Letërsia dhe procesi letrar në shekullin XX


Parafjalë për botimin

Monografia “Letërsia dhe procesi letrar në shekullin XX” synon të përmbushë një njohje sa më përfaqësuese të peizazhit europian e më gjerë në kulturat letrare përgjatë shekullit XX. Në këtë vëllim (sikundër dhe në dy vëllimet e tjera të ardhshme) kemi parashtruar një variant sa më efikas të procesit dhe rrjedhave letrare të shekullit, duke u orientuar nga kriteri i kanonit dhe kodit të traditave letrare, të cilat kanë përcaktuar specifikën e vetëdijes letrare të epokave, të shkrimtarëve dhe të lexuesve, midis normës dhe tabuve në krijimin dhe receptimin e letërsisë.
Evolucioni letrar është një dukuri që reflekton formacionet mbizotëruese të gjendjes shpirtërore të njeriut, vetëdijes dhe ndjeshmërisë së tij në etapa të caktuara të vendit dhe kontekstit ku realizohet një letërsi e dhënë. Madje, në varësi të këtij konteksti (kulturor, historik, psikologjik apo ideologjik), letërsia përpunon mjetet shprehëse duke provokuar formacione të reja stilistike në paraqitjen sa më të gjerë në tektonikën shpirtërore e psikologjike të njeriut.
Raporti i shkrimtarit përballë përvojave artistike pararendëse karakterizohet nga pranimi ose refuzimi i tyre, nga eksperimentimi apo nga velja përgjatë marrëdhënieve me to dhe, në fakt, parë në një plan më të gjerë, raporti i shkrimtarit me traditën dhe përvojën, nën dritën e shpikjeve dhe të zbulimeve, shpie te pranimi, refuzimi apo dhe verifikimi i autoritetit, i peshës që kërkon të homogjenizojë strukturën njerëzore të mendimit, ndjeshmërisë dhe estetikës.
Periudhat e entuziazmit dhe të dëshpërimit nga revolucionet, luftërat, ideologjitë, progresi teknologjik dhe mitet e shkencës, kanë sjellë gjithëherë nevojën për një ëndërrim të ri, për utopi të reja, për rezistencë ndaj bjerrjes së cilësive shpirtërore të njeriut dhe njerëzimit në një botë që ndryshon vazhdimisht orientimin, sistemin e vlerave, etikën dhe idealin e saj estetik.
Prandaj dhe letërsia e krijuar përgjatë shekullit XX është në metamorfozë të përhershme, herë duke mbrojtur vlerat estetike, humaniste e tradicionale e herë duke i sulmuar ashpër ato me një patos të pakompromis, në të mirë të zbulimit të mjeteve të reja shprehëse.
Në këtë libër kam synuar të përkap letërsinë mes një bote në ndryshim të vazhdueshëm, si dhe të paraqes disa nga tiparet thelbësore të ligjeve universale, që e udhëheqin krijuesin gjatë krijimit të modeleve midis shqetësimit të tij si pjesëmarrës në përvojat kolektive dhe raportit të thellë të përvojës së brendshme individuale dhe metafizike. Paradigmat artistike e letrare të shekullit XX janë parë paralel me formacionet botëkuptimore intelektuale të këtij shekulli, të cilat janë ngjizur në këtë shekull përmes utopish, dilemash e katastrofash kombëtare e ndërkombëtare.
Të paraqesësh letërsinë e shekullit XX sipas një koncepti të përfunduar është punë e pamundur, madje, në thelb, e dyshimtë. Parimet kronologjike, historike apo sociologjike, përveçse nuk e sqarojnë thelbin e procesit, e bëjnë konfuze dhe vulgare një ndërmarrje të tillë. Në librin tonë këtyre aspekteve historiko-sociologjike u kemi lënë një hapësirë “koprace”, por të ndershme, sa për të sqaruar koordinatën e kohës dhe sfondin psiko-social kur zhvillohet personaliteti i shkrimtarit.
Parimisht për mua ka qenë shumë i rëndësishëm formacioni stilistik dhe fizionomia estetike e shkrimtarëve që imponojnë me risitë e tyre një rend të ri vlerash letrare. Letërsia e shekullit XX është një oqean i paskajtë, në të cilin mund ta humbasësh shpejt busullën e orientimit. Prandaj dhe parimi i reprezantimit të peizazhit letrar që kam ndjekur në këtë libër ka synuar të zhdavarisë konfuzionin e pashmangshëm, duke bashkërenduar disa kritere, ndër të cilët, më të rëndësishëm më duken:
Kriteri i evolucionit/revolucionit të paradigmave artistiko-estetike: modernizmi, avangarda, postmodernizmi, kultura masive. Kriteri i risisë dhe eksperimentit me shqyrtime teorike të manifesteve, traktateve dhe doktrinave që proklamojnë shkolla e variante të ndryshme moderniste e postmoderniste.
Ilustrimi i platformave teoriko-estetike në krijimtarinë e përfaqësuesve tipikë të shkollave/rrymave të ndryshme letrare.
Veçoritë dhe specifikat e letërsive kombëtare, nisur nga logjika e brendshme kulturore e secilës prej tyre. Zgjedhja e disa linjave (përplotësuese) që përshkojnë letërsinë e shekullit XX-XXI, siç janë “trashëgimtarët e linjës realiste”, “Erosi modernist”, “Utopia/antiutopia në shekullin XX, “mitologjizmi dhe neomitologjizmi”, “romani i ri/antiromani”, “dimensioni i absurdit/absurdizmi” etj., çka lejon një vështrim shtesë, që rrok zhvillimet procesuale letrare, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore.
Ky libër është nevojë e drejtpërdrejtë e mësimdhënies jo vetëm në auditoret e Fakultetit Filologjik të Universitetit të Tiranës. Ky botim paraqet ndryshime dhe përmirësime thelbësore, duke përditësuar dhe pasuruar disa krerë si nevojë e domosdoshme për disa autorë dhe koncepte, në dritën e studimeve të reja dhe përkthimeve të fundit në shqip të disa autorëve të rëndësishëm.
Megjithatë, qëllimi i përmbledhjes së këtyre studimeve në këtë botim përfshin dhe interesat e një leximi të gjerë intelektual, për çdokënd që interesohet për njohjen elitare të letërsisë së shekullit XX-XXI, për autorët e saj më vendimtarë në formimin e shijeve, stileve dhe estetikave të veçanta, si pjesë e domosdoshme e konstruktit estetik e filozofik të njeriut bashkëkohor.
Agron Tufa