Batalioni partizan i Dibrës


Gjatë vitit 1943 lufta kundër fashizmit italian çoi në zhvillime të reja e të rëndësishme për fatet e Atdheut dhe popullit shqiptar. Jashtë këtyre zhvillimeve nuk mund të mbetej Dibra, përkundrazi aksionet e Çetës së parë të Dibrës (20 qershorit 1942)u shtuan. U krijuan Çetat e reja partizane si ajo e Grykës së Madhe, Sllovës në shkurt të vitit 1943 dhe Çeta e Gollobordës në ditët e para të muajit gusht 1943.1 U shtuan radhët e luftëtarëve, lindi nevoja e krijimit të njësive më të mëdha ushtarake si batalionet, brigadat, divizionet e korparmatat. Më 10 korrik 1943 në Labinot u vendos krijimi i Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare, Shtabi i përgjithshëm i saj që mori përsipër udhëheqjen ushtarake të Luftës Antifashiste për çlirimin e vendit.
Më 24.07.1943 në shtëpinë e Isuf Koçit në Çerenec të cilën e kishim bazë të luftës qysh prej marsit 1941 bëmë mbledhjen e Celulës së Partisë. Mbasi i rrahëm mendimet për detyrat e reja që na dilnin, përpunuam planin e organizimit të batalionit. Diskutuam konkretisht për shtimin e radhëve me partizanë të rinj, për kuadrin e batalionit e të çetave, për aksionet e ardhshme, etj. 2 Komandant u caktua Haxhi Lleshi dhe komisar Njazi Islami. Në Gjoricën e sipërme, para shkollës, më 26 korrik u mblodh populli i Grykës së Vogël bashkë me 180 luftëtarë që përfaqësonin tre çetat partizane të Dibrës; Grykës së Vogël me komandant Ymer Lleshi, Grykës së Madhe me komandant Lym Zeneli, më vonë Muntas Kodra dhe Sllovës me komandant Esat Ndreu pastaj Faik Ndreu. Çeta e Gollobordës erdhi në batalion në gjysmën e dytë të muajit gusht me komandant Ahmet Cami.
Në Dibër, veprimtaria luftarake e çetave i kish detyruar forcat italiane të përqendroheshin në qytete si, Dibër e Madhe, Peshkopi, Burrel, Tetovë, Gostivar, Strugë, Kërçovë e Zerqan. Ishin krijuar zona të lira pothuajse në të gjitha fshatrat , reparte të vogla me pak personel ushtarak kishte në nën/prefekturën e Zerqanit, Trebisht e Bulqizë.
Përmbysja e Musolinit në Itali ishte një lajm i gëzueshëm për Luftën Nacionalçlirimtare. Shumë shqiptarë që ishin mobilizuar me forcë në radhët e ushtrisë italiane dezertuan, ndërsa ushtarëve italianë iu ngjallën shpresat për t’u kthyer në atdheun e tyre pranë familjeve. Vendimi i parë i Batalionit partizan ishte çlirimi i Zerqanit. Kjo detyrë iu ngarkua Çetës partizane të Grykës së Madhe.
Më 1 gusht 1943 Çeta hyri në Zerqan, bllokoi zyrat e administratës e nën/prefekturës, përforcoi forcat rreth kazermës së xhandarmërisë dukë kërkuar dorëzimin e tyre pa harruar disa masa të tjera si prerja e linjës telefonike që lidhte Zerqanin, prishjen e urës në Zall Sopot, etj. Më2 gusht erdhi me urgjencë në Zerqan Haxhi Lleshi së bashku me komandën e Çetës e komisarin e saj Spiro Velko, thirrën nëpërmjet Isa Sulës (një patriot e bazë e luftës) Shyqyr Baftjari (komandant i xhandarmërisë së Nën prefekturës), i kërkuan të dorëzonte garnizonin e të bashkohej me lëvizjen. Ai dorëzoi armët dhe nëpërmjet një letre u dha urdhër vartësve të tij të dorëzoheshin pa kushte. Bashkë me ato u dorëzuan disa karabinierë italianë nën komandën e marshall Mancotin. Të gjithë u lanë të lirë, italianët u drejtuan për në Dibër të Madhe.
“Armiku dorëzoi 7 mitraloza, 60 pushkë, si dhe municione e veshmbathje të shumta”3, të cilat iu shpërndanë popullit pas manifestimit që u organizua me rastin e çlirimit të Zerqanit. Ishte një fitore pa luftë e rezistencë sepse forcat armike e ato reaksionare e dinin mbështetjen që i bënte luftës Nacionalçlirimtare populli i Grykës së Madhe, ku morali, besimi e optimizmi rritej nga dita në ditë e nga aksioni në aksion. U zgjodh edhe Këshilli Nacionalçlirimtar i krahinës,me kryetar Myslim Shehun dhe anëtar: Riza Hanku, Adem Sinani, Islam Gurra e Riza Navaku. Partizanët e Batalionit të Dibrës më 6 gusht çarmatosën postën e karabinierisë në Spas, ndërsa më 7-14 gusht së bashku me forcat partizane të Martaneshit, Çermenikës e vullnetarë nga Gryka e Madhe e Bulqiza sulmuan repartin italian që ruante Minierën e Bulqizës.
Komanda e forcave italiane vendosi të kryente një operacion me 14 gusht në drejtim të Peshkopisë. Ajo nisi një regjiment këmbësorie shoqëruar me autoblinda. Forcat partizane zunë me shpejtësi kodrat e Pesjakës (Maqellarë) në vijën Pesjakë-Pocest-Obok. Rreth orës 900 të mëngjesit makinat me ushtarë italianë hynë në zonën e pritës, partizanët hapën zjarr, ndaluan autokolonën. “Forcave italiane u erdhën në ndihmë përforcime, megjithatë nuk mundën të lëviznin për në Peshkopi, u tërhoqën mbrapa, dogjën shtëpitë e Fiqiri Dines dhe shkuan në Dibër të Madhe.” 4
Italianët lanë në fushën e betejës 13 të vrarë, shumë të plagosur, dy makina u dogjën e disa të tjera u dëmtuan rëndë.
Në Sofraçan batalioni ka zhvilluar një nga betejat më heroike të Luftës Nacionalçlirimtare. Ai ishte në dijeni për përgatitjet që bënte ushtria italiane për të hapur rrugën Dibër-Mat, të ripushtonte Zerqanin dhe të vendoste lidhje me garnizonin e Burrelit. Më 23 gusht një autokolonë e ushtrisë italiane prej mijëra ushtarësh doli nga Dibra e Madhe, Maqellarë, Shupenzë, u nda në tre kolona; e I-ra Vlashaj–Sofraçan-Krajkë-Peladhi; e II-ta Ura e Çerenecit-Sofraçan-Krajkë dhe kollona e III-të Çerenec-Strikçan-Zerqan-Valikardhë, për t’u takuar të trija tek Ura e Xhitetit. Komanda e batalionit urdhëroi Çetën e Grykës së Vogël dhe atë të Grykës së Madhe të lëvizin me shpejtësi për të zënë pritë tek Gryka e Sofraçanit, përball rrugës automobilistike tek Gurët e Hoxhe. Në Zerqan kish mbërritur edhe Batalioni i Martaneshit i cili bashkë me Çetën vullnetare të Zerqanit ishin caktuar në prapavijën Sopot-Zerqan-Strikçan me detyrë për të mbrojtur krahët. Partizanët të maskuar ndoqën veprimet e armikut i cili me autoblinda kontrolloi rrugën deri në Krajkë në gatishmëri për të hapur zjarr. Në kodrat e Çerenecit artileria hapi zjarr në mbështetje të forcave tokësore. Kur forcat e armikut hynë në zonën e pritës partizanët hapën zjarr të befasishëm ndalën autokolonën të cilën e kapi një panik i madh dhe u çorientua. Gjatë natës partizanët lëvizën dhe zunë pozicione të tjera. Pas tre ditësh forcat italiane mundën të mbërrijnë në Qafën e Buallit. Nga ushtria italiane mbetën të vrarë 100 dhe u plagosën dhjetëra të tjerë, kurse nga ana e Ushtrisë Nacionalçlirimtare ranë heroikisht Mexhit Tola nga Ostreni e Kamber Xhafa nga Kovashica. Lufta e Sofraçanit bëri bujë të madhe në Dibër e jashtë saj ; Tashmë lufta po futej në një fazë të re, forcat italiane ishin demoralizuar e strukur në garnizonet e tyre.
Më 2 shtator 1943 Çeta e Gollobordës dhe e Grykës së Vogël dëbuan forcat e xhandarmërisë së Postës së Trebishtit. Këshillit Nacionalçlirimtar iu dorëzua komuna, në të gdhirë dolën në Modriç në rrugën Dibër-Strugë duke i zënë pritë një autokolone ku u vranë 3 dhe u plagosën 10 të tjerë, u dogjën 3 makina, u kapën 1 mitraloz, 5 pushkë, dhe municion tjetër ushtarak. Më 4 shtator forcat italiane për hakmarrje dogjën 400 shtëpi në Trebisht.
Më 8 shtator 1943 kapitulloi Italia fashiste, pas dy ditësh komisari i Çetës së Grykës së Vogël Ahmet Jegeni me një njësit të vogël nga Gjorica shkoi në Dibër të Madhe. Në emër të komandës së Batalionit të Dibrës i kërkoi gjeneral Aldo Aci që forcat italiane t’i dorëzoheshin Batalionit të Dibrës, depot, armatimet, ushqimet dhe veshmbathjet që disponojnë. Ai siguroi gjeneralin italian se ato që do të dorëzoheshin nuk prekeshin, do t’u sigurohej ushqimi, paprekshmëria e personit nga ushtari deri tek oficerët e komandës së Divizionit.
Pas dorëzimit të ushtrisë italiane u grumbulluan në Peshkopi rreth 3000 forca të reaksionit të cilat kërkonin që forcat italiane t’i dorëzohen Parisë reaksionare, të ndanin plaçkën e luftës në qytet dhe të mertnin pushtetin. Siç dihet Divizioni Firence iu dorëzua Batalionit të Dibrës. Kjo solli konfliktin që njihet si lufta e Peshkopisë, 17-18 tetor 1943. Luftime të ashpra u zhvilluan në sektorin veri lindor (Çipure-Kamen) të Peshkopisë që mbrohej nga Çeta e Gollobordës ku u plagos komandanti i saj Ahmet Cami i cili pas disa ditësh ndërroi jetë në një spital të Tiranës. Ranë dëshmorë Halil Hasa nga Tetova, Idriz Kaba nga Tomini, Nesim Kaza nga Cerjani, Alush Stojku nga Peshkopia. 5
Më 31 tetor deri më 3 nëntor, në bashkëpunim me Batalionin e Martaneshit u luftua 4 ditë e 4 net rresht për çlirimin e Dibrës së Madhe kundër nazistëve gjermanë, Batalioni i Dibrës pas kalimit të Divizionit sulmues në veri mori pjesë nëçlirimin e Homeshit, të Peshkopisë, në luftën e Fushë Alies etj.
Lindur dhe kalitur në luftë Batalioni partizan i Dibrës i kreu me sukses detyrat luftarake në Zerqan, Bulqizë, Peshkopi, Trebisht, Kërçovë, Strugë, Dibër e Madhe, Lumë, Krujë, Mat, Çermenikë, etj. Ky batalion i dha Atdheut 34 dëshmorë për 13 muaj të ekzistencës së tij,6 nga këto dy heroj populli, Nazmi Rushiti e Hibe Palikuqi. Më 18 gusht 1944 Batalioni Partizan i Dibrës u inkuadrua në Brigadën e 18 Sulmuese në Sllatinë.
Zabit Lleshi
Xhevat Jella
Kryetar i Komitetit të Veteranëve të LANÇ Bulqizë
Tiranë korrik 2018