Xhelal Karoshi, ushtaraku që kujtohet me respekt nga Jugu në Veri


Në fillim të qershorit u nda nga jeta, në moshën 70 vjeçare, Xhelal Selman Karoshi.
Xhelali u lind në Tiranë më 25 mars 1948, por shumë shpejt familja e tij u kthye në vendlindje, në Fushë Alie të Dibrës. Xhelali lindi në një familje atdhetare. Babai i tij, Selman Karoshi, kishte kryer studimet ushtarake në Itali dhe prej andej u përfshi me forcat partizane, deri në çlirimin e plotë të vendit..
Xhelali u rrit në një familje të madhe dhe në kushte të vështira. Pasi mbaroi shkollën 7-vjeçare në fshat, edukimi atdhetar i familjes ngjiti te Xhelali dëshirën duke shkuar në fidanishten e ushtrisë shqiptare në shkollën “Skënderbej” e mandej në shkollën e bashkuar ushtarake.
Xhelali atje u dallua për rezultate të larta duke u titulluar oficer në organet e sigurisë. Çdo njeri ka një origjinë, por Xhelali u bë i gjithë Shqipërisë duke shërbyer në Dibër, në male të Kurveleshit, në qytetin e metalurgëve Rubik e në bregdetin e Durrësit ku mbylli karrierën.
Në vitin 1970 u martua me Lefterinë, e cila e ndoqi në çdo hap duke lindur 2 fëmijë Rudinën dhe Arbenin që kanë vendlindje Tepelenën, u rritën në Rubik e së fundi krijuan familjet në Durrës e jashtë vendit. Xhelali dhe Lefteria nuk u la fëmijëve ndonjë pasuri, por u la atyre emrin e mirë. Ata shkëlqyen dhe mbetën jo vetëm në zemrat e familjarëve të tij, por edhe në kujtesën e malësorëve të Dibrës, Mirditës e Labërisë, në Shqipërinë e Mesme e te të komshinjve të tyre e çdo njeriu që i njohu.
Xhelali përshtatej me çdokënd në jetë, ka qenë praktik, duke e jetuar atë në përshtatje me rrethanat, duke i kapërcyer me kurajë situatat që i ka sjellë jeta.
Xhelali ka dhënë një kontribut shumë të vyer në periudhën e ndryshimit të sistemit, duke përgatitur e motivuar efektivët e policisë, në përputhje me standardet e reja të kohës, duke qenë kështu një shembull për tu ndjekur.
Me daljen në reforma kreu punë të ndryshme, edhe fizike, për të plotësuar kushtet e familjes e duke mos u dorëzuar.
Xhelali e Lefteria, në mendjet e kujtdo do mbaheni mend si një çift shembullor, si prindër model, si qytetar të ndershëm, si shembull për çdo njeri që bëhet prind.
I paharruar qoftë kujtimi i tyre.

Xhelo Tozaj, Nevruz Brezi, Kamber Manjani, Skënder Lusha, Selim Lata, Hysen Repa