë
në jetë ka pengje
që s’u thanë kurrë,
në jetë ka duar
që zgjaten urë!

Në jetë ka zemra
që nuk përgjysmohen,
në jetë ka dashuri
që nuk shteron kurrë,
në jetë ka finesë
që mbetesh grua
në jetë ka vepra
që mbetesh burrë!

In memorie 5
(Bashkëshortit tim M. Ndreka)

Sa e sa herë kthehem
tek ky kënd i bibliotekës
Pas kaq vitesh të gjata
sa një jetë,
Me fotot e tua pranë
por pa ty!
Sa herë folëm për dashurinë
dimensionet pa limit!
Dashuria s’ka fund më thoje
por as fillim,
E kemi aty çdo çast e moment
dashuria është pritje, ikje, kthim
Është gëzimi i së përditshmes
është puthje, përqafim,
është aty, por pa ty!

E përhumbur nga mungesa
jote e gjatë
Ti sfidon me buzëqeshjen tënde,
Gjunjëzimi s’është për fitimtarët
më thua!
Të dukem e gjunjëzuar?
Jo, kurrë
ende s’më besohet
që s’je më aty!
dhe pa ty!

Ti që më flisje gjithmonë
për sakrificat e orëve të vona
të mjekut të rojes,
për jetë të shpëtuara fëmijësh,
për dhjetëra beteja të fituara mbi vdekjen
për shpresë jete dhe projekte!

Na dhemb ikja jote e shpejtë
një vend bosh në tavolinën e gëzimeve,
një trokëllitje e munguar gote.
Se ti nuk ishe aty
në gëzimin më të bukur të vajzës
kishe mbledhur gjithë nektarin e botës
si pikëzat e vesës së agut,
e shpesh ëmbëlsisht i thoje
Princesha e babit!
Se ti nuk ishe aty
në gëzimin më të bukur të djalit
kish mbledhur gjithë kaltërsinë e qiellit
me vezullime të arta të yjeve,
e shpesh ëmbëlsisht i thoje
Drita e syve!
Po ti s’ishe aty
as për ditëlindjen tënde e timen
të festonim si përherë
Atje tek Class
me nga një gotë festash
me verë!
Na mungojnë dhuratat e tua
lulet, librat me dedikim
mungon mundimshëm
në çdo gëzim,
Si se dije që ishte një ikje
pa kthim!

Flas me ty çdo mëngjes,
çdo mbrëmje
Aty në një kënd të bibliotekës,
mes librash që na i dhuroje ti!
Shpesh dhimbja na kaplon të treve
unë jua lexoj dhimbjen
fëmijëve në sy, por pa ty!
Është e egër bota ku jetojmë
sado vlera të kesh
këtë s’e kam ndier
kur isha me ty!
Po ti buzëqesh, prapë si përherë,
hiç mos u trishto më thua,
e ne vërtetë po ia dalim,
ashtu ndershëm dhe njerëzisht
siç na mësove ti!
Ndaj flasim parreshtur
Çdo mëngjes, çdo mbrëmje
Me ty, për ty!

E vërtetë

Sidomos fajtorëve
vërju një emër!
Se faji mbetet gjithmonë jetim,
e vërteta nuk ka çmim!
E thotë e madhja Nënë Terezë
Njerëzit që gabojnë
të japin një mësim!
Poeti dhe lulet

Lulet dhe poeti janë një
lulet ishin aty
para njerëzimit.
Pastaj erdhën poetet
dhuruan pjalm lulet
dhe nektar bletët
dhe u ngjizën poetët.
Simbioze perfekte.
E çfarë nuk krahasuam me lulet
vajzat si lulet, dashuria si lulet,
e bukur si lulet
erëmirë si lulet
qëndisur si lulet.
U tha muza e poetit
kur u thanë lulet,
lulet e thara nuk buzëqeshin
Lulet e thara akuze
për të dëshmuar pritjen….
ikjen, udhën e kthimit
dëshmi autentike
copëza të thyera të trishtimit!

Ndjesi

Atë ditë të bardhë gushti
shiu m’u duk si femër
me flokë të qullëta,
me buzë të ngrohta
të lagura nga puthja.
Më përkëdhelin
pikëlzat e shiut në fytyrë
lehtas si krahë pulëbardhe.

U zgjova nga ëndrra
me njëmijë pendime,
vetëm pulëbardhat e qiellit
dinë të përkëdhelin kështu.

Rastësisht

Duhet shumë pak
për të t’u prishur dita:
Një zgjim pa ngjyra
Rastësisht me të marrin
e parë një takim
E ç’kapriço bën dhe natyra.
SYZA MIOPI

Zbulo diçka të bukur
te vetja çdo ditë,
le t’i mungojnë,
botës së verbër sytë
Do të mjaftojë edhe vetvetja
për t’u bërë bashkë
për t’i thënë botës mjaft!
Je hipokrite, je e padrejtë!
je dreqi vetë,
Kufiri i së keqes
s’është i pamundur
për t’i thënë botës
vër syze
ose ndërro numër!

Eh… Jetë

Shtigje të ashpra të rrugës jete
ca rrugë përgjysmë në ngjitje përpjetë
ca rrugë i humbëm ende pa i gjetë
gënjim zhgënjim qenka kjo jetë!

Si trëndafili

I kuq trëndafili i zemrës,
Rozë trëndafili i dashurisë,
i bardhë trëndafili
i engjëjve të qiellit
simbol i përjetësisë!

Trëndafila si deti
ngjyrë blu…
Dy sytë e tu!