Ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizmi fetar tek të rinjtë


 

Rritja e radikalizmit fetar dhe ekstremizmit të dhunshëm u manifestua në Shqipëri në rastin më ekstrem me shtetas shqiptarë të cilët iu bashkuan konflikteve në Siri dhe në Irak. Ndonëse shifrat variojnë sipas raportimeve të ndryshme, mendohet se më shumë se 100 shqiptarë t’i jenë bashkuar konfliktit në një kontekst fetar. Disa arrestime janë bërë ndër rradhët e imamëve të rekrutuar, të cilët më vonë janë proceduar penalisht. Shteti shqiptar sakaq ka ndërmarrë të gjitha masat legjislative dhe zbatuese, si partner në luftën ndërkombëtare ndaj terrorizmit. Hulumtime të mëtejshme që pasuan, nxorrën në dukje se disa nga faktorët dhe arsyet e radikalizimit të të rinjve, që i shtynin ata drejt akteve të dhunshme dhe i bënin pre të manipulimeve, ishin niveli i ulët i njohjes me fenomenin dhe niveli i ulët i përgatitjes për parandalim, margjinalizimi apo izolimi socio-ekonomik dhe mungesa e një koordinimi efektiv ndërmjet mekanizmave institucionalë.
Të dyja zonat e Peshkopisë dhe Urës Vajgurore janë të prekura nga zhvillimi i ulët ekonomik, mundësitë e pakta të zhvillimit për rininë, margjinalizimi shoqëror e mungesa e informacionit mbi temat e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Për këtë arsye, Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare në bashkëpunim me dy organizata lokale Art-Culture-Initiative (ARCI) dhe Qendrën për Zhvillim Rajonal dhe Ekonomik (Alpin) ka zhvilluar një seri diskutimesh të hapura dhe seminarësh me qëllim angazhimin e të rinjve në krijimin e komuniteteve lokale të qëndrueshme kundër ekstremizmit. Në total, 4 seminarë dhe 4 diskutime të hapura janë mbajtur në Peshkopi dhe në Urën Vajgurore nga lektorë dhe ekspertë të çëshjeve të sigurisë dhe të ekstremizmit të dhunshëm, mbështetur nga fondet e Bashkimit Evropian, dhe grantit të përfituar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit që i rendit këto organizata ndër rradhët e dhjetëra organizatave që po bashkëveprojnë me njëra-tjetrën në mbarë Shqipërinë si pjesë e rrjetit “Shoqëria civile kundër ekstremizmit të dhunshëm”.
Në një prej diskutimeve të hapura të mbajtura në rrethin e Dibrës, Hysen Uka, ekspert i sigurisë, foli mbi konceptet e ekstremizmit, ekstremizmit të dhunshëm, radikalizmin dhe favorizimin e terrorizmit në përgjithësi, si dhe duke u ndalur në shfaqjen e këtyre fenomeneve te fëmijët dhe të rinjtë. Përmes sqarimit të këtyre koncepteve, u synua që të pranishmit, mësues, prindër, klerikë të besimeve të ndryshme, por dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, të bashkëbisedonin dhe të kishin kuptim të njëjtë apo të përafërt për këto fenomene. Për të gjithë pjesëmarrësit në seminar, grupi i synuar ishte i njëjtë: fëmijë, nxënës dhe të rinj.
“Të gjithë kanë detyrimin dhe përgjegjësinë shoqërore, por dhe ligjore që gjatë procesit të edukimit të kuptojnë e të parandalojnë në kohë çdo ndikim apo tendencë për ekstremizëm e radikalizëm të dhunshëm. Masat preventive, parandaluese, janë më efektive se të luftosh fenomenin kur ai të jetë shfaqur në një formë apo në një tjetër,” theksoi lektori Hysen Uka.
Por, a ka raste apo shfaqje të sjelljve të dhunshme dhe radikale nga nxënësit dhe fëmijët në shkolla, në mjedise shoqërore etj., në rrethin e Dibrës? Uka theksoi se nuk mund t’u fshihemi disa fakteve, të mos pranojmë se raste të sjelljes së dhunshme apo ekstremiste edhe në rrethin tonë ka. Shkaqet për veprime e sjellje ekstremiste e të dhunshme janë të shumta e të larmishme.
Ata kanë burim kryesor proceset ende të pamaturuara të shndërrimeve social-politike e kulturore në vendin tonë. Shoqëria jonë ka pësuar ndryshime tërësore, radikale, dhe kalimi nga totalitarizmi në sistemin e demokracisë liberale krijon hapësira edhe për keqpërdorim të lirisë, apo shpërdorim të saj. Në kuptimin institucional, reforma ka prekur të gjitha llojet e marrëdhënieve: marrëdhëniet në familje, marrëdhëniet në shkollë mësues-nxënës dhe ato midis nxënësve, marrëdhëniet në shoqëri. Gama e lirive është zgjeruar e plotësuar edhe me liritë e besimit e predikimit, të organizimit etj.
Zhvillimi i vrullshëm i teknologjisë, veçanërisht i asaj të komunikimit e të përhapjes së informacionit, e ka vënë sistemin e edukimit dhe të kujdesit ndaj fëmijëve dhe të brezit të ri përballë sfidash të vështira e të vazhdueshme, sfida që nuk mund të përballohen vetëm dhe pa një bashkëpunim të vazhdueshëm, të gjithanshëm e në të gjitha nivelet shoqërore dhe institucionale. Përhapja e lajmeve të pavërteta, manipulimi i ngjarjeve, nxitja e prirjeve radikalizuese, krijimi i rrjeteve të solidarizimit e të ndërveprimit për qëllime e ide radikale, stimulimi dhe frymëzimi i ndjenjës së heroizmit në mjediset e të rinjve e të fëmijëve krijojnë problem serioz me të cilat jemi përballur vitet e fundit në forma të ndryshme. Kohezioni social dhe siguria e komunitetit janë vazhdimisht të kërcënuara, veçanërisht nga të rinj të ekstremizuar e të radikalizuar nga rrethana e ndikime brenda vendit apo nga jashtë.
Dhuna në disa shkollat të rrethit Dibër ka shënuar edhe raste fatale, me humbje jetësh të nxënësve. Fëmijët janë të prirur të zgjedhin modele, kryesisht modele të të fortëve, të të rinjve apo shokëve me ndikim e imponues, të atyre që sfidojnë rregullat e nuk njohin rrezikun. Shoqërimi me to duket sikur u jep siguri më të dobtëve dhe të paqëndrueshmëve, të cilët më vonë bëhen viktima të zgjedhjes dhe shoqërisë së tyre të gabuar.
Uka theksoi se ekstremizmi i dhunshëm nuk gjen kushte në një shoqëri të konsoliduar, në një shoqëri në të cilën rregulli dhe ligji, veprojnë dhe janë njëlloj për të gjithë, vlerat që krijon shoqëria ju përkasin, respektohen dhe mbrohen nga institucionet në shërbim të shoqërisë, jo në shërbim të më të fortëve. Shoqëria vetë krijon modelin e mirë, prej të cilit frymëzohen e udhëhiqen edhe fëmijët dhe të rinjtë. Por, në mjedisin tonë social, sidomos në rrethe periferike e me lëvizje të vazhdueshme të popullatës vendase, me destabilizim tërësor të hierarkisë së vlerave, hapësirat për depërtimin e fenomeneve të ekstremizmit të dhunshëm e të radikalizmit që frymëzon terrorizmin janë të shumta dhe përdoren prej organizatave apo individëve me prirje radikaliste e ekstremiste”.
Ndërkaq në Urën Vajgurore, në një prej diskutimeve të hapura të mbajtura aty, lektori, Vilson Shehu cilësoi marrëdhëniet midis prindërve e fëmijëve si një prej zgjidhjeve më të rëndësishme e efektive. Komunikimi i hapur, inkurajimi i pjesëmarrjes në aktivitete pozitive, kontrolli mbi aplikimet online, ndihma për të kuptuar rreziqet, shpjegimi se ka shumë mashtrues në ofertat online etj. u diskutuan si dukuri që sot janë prezente e mund të shndërrohen në rrezikshmëri.

Për më shumë informacione mbi aktivitete të ngjashme pranë jush, ju ftojmë të ndiqni faqen Shoqëria civile kundër ekstremizmit të dhunshëm në Facebook.